More
    KreuLetërsiBibliotekëMentor Kikia: Vrasje në rrugicën e Xhulit (tregim)

    Mentor Kikia: Vrasje në rrugicën e Xhulit (tregim)

    Në shtëpinë e Iliaz Doçit kishte plasur sherri. E kur, pikërisht tani që kishin përfunduar së rindërtuari shtëpinë. Iliazi është duke shkuar tek të tetëdhjetat, por është shumë energjik dhe njeri punëtor. Ai është një artist i vërtetë. I vjen doresh për çdo gjë. Ai kishte punuar në ndërmarjen artistike, si gdhendës druri. Por, po me kaq mjeshtëri punonte edhe gurin. Dhe, siç mund ta merrni me mend, shtëpia e rindërtuar ishte me dru e gurë të punuar pikërisht nga duart e tij. Në fund, pasi kishte lyer me llak edhe portën e jashtme, të cilës i kishte vënë një çati elegante, me ca tjegulla me majë të kthyer që ngjanin si stil japonez, ai vuri edhe një pllakë guri, ku ishte shkruar, me gdhëndje kuptohet, “Familja Iliaz Doçi”. Shtëpia e familjes Doçi ndodhet në një rrugicë rreth 150 metra të gjatë, ku ishin vendosur familje të vjetra tiranase dhe dibranë të ardhur në vitet 1920. Disa shtëpi ishin prishur dhe në vend të tyre ishin ndërtuar pallate, disa ende mezi mbahen në këmbë, të rrethuara me mure qerpiçi të kuqerremtë, gjysmë të rrëzua. Familja Doçi i rezistoi ofertave për ta prishur shtëpinë, pasi aty kishte kujtimet e saj prej të paktën 3 brezash. Dilemave dhe tundimeve Ilizai i dha fund kur vendosi që me paratë e sjella nga djali, emigrant në Gjermani, kursimet tij dhe një kredi që mori në bankë, të rindërtonte shtëpinë, në atë gjëndje që është tani.

    Xhuli, bashkëshortja e Iliazit kishte qenë fatorino autobuzi. Ajo ishte një grua e sertë dhe kur bërtiste ajo në autobus “shtyhuni nga fundi ju thashë”, të gjithë paloseshin me njëri-tjetrin e nuk e bënin fjalën dysh. Po ashtu edhe në rrugicë. Kur fëmijët loznin me top dhe qëllonte që topi të binte në oborrin e familjes Doçi, ata ia mbathinin të gjithë, sepse e dinin që Xhuli do të ulërinte sa të oshëtintë rrugica në të dyja anët. Madje edhe të afërmit, nuk thonin “do të shkojmë për një kafe nga Ilizi, pasi ka patur një sebep”, por, “do të shkojmë nga Xhuli”.

    E kështu, dalëngadalë, shtëpia filloi të quhet “shtëpia e Xhulit” ndërsa rrugica, “Rrugica e Xhulit”.

    Atë mëngjes Xhuli kishte dalë herët për të blerë lëpjetë, rukola dhe barishte të tjera të njoma që shesin fshatarët, në një treg të vogël në krye të rrugicës. Ndërsa ishte kthyer dhe po hapte derën e rëndë prej druri, ajo pa pllakën e gurit, ku shkruhej ”Familja Iliaz Doçi”. Ajo zgurdulloi sytë, hapi derën me furi, përshkoi oborrin me hapa të shpejtë, hodhi qesen me barishte në kushinë dhe nxitoi për në dhomën ku flinte Ilizai. Por krevati i tij ishte bosh.

    -Iliaz, Iliaz, – filloi të bërtiste nëpër shtëpi Xhuli.

    -Nënë, çfarë ka moj, çfarë ka ndodhur?, – Astriti doli nxitimthi nga dhoma e tij, duke fërkuar sytë e përgjumur.

    -E di ti, e ke parë ti çfarë ka bërë yt atë apo jo?

    -Çfarë ka bërë moj? Fol ku është babai, çfarë i ka ndodhur?

