More
    KreuHistoriMatteo Mandala: Fillimet e ideologjisë albaniste në shek. XVIII: Pal Maria Parrino...

    Matteo Mandala: Fillimet e ideologjisë albaniste në shek. XVIII: Pal Maria Parrino dhe vepra e tij

    Në librin Gjurmime filologjike për letërsinë e vjetër arbëreshe (Çabej, 2006) përfshiva një studim të përmbledhur në shqipe mbi jetën dhe veprën e Pal Maria Parrinos, tekstin e plotë të të cilit e kisha botuar italisht një vit më parë me rastin e përvjetorit të vdekjes së këtij dijetari arbëresh (1765-2005). Në këtë portret të shkurtër jo vetëm do të përkujtoj 310-vjetorin e lindjes së tij (1711-2021), por do të përfitoj nga rasti për të vënë në dijeni lexuesit e revistës ExLibris me realitetin e rëndësishëm kulturor arbëresh të shekullit XVIII dhe me kontributin e larmishëm që një aradhe intelektualësh, pothuaj të gjithë priftërinj arbëreshë nga Sicilia, u dhanë çështjeve të identitetit kulturor mbarëshqiptar në një fazë historike që paraprin, duke e përgatitur atë ideologjikisht, periudhën e Rilindjes kombëtare. Falë angazhimit të këtyre studiuesve të palodhshëm lindi lëvizja që, në pajtim të plotë me simotrat që përshkonin kontinentin europian, shpiku ide risore, zbatoi metoda moderne – që i paharrueshmi prof. Çabej do t’i quante “globale” –, themeloi bazat e kulturës shkencore të albanologjisë që me kalimin e kohës do të fitonte statusin e sotëm epistemologjik, pra do të bëhej një shkencë ndërdisiplinore në hullinë e së cilës kërkimet historike do të bashkëvepronin me ato antropologjike, studimet gjuhësore me prodhimtarinë letrare. Në krye të këtij revolucioni kopernikan ishte vizionari i madh arbëresh, At Gjergj Guzzetta, i cili përveç meritave të shumta,  pati largpamësinë të afronte të rinjtë më të talentuar arbëreshë dhe t’u ofronte atyre mjetet e duhura (institute, libra, mësues, karrierë) për të arritur qëllimin e krijimit të një tradite të shëndoshë intelektuale. Në veprëne tij De Albanensium Italiæ rite excolendis, At Guzzetta ravijëzoi në vija të përgjithshme pikat kryesore të problemit të identitetit arbëresh, duke u dhënë në fakt brezave që e pasuan shtysën t’i çonin më tutje kërkimet “albanologjike”, deri në realizimin e projektit madhor të ndërtimit të ngrehinës mbarëshqiptare të kulturës që sot, jo pa mburrje, e quajmë “kombëtare”. “Gurin themeltar në ndërtesën e një kulture shqiptare” – siç do të shprehej Eqrem Çabej – arbëreshët e vunë pikërisht gjatë shekullit të iluminizmit, falë brezave që patën fatin të ndiqnin gjurmët e At Guzzettës. Ia vlen të kujtojmë në veçanti dy nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë dhe njëkohësisht dy nga mendjet më të ndritura të mesit e shekullit XVIII.

    Pal M. Parrino, De studios (1738), Arkivi i Seminarit Greko-Arbëresh, f. 1r

    I pari ishte Pietro D’Andrea, autor i veprës së vëllimshme me titull Trattato di filosofia morale që sot e kësaj dite ruhet dorëshkrim në arkivin e Seminarit arbëresh që sot ndodhet në Horën e Arbëreshëve. Vepra përmban përshkrime të hollësishme të mendimeve të filozofëve që janë marrë me aspektet e filozofisë morale qysh nga antikiteti grek deri te periudha që paraprin shfaqjen e iluminizmit. Në këtë vepër të hartuar për studentët e Seminarit gjenin jehonë edhe diskutimet mbi marrëdhëniet ndërfetare katolike-ortodokse që, në kohën kur shkruante D’Andrea, pra në çerekun e parë të shekullit XVIII, kalonin një fazë problematike që lidhet me vendimet e Papës Benedikti i XIV kundër komuniteteve fetare, si ato arbëreshe, që ndiqnin ritin lindor në Itali dhe të cilat për këtë arsye kritikoheshin ashpër dhe ndëshkoheshin nga autoritetet katolike vendase. Çështja ishte themelore dhe nuk qe aspak rastësor fakti që pikërisht D’Andrea do t’i bashkohej përpjekjeve të Guzzettës për t’ua bërë të qartë autoriteteve të Kishës Katolike dhe priftërinjve të saj se arbëreshët nuk i përkisnin ortodoksisë “heretike”, por përbënin një komunitet katolik që ndiqte ritet lindore. Shqiptar me origjinë nga krahina e Himarës, D’Andrea mbërriti në Itali shumë kohë më përpara se të organizohej i ashtuquajturi Regjiment Mbretëror Maqedonas, i cili, siç dihet, ishte i formuar nga ushtarë shqiptarë të rekrutuar në Himarë. Qysh nga viti 1712 atë e gjejmë në Palermo, famullitar të Kishës së Shën Kollit të Grekëve. Pikërisht pranë kësaj kishe Guzzetta do të ndërtonte në vitin 1734 Seminarin e lartpërmendur, duke i besuar mikut të tij D’Andrea rolin e Rektorit të parë. Pesë vjet më vonë, pikërisht në vitin 1739, në këtë funksion D’Andrea-n e zëvendësoi nxënësi i preferuar i At Guzzettës, i riu Pal Maria Parrino, i cili ndoshta vetëm për arsye moshe nuk u emërua Rektor që nga themelimi i Seminarit.

    Pasi familja nuk mundi ta dërgonte në Romë për të ndjekur studimet pranë Kolegjit Grek, në vitin 1725 Parrino u miratua nxënës në institutin Oratorio Filippino të themeluar në Horë nga At Guzzetta (1716), i cili qysh nga ai vit do të kujdesej personalisht për formimin e katërmbëdhjetëvjeçarit arbëresh nga Palazzo Adriano. Në periudhën e formimit të tij rinor Parrino do të studionte veçanërisht shkencat teologjike, retorikën dhe filozofinë morale; por përkushtimin më të madh do t’ua rezervonte kërkimeve historike, nga të cilat nuk u nda kurrë gjatë jetës së tij. Në kuadrin e kohës, befasuese është edhe vëmendja e madhe që i kushtoi studimit të gjuhëve te huaja: jo vetëm të atyre klasike – greqishtes dhe latinishtes, të cilën ai do ta përdorte shkëlqyeshëm për të shkruar disertacionet zyrtare dhe veprat e tij kryesore – por sidomos atyre bashkëkohore: së pari frëngjishten, të cilën ai e dinte në mënyrë të përsosur, pastaj anglishten dhe, sidomos, italishten “letrare”, gjuhë kjo e fundit që Parrino, ndryshe nga shumë arbëreshë të tjerë, e zotëronte me kompetencë stilistike dhe aftësi retorike të veçanta.

    Pal M. Parrino, De perpetua drsh. ν3 (1761), Arkivi i Seminarit Greko-Arbëresh, f. 9r

    Veprimtaria e Parrinos do të fillonte herët. Studimin e parë e hartoi në prag të emërimit në detyrën e Rektorit, pra në vitin 1738. Teksti në latinisht na mbërriti në dorëshkrim me titull De studiis necessariis ad recte instituendos Siculo Albanensis Collegii Candidatos. Oratio ad rerum albanensium studiosos (Mbi studimet e nevojshme për një formim korrekt të studentëve të Kolegjit Shqiptar të Sicilisë. Fjalim për studiuesit e gjërave shqiptare). I konceptuar në formën e një Oratio, fjalimi solemn i Parrinos synonte t’u përshkruante studentëve të Seminarit dhe gjithë atyre që dëshironin të merreshin shkencërisht me “rerum albanensium”, fushat kryesore që duhej të studionin për të kuptuar thelbin historiko-kulturor-fetar të qytetërimit dhe të identitetit të shqiptarëve. Një qytetërim dhe një identitet që duhej dalluar qartë nga ai grek falë tipareve historike, fetare, gjuhësore dhe antropologjike të ndryshme, sidomos në kushtet kur arbëreshët ngatërroheshin rëndom me grekët. Detyrimi kryesor i studentëve arbëreshë, pra, ishte të njihnin historinë e tyre kombëtare, traditat e lashta të krishtera të periudhës para-skizmës, përvojën heroike të Gjergj Kastriotit [«eorum Principe Georgio Castriota, fortissimo Christi Atleta, celeberrimo post hominum memoriam duce, altero Alexandro Magno, tot victorias de Turcis christiani nominis hostibus reportarunt, ut indefessi religionis nostræ defensores merito dicti sint, et Propugnatores»], përpjekjen për të vërtetuar sa të ndryshëm nga grekët dhe sa larg gabimeve të tyre heretike janë shqiptarët për nga “fisi, gjuha dhe zakonet” [«Et quoniam ignarum vulgus cum nos Græcos habeat, græcorum quoque errorum participes facit, ostendendum esset, quæ hos inter et albanos genere, lingua, moribus distantia sit»].

    Pal M. Parrino, In septem drsh. β1 (1761), Arkivi i Seminarit Greko-Arbëresh, f. 9r

    De studiis  ishte premisa e programit kërkimor, realizimit të të cilit Parrino do t’i kushtonte tërë jetën duke shkruar një varg veprash që fatkeqësisht mbetën të pabotuara por, siç do ta shohim, jo të panjohura nga rrethet intelektuale arbëreshe, si nga ato siciliane edhe nga ato jashtë Ishullit. Një përpjekje e ndërmjetme do të ishte hartimi i veprës Perpetua Albanensis Ecclesiæ consensionis cum Romana omnium Matre et Magistra libri VII. (Opus Historico-theologicum in duas partes divisum; quarum altera fidei disciplinæ, altera utriusque Ecclesiæ consensionem ostendit. Ad usum Seminarij Siculo-Albani). Titulli dhe nëntitulli janë dy tregues mjaft interesantë për të rindërtuar kontekstin dhe qëllimin e veprës: titulli i bënte jehonë veprës De ecclesiæ occidentalis atque orientalis perpetua consensione, që teologu grek Leone Allacci, nxënës i Kolegjit Grek në Romë, botoi në vitin 1648 për të kundërshtuar pretendimet ortodokse dhe, njëkohësisht, për t’i afruar qëndrimet parimore teologjike mbi të cilat, nga njëra anë, në mesin e shek. XVII ende rrënjoseshin mosmarrëveshjet fetare dhe, nga ana tjetër, në mesin e shek. XVIII vazhdonin të ushqeheshin polemikat katolike kundër riteve lindore që ndiqnin pakicat fetare ballkanike të vendosura në Itali, ndër të cilat edhe ato arbëreshe. Kuptohet lehtë që zgjedhja e titullit nga ana e Parrinos nuk ishte e rastit, por synonte të vërtetonte një vijimësi ideologjike me mendimin e Allaccit, personaliteti i të cilit gëzonte respekt të pakundërshtueshëm në ambientet e Vatikanit. Nëntitulli tregon shprehimisht që vepra ishte një doracak në shërbim të studentëve të Seminarit, pra autori nuk pretendonte, së paku në këtë fazë, ta botonte. Mirëpo, qysh nga viti 1750 kjo vepër ishte bërë e njohur edhe në Romë, siç vërtetojnë materialet e gjetura në Arkivin e Kongregatës De Propaganda Fide dhe ndoshta në mjediset zyrtare të Vatikanit kishte lindur ideja që ajo të botohej.  Propozimi i botimit dështoi kur Parrino e pa të udhës të perfeksiononte strukturën e përgjithshme dhe sidomos kur vendosi të plotësonte këndvështrimin historiko-teologjik duke ndjekur rrugën kërkimore të çelur nga At Guzzetta me përfshirjen e çështjeve antropologjike dhe gjuhësore. Gjatë pesëmbëdhjetëvjeçarit 1750-1765, pra pas vdekjes së Mentorit të tij, Parrino shkruan veprën e tij kryesore me titull In septem perpetuæ consensionis libros Albanensis Ecclesiæ cum Romana omnium Mater et Magistra [Marrëveshja e përhershme midis Kishës Shqiptare me atë Romake Nënë dhe Mësuese në shtatë libra], e cila, siç do ta shohim më poshtë, gëzon lidhje shumë të ngushta me veprën që e paraprin, pra me De Perpetua.

    Pal M. Parrino, In septem drsh. β1 (1761), Arkivi i Seminarit Greko-Arbëresh, f. 8r

    Sot kemi në dorë disa variante të veprave të Parrinos, të gjitha në latinisht, që tregojnë sa e gjatë dhe e lodhshme ka qenë puna kërkimore-studimore që u parapriu. Pa u ndalur në aspektet më të imta filologjike, për të cilat e ftoj lexuesin t’i referohet studimit tim të vitit 2005-06, përpjekja gjigante e Parrinos mund të përmblidhet në tri faza që shtrihen gjatë viteve 1735-1765 dhe që përcaktojnë evolucionin e mendimit të tij teologjik në lidhje me shkallëzimin e kërkimeve në fushën e historisë: a) Faza e para karakterizohet nga disa punime në të cilat, përveç shtjellimeve për të përvijuar pozicionimin didaktiko-pedagogjik të Seminarit dhe për të treguar dobinë e studimit lë historisë dhe të gjuhëve greke dhe latine, shquhen përpjekjet për të mbrojtur ato pika të disiplinës orientale që sulmoheshin nga klerikët e ritit latin. b) Faza e dytë rrok dekadën 1746-1756 dhe nxjerr në spikamë përpjekjen e Parrinos për të mbledhur materiale të dobishme për historinë e bashkësive arbëreshe të Italisë, veçanërisht të Sicilisë dhe për të hartuar një vepër (De perpetua) ku të shtjellonte në rrafshin historiko-teologjik unitetin mes Kishës Latine dhe asaj Lindore. c) Faza e tretë kap periudhën 1757-1765 dhe karakterizohet prej dy momenteve të dallueshme nga njëri-tjetri: i pari karakterizohet nga përpjekjet e Parrinos për të përpunuar veprën De perpetua dhe për ta plotësuar atë nën dritën e projektit të tij të ri shkencor. Ky i fundit parashikonte përpunimin e një vepre të artikuluar në dy pjesë, nga të cilat e dyta ishte pikërisht De perpetua dhe e para ishte një vepër që duhej shkruar ex-novo mbi bazën e reflektimeve të Guzzettës. Vepra që Parrino kishte menduar si pjesë e parë e projektit të tij të madh ishte në fakt In septem, në të cilën Parrino jo vetëm derdhi njohuritë e grumbulluara në rrjedhën e kërkimeve të tij të gjata e të lodhshme, por ia doli t’i jepte një fizionomi historiko-kulturore identitetit të pakicës arbëreshe në Itali. Kjo fizionomi nuk qe dokumentuar me kaq rigorozitet kurrë më parë. Ai arriti gjithashtu që për herë të parë të përdorte një metodë kërkimi ‘’globale”, duke futur shqyrtimin jo vetëm të veçantive religjioze, por, mbi të gjitha, edhe të prejardhjes e të zhvillimeve historike, të gjuhës, të zakoneve, të traditave, pra të kulturës, ose të asaj tërësie që Guzzetta, në përputhje me prirjet ideologjike bashkëkohëse europiane, guxoi të quante “kombi shqiptar”.

    Pal M. Parrino, De perpetua drsh. β2 (1761), Arkivi i Seminarit Greko-Arbëresh, f. 8r
    Pal M. Parrino, In septem drsh. α (1765), Arkivi i Seminarit Greko-Arbëresh, Prolegomena, f. 1r

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË