Në vend të hyrjes
Pas një çerek shekulli, (pasi mbaroi Lufta në Kosovë, (1998-1999), na vjen para lexuesve një vëllim poetik, paksa i veçantë për nga tipologjia dhe uniteti strukturor, nga poetja e mirënjohur, Donika Dabishevci , “ E gjithkohshmja Andërr”. Derisa në librin e saj poetik, “ Kam me ardhë si deka “ (2015), autorja shpalos një temë qëndrore , të “zjarrtë”, dashurinë me zjarrminë që bart, me vibrimet eksplozive, ndërsa në veprën “ E gjithkohshmja Andërr”, kemi një temë krejt tjetër: luftën me format më të dhimbshme, më të errta, në mes, qëndron NJERIU, përballë Jetës dhe Vdekjes. Kjo përballje me vdekje është jo e natyrshme, sepse manifestimet rrëfimtare- poetike brenda këtij libri janë të trishta, të përshkallëzuara, të paparashikuara; janë çaste dhe momente që i përjeton heroi lirik, Njeriu, por s’ke fuqi t’i ndryshosh.
Lufta dhe forca shpirtërore
Mbi dy dekada jemi ndeshur me rrëfime për luftën në prozë, skica, tregime, në këngë, piktura, vizatime, por edhe në copëza të shkapërderdhura poetike në vëllime poetike. Autorja vjen para lexuesve me një kod tjetër leximi, me një brumë të ngjeshur poetik, unikat në narracion kontinuitet, fund e krye librit. Lufta , kjo fantazmë e tmerrshme “kafshon” helmon, kapërdin çdo gjë para vetes dhe prapë jeta i kundërvihet me fuqinë e rrënjëve të shpresës, se edhe nga lufta shpëton diçka…, sepse tek e fundit “ Jeta e mund luftën, e mund vdekjen, me çmim shumë të madh “ (fq.10. Dr. Gëzim Aliu recension, po aty). Në gjeografinë letrare-poetike të këtij libri shtrihet lufta si stuhi shkatërrimtare mbi njerëzit, familjen, kolektivitetin dhe natyrën që i rrethon. Brenda qiellit plumb dhe tokës stërgjyshore gëlon jeta dhe vdekja.
Andrra – kodi i leximit, si ta lexojmë?!
Në cilin kod leximi ta lexojmë këtë togfjalësh “ E gjithkohshmja Andërr” ? Ta lexojmë si metaforë, ta lexojmë si parabolë jete, si ëndërr e përjetshme që duhet jetuar në liri, sepse liria ka çmim fundamental apo si requem elegjiak si atmosferë funebre me “ Krisma, britma, zhurmë, heshtje plot ankth, përdoren në funksion të krijimit të ritmit të rëndë të veprës” (fq. 12. Dr. Gëzim Aliu, po aty). Ky libër, mendoj se mund të lexohet në dy-tre rrafshe: si rrëfim poetik, si dhimbje- përjetëm i rëndë. Kodi i leximit kalëron në “kalanë “ shpirtërore të librit në linjat ideore: vërtetësia e rrëfimit si prohim lufte, dashuria sublime e poetes për heroin lirik, për Njeriun dhe ndjesia e shndërruar në dhimbje personale dhe kolektive. Gjithë gjeografia shpirtërore e poezive i mbështjellë manteli i vdekjes dhe jetës me ngjyrat e trishtimit, frikës, plagëve, ankthit, psikozës, ikjes dhe rrugës së shpëtimit. Tema bosht e luftës përbën atë motorin lëvizës ku sillën “dy kahje” të kundërta, fletëzat e jetës dhe ato të vdekjes. Pra, kemi një antitezë stilishtike (jeta-vdekja). Këto dy “pole” ideore- filozofike herë e mundin njëra- tjetrën, herë bëhen pjesë e një gjendjeje krejt të katandisur ku në fund triumfon jeta si bimë që kultivohet dhe rritet nga të gjallët, nga ëndrrat për lirinë dhe pjesëmarrësit në “kështjtellën” e pamposhtur , Jetën.
Ndërtimi strukturor i librit
Libri ndahet në katër cikle, me gjithsej 41 poezi, 110 faqe. Librit i paraprin një recension “Poemë për njeriun në luftë” shkruar nga Dr. Gëzim Aliu, me një mendje daltuese dhe profesionalizëm, duke hyrë thellë në shpirtin e veprës, duke shkoçitur karakteristtika , veçori dhe tipare të veprës.
Cikli i parë “Zanun n’lak” (14 poezi), cikli i dytë “ Lakmia me u çmend” (12 poezi), cikli i tretë “N’luftë me korba” (6 poezi) dhe cikli i fundit “Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme” (9 poezi). Libri hapet me poezinë “Granatimi”, më shumë si rrëfim poetik, ngase granatimet dihet çfarë sjellin, nga këtu fillon odiseada e skenave trishtuese. Poezia “ Shpija” është poemë në vete. Në atmosferë lufte, koncepti filozofik për shpinë, sikur humb çdo gjë nga rrebeshi i luftës, ngase ajo është vatra e ngrohtë ku merr kuptim jeta në liri, ndërsa “ Lufta t’vesh përej finesave/ lakmive, joshjeve, dëshirave…/Lufta t’i mbytë tana andrrat…/Lufta ta humbë arsyen/ Lufta t’i minimizon edhe nevojat” (fq. 21. Poa aty). Poezia e radhës “ Simfoni zorrësh” është protestë shpirti, është pikturë urie ku përzihen ngjyrat më të errrta të jetës, ku askush s’dëshiron ta shohë apo përjetojë “ Dita e tretë pa shti gja n’gojë/ Bukë, ku me gjetë bukë!/ Janë harxhue tana rezervat/janë harxhue tana idetë/t’rrethueme n’tana antë prej armëve” (fq.22-23). Autores nuk i ikën nga sytë dhe mendja gjërat e ulta që i ndeshim nga matrapazët e përfituesit e luftës, ku e përfitojnë dhe shfrytëzojnë situatën, njerëz pa sedër, s’kanë shpirt, s’kanë fytyrë njeriu, të zhveshur nga dinjiteti ; “Nji lirë dukati, një boks cigare “ , poezia “Matrapazët” (fq.26). Në çdo pëllëmbë toke ulërin deka “kërcënuese” deri në shfarosje, ku në çdo minutë rrjedh pyetja : “ A po desim a po pshtojmë?” (fq27). Ndërsa poezia që bart titulli i librit “ E gjithkohshmja andërr”, është andërr që bart gjithë mesazhin estetik të veprës, sepse njeriu gjithmonë udhëton me një andërr në gji- në shpirt. Në këtë rast, liria është ëndrra e mijëra shqiptarëve për jetë të lirë pa shtypës, pa robërues , për t’i shpëtuar së pari vdekjes që e kanë para syve…” Andërr që ka brenda vetes andrrën/andërr që andrron me andrrue/ andërr që lodhesh e s’mund e andrron/ e pashkatrrueshme, e pavdekshme/ e gjithkoshmja ashtë Andrra/ me dalë gjallë prej lufte/ bashkë me krejt t’dashtunit e tu!” (fq. 31-32). Pra, këtu qëndron tërë filozofia e andrrës që bart poezia dhe vepra në tërësi.
Të gjitha poezitë e ciklit të parë, “Zanun n’lak” : “ N’grykë”, “ Tuj ikë dekës”, “Tuj ecë n’mina” , “ Rrethuem katëran’sh” , “ T’shtana batare”, “N’aë zezëditë…” , “ K’tu rrnohej dikur”, “ Pas masakres” i përcjel atmosfera e frikës, ikjes “qysh me ecë me dekën përdore?”(fq.38), granatime, ulërima, masakra “ një kambë ktu, një krye atje, trupin si kuaj deti” (fq.46).
Poezitë e ciklit të dytë, “Lakmia u çmend”, janë kontinuitet i dramës, tragjikës, i trishtimit , përshkallëzuar në shkallën më të lartë të dhimbjes, ngase edhe titujt janë të prekshëm. “Ninull” flej djali i nanës… flej/andërr ahtë krejt kjo/andërr…asht…bir,/andërr…andërr/andërr…/asht!” (fq. 53).
Te poezia “ Vaji i bebave” vërshohen pasthirrmat në çdo fillim të strofës dhe mbaron me “Shhhhhhhhhhhh…”(fq.54-55). Me një atmosferë dhe gjendje të rëndë psikologjike, të trishtë, shpërfaqen poezitë në vazhdim “S’kish menu nanëzeza …” Mos” , “ E nemuna nanë!” , “ Piktogram dhimte” dhe shumë te tjera. Por si te tejkalohet poezia “ E vogla”, ku rrëfimi poetik na mbyt shpirtin:” Gjashtëmuejshe/u puth tejpërtej plumbash/shosh u ba/sitë/prej gjinit t’nanës/n’gji t’dekës!” (fq.64). Këto vargje janë monument kujtese, tishtimi , protestë dhe revoltë. Bebeja në vend që ta gëzojë jetën, ajo puthet me plumba, me vdekjen…
Cikli i tretë “ N’luftë me korba” përfshin rrëfimin poetik herë si baladë, në një rasti një histori dashurie nëpër kohë si uverturë dhimbje, por në pleqëri përplasen me luftën.Edhe në këtë cikël ruhet kontinuiteti nevralgjik i luftës, rrethit vicioz, sesi të dilet nga ky rreth i trishtë, por në çdo çast ndeshemi me pasqyrën e tmerrit, ankthit, frikës…Poezia “Ngjitun si thue n’mish” është poezia që provokon thellë lexuesin.Një çiftë i moshuar tjerrin luftën në shtëpi, nuk duan t’i lëshojnë vatrat shekullore, anipse e dinë ç’fat i pret…, japin edhe një porosi :”- Ikni ju , ju priftë e mara, ruene veten, runi këta thmi,/se na pleq jem!/ Pak pa dekë/ E ma e mirë se deka n’shpi s’ka!,/kishin pasë thanë flokëtëorët/ s’kish pasë gja që i nxjerrë prej shpisë/ s’kishin livritë/ prej pleqve,/një grusht eshtna/ aq kish mbetë!” (fq.80-81). Këtu shihet se njeriu pranon vdekjen, ngase nuk mund të largohet nga vatra e vet shekullore, sepse aty i ka rrënjet, historinë, kujtimet… Kjo poezi është në “ Kujtim t’dy moshuemve, Xhevrie e Beqir Kelmendit, t’vrarë e t’djegun n’shpinë e tyne në Fushë – Kosovë, më 1999. (fq.81).
Libri për mbyllet me ciklin e katërt- të fundit “ Dhimta t’ngufatuna n’ofshama t’pazashme”, ku çdo poezi është e mbuluar me “çarçafin” e vdekjes. Nuk mund të anashkalojmë poezitë që kalojnë nëpër flakët e luftës, ku gjaku si lëng jetë na mbyll gojën pa fjalë, sepse “A mun’ m’sohet njeriu me lundrue n’gjak”, ku autorja në pesë strovat e fillon me këtë varg si rrëfim dhe pyetje retorike .(poezia : “A mun’ msohet njeriu me lundrue n’gjak!”, (fq.104-105). Është poezi e tipit rrëfim-trishtim, ku vdekja ka hapur dhëmbët, kafshon-helmon. Një tjetër poezi që prek thellë shpirtin e çdo lexuesi , ndërtuar nga mermeri i krenarisë epiko-lirike, elegjiake, është poezia “ Nanat e dëshmorëve”. Autorja ngre lart dhe skalit figurën burrërore të Nanave të dëshmorëve, që pas mbarimit të luftës “ T’msueme me shkue të vorri/ e mos me la me lot- me i përbi/ e mos me thanë mjera unë/po lum nana për ty!”. (fq. 106). Këtu qëndron arti estetik -filozofik dhe mesazh si kuptim ideor.Libri përmbyllet me poezinë “ Gja s’ka ndrrue!” që na vjen si përfundim pesimist, por përmes këtij pesimizmi poetja ngre zërin e revoltës, (zhgënjimit ) të nënkuptuar në heshtje. “ Asht kjo tokë e trueme/ T’tanë janë dëshmitarë/t’dhunuemve e gjymtuemve/t’vorreve pa emna e t’eshtnave pa vorre/t’nanave mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënueme/t’nuseve me duvak t’zi e shpirtnash t’djegun jetimash,/për mija vjet…” (fq. 108). Këto vargje janë një përgjigje më revoltuese, rrëfim më prekës, humnera më e thellë e dhimbjes, vargje që dëshmojnë tragjikën, dramën, andrrën e gjithkohshme për liri… Është një përmbyllje e librit kulm- mesazh.
Stili dhe gjuha figurative
Poetja Donika Dabishevci duke qenë doktore e shkencave filologjike , me kënaqësi shkruan në gëgërishte këtë vepër dhe vepra tjera, por edhe në gjuhën standarde letrare. Libri është i pasur me një fjalor stilistik, ku përdor figurat letrare; metaforë, antitezë, epitet, krahasim, figurat tingullore, përsëritjen që i japin fuqi estetike vargut. Autorja përdor varg të lirë, i ik skemave konvencionale. Përdor vargun nga njërrokësh deri në shtatëmbëdhjetërrokësh..
Përfundim
Libri ndërtohet nga fjalët kyçe : lufta, dhimbja, andrra, jeta, vdekja, gjaku, masakër, shtëpitë, vrasje…Sikur vdekja ndjek jetën, jeta shqelmon vdekjen. Libër i ndërtuar në tabanin dhe tharmin e luftës, ku brenda kësaj fantazme gëlon vdekja-jeta-andrra. Është “poemë për njeriun në luftë”, siç thekson në parathënie e librit, redaktori , Dr. Gëzim Aliu. Libri mbetet para se gjithash permendore kujtimi e skalitur me dhimbje, rrëfim për Njeriun që do t’i qëndrojë kohës në çdo kohë, sepse koha nuk shlyen dhimbjen…, kujtesa fuqizon dhimbjen.Autores i dëshirojmë suksese dhe libra të radhës!