More
    KreuLetërsiBibliotekë"Masakrimi i pyllit" tregim nga Enver Kushi

    “Masakrimi i pyllit” tregim nga Enver Kushi

    Rrëfim për ca kohëra të shkuara dhe më të afërta

    Pararrëfim

    Kishte kaluar mesnata, kur studiuesi i historisë së  rrugëve të Shqipërisë, prof. Stavri L, ra për të fjetur. Studimi i tij për rrugën Durrës – Tiranë ishte gati. Kishte muaj që merrej me historikun e kësaj rruge dhe më në fund e kishte përfunduar. Viti 1885. Koha e Perandorisë Osmane. Ajo ishte një rrugë për qerre, që transportonte mallra nga Porti i Durrësit për në Tiranë, që në fundshekullin e nëntëmbëdhjetë ngjante më shumë si një fshat i madh. Po pylli me dushqe? Ah pylli me dushqe, tha nëpër zë profesori. Andej kalonte vargani i qerreve, kur netëve, por edhe gjatë ditëve u dilnin para kaçakë grabitës. Gjumi i ishte larguar profesorit, duke marrë arratinë në këtë gjurmë rruge. Perandoria Austro-Hungareze. Lufta e Parë Botërore. Befas gjurma e rrugës së qerreve, përshtatet për automobilë nga ushtarët e Perandorisë. Prapë pylli me dushqe ishte atje, në një gjatësi jo më shumë se 500 metra, por gjithmonë i frikshëm për ata që kalonin andej. Tashmë gjumi ishte larg, shumë larg, ndoshta në Durrës. Profesori kishte lexuar shumë për mbretin Zog dhe ndërtimin e vilës së tij , në një nga kodrat e qytetit bregdetar. Mbreti e donte shumë detin dhe shkonte disa herë në vit në vilën e tij, nga ku deti dukej i paanë nga vila e tij. Me siguri edhe mbreti dhe shoqëruesit e tij ishin të kujdesshëm, kur kalonin atë pjesë rrugë mes pyllit me dushqe. Duhej hulumtuar më tej për ndonjë attentat, që ndoshta i ishte bërë mbretit Zog në atë segment rruge.

    Ai u zgjua, kur dielli i bollshëm i fillivjeshtës së dytë, kishte hyrë edhe në dhomën e tij. U ngrit dhe ndjeu se kokën e kish të turbulluar. U përpoq që kujtonte copa ëndrrash që kishte parë për rrugën, pyllin me dushqe nga kalonte ajo rrugë, si dhe i erdhën ndër mend, se në ëndërr kishte dëgjuar krisma armësh që vinin nga pylli me dushqe.

    1

    Ajo ishte një rrugë që kalonte përmes pyllit me dushqe. Pylli niste sapo kaloje urën e vogël mbi lumë dhe vazhdonte në të dy anët e rrugës deri në një kodër të vogël, që ngrihej si fare rastësisht në atë hapësirë të gjerë fushe. Anës lumit dhe në të dy anët e rrugës, drurët ishin më të dendur. Lumi nuk dukej jo aq nga pylli, sesa nga shtrati i tij i thellë, që rridhte i fshehtë deri në det.

    2

    Rruga lidhte kryeqytetin me qytetin bregdetar. Sapo kaloje pyllin, në të ngjiturën e kodrës, drurët rralloheshin, për t’ia lënë vendin shkurreve të vogla dhe ferrave. Këtu rruga ngjitej në kodër e nga andej dukej mirë deti, qyteti bregdetar dhe vila e pushimit.

    E pra, ajo ishte një rrugë që kalonte përmes një pylli dushqesh. Në pranverë dhe verë atje kishte shumë zogj. Kjo ndoshta ndodhte ngaqë pylli ishte jo shumë larg detit dhe zogjtë shtegtarë e kishin atë stacionin e parë e më të afërt. Në dimër, kur gjethet binin, në degët e pemëve do të shihje qindra fole zogjsh, që i rrihnin erërat e detit dhe shirat që binin dendur në fushë.

    3

    Në këtë rrugë Kryetari i Shtetit kalonte disa herë në vit. Verës, por edhe dimrit, atij i pëlqente të shkonte për pushime të shkurtëra në vilën e bukur, ndërtuar nga ish paraardhësi i tij, në majën e kodrës  më të lartë të qytetit bregdetar. Sapo kalonte urën e vogël dhe makina futej në rrugën e pyllit, ai strukej në sediljen pas, duke vështruar majtas e djathtas drurët e mëdhenj e të dendur. Vetëm kur drurët nisnin e rralloheshin dhe makina ngjitej në kodër dhe nga andej dukej mirë deti, Kryetari i Shtetit sikur lehtësohej nga ankthi i çuditshëm, që e kapte. Ai kthente kokën e shihte pyllin që mbetej pas hijerëndë, i frikshëm e i pakuptueshëm. Kjo i ndodhte shpesh, por veçanërisht në verë, kur pylli mbushej me gjethe dhe zogj, shqetësimi i kthehej gati-gati në ankth.

    4

    E një ditë ndodhi ajo, që ai e priste nga ai pyll i dendur dushqesh.

    5

    Ishte fillim pranvere dhe kishin nisur të delnin sythet e parë. Kryetari i Shtetit sapo ishte ngritur nga gjumi, kishte urdhëruar shoqëruesin e tij besnik të përgatiste makinën.

    -Mëngjesin do ta ha në vilën e detit, -i tha ai shoqëruesit.-Dua të jem atje vetëm. Më kupton?

    Kryetari i Shtetit ishte i gëzuar. Nëpër grilën e dritares depërtonte drita e fortë e diellit të marsit. Mbi tavolinë një shkresë priste nënshkrimin e tij. Dhe një rreze dielli binte mbi emrin e gjeneralit që do të arrestohej në mesditë. Kryetari i Shtetit e lexoi nga larg emrin e gjeneralit, që po e ndriçonte dielli i marsit dhe më poshtë emrin e vet, që priste vetëm një nënshkrim… Vitet e fundit ai kishte nënshkruar shumë shkresa të tilla. Dhe pas çdo nënshkrimi, veten e ndjente jo vetëm më të lehtësuar, por edhe më pak të kërcënuar prej atyre që thurnin komplote… Kryetari i Shtetit iu afrua tavolinës, mori me kujdes penën dhe pasi e ngjeu në shishen e hapur të bojës, hodhi nënshkrimin. Ai tani nuk është më gjenerali im, mendoi Kryetari i Shtetit… Ai nuk është më…

    -Shoku… Zoti… Më falni. Madhëri, makina është gati…

    -Unë i urrej mbretërit. Më kupton? Ke filluar të ngatërrosh kohët, – tha duke qeshur Kryetari i Shtetit.,

    Dhe pas këtyre fjalëve, zbriti shkallët me vrap dhe hapi menjëherë derën e makinës e u gjend në sediljen pas. Shoqëruesi i tij besnik,i habitur nga kjo sjellje, u ul menjëherë në vendin përpara.

    6

    Makina ecte shpejt. Kryetari i Shtetit vështronte fushat në të dy anët e rrugës dhe ndriçimin e fortë dhe të parakohshëm të diellit mbi to. Ai nuk është më, mendoi me një kënaqësi që i pushtoi tërë qënien. Edhe të tjerë, që do të  guxojnë të thurin komplote nuk do të jenë më… Ata…

    Shoqëruesi i tij besnik, si gjithmonë qëndronte i heshtur. Ai vështronte i përgjumur përpara. Herë-herë kthente kokën dhe vështronte madhërinë e tij, Kryetarin e Shtetit. Buzëqeshte, sikur e siguronte atë, se sa të ishte ai në atë vend para, asgjë e keqe s’do të ndodhte. Asgjë e keqe Kryetari im. Asgjë e keqe, Madhëri, tha me vete shoqëruesi.

    7

    Makina zbriti një monopat dhe po i afrohej rrugës së pyllit. Ai nuk është më gjeneral, tha ngadalë Kryetari i Shtetit, kur makina kaloi urën dhe hyri në rrugën e pyllit. Ai nuk është më, tha me zë.

    Shoqëruesi ktheu kokën.

    -Asgjë, – tha Kryetari i Shtetit. – Mëngjesin do ta hamë në vilë…

    8

    Ai po vështronte drurët e zhveshur në të dy anët e rrugës dhe trungjet e lagësht, kur u dëgjua në të majtë një krismë.

    -Na vranë! – u dëgjua shoqëruesi besnik duke u shtrirë në sedilje.

    Shoferi ktheu menjëherë kokën për të parë Kryetarin e Shtetit.

    -Jepi shpejt! – thirri Kryetari i Shtetit.

    U dëgjua një krismë tjetër dhe pas saj një zë i fortë:

    -Ai u vra! Ai u vra…!

    -Ç’ishte ai zë? – pyeti shoferi.

    -Ec shpejt!Shpejt!- thirri prapë Kryetari i Shtetit.

    9

    Kryetari i Shtetit ndjeu një si shije të kripur në gojë. Gjak, mendoi. Shija e gjakut. U gëlltit dhe pas pak nuk e provoi më atë shije të kripur. Jam gjallë, tha me vete ai.

    Shoqëruesi i tij besnik e mblodhi veten dhe ktheu kokën pas.

    -Asgjë, – tha Kryetari i Shtetit.- Nuk na ndodhi asgjë.

    -Siç duket qëlloi nga lart,- tha shoqëruesi.

    -Ka qenë i hipur në ata drurët e dreqit, – tha Kryetari i Shtetit.- Nuk do të më shpëtojë,- shtoi pastaj.

    10

    Kur makina po ngjitej në kodrën e vogël, Kryetari i Shtetit hodhi vështrimin prapa. Pylli mbetej tutje i zhveshur, krejt i zhveshur, ndërsa atij i dukej se fjalët “Ai u vra…! Ai u vra…!”, vraponin nëpër rrugë dhe përplaseshin në xhamat e makinës, që çante me shpejtësi përpara.

    -Ec më shpejt! – i tha prapë ai shoferit.

    11

     Në vilën e qytetit bregdetar ai arriti me fytyrë të prishur, zbriti menjëherë nga makina dhe ngjiti me vrap shkallët, që të çonin në dhomën e tij. Dera ishte e hapur dhe kryetari i Shtetit hoqi xhaketën dhe e hodhi mbi krevatin mbretëror. Ai ndjeu një hidhësi në gojë. Donte ujë. Një gotë ujë, thirri me zë. Urdhëro madhëri! Urdhëroni gotën me ujë, dëgjoi zërin e kryeshërbëtores së Pallatit Mbretëror. Unë nuk jam mbret. Nuk jam mbret, tha ai, duke marrë gotën me ujë, që e piu menjëherë.

    Disa herë u mat të merrte receptorin e telefonit, por qëndroi i shtangur, me një zbehtësi meiti në fytyrë. Thirri disa herë shoqëruesin e tij besnik, duke e porositur që të  mbahej i fshehtë atentati… As edhe një polic të mos e marrë vesh… Asnjë oficer i lartë… As Ministri i Brendshëm.

    12

    Të nesërmen, pas një gjumi të trazuar, thirri prapë shoqëruesin. Pa shumë bujë… Më kupton? Pa shumë bujë të bëhet kontroll në pyllin me dushqe dhe fshatrat rreth tij. Më kupton? Të dërgohen një grup civilësh të armatosur… A gjuetarë… Më mirë nën petkun e gjuetarëve… Ai njeri duhet kapur patjetër. Patjetër.

    13

    Kontrolli i pyllit dhe i çdo peme nisi pas dy ditësh… Në mbrëmje vonë, shoqëruesi besnik i raportoi Kryetarit të Shtetit se nuk kishin zbuluar asgjë. Vazhdoni kontrollin, urdhëroi përsëri Kryetari i Shtetit. Ai njeri duhet kapur patjetër… Dhe kur prapë shoqëruesi u kthye në vilë dhe me keqardhje i tha se atentatori ishte larguar në drejtim të paditur, Kryetari i Shtetit u mbyll në dhomën me pamje nga deti. Atje, në vetmi, duke vështruar me orë të tëra hapësirën e pafund të detit, ai mendonte për hakmarrjen ndaj atentatorit dhe pyllit me dushqe në të dy anët e rrugës. Atë… Atë… Atë që kishte qëlluar dhe pastaj kishte thirrur me zërin e tmerrshëm: “Ai u vra!,” do ta varte në një nga pemët e bulevardit të kryeqytetit. Po. Po. Do ta varte. Dhe trupi i kriminelit shtatë ditë dhe shtatë netë do të shetiste i varur në degët e pemëve të kryeqytetit. Ky ishte vendim i formës së prerë. Ai nuk kishte nevojë për asnjë nënshkrim…

    Por krimineli nuk po gjendej. Kryetari i Shtetit duhej të kthehej patjetër në kryeqytet. Dhe përsëri do të kalonte në të njëjtën rrugë me drurët e pyllit në të dy anët e saj.

    14

    Dhe pas tetë ditëve, herët në mëngjes, duke vështruar nga dritarja e dhomës ku flinte, hapësirën e gjerë të detit dhe  shkretimin që të krijonte ajo hapësirë, ai mori vendimin e formës së prerë: drurët e mallkuar në të dy anët e rrugës duheshin prerë. Thirri menjëherë shoqëruesin besnik dhe i tha se fusha duhej çliruar nga drurët e se vendi kishte nevojë për më shumë toka buke dhe fabrikat e letrës kërkonin lëndë të parë cilësore… Si urdhëron, mbreti im, tha shoqëruesi. Jam shërbëtori yt i bindur, Naltmadhëri… Prapë i bëri lëmsh kohërat, mendoi me vete Kryetari i Shtetit.

    15

    Pas disa ditësh, gjashtëdhjetë druvarë, të ndarë në të dy anët e rrugës, nisën zbatimin e vendimit të Kryetarit të Shtetit.

    Ishte mëngjes marsi me diell, kur filloi prerja e drurëve… Drurët binin një nga një, duke lëshuar ca “Ah! Ah! Ah!” dhimbjeje, që  dëgjoheshin në fushën e madhe, deri në fshatrat e vendosura në rrëzë të kodrave në horizont… Kaluan tri ditë. Ora ishte pesë pasdite, kur Kryetarit të Shtetit iu raportua për prerjen e të gjithë drurëve të pyllit.

    16

    Ditën e katërt, druvarët morën përgëzimet në emër të Kryetarit të Shtetit dhe ikën duke lënë pas drurët e prerë… Një erë e lehtë frynte nga deti. Dhe ditën e pestë, aty afër mesditës, erdhën një tufë e madhe zogjsh. Ishin zogjtë e parë shtegtarë, që vinin nga detra të largët dhe dukeshin të lodhur… Dhe ata fluturuan për një kohë të gjatë mbi hapësirën boshe… Dhe u ulën për pak çaste në trungjet e prerë dhe trupat pa jetë të drurëve. Pastaj u ngritën e fluturuan e fluturuan mbi drurët e vdekur. Kështu ndodhi edhe në ditët më pas, gjatë asaj pranvere, kur nga detrat e largët vinin zogjtë e lodhur shtegtarë.

    17

    Dhe iku marsi, prilli… Në ditët e para të majit, ata që kaluan në rrugën e pyllit të masakruar vunë re ca bulëzime në trungjet e drurëve të prerë. Pastaj lastarë të hollë, të njomë, me një jeshillëk të butë, dolën në muajt më pas… Ishte një bulëzim i çuditshëm jete.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË