Shkrimtari Mehmet Kraja është vlerësuar me çmimin “Liburna”, për veprën më të mirë në prozë. Ky shpërblim është inaugurues, pasi jepet për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin, mbajtur nga data 26 deri më 31 korrik, që veçon botimet e reja mes dy edicioneve. Në ceremoninë e organizuar në këtë rast në skenën verore të Kalasë së Ulqinit, Kraja është shprehur: “Zakonisht, shkrimtarët thonë që çmimet nuk e bëjnë letërsinë, por e vërteta është që shkrimtarëve iu pëlqen të marrin çmime.”
Romani i fundit i Krajës, “Prishtina”, Botimet Onufri, është një rrëfim tronditës për qytetin e palumtur dhe njerëzit e tij, të cilët e pritën lirinë për një kohë shumë të gjatë.
Narratori dhe protagonisti identifikojnë njëri-tjetrin, fate njerëzish pleksen në një botë midis reales dhe fiksionit. Duke qenë romancier me përvojë, Mehmet Kraja i zotëron të gjitha teknikat bashkëkohore shkrimore, prandaj vjen aq e fuqishme tabloja që krijon.
I freskët dhe krijues, me një gjuhë që shpesh i kalon kufijtë e shprehjes, përveçse në përshkrime, kësaj radhe bëhet depërtues edhe në meditim.
Me këtë udhëtim nëpër lagjet, rrugicat dhe fatet e njerëzve “të lirë” të Prishtinës, Kraja shkon nëpër të gjithë organizmin ku merr frymë qyteti i tij. I shoqëruar ky udhëtim me një “luftë” të brendshme të pranimit dhe njohjes së realitetit.
Kraja është nga zërat bashkëkohorë më të fortë, qoftë në letërsi, por edhe në angazhimin e tij intelektual. Identifikuar për këtë qëndrim të rreptë, vështrimet e tij në raport me politikën, por edhe me kulturën, kanë zbuluar plagët tona, ato të pengesave të njohjes dhe të komunikimit. Në një intervistë, pyetur për integritetin e hapësirave tona kulturore, çfarë na pengon, nisur edhe nga botimi i romanit të tij të fundit, “Prishtina, pse e ka sjellë në Tiranë, Kraja është përgjigjur: “Unë nuk njoh kufizime të këtilla, prandaj nuk më bën përshtypje ky veprim. Letërsia shqipe është një e tërë, pavarësisht se ku botohet dhe çfarë tematike ka. Në të vërtetë, tani më ra ndër mend se para tre vjetësh Ministria e Kulturës e Kosovës e hoqi librin tim nga konkurrenca për njëfarë çmimi, me shpjegimin se ishte botuar në Tiranë. Mbeta i çmeritur. Nuk e kisha besuar se marrëzira të këtilla ndodhin ende. Pra, hapësira kulturore dhe letrare shqiptare është unike dhe e pamundur që të ndahet në provinca letrare. Unë bëj letërsi shqipe dhe i referohem një lexuesi të supozuar të mbarë hapësirës shqiptare. Më anë tjetër, duhet të kuptojmë edhe një gjë: libri dhe botimet janë të parët që e kanë integruar hapësirën tonë kulturore, ndërsa mua më pëlqen të jem i përfshirë në këtë integrim, pa kufizime tematike dhe ç’është më me rëndësi, pa kufizime gjuhësore. Dhe pikërisht, sa i përket gjuhës, ndihem i barabartë me çdo shkrimtar shqiptar që shkruan në Tiranë ose kudo gjetkë. Të shkruarit shqip, në kuptimin e plotë të fjalës, është themeli dhe rrafshi ekzistencial i letërsisë që përpiqem të bëj. Fundja, pse të mos e themi krejtësisht qartë dhe pa komplekse: letërsia e Kosovës nuk ekziston më, sepse kanë pushuar faktorët që e kanë kushtëzuar ekzistencën e saj. Ishte një përvojë letrare e letërsisë shqipe, siç ishte dikur, ta zëmë, letërsia arbëreshe. Tani nga letërsia e Kosovës ka mbetur vazhdimësia e një përvoje letrare e cila, gradualisht, po integrohet në letërsinë e gjithmbarshme shqipe.”
Mehmet Kraja ka lindur më 27 qershor 1952 në Kështenjë të Krajës, fshat afër Liqenit të Shkodrës, në Mal të Zi. Shkollimin e mesëm e kreu në Ulqin, ndërsa të lartin në Universitetin e Prishtinës, dega Gjuhë-Letërsi Shqipe. Gjatë viteve 1974-1976 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve të Universitetit të Prishtinës, “Bota e re”, më pas punoi si gazetar dhe redaktor i kulturës në gazetën “Rilindja”. Në fund të viteve tetëdhjetë u bë njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë viteve 1992-1999 jetoi dhe punoi në Tiranë. Pas luftës së Kosovës ishte redaktor i kulturës në të përditshmen “Zëri”, më pas redaktor i shtojcës për kulturë në gazetën “Koha ditore”. Që nga viti 2002 është edhe ligjërues në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2005). Deri më tani ka botuar trembëdhjetë romane, katër vëllime me tregime, dhjetë drama dhe pesë libra nga fusha e publicistikës. Vlerësimi i bërë në Panairin e Librit në Ulqin duket domethënëse për këtë shkrimtar, po aq edhe i rëndësishëm në një trevë ku shqiptarët e mbajnë të gjallë kulturën në limite të ekzistencës. Panairi, që mbahet çdo vit në sezon vere, mbledh botuesit shqiptarë nga të gjitha trevat, i cili këtë vit ka hyrë në edicionin e tij të 19-të, ku marrin pjesë mbi 50 botues nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.