More
    KreuOpinionMë mirë të qaj një ditë se çdo ditë

    Më mirë të qaj një ditë se çdo ditë

    Nga Rexhep FERRI

    1.
    Në kohë lufte…
    Me çmenduri në çmenduri.
    Një vajzë gjashtëmbëdhjetëvjeçare e dhunuar.
    E pyet veten:

    • Po sikur të mos kisha lindur çikë, e sikur të mos isha gjallë?!
      Ajo ende nuk kishte pasur një fotografi të një të dashuri…
      Priste moshën kur vajzat rriten! Deri tek mendja i thotë:
      “Shiko sa je rritur” dhe pyete veten: “Ku po të shkon mendja!”
      Ajo vajzë për të dalë nga rrethi tragjik e për ta mbrojtur veten edhe nga vetvetja, shpesh ndalet.
      Pyet veten:
    • Çka të bëj me vetveten?
      Pse nuk u fsheha nga kriminelët?
      Rrugës si u ngatërrova?
      Pse nuk u bëra e padukshme?
      Më mirë ta kisha thyer qafën.
      Estetika e mjerimit kujt i flet?!
      Nga kjo histori e errët paskam lindur për t’u dhunuar nga bishat.
      Si për ironi të fatit, asgjë nuk dimë se çka na pret.
      Ndodh ajo që ndodh.
      Deri atë ditë që veten e pashë në gojë të ujkut, bota ishte bota e lumtur edhe për mua.
      Tani për çka të jem e fortë. Më mirë të qaj një ditë se çdo ditë…

    2.
    Për njerëzit mendjebardhë, nëse ka ende njerëz mendjebardhë…
    Gjatë luftës e pas luftës, me njerëzit zemërzi jeta është e zeza jetë.
    Tregon tmerret dhe humbjen e çdo vlere njerëzore.

    • Edhe për grykën e topit është çmenduri.
    • Kur Bishat më kapën të gjallë dhe bënë çka deshën me mua nga paniku i shpejtë pse nuk humba? Pse nuk u bëra e padukshme për të ikur e për të mos rënë në duart e bishave? Zotin e kam dëshmitar. Jashtë mendjes ndihem pak si fajtore. Kur jeta bëhet e rëndë.
      Nga lufta në luftë, rrethana fatkeqe nuk është ndjenjë e hidhërimit, por plagë e hapur, e thellë sa varri i hapur.
      Kur errësira ma humb mendjen, krimet nuk po më lënë as të vdes e as t’i harroj krimet.
      As tani nuk po i themi të gjitha.
      As që do të thuhen ndonjëherë.
      Kam varrosur shumë ëndrra të djegura para se të lindin…
      Është e pabesueshme për ta kuptuar.
      Plagët janë të thella.
      Zemër, më fal!
      Mos më kërko larg.
      Larg isha kur isha!
      Nga bota në botë, Zoti më ndihmoftë që të ruhem edhe nga vetvetja.
      Tani, besoni, nuk do ta vras veten.
      Ku do të shkoj nuk e di…
      Ndoshta nuk do të ketë gjak.
      Ka humbur frika.
      Për faqezinjtë turpi ka vdekur.

    3.
    Për sot askush nuk mund të përgjigjet çka ndodhur e çka mund të ndodhë.
    Prapë po ju them:

    • Besomëni se nuk do ta vras veten. Po kërkoj besimin që më bën të fortë. Të jem e fortë dhe të di arsyen pse të jem e fortë. Jeta nuk e di si na vjen dhe si na humb.
      Zemër, më fal!
      Po ndalem pak të mendoj çka të bëj me jetën.
      Mundem vetëm me treguae se ajo çka deshën e çka bënë me mua bishat kurrë s’më hiqet nga mendja.
      Ishte tmerr.
      Tani plasi nga inati pse linda femër.
      Nga lufta.
      Nga tmerri.
      Nesër nuk e di si do të zgjohem.
      Për të shpëtuar nga dhunimet e kriminelëve të droguar edhe ëndrrat po më çmendin.
      Zemër, më fal!
      Duhet të bëhem e fortë.
      Edhe pse nuk e di për çka duhet të bëhem e fortë.
      Me pak shpresë çka na sjell jeta?
      A ka përkrahje morale më të fortë se ballafaqimi im me dhimbjen time të thellë?!
      Të menduarit më vret.
      Heshtja edhe më shumë më vret.
      A e di se çka ke humbur, shpesh i kam thënë vetes…

    4.
    Ne flasim, por fjalët nuk i gjejmë.
    Përpiqem të ndihem e gjallë. Për kohën që shkon, për kohën që kthehet, kur njerëzit e cirkut të kësaj bote nxjerrin flakë nga goja.
    Nesër nuk e di ku do të shkoj. Jeta qenka edhe humbje e papritur. Dhe shkurt, përsëri e njëjta gjë.
    Zjarr. Luftë. Zhgënjim.
    Më lejoni t’ju kujtoj se mashtrimi është një lloj përralle që na qet në gjumë.
    Dështimet.
    Zhgënjimet.
    Mashtrimet.
    Hakmarrjet.
    Nga dështimet vetëm tregtarët patriotë nxjerrin përfitime.
    Me ligje e pa ligje, vetëm në letër.
    Drejtësia funksionon.
    Vdekja fizike dhe vdekja morale janë në krizë.
    Lufta është frikë.
    Jeta e pashpresë edhe më e frikshme.
    Mos e kërkoni kodin për ta kontrolluar kujtesën.
    Kujt t’i besojmë?!
    Për mllefe dhe probleme me drejtësi e kemi heshtjen.
    Ajo na tregon se kush jemi e ku do të shkojmë.
    Nga këndi tjetër mos kërkoni falje!
    Nuk po e di si t’i kthehem prapë jetës.
    Kujt t’i besoj?
    Jeta ka shumë vuajtje, lakmi.
    Krimet edhe në thellësi të oqeanit janë të ngjashme.
    Tani për çdo pikë gjaku është vonë të flitet.
    Për të folur duhet të kërkojmë vështrimin e shpejtë të aparatit fotografik.
    Aty kur nuk arrijmë ta shohim fillimin, tragjeditë vijnë dhe shkojnë si përsëritje.
    Megjithatë, diku thellë në ne prapë na vjen të shpresojmë.
    Në pritje të një ëndrre mashtruese na gjen fundi i shekullit.
    Për të shkuar deri në fund, drejtësia nuk gjen fjalë.
    Rasti mbyllet.
    Kriminelët ndërrojnë maskat.
    Ligjet si drejtësi më shumë u besojnë gënjeshtrave se së vërtetës.

    5.
    Tani, si në përralla, pak jam në këtë botë e pak në botën tjetër, që nuk e njoh.
    Nuk e di as se ku është e sa është.
    Nga kjo largësi, pas shtatëmbëdhjetë vjetëve, vajza e dhunuar nga kriminelët e luftës çka mendon, e pyet pasqyrën.
    Ajo i thotë:

    • Largësia nuk ka largësi. Ka kohë. Jetë dhe harresë… Sa herë të më pyesësh, prapë ta them se jeta është edhe harresë, edhe e papërsëritshme.
      Për t’ia hedhur një sy së nesërmes, ngjashmëria sa është e mirë dihet.
      Është largësi që njeriu me vete e sjell në jetë.
      Siç po e shoh në horizont, harresa është gjë e mirë.
      Për fjalën që do shpirt, mundësia për ta takuar edhe një herë veten, për një të ardhme, për një të shkuar nuk e kemi heroin e ditës.
      Në histori dhe jo në histori pashë një patriot sojli të veshur si grua, si plakë. Pa therë në këmbë shpëtoi nga kriminelët e luftës dhe doli në Shqipëri.
      Pas tri ditësh e takova në Tiranë.
      Nga fjala e tij kuptova se çka na ka gjetur dhe ku do të shkojmë. Gjithmonë janë tri kohë. Vetëm njëra është për ne. Për të gjetur një zgjidhje ajo dritare e vdekur mbyllet dhe hapet me fatin tonë.
      Ta ruajmë ose ta harrojmë.
      Çka na duhet koha e ardhshme pa kohën e ardhshme.
      I lumtur dhe i shëmtuar jeton vetëm djalli.

    6.
    Për mua origjina e njeriut është botë e dyshimtë.
    Botë e panjohur.
    E kuptojmë si dhuratë prej Zotit kur është edhe në fund të detit.
    Tani nuk dua të mendoj asgjë më shumë.
    Nga jeta me frikë asgjë nuk kërkoj.
    Dal në dritë kur dita zgjatet edhe për një ditë.
    Sot askush nuk mund të përgjigjet:
    Çka na pret?
    Çka na merr?
    S’ka frikë që na tregon.
    Ajo që na del përpara është një realitet që na urren dhe që e urrejmë, të cilën gjatë udhëtimit diku e harrova.
    Edhe rrugën e lashë përgjysmë.
    Rrugën që ia kisha premtuar vetes.
    Në flakë dhe gjithçka tjetër nuk po më kujtohet.
    Nga tmerret e kriminelëve të luftës, në një pullë postare pashë:
    Nëna;
    Gra;
    Motra të dhunuara e të lëna në stom të rrugës lakuriq.
    Pyeteni veten:
    Ku?
    Pse?
    E kur?
    Një ushtimë që vinte nga larg më tha:
    “Pse s’po guxon me shkue në luftë? Mos po frikësohesh se e vret anmikun?”
    Unë mes Shpirtrave të vdekur u ndala.
    Te Guri i varrit të nënës më lëshuan këmbët.
    U rrëzova.
    Nuk më dhimbset jeta as sa një cigare e duhanit.
    Nga zemra e plastë, thashë.

    7.
    Harresën po e marr si po.
    Do të jam në kërkim.
    Ta provoj.
    Zgjohem nga e kaluara.
    Sipas legjendës, kthehem nga mejdani me nëntë plagë.
    Duhet të më ndihmoni me praninë e gjallë.
    Kur mbesim pa fjalë. Nuk e di sa mund të jam e fortë.
    Për diçka që ka ndodhur, moralin e gjej te lindja e njeriut.
    Lufta nuk fitohet pa shkuar në luftë.
    Ajo i takon zjarrit për të jetuar.

    Shkurt 2019

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË