Një miku im, që mund të kishte emrin Petrit, të cilin e kisha njohur shumë vite përpara si anëtar të një organizate marksist-leniniste të Kosovës në Zvicër ose Gjermani, një mbasdite më kërkoi ta shoqëroja në një takim me shokët e tij të idealit. Nuk pranoi të ma thoshte, por nga biseda e kuptova që disa nga ata shpokë, në një si ndejë të fundit e kishin quajtur trockist, ngase ky kishte shfaqur dyshime rreth disa metodave revolucionare që synonin t’i përdornin, për të gjallëruar sërish Lëvizjen. Unë u shpreha se nuk kisha ndonjë vullnet t’i bashkohesha në atë takim revolucionarësh, sepse, thashë, mendimet për lirinë më ishin zvjerdhur; por as nuk kundërshtova me këmbëngulje. Edhe ashtu tepria e kohës po më vriste. Së fundi kisha menduar shpesh se kthimi në kohën e shkuar ishte njëlloj daljeje nga dhuna e saj mbytëse. Një milion vjet i duheshin tokës t’i afrohej diellit dhe atëherë liria nuk do të kishte më asnjë kuptim.
U ktheva nga Petriti dhe shikova profilin e tij. M’u duk i largët dhe i turbullt, si një siluetë që laget në shi. Po ti, pse shkon atje? Ai kërcëlloi dhëmbët, por në një mënyrë të tillë, sikur i kishte inat nofullat që i shtrëngonte. Pse mos të shkoj? Çfarë më mbeti mua tani? Asgjë. U bë një luftë, u realizua një ideal, unë nuk isha aty. Unë nuk pata mundësi të gjeja atë që doja. Tani askush nuk më privon nga e drejta për të gjetur një ëndërr, çfarëdo që të jetë ajo. Pas fjalëve të tij u hap një gropë e heshtjes. Askund nuk kisha gjetur shpjegim, nëse energjia e errët ndikon ose jo në zgjerimin e kozmosit.
Përjashta kishte filluar të binte mbrëmja, qielli ishte bërë ngjyrë plumbi dhe era i luhaste cepat e tij sipër kodrës së Dragodanit. Në anën e pasme të Pallatit të Rinisë ishte një lokal me xhama të mëdhenj, me perde të trasha që mbyllnin pamjen, i qarkuar me një rrethojë parmakësh hekuri dhe pak më anash me një parking të shtruar me kube betoni. Dukej një vend i përshtatshëm për darka të fshehta, tani së fundi i përdorur dhe i mirëmbajtur nga një proveniencë e panjohur. Lëvizjet përreth lokalit ishin të pakta, dy veta te dera prej xhami, tre të tjerë që dolën nga një makinë, një burrë pak i hutuar, që dukej sikur kërkonte diçka dhe një jevge nga Shqipëria, e ulur në një bllok betoni, që i shante të gjithë që nuk i falnin para. Në përgjithësi pamja ishte aq reale, sa të nxiste të mendoje se bota metafizike nuk ekzistonte.
Vendi ku u futëm dukej si i sapo dalë nga sipërfaqja e territ: një sallë e madhe, me ca drita të kuqërreme diskrete nëpër cepa, e shtrirë nën një tavan të ulët dhe të rrafshët, me shtrojë të brejtur, me inventar të vjetër dhe me ajrin e plogët nga pëshpëritjet dhe të folurit nën zë. Në njërën anë salla merrte një ndriçim më të plotë, nga dy sërë dritash që binin pingul nga tavani. Po në atë anë ishte edhe një foltore, e bërë me dërrasa dikur të kuqe, tani ngjyrë tjegulle, nga e cila dikush që nuk ishte, duhej të thoshte diçka që nuk do të thuhej kurrë. Aty pranë dy burra përpiqeshin të rregullonin një si çarçaf të bardhë, përball të cilit një burrë tjetër kishte vënë mbi një tryezë një projektor dhe përpiqej ta përqendronte në vendin e duhur.
Pas pak numri i të ftuarve u rrit. Dukej sikur ata nuk hynin nga dera, por mbinin nga skutat boshe e të errëta të sallës. Pas tyre vinin ca hije të vjetra, të përdorura, që i binin dyshemesë kryq e tërthor. Prapa foltores tani u hap një flamur i madh, me një ngjyrë të kuqe këlthitëse, që dukej sikur vërriste e lemerisur. Petriti më priu në fund të sallës dhe aty më bëri vend në një tavolinë të ulët, me një sërë kolltukësh rrotull. Një çast më vonë Petritit iu afrua një i moshuar, u përshëndetën me grushtin e ngritur lart dhe ia shtrënguan duart njëri-tjetrit. Pastaj erdhi një grua që ishte e veshur si vajzë, me xhinse, bionde, me dy bishtaleca të lidhur shkurt, si aksioniste. Petriti mund të ishte i dashuruar me atë vajzë, por ajo nuk e donte Petritin, donte idealin. Mua më shikoi pak si me shpoti dhe më tha, revizionist, teksa më kaloi pranë.
Një kohë nuk fola me njeri, qëndrova vetëm, ndonëse e dija se vetmia aty nuk kishte asnjë kuptim. Në këtë e sipër, ca altoparlantë të vendosur në qoshet e errëta të sallës hodhën në ajër një muzikë revolucionare, e cila u ndërpre disa herë, së fundi rifilloi me gërvimë dhe zbrazi mbi kokat e njerëzve një ulërimë tingujsh të çaraveshur. Më pastaj u bë sërish qetësi, njerëzit nisën të flitnin me njëri-tjetrin, sekush u kthye nga foltorja, atje ca burra të shkurtër, të veshur pa shije, filluan të viheshin në radhë, duke u ngjeshur njëri pas tjetrit.
Pikërisht atëherë nga altoparlantët shungulloi “Internacionalja”, me tinguj që bëheshin bashkë me një brohoritje të zhurmshme, me zanore të zemëruara. Të gjithë u ngritën në këmbë, me grushte të shtrënguar në cep të ballit. Çarçafi i bardhë pranë foltores u ndriçua, projektori shfaqi fotografinë e Enver Hoxhës me fytyrë të shëndetshme, vetëmburrëse dhe të krekosur. Ngrihuni o ju të munduar! Një marrshim zërash si në paradë, me kuadrantet që përplasnin këmbët mbi nostalgjinë revolucionare. Ju t’uriturit skllevër anë e mbanë! Në memorie sheshi me flamuj ishte mbyllur në një flluskë ndezullie që ngrihej drejt lartësive të qiellit, zërat shpërthenin në përflakje të kuqe dhe përrenj farfuritës vërshonin botën nga të gjitha anët. Na buçet gjaku i turbulluar! Deliri revolucionar iu jepte fytyrave çehre të një lumturie të egër. S’duam padronë as tiranë! Entuziazmi e mbushi sallën e gjerë me vështrime të thepisura, si maja bajonetash, teksa lavjerrësi i kohës luhatej mbrapsht, që të maste zhbërjen dhe asgjënë e vet.
Në çarçafin e bardhë, ndërkohë, doli e shkruar data 16 tetor 1908, salla brohoriti Parti-Enver, fotografitë në çarçaf ndërronin njëra-tjetrën, Enveri këndonte “Internacionalen” në një sallë kongresesh, buzëqeshte me një dhëmb floriri nën buzën e epërme, çonte grushtin lart, rreth qafe mbante një shami pionierësh, përshëndeste me një tufë trëndafilash të kuq, lavdi marksizëm-leninizmit!
Më pas ndodhi një kalim i shpejtë nëpër një zonë kohore të zbrazët. Shikova profilin e Petritit që e kisha në krah dhe pak më andej profilin e burrit të moshuar. Pas tridhjetë vjetësh Petriti do të mbante një kasketë të vjetër prej basme të përhimë, do të mbante edhe kravatë të lidhur shkurt dhe pantallona një pëlçik mbi nyje të këmbës. Petriti u duk sikur e hetoi se atë çast mendimet e mia shkonin për të, prandaj u kthye nga unë dhe u përpoq të më buzëqeshte miqësisht. Më shumë më pëlqen të besoj në diçka sesa në asgjë, tha dhe iu bashkua thirrjeve në sallë që sërish brohoritën për Enver Hoxhën. Pastaj u kthye nga unë dhe më përfshiu me një vështrim pyetës. E ti? Unë? Asgjë. Kam vetminë time dhe kjo më mjafton.
Në foltore doli dikush që uroi për ditëlindjen e Enver Hoxhës, ai foli gjatë për shëmbëlltyrën revolucionare të shokut Enver, në foltore tani u shfaq dikush që thanë se do të mbante referatin kryesor, duartrokitjet zgjatën më shumë se zakonisht dhe u mbyllën me brohoritje. Mbi kokat e njerëzve nën tavanin e ulët pluskonin fjalë toskërisht me zanore të shkurtra dhe theks kosovar marksist. Burri që mbajti fjalim vinte i shkurtër nga trupi dhe grushtin e kishte të vogël si njëthundrak. Në prapavijë shqiponja e zezë e flamurit ngjante e mërzitur, teksa notonte në pellgun e kuqërremë të gjakut të mpiksur. U ktheva nga Petriti dhe shikova profilin e tij të tkurrur nën çehren e zbehtë. Sa zgjasin idealet? Deri në amshim. E një amshim tjetër a mund të gjendet diku?
U bë pauzë. Sekush qëndroi në vendin e vet, sekush u ngrit në këmbë. U shërbye me nga një gotë ujë dhe në disa tryeza u shpërndanë emblema me portretin e Enverit. Petriti u largua të takonte dikë dhe unë mbeta vetëm. Nëpër trup m’u ngjit një angështi, që më dukej se vinte nga një vjetërsim dhe kalbje e indeve të kohës, e cila nuk mund të kthehej më në rutinën e saj. Dikush ndezi duhanin, kundërmimi i nikotinës i dha ajrit shije të sertë brenge. Mos pini duhan, se na plasët! Edhe shoku Enver e pinte.
Diku, në sfondin e pamjeve të hijesuara, nëpër sipërfaqen e avullimës dhe zagushisë, pikasa një buzëqeshje burri që m’u duk e njohur. Ishte poeti Berisha. Ai mbante një gotë në dorë dhe vinte drejt meje, i hajthëm dhe disi i tejdukshëm, sikur të kishte vrapuar gjatë pas hijes së vet. Në luftën e përjetshme ndërmjet dritës dhe errësirës, prania e tij ishte vendosur mbi një sfond dritësimi të plogët dhe terrine të panevojshme. Me këtë rast unë shpreha çudinë time që e shihja në këtë vend, ndërsa ai m’u afrua dhe më tërhoqi me vrull, unë u përpoqa ta mbaja në distancë, por duke mos e lënduar në sedër, ai tha, edhe shoku Enver është puthur në buzë me Hrushçovin, dhe mori turr të m’i ngjishte jargët ku të arrinte. Së fundi, buzët e tij të flashkëta m’u ngjitën pranë veshit të majtë dhe më mbushën me ndjesinë e mutit. Duhma e tij qelbej raki dhe duhan përzier.
Ndërkohë dhe ndërkohë, Petritin fliste me vajzën aksioniste. Profili i Petritit ishte shkrehur në një trallisje të papërmbajtur; profili i vajzës ngjante me një skalitje të ngurtë e të ftohtë. Petriti i thoshte diçka vajzës, ajo e dëgjonte në heshtje; Petritit shprehej për diçka me shumë ndjenjë, ajo refuzonte në heshtje; Petriti pohonte diçka duke prekur kraharorin, vajza mohonte duke shtrënguar grushtet. Në fund ajo i tha diçka Petritit, ai u kthye me vrik dhe u nis nga unë, me një ecje të ngatërruar nga mendimet dhe ndjesitë, sikur një forcë e padukshme ta shtynte kundër rrjedhës. Ishte i zbehtë dhe kapërdihej me zor. E di çka më tha? Për dashuri jap jetën, për ideal jap dashurinë! Me ba me e dijtë se kush e ka thanë këtë gja i pari, ia kisha ba nji mut te vorri!
Në foltore tani doli një poete e re, e cila recitoi një vjershë të gjatë, në stilin e “Heronjve të Vigut”, mua m’u rënduan qepallat dhe për një çast notova nëpër shurdhësinë e mpiksur të një ëndrre të vogël. Ëndrra nuk kishte as fillim as fund, ishte e mbyllur në një bashkë mjegulle, si në një kuvli magjike, teksa unë nuk arrija të shquaja asgjë në brendinë e ëndrrës. Po në atë çast një dorë më preku në sup dhe unë dola nga ëndrra pa kuptuar asgjë. Mbi kokën time rrinte në këmbë Besniku i komunistëve jugosllavë, me të cilin dikur kisha punuar në “Rilindje”, me flokë të thinjur dhe me një buzëqeshje të hollë e të lehtë, si prej lastre alumini. Po ti? E di si ndihem unë tani? Sikur më shtrëngon barku dhe kërkoj një qenef nëpër qiell, i thash. E ke nga vetmia e tokës që sillet vrangull nëpër gjithësi. Nuk kishte rëndësi nëse një dialog i këtillë do të ndodhte ndonjëherë. Kuptimet e pashprehura ishin aty, si lecka të varura nën tavanin pezull.
Në foltore tani dikush lexonte një kumtesë të gjatë për kontributin e Enver Hoxhës për lirinë e Kosovës. Ai i binte foltores me grusht pranë mikrofonit, trokitjet monotone vinin nga përtej varrit, koha nuk kalonte, bëmat e Enverit në referat ktheheshin në një përjetësi të mërzitshme.
Përgjumja filloi të m’i rëndonte qepallat, u kota për një çast dhe gjeta sërish ëndrrën time mbështjellë në përhitje. Këndej ëndrrës pamjet reale u kthyen në një parakalim hijesh. Në anën e përtejme imazhet e ëndërrta morën pamje dhe u shndërruan në trajta të ngurta. Kalova nëpër një zonë kohore me dy botë paralele: isha i varur në një ëndërr, kuptimin e së cilës nuk do ta merrja vesh kurrë, ndërsa ajo që shihja nuk kishte vendndodhje, ishte një dendësim grimcash të liruara nga rëndesa. Unë isha aty pa një vend të caktuar, si një molekulë që pluskon në zbrazësi.
Në botën e ëndrrës dhe të përfytyrimeve, ndërkaq, atë mbrëmje zhvillimet morën një drejtim tjetër: teksa nga foltorja vazhdoi edhe për një kohë tirania e thirrjeve për lirinë, unë i merrja fjalët me zanore të mbufatura dhe, përmes sinestezisë, i ktheja në ngjyrën e kuqe të imazheve revolucionare, vetëm se mesazhit të ëndrrës nuk i dhashë dot një kuptim: pjesa ime e errët kaloi mbi Malin e Shenjtë dhe kryqit të gozhdimit të Krishtit i vendosa në majë drapër dhe çekan. Më pas ëndrra u prish dhe unë dola nga përgjumja, shikova sallën e gjerë me sytë që më digjnin: foltorja kishte mbetur e zbrazët dhe dritat në atë anë nuk shquanin asgjë. Në sfondin përtej foltores nuk ishte më as flamuri i kuq. Në këtë pamje të botës reale fundi i sallës mbaronte me dyert e mbetura hapur, prej nga errësira e natës shtynte brenda erën e zbrazët të natës së tetorit. Ndërsa unë isha kotur, shumica e njerëzve tashmë ishin larguar.
U ngrita dhe i bëra ca hapa që çonin nga dera, me ndjesinë se kisha humbur kohën e ndodhisë së ngjarjeve. Diku aty, i ulur mbi shkallët që çonin mbi platformën e Pallatit të Rinisë, errësira mbi errësirë kishte vendosur Petritin dhe hijen e tij, i bërë kruspull dhe i shtrënguar pas vetmisë që e rrethonte. Hapësira përreth tij nuk kishte ndriçim të përshtatshëm, por kjo nuk ishte arsye e mjaftueshme që ai mos të ishte Petriti. Në të vërtetë, unë nuk e kuptova, pse kjo botë reale duhej të më çonte pikërisht në atë vend. Tani pashë Petritin që fliste me vete dhe qante. Përmes dënesave të tij arrita të shkëpus kuptimin e asaj që mezi arrinte ta thoshte. Unë, unë nuk kam më asgjë për të bërë, për të bërë, edhe materia, edhe materia, të cilës i besoja dikur, është futur në një pështjellim idealist, thjesht vjen një çast, kur kemi nevojë të vdesim, të vdesim, e kupton?
Tani Petriti ishte bërë një klishe e dëshpërimit, që mua nuk më ngjallte asnjë kureshtje.