    -Nuk i ka ndodhur gjë jo, por eja të ta tregoj. Ajo kapi prej dore te birin 45 vjeçar dhe e tërhoqi si dikur, kur e çonte me zor në kopësht. Hapi të dy kanatet e derës së drunjtë dhe drejtoi gishtin nga pllaka e gurtë.

    -Ja- tha ajo në mënyrë solemne – lexoje këtë çfarë shkruan. “Familja Iliaz Doçi”- lexoi ajo tërë ironi.

    -Po aman moj nënë, për këtë je alarmuar ti. Po familja emrin e kryefamiljarit mban moj, çfarë të shkrepi tani?

    -Po pra po, por kryefamiljari kam qenë unë me kohë në këtë shtëpi. Kush i paguante dritat, ujin, kush shkonte të merrte drutë tek fusha e druve, kush ju regjishtronte ty dhe tët motër në kopësht e në shkollë, kush i krasiste portokallat dhe rrushin? Hë, kush i bënte këto? Yt atë dinte vetëm të gdhentte llulla dhe kukulla prej druri. I pelqete ta quanin artist dhe artistët nuk bënin punë të tjera në shtëpi, ato i bëja vetëm unë…Tani na doli Familja e Iliazit kjo. Jo more…

    -Mirë nënë mirë, eja brenda tani. Nuk ia vlen të ziheni në këtë moshë. Do flas me babanë dhe të vërë edhe emin tënd, ose ta heqë edhe të vetin e ta lërë vetëm “Familja Doçi”. “Eh more baba – tha Astriti me vete, duke vënë buzën në gaz – tani u kujtove ti? E si mund të rrëzosh një pushtet të konsoliduar prej 50 vjetësh? Nuk është kaq i lehtë revolucioni baba, e aq më shumë në këtë moshë”.

    Astriti e kishte harruar fare sherrin për pllakën tek derë e shtëpisë. Të nesërmen në mëngjes, ai ishte ulur në tendën pesëkëndore me parmakë druri të dhendur, që ndodhet në cep të kopështit, nën hijen e limonave dhe portokallave. Gjumi i kishte dalë herët dhe kjo ishte shenja e parë se po vinte pleqëria. Ishte pranverë dhe në këtë stinë nuk ka gjë më të mrekullueshme në këtë oborr sesa aroma e luleve të portokallit dhe limonit. Ishte kjo që i mungonte më shumë atje në Gjermani.

    -Astrit, eja këtu, shpejt, eja- e shoqja përpiqej ta thërriste me zë të ulët, ndërkohë që i doli një ulërimë.

    -Çfarë ka moj, u zunë përsëri ata?

    -Hajde të thashë,- ashtu si e jëma, edhe ajo e kapi prej dore dhe e tërhoqi me forcë brenda në dhomën e tyre. Gruaja ishte si e çakërdisur. Me flokët e si kaçube dhe lotët që i rridhnin në faqe.

    -Fol moj, se më çmende, çfarë ka? – ngriti edhe ai zërin.

    -Ja, tha gruaja dhe i “plasi” në dorë telefonin e vajzës. Lexoji!

    -Çfarë të lexoj? – pyeti Astriti.

    -Mesazhet pra mesazhet. Ja çfarë shkruan vajza jonë 12 vjeçe me shoqen e saj.

    Wednesday, April 12. 14.23

    -He moj shtrigë ça bën? Si vajti sot? Tha gjë zysha për mua?

    -Mirë mirë, si përherë. I thashë që ishe ndjerë keq dhe u detyrove të ktheheshe në shtëpi.

    -E hëngri?

    -Ashtu u duk.

    -Lëre zyshën, po ti çfarë bërë, më thuaj.

    -Mirë, mirë vajti. E putha më në fund hahahaha

    -Vërtet me shtrigë e m…., më thuaj shpejt si ishte?

    -Po, por ka një problem… ika flasim në darkë, se nuk mundem tani. Po më therret mami.

    Wednesday, April 12. 22.27

    -Si ishte puna, se më bëre merak, s’më sqarove?

    -Hiç me hiç, por na ka hyrrë një shurrë në mes. Eshtë njëra që e sjell mamaja me makinë të shtrenjtë, Ilva tek e 6-ta B. Ajo bën si ashtu i bukur dhe i pëlqen të shkatërrojë lidhjet e të tjerëve. Ky po, si çun i bukur që është, i pëlqen tia varin.

    -Në fakt diçka ma kanë zënë veshët edhe mua, por s’ta kam thënë.

    -Po unë do ia çaj gojën asaj. Ka pak djem në shkollë që krruhet me këtë timin ajo? Ke për të parë po nuk ia dhash ato qimet e verdha në dorë, një e nga një. Buçja!

    -E, se nuk të thash, plasi sherri sot në shkollë. Ata të klasës së 8-të. Ua, u bë drejtoresha dhe. I porositi të gjithë, të paktën të mos tregojnë.

    -Kush, pse, ça ndodhi?

    -Po ja, mubahet kurvash, si kjo që thua ti. Ishte nëra që e luante me të dy, dhe ata pallat e nisën sherrin në korridor, pastaj në oborr, doli e gjithë shkolla jashtë. Njëri u bë gjak i gjithi..

    Astriti e la telefonin dhe ishte bërë limon në fytyrë. Kryqëzoi gishtat dhe i vuri krahët hark mbi kokë. U ngrit në këmbë dhe nisi të ecë nëpër dhomë. Shkoi, kapi sërish telefonin, por nuk e hapi më, e hodhi në krevatin e bërë lëmsh. E shoqja rrinte në këmbë si e ngrirë, duke kafshuar gishtin tregues të dorës së djathtë dhe ndiqte me sy ecejaket e të shoqit, në pritje të ndonjë reagimi prej tij.

    -Ku është? – pyeti dyke skërmitur dhëmbët, ku është se do ta vras.

    -Po fle- tha e shoqja me gjysmë zëri.

    -Ia tregoj unë asaj dashuriçkat që tani. Pale, po ka filluar të lërë edhe mësimin,- Astriti bëri të dalë nga dhoma, por e shoqja i zuri rrugwn duke i vënë kurrizin derës.

    -Prit të lutem, prit njëherë. Prit të vendosim si të flasim, si ta pyesim, se…

    -Se çfarë? Se na mërzitet Elja ë? Qan dhe i prishet rimeli i syve që ka filluar ti lyejë që 10 vjeçe? Kështu ë? Po s’ka faj ajo se ti e ke çmendur.

    Në këtë moment bie tërë tërsëllimë dera. Gruaja lëvizi, duke lejuar derën të hapej. Babai u fut brenda duke u dridhur nga nervat.

    -E theu pllakën jotëmë bir, e theu. E theu, por nuk e pranon fajin. Ja ku po ta them. Unë do ta vë përsëri pllakën dhe do ta vë aty ku ishte. Do të vendos edhe kamera sigurie dhe po e pashë që e thyen përsëri, do ta vras me duart e mia.

    Babai doli duke përplasur derën, ndërsa Astriti u shemb në krevat, mbuloi fytyrën me pëllëmbët e duarve dhe lëshoi vetëm një klithmë: O zot! 

    -Domethënë vajza në klasë të pestë dhe ja për çfarë bisedon me shoqet,- shfryu ai me fytyrën ende të mbuluar me pëllmbët e duarve.

    -Në të gjashtën- e korigjoi e shoqja.

    -E mirë, në të gjashtën, çfarë ndryshon?- Po me mësimet si shkon- pyeti ai, befas, me një qetësi që as vetë nuk e kuptoi nga i erdhi.

    -Ashtu, si të gjithë?

    -Si, si të gjithë? Çfarë do të thotë “si të gjithë”?

    -Epo shko e pyet në shkollë mor burrë, ja ku është shkolla, 200 metra larg është- ngriti zërin gruaja.

    -Po unë kam qenë larg moj grua, kam punuar. Me çfarë u bë kjo shtëpi? Me çfarë visheni e mbatheni ti e jotbijë dhe që s’ju mungon asgjë? 

    -Epo, fëmiljët nuk kanë nevojë vetëm për ushqim dhe veshje- ia ktheu ajo.

    -E di, por mund ta bëje ti edukatoren, ndërsa unë nuk isha këtu. Apo ti kishe nevojë për edukator për vete, se harrova unë.

    -Po e çon bisedën në tjetër vend tani, të doli në shteg dhe do ta përmendësh sërish – tha gruaja e nervozuar.

    Ata heshtën përsëri. “Nuk na shpie askund kjo bisedë. Eshtë bërë dhjetra here”- mendoi Astriti. Burrë e grua vendosën të shtrëngojnë dhëmbët dhe të kafshojnë gjuhën. Nuk ishin të qetë të bisedonin tani me vajzën. E lanë të flasin pasi të kthehej nga shkolla. Astriti doli dhe porositi të shoqen që të përpiqej të sillej sa më normalisht dhe të mos i binte në sy vajzës për çfarë kishin lexuar në telefonin e saj.

    Ai u ul në Kafe Europa. Edhe pse ora ishte 12.30, kafeneja ishte plot dhe kishte shumë zhurmë, por mendoi se gjeti një qoshe ku ishte më qetë. Ai do të takohej me dy shokë të vjetër të rinisë, dhe kishte nevojë të bisedonte. Kishte ardhur 2-3 herë nga Gjermania dhe nuk i kishte takuiar dot. Edhe ai kishte nevojë të ndërronte bisedë e të humbiste mendjen nga gjithë ajo që kishte ndodhur në mëngjes.

    -Po ku je mor Astrit se u bëmë për mall u bëmë- tha njëri prej tyre ndërsa u përqafuan. Ata zunë vend dhe ende pa u rehatuar në poltron, njëri prej tyre filloi të shfryjë.

    -Po çfarë bëhet kështu mora man. E tmerrshme, kriminelë që në këtë moshë?

    -Çfarë ka ndodhur – pyeti Astriti.

    -Ja shikoje – i tha ai, dhe i tregoi ekrnain e televizorit të varur në mur.

    Breaking News: Masakër në shkollë, një nxënës i vrarë dy të plagosur.

    Astriti brofi në këmbë dhe u afrua pranë ekranit. Të gjithë kishin heshtur dhe po dëgjonin spikeren.

    -Në cilën shkollë ka ndodhur?- pyeti Astriti.

    -Ja këtu afër, tek shkolla që është në krye të rrugicës së “Xhulit”, iu përgjigj një burrë që kishte mbetur me filxhanin e kafesë në dorë. 

    Astriti u lëkund dhe këmbët filluan ti dridhen. U kthue tek tavolina ku ishin shokët e tij. “Më falni, por më duhet të shkoj – tha – kam vajzën tek kjo shkolla. Nuk di çmund të ketë ndodhur”. Ai doli nxitimthi duke vrapuar mes përmes makinave. Por hyrja për në shkollë ishte bllokuar nga policia. Roja i shkollës tha se të gjithë fëmijët janë nxjerrë jashtë dhe janë larguar. Ai mori telefonin dhe, me duart që i dridheshin, mezi gjeti numrin e të bijës. I ra, por nuk e hapi. I ra përsëri, përsëri,përsëri…derisa nga ana tjetër degjoi zërin e të bijës.

    – Po babi.

    -Mirë je Elja? Ku je?

    -Mirë jam ba, mirë. Ka ndodhur një vrasje në shkollë dhe neve na nxorrën nga ana tjetër e rrugicës, tani jam tek tuneli dhe do të shkoj në shtëpi.

    Tek dera e shkollës ishin rreshtuar kamerat e televizoneve dhe gazetarët që raportonin Live. Ai telefonoi të shoqen që të dilte në rrugicë dhe të priste vajzën, ndërsa vetë u afrua edhe më shumë tek turma e njërëzve që përpiqeshin të shikonin apo mësonin më shumë për atë që kishte ngjarë.

    Të gjithë pyesnin, të gjithë përgjigjeshin dhe informacioni kalonte gojë më gojë: Çfarë ka ndodhur? Ka vdekur njeri? Kush ka vdekur? Sa të vdekur janë, dëgjova dy? Kush e qëlloi? Shoku i vet? Uaaaa, plumbin, këta duan plumbin! Kaq të vegjël e me thikë në shkollë? Jo mo jo, duhet të ngjallet prapë ai që iku, ne kishim frikë ti kthenim fjalën mësuesit, këta shkojnë me thikë në shkollë. Po pse janë zënë? Çfarë? Punë femrash e? 14 vjeç dhe me dashnore këta? Kanë prindër këta,  a kanë familje? E ku pyesin për familje këta mor zotëri. Fajin e ka shkolla, është bërë shkolla si han. Epo drurin e duan ato kurvickat e vogla që fusin djemtë në sherr….turma vazhdonte të merrte e jepte informacion dhe, padyshim, të analizonte dhe komentonte ngjarjen.

    Mediat vazhdonin të raportonin: “Ngjarja ishte vazhdim i një sherri që kishte nisur një ditë më parë brenda shkollës dhe sot, vijoi në këtë rrugicë këtu, ku autori i krimit dhe një tjetër shok klase, u zunë pritë dy adoelshentëve që i kishin goditur dje me grushta. Viktima ka marrë disa goditje me thikë në bark dhe një fatale në zemër” – raportonte një gazetar aty pranë.

    Pas një ore, në rrjetet sociale u shpërnda një video, ku autori i krimit shfaqej me thikë në dorë në një makinë, ndërsa tregonte kënaqësinë që kishte marrë hakun. Shkolla doli me një deklaratë, duke shprehur keqardhjen për krimin dhe, duke shtuar se ngjarja nuk kishte ndodhur brenda territorit të saj. Një grup aktivitësh shpërndanë një njoftim, për të protestuar ditën e nesërme, nga shkolla ku mësonin fëmijët deri tek Ministria e Arsimit.

    Astriti po ecte ngadalë. Gjunjët i ishin prerë, si në ato ëndrrat me makth, kur do të vraposh për ti ikur të keqes, por nuk mundesh, trupi s’të përgjigjet. Kërkon të bërtasësh, por sërish zëri nuk të del dhe pret vetëm të zgjohesh, të fshish djersët e të gëzohesh që ishte thjeshtë një ëndërr e frikshme.

    Ashtu, duke u zvarritur e me kokën ulur, ai u afrua tek porta e tij. I bindur se kjo nuk ishte një ëndërr e keqe, por një e vërtetë e hidhur me të cilën do të duhet të ndeshesh. Babai, me trapan po shponte vrimat në mur për të vendor pllakën e re ku shkruhej “Familja Iliaz Doçi”. “Le ta thyejë përsëri, po ia mbajti, le ta thyejë” – mërmëriste plaku, ndërsa shponte vrimat në murin e gurtë.

    -Bir, çfarë ishte kjo që ndodhi në shkollë sot?- pyeti ai sapo pa të birin që u afrua tek porta.

    -Erdhi vajza baba?

    -Po po erdhi, ishte bërë dyllë e vërdhë shpirti gjyshit. Kujdesu për vajzën bir. Mos e lër të bjerë në shoqëri te keqe. E shikon çfarë kohësh kanë ardhur.

    Astriti u fut në oborr dhe ndjeu sërish aromën e luleve të limonit. Nisi të çapitej ngadalë drejt hyrjes së shtëpisë. Në verandë, në një karrige kashte me shilte me pupla, ishte ulur Elja, e cila kishte telefonin e saj në dorë. Në atw moment, di dëshironte që ajo rrugicë prej 30 metrash, e shtruar me pllaka guri e me trëndafila anash, të ishte shumë e gjatë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË