More
    KreuLetërsiBibliotekë"Me lëkurë të re", tregim nga Miri Dhrami

    “Me lëkurë të re”, tregim nga Miri Dhrami

    Mëngjeseve herët, kur vesa ende nuk ish tharë mbi qemerët e portave të gurta, dëgjohej e beftë trokitja e plakut që grumbullonte nëpër fshat, lëkurët e kafshëve të  therura. Nuk ishte nevoja të thërriste. Të gjithë ia njihnin trokitjen me shkopin e dorës. Disa ja hapnin portën por të shumtët përgjigjeshin nga brenda. (Na lër o Çelo, pash zotin! Nuk e kemi rrjepur kecin akoma!) Atëherë plaku drejtohej tek porta e komshiut, e kështu me radhë, duke trokitur në të gjithë dyert e fshatit. Veçse tek porta jonë, ai ngulmonte më tepër. Trokitjet e dëshpëruara të tij derdhnin tek parmaku i shtëpisë tonë, tërë makthin e jetës së tij të mundimshme. Ndërkohë dy të mëdhenjtë e shtëpisë, babai dhe gjyshi, pyesnin njëri tjetrin me habi, “Përse nuk i bie ziles ky njeri? Nuk e shikon butonin, apo me shkop e ka më të lehtë?” Për pak trokitja e tij bëhej e rreptë si zhurma e breshrit mbi llamarinën e kotecit.

     “Vërtet, përse nuk e vendos gishtin mbi zile? Përse e shpërfill kaq shumë veprën e mrekullueshme të babait tim?!” pyesja veten ngaqë të gjithë shokët në fshat, kishin qejf t’i binin ziles tonë. Mos vallë gishtat e plakut të kthyer prej artritit si çekanë, nuk e shënonin dot butonin! Këtë nuk e mësova dot. Plaku fshihte shumë mistere.

     “Ke parë ti, goxha zile në portë dhe tjetri i gërdis gishtat mbi derë! -u rrëmbye një ditë im atë nga sjellja e pakuptimtë e lëkurë mbledhësit. Megjithëse babai nuk ish dakord as me shkeljen e vazhdueshme të butonit të ziles, siç bënin shokët kur më thërrisnin për të lozur. Ndaj dhe i shante keq. Ata thyenin sokakëve si gargujt që lëshoheshin nga majë e plepit, kur Koço gjahtari, shtinte me çifte. Për pak, trokitjet e plakut bëheshin të shkurtra dhe të shpejta, si të jepte në mors thirrjen për ndihmë. SOS. Dhe kur përgjigjja nga brenda vononte, prej gjoksit të petëzuar të tij, dilte një zë i shkrehur, si lutje e gjatë e përshpirtshme. Mërmëriste se donte një lëkurë të re dhe se pa gjetur lëkurë, do të vdiste nga uria.  

    “Na rruaj, zot i madh! -shpërtheu gjyshja një ditë, -Të fut apo jo në gjynah ky plak verzevul? I themi nuk kemi lëkurë për të shitur dhe s’dëgjon të shkulet! Veç të rripemi e t’i japim zhapën tonë!”–shtoi gjyshja me shaka dhe shikoi nga unë, të kontrollonte nga afër reagimin tim. Më mirë le të themi, frikën time. Meqë sipas saj rrjepja e njeriut është diçka e thjeshtë dhe mund të ndodhë kurdo e tek kushdo, unë e mora me shumë frikë. Ishte çnjerëzore ajo që propozoi gjyshja, ndaj qysh prej asaj dite, sa herë Çelua shkelte në fshat, zemra gati më ikte nga vendi. “Kaq e lehtë qenka rrjepja e njeriut?”-pyesja veten i zverdhur si qitro, ndërkohë imagjinoja veten të rrjepur mes  rrjepacakësh dhe ngrysesha si dimër i vogël. Kjo bëri që gjyshja ta çonte edhe më tej shakanë e vet. Përsëriste gjithmonë pa pikë ngurrimi, (të rripemi) (u rropëm) (do na rrjepën) (bythërrjepurit) e të tjera si këto. Ndërkohë plaku mbas porte vazhdonte me lutjen e dhimbsur; “Një lëkurë kërkoj, o njerëz!”

       Prekëse lutja e tij, të bënte të ndjeheshe keq. Po kur nuk ka, nuk merr as perëndia. 

    “-O po ky është çmendur fare! O na merr sot zhapën, o s’shkulet këndej!” -thirri pas pak gjyshja e nxehur, dhe u nis me xhinde për tek porta e oborrit. Pas saj dhe unë. Fustani i gjatë me pala i shkonte andej këndej si perdja e kinemasë së fshatit kur e tërhiqnim të hapej në të dy krahët. Porse plakës shkundjen e fustanit nuk ia provokonte tërheqja e ndonjë litari, por hapat e mëdhenj sipër plloçave të largët në oborr, që ende i rezistonin shkuljes nga vendi. Kurse unë me hapat e vegjël i bija shkurt. Hyja edhe nëpër baltëra, si tanku lodër me telekomandë i djalit të kryetarit. Kur gjyshja arriti tek porta, unë u fsheha midis palëve të fustanit të saj. U përpoqa të shikoja plakun e lëkurëve, i cili porsa ndjeu zemërimin e gjyshes, vendosi të largohej i palosur në mes, duke ngritur lart në erë shkopin dhe llërët e fishkura. “Ç’u bëre, o i zi? Pse ike ashtu? Ktheu pra, të na marrësh zhapën!..”-thërriste me sa kish në kokë gjyshja por ai nuk e ktheu kokën. Eci heshtazi deri në fund të sokakut, pastaj na humbi nga sytë. Atëherë, dola nga palët e fustanit, dhe shikova gjyshen në sy, të bindesha se ajo kësaj here bënte shaka. Megjithëqë gjyshja kish përcaktuar dhe pjesën ku do të fillonte rrjepjen e vetes. Nga brinjët e thara. Pra nuk u desh shumë dhe çështja e rrjepjes nisi të më gërryente shpirtin. Makth i pa kontrollueshëm. Gdhihesha dhe ngrysesha i ngrirë prej tmerrit të rrjepjes. “Ku dihet si vjen puna?-thosha me vete. Gjendem orën e gabuar në vendin e gabuar dhe, brisku famëkeq i plakut të lëkurëve frëngëllon mbi mua!” Shkurt, ishte e pamundur ta mposhtja frikën. Natën në gjumë shikoja brisqe që kullonin llahtarë. “Po të më gjejë mynxyra, si do të jetoj pa lëkurë? Sa ftohmë mund të durojë një fëmijë i rrjepur?” –pyesja veten teksa vëreja se, mbi trupat tanë të dobët, nuk mbylleshin lehtë as plagët prej çjerrjeve të vogla, e jo më shërimi prej rrjepjes totale. 

    Kjo bëri të kyçesha gjithë ditën në shtëpi, sa herë Çelo lëkuraxhiu hynte në fshat. Më dhimbsej lëkura ime dhe gëzohesha derisa në fshat kishte akoma disa kokë dhen dhe dhi, që ai t’ju merrte zhapën. Kështu do ta shtynim dhe pak kohë brenda lëkurës tonë. Veç kur fshati të mos kishte më as keca, atëherë si do t’i bëhej hallit?!  Dhe gjithçka dëftonte se ajo ditë nuk ishte e largët. Plagët mbi degën e arrës së Gjileke kishin filluar të mbylleshin, ngaqë çengeli i kasapit varej gjithmonë e më i rrallë në të. 

    Gjendja u përkeqësua kur Çelua dëshmoi me gojën e vet se; “Po të mos i jepnin lëkurë, ndonjë do ta rripte vet të gjallë.” Dikush u shpreh se nuk ishte kërcënim dhe se nuk u drejtohej fshatarëve, por të gjallave. Kurse një tjetër qartësoi se Çelua foli me nëntekst, dhe u drejtohej fëmijëve. Pra, ata duhet të rrinë brenda! Kështu e mbylli sqarimin ai.

     Në fshat tashmë u bënë dy persona që flisnin për rrjepjen e njeriut. Ai dhe gjyshja ime. Paçka se gjyshja fillimisht pranonte rrjepjen e vetes, kurse ai të fëmijëve. Përfundimisht  deklarata e Çelos nuk kaloi e thjeshtë, por si hakërrim. Fjala fluturoi në çdo çep të fshatit, që të vegjlit të merrnim masa sigurie, të ruanin lëkurën. Ndaj dhe fëmijët nisën të caktonin rroje tek Shkëmbi i Petësit, porsa të dukej Çelua, ai të këndonte si buqicë dhe shpella e Brame të ushtonte, që fëmijët të mbylleshin shpejt brenda mureve të shtëpisë. 

    Por një ditë vere që kalamajtë e fshatit kishin shkuar në det dhe laheshin e tërboheshin me valët në breg, dikush më i rritur rrëfeu një të fshehtë të madhe. “Çelua, tha ai, nuk i preferon lëkurët e përcëlluara! Zhapat e përzhitura nuk shiten lehtë!”-shtoi duke hedhur gurë petashuq në det. Çastin tjetër të gjithë dolën nga tenda. U shtrinë mbi zhavorr si bukëfiqe, të piqeshin në diell. U dogjën e u përcëlluan aq shumë, të bëheshin të papëlqyeshëm për Çelon. Disa në fshat i përqeshën, i quajtën (harrapë)po kjo nuk i shqetësoi fëmijët. E rëndësishme ishte të ruanin lëkurën e vet. Ndaj dhe kur diskutonin, fillimisht i kujtonin njëri tjetrit fatin e madh që gjendej me lëkurë. Pastaj për të këputur çdo fije dyshimi, e ledhatonin njëri tjetrin në shpinë. “Gëzohu, o vëlla i pa rrjepur!..” 

      Kjo përkujdesje zgjati gjithë vitet e vegjëlisë, derisa një ditë nga fundi i prillit qarkulloi në fshat se Çelua i frikshëm, vdiq. Madje lajmërimi i vdekjes së tij u transmetua edhe në radio. Nuk e di si u ndjenë të mëdhenjtë për humbjen e tij, po ne të vegjlit e festuam fshehtazi. Madje kënduam dhe një copë nga himni kombëtar, pastaj u ngatërruam dhe vazhduam me himnin e flamurit, për ta mbyllur në fund me disa vargje nga kënga “Ato maja rripa rripa, seç gjëmojnë!” Por të tilla ngatërresa nuk përbënin turp. Kështu u ndodhte të gjithëve kur gëzonin, i pleksnin e i trazonin këngët bashkë, ngaqë dëshironin ta përfshinin gjithçka të madhe e të bukur, brenda një teksti.

    Gjithsesi tek kushdo dallohej entuziazmi. Dhe me të drejtë. Më në fund shpëtuan nga Çelua të pa rrjepur. Të paktën kështu mendonin. Nga lumturia disa nisën ta thërrasin shokun, jo me emrin e vet, por me epitetin e madh.( O i pa rrjepur.) Emra të tjerë do të tingëllonin krejt pa kuptim. Për këtë u krenuan edhe të mëdhenjtë në fshat. Fëmijët që ata rritnin me mundim, i mbulonte lëkura e vet…

    Por fatkeqësisht e liga kish ndodhur, dhe për më keq këtë nuk e dinte askush. Gjithçka u zbulua rastësisht, ditën që u rrëzua nga buza e madhe Pirrua i Mëhille. Doktori që erdhi ta vizitonte, porsa e pa djalin të zhvokur e të përgjakur, shastisi një çast, pastaj ngriti pak të dyja duart duke thirrur i tronditur. “Po copën tjetër të lëkurës ku e ka ky vogëlush?..” Atë çast, dikush nga kryesia nduku buzën dhe doktori heshti. Pastaj mjeku e rrotulloi djaloshin e plagosur ta vizitonte nga shpina. Unë që kisha mësuar si të shpoja në turmë, prej kindave të fustanit të gjyshes, dola thuajse në reshtin e parë. Aty dëgjova qartë doktorin që pyeti për lëkurën e munguar të Pirros dhe, këtë u mundova ta përcillja mbrapa, tek shokët, por ai i kryesisë më kuptoi dhe ma tërhoqi veshin fort. “Mistrec! më tha, Doktori nuk pyeti për lëkurën, po për sandalet e tij prej lëkure!” Unë mbeta si muç. Përgënjeshtrimi i tij sy për sy ma ndrydhi zemrën. U ftoha krejt. Nuk munda të flisja për asgjë. Kështu, rrjepjen e Pirros nuk e mësoi askush në fshat. Mbeti sekret. Veç disa vite më pas, kur ne e braktisëm fshatin dhe shkuam të punonim matanë kufirit, e para që na dëgjuan veshët pas kontrollit të lehtë mjekësor nga doktorët e huaj, ishte fjala; “Ore, po këta qenkan fare të rrjepur!” Nuk kanë cipë mbi vete! Shumë nga ne i nisën urgjent nëpër spitalet rrotull. Njëri nga ata që iu ushtrua terapisë për lëkurë të re, isha dhe unë që po ju rrëfej.

    Netët në spital mu bënë muaj. Drita e ftohtë që kisha mbi sy, po mi thante ëndrrat. Shikimi mu zbeh dhe kokërdhoku mu zmadhua, gjë që i tmerroi infermieret.

    (o kajmenos!) i mjeri, dëgjoja të pëshpëritnin sipër kokës time, megjithëse shpesh herë kaloja në jerm. Kur u përmenda, prekja vazhdimisht veten duke u habitur për lëkurën e re. “Kush do ta paguante vallë lëkurën time të re dhe si e humba lëkurën e vjetër! Kur më rropi Çelua i frikshëm dhe nuk e ndjeu askush? Kush vallë e veshi lëkurën time të vjetër, dhe a i ujdisej bukur mbi trup? Këto dhe shumë pyetje më mundonin, por ajo që më tmerronte ishte frika mos dikush ma zhvishte përsëri lëkurën e re. Lëkurën që më qepën doktorët e huaj. 

    Qysh atëherë kanë kaluar shumë vite dhe unë ende prek gjymtyrët me kujdes të provoj, nëse ende jetoj me lëkurën e re…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË