More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMarsela Neni: Ikje nga pafajësia

    Marsela Neni: Ikje nga pafajësia

    Mbi romanin “Pesha e padurueshme e pafajësisë” të Primo Shllakut

    Përshtypje nga i pari lexim

    Zakonisht kur thuhet për një libër që rrjedh, shumë lexues nënkuptojnë me këtë lehtësinë e procesit të leximit, faktin se rrëfimtaria i ngjan një faqeje të lëmuar e të smaltuar, pa gunga, lunga, hone, dhe se gjuha, lënda prej së cilës përbëhet mendimi, është lehtësisht e kuptueshme, pavarësisht se, do të thonin disa që do donin ta veçonin si fakt, është shkruar në gegnishten letrare.

    Në këtë kuptim, po, rrjedh, dhe leximi i romanit i ngjan endjes në një lumë shtatgjërë e të thellë, të qetë në sipërfaqe e gjysmëterr në brendësi.

    E megjithëkëtë leximi s’ka të bëjë shumë me rrjedhshmërinë sesa me qenësinë unike të gjendjes së lexuesit kur hyn të provojë ujrat e librit.

    Si lexuese zakonisht mua më pëlqen zvarritja e breshkës në poezi dhe vrapi i lepurit në prozë me pushime të gjata e të herëpashershme meditative të këtij të fundit buzë rrugës. Nisja e shkëlqyer më entuziazmoi. Gjithçka bukur, pa hyrje të gjata e shumë përshkrime autori na jep që në faqe të parë kontekstin historik, pra kohën dhe vendin ku ndodhin ngjarjet dhe na prezanton me personazhin kryesor të librit, 19-vjeçarin Marin Shita.

    Që në fillim protagonisti na përshfaqet i pangjashëm me të tjerë në letërsinë shqipe, kur dëshmon se ai gëzon një veçori, një talent a një mallkim, këtë s’e dimë edhe pasi libri mbaron.

    Marini zbulon që ka brenda vetes një forcë, një energji të madhe e cila kur shpërfaqet në mënyrë të përqëndruar përmes syve mund të rrëzojë objekte, mund të dëmtojë sende, kafshë e njerëz.

    Kjo nuk është diçka e padëgjuar dhe as e pabesueshme. Një nga bestytnitë që i ka trembë gjithnjë njerëzit është ajo e fuqisë së syrit, ose “synit të keq”. Kryesisht të syrit të pangjyrë, blusë së shpëlarë ose sybardhësisë, fuqia dëmtuese e të cilit kontrollohet dhe ndalohet veç përmes pranisë së hajmalisë së syrit blu, çka simbolizon syrin ngjyrë deti a qielli.

    Fuqia e syrit është një fenomen që përmendet që në tekstet e lashta greke dhe romake, si dhe në shumë vepra të famshme letrare, duke përfshirë dramat e Shekspirit, por dhe shkrimet e shenjta në Bibël apo Kur’an.

    E gjithë kjo shpërfaqje fuqie të përfshin dhe të kuriozon dhe për një kohë të mban pezull.

    Shpejt kuptoj se autori punon më fort për mungesën e subjektit, preokupohet më shumë për gjërat e vogla të përditshmërisë dhe brendësinë e asaj çka ngjet në vetëdijen e nënvetëdijen e personazhit të tij, sesa për protagonizmin, madhështinë, heroizmin. Ai zgjedh të vejë në dukje njerëz të mesëm, ata të fshehurit mes dritës dhe hijes. Ata që në përditshmërinë e të jetuarit janë të zakonshëm, nuk bien në sy.  Për një kohë “rrëfimi ku s’ndodh kushedi çfarë” ose “s’ndodh asgjë”, mua lexuesen që pëlqej vrapimin e lepurit më bën pak të paduruar, derisa gjendem e shtangur e gati e mahnitur para një skene: takimi i parë i Marinit me detin. (f.124)

    Kjo skenë më shkund. Më bën të kthjellohem për thellësinë e ujërave në të cilat po notoj.

    Krjimi i një trekëndëshi erotik përmes dy figurave femërore: Tatjanës dhe Norës, arrestimi i Marinit pikërisht ditën e fejesës dhe burgosja e tij për shkak të pafajësisë së tij e bën më tej librin të mos e lëshosh nga dora. 

    Nëse për një çast e imagjinoj autorin me gjithë qenësinë, emocionin, këndvështrimin e tij për botën, filozofinë e tij të shndërruar në ujin e këtij libri, ai nuk rrjedh, por pikon pasi kalon një proces purifikues kullimi. Pra, sipas mendimit tim, ky libër kullon, kullon thelb filozofie.

    Esenca e cila përftohet pas kullimit ka fuqinë të të trazojë, të të pështjellojë, të të bëhet pasqyrë ku shihesh e bën pyetje që kanë fuqi të të ndryshojnë botëkuptimin për jetën.

    A s’bën këtë arti i vërtetë?

    Libër i shqisave që ngjyrojnë dhe i japin zë heshtjes

    Që në titull autori na flet me shkronja të vogla me bashkëtingëllore buzore të pazëshme (p.p.p.)

    Ndryshe nga shumë që e lidhin titullin me librin e famshëm të Kunderës “Lehtësia e padurueshme e qenies”, nuk e di pse, por mua titulli, kur e dëgjova të parën herë në konkursin letrar në Lezhë, më evokoi pambukun. Kafka thotë: “Libri duhet të jetë sëpata që thyen detin e ngrirë brenda nesh.”   A mos ka ndërmend autori “të na vrasë me pambuk”?

    Romani “Pesha e padurueshme e pafajësisë” është i shkruar në pjesëmarrjen e të gjitha shqisave çka e bën atë një tekst të imazhit, të përfytyrimit, të dëshirës për t’i zgjuar ndijimet edhe ato më të fjeturat, një thirrje e pazë për të evokuar format, përmasat, ngjyrat, aromat, shijet, veçanërisht kur këto detaje lidhen me përshkrimin e njerëzve dhe të mjediseve.

    Format trupore, trupi i vërgjilltë nën rrobet rrëshqitëse prej mëndafshi të Tatjanës, syri, buzët, “mishi i saj i shkrifët dhe i fortë, sa me ardh dëshira me ia prek”, aroma e duarve të saj që i mbetet thellë në mendje Marinit; fytyra e ndritshme, lëkura e porcelantë, flokët plot volum dhe ai lugu i mistershëm i shpinës së Norës; rrobat aromë uji e dielli që i dërgonte nëna në burg;

     Nga ana tjetër, ndër gjithë detajet ajo çka të shënon ndjenjën e ankthit dhe jep aq qartë atë atmosferën e Luftës së dytë Botërore dhe agut  të regjimit komunist ishin, zhurmat e karrocerive që tërhiqnin tanket dhe armatimet e luftës, terri i rrugicave, megafonët në sheshe, zhurma shugulluese e hapjes dhe mbylljes së shulave të derës së kapanonit ku vuanin dënimin të burgosurit; heshtja me aromë ankthi e frike para thirrjes së emrave për të shkuar në hetuesi që asnjëherë s’dihej kur do të ndodhte, dhe terri i natës, era e lagështisë, drithërima e të ftohtit, përfytyrimi i aromave të kthinës ku kryheshin nevojat personale të  të burgosurve dhe aroma e gjakut, lotëve, djersës, shiut në rrobat e ndyra përzier me aromën e bykut të dyshekëve.

    E megjithëkëtë mori detajesh shqisore veçanërisht të nuhatjes kur lidhen me ndjenjën dhe të të dëgjuarit kur lidhen me atmosferën dhe mjedisin, ky libër i ngjan një qenieje të lidhur para altarit të heshtjes që bren me durim prangat për t’u liruar prej saj.

    Parimi i Ajsbergut

    Në këndvështrimin tim autori përdor parimin e ajsbergut për ndërtimin e veprës mbi disa shtresa kuptimore. Në ndërtimin e këtyre shtresave kuptimore ndihmon përdorimi i metaforës si figurë kryesore. Në një intervistë, studiuesi Ag Apolloni thotë për poezinë e maestro Primos “poezia e tij absolutizon kualitetin e mendimit metaforik, prandaj ka një forcë magnetike që e tërheq lexuesin për të përjetuar një gjendje lirike”.

    Mendoj se autori ka përdorë të njëjtin parim krijues edhe në shkrimin e këtij romani, veçse metafora zgjeron kuptimësinë e disa simboleve të njohura e të përdorura që më parë.

    Po ndalem në këtë shkrim në dy prej tyre.

    Njeriu dhe simbolika e detit /ujit

    Në letërsi dhe në art, deti shpesh përshkruhet si një vend lirie dhe aventure, duke përfaqësuar shkretëtirën e madhe dhe të pazbutur përtej brigjeve të qytetërimit. Gjatë gjithë historisë së njerëzimit, deti është parë si një simbol i fuqisë dhe forcës. Sot, shihet shpesh si një simbol i misterit, i pafundësisë, i qetësisë, i shpresës, i instinkteve të ndrydhura, i së panjohurës, madje edhe i së vërtetës. Për të tjerë, deti shpirtërisht simbolizon madhështinë dhe tmerrin që përjeton njeriu kur vogëlsia e tij matet me forcën e detit.

    Psikologjikisht uji, lënda prej së cilës përbëhen jo vetëm lumenjtë, liqenet, detet dhe oqeanet, por edhe njeriu, simbolizon idetë e thella ose të pakapshme, misterioze ose të rëndësishme. Uji ka thellësi, që do të thotë se është praktikisht i pafund. Të tilla janë dhe emocionet njerëzore. Uji simbolizon lotët dhe pikëllimin e thellë. A nuk janë lotët të kripur si deti dhe kanë fuqinë ta pastrojnë e ta lehtësojnë shpirtin?

    Emocionalisht, uji mund të simbolizojë thellësinë, ndryshimin e ndjenjave ose trishtimin. Uji është gjithashtu simbolika universale e jetës, pasi asnjë bimë apo kafshë nuk mund të jetojë pa të. Nga ana shpirtërore, uji evokon idetë e pastrimit, të përtëritjes dhe të transformimit.

    Edhe personazhi ynë është një njeri i ujshëm, ai merr formën e “burgjeve” në të cilat ndryhet. Vetë emri i tij rrjedh nga latinishtja “mare” që do të thotë “det”. Ai është njeri i ujnave edhe në profesion- është hidraulik. Ai bën një punë që njerëzit ia kanë nevojën në kohë paqeje e lufte. Punëtor, fjalëpak, i bindur e i dëgjueshëm, Marini ndryshon kur sheh për herë të parë detin.

    Po ç’përfaqëson deti në këtë libër?

    Citoj: “Deti i kishte zbuluar dobësinë e tij, ashtu si dhe Tatjana i kishte zbulue të njëjtën gja: dobësinë… Deti nuk kishte pësue asnji gja prej shikimit të tij të ngulët dhe përpjekjes së tij për ta “zabtue” atë masë të madhe uji… Jo ai as nuk kishte me e fashitë (detin), as me e pushue, as me e zabtue. … Mbase djaloshi kishte parë te deti vetë shëmbëlltyrën e dashnisë, forcën e saj, papërballueshmërinë e saj e deri fatalitetin e saj. As syni i tij i egër, as morali si vullnet i të tjerëve i imponuem mbi të nuk kishin mujtë me ia ndalë mendimin për Tatjanën. Deti kishte qenë dashnia. Sepse kur asht deti në mes, syni (i egër) i Marinit nuk kishte ma fuqi dhe ideja se mund t’ia thyente sytë Tatjanës kishte qenë një lloj preteksti që ai mos me e braktisë edhe këtë herë pafajësinë e tij.” (f.258-259)

    A s’i përmban dashuria të gjitha cilësitë e detit?

    “Deti, era mbi të, dallgët dhe loja e fashave të dritës mbi syprinën e tij të paanë ia kishin nxjerrë në plan të dytë të gjitha kënaqësitë e tjera të jetës që ia vononin gjumin, që ia prishnin gjumin ose edhe që ia degdisnin gjumin. Kishte pa me sy  nji gja shum të madhe, nji gja aq të madhe se të gjitha gjanat që i kishte rrokë syni, kishte ndie se ajo gja ishte në gjendje me e trrembë, me e shty, me e lagë, me e ba me andrrue me vete egërsinë e tij të paepun… Kishte ndie se sa e vockël ishte jeta e tij tue i ardhë rreth ujit të njerëzve, kur uji i detit ishte aq i madh e madje i papijshëm… kishte pa me sytë e tij se bota vihej në lëvizje prej forcash të padukshme dhe se  e dukshmja ishte shpesh e denjë për të mos u mbajtë mend.” (f.137)

    Atje, në përballje me detin, ai njeh veten “se sa i papjekun, i parysun, sa naiv kishte qenë” kur kishte refuzuar dashurinë e një gruaje që “e kish grish e para të afrohej, që kishte ngulë kambë që ai të delte nga mpimja… por ai kish ngurrue fort, kishte pas frikë, frikë nga vetja dhe për veten” (fq 126) dhe e kishte humbur atë.

    “Lirizmi asht shija e sendeve që ikin”- thotë autori në një intervistë të tij. Mbase është edhe i njerëzve që ikin. Mbase edhe zgjedhja e personazheve dytësorë që ikin nga jeta e Marin Shitës përligjet sipas këtij parimi. Tatjana, Nora, Batoja, Zef Vetima, ustai, Liza, motra që jeton në tjetër qytet, ata janë të gjithë ikës. A nuk ndodh kjo dhe në jetën e vërtetë? Sa prej tyre lënë gjurmë? Sa prej tyre kanë fuqinë të na ndikojnë, të na ndryshojnë?

    A është dashuria e vërtetë një shpinë që ikën? A është dashuria një kokë që mbetet e kthyer pas?

    Mbi simbolikën e pasqyrës

    “Ka ardhë i krisun prej burgut.”- thotë e motra për Marinin. “Nuk po e njoh më.” (f.279)

    “Mbase se kam njof njerëz- i përgjigjet Marini- dhe kam takue dikë që ma ka ndërrue jetën…” (f.280) thotë, duke iu referuar Zefit, shpirtit Mefistofelian në libër.

    Në kapanonin ku të mbledhurit, ata që konsideroheshin të rrezikshëm, mbaheshin të burgosur, ishte, terr, lagështirë dhe ftohtë. E megjithë kushtet e vështira të gjithë të burgosurit rrinin të tulatur  nga pesha e pafajësisë së tyre. I vetmi që fliste e që qeshte ishte vrasësi Zef Vetima, i cili e kishte pranuar fajin dhe ndihej i lehtësuar për këtë fakt. Të vetmet raste kur të burgosurit kërkojnë diçka janë kur kërkojnë ujë, dritë dhe një pasqyrë.

    Në psikologji, pasqyrat janë një prag midis mendjes së vetëdijshme dhe pavetëdijes. Kjo sepse ato nxisin vetëdijen dhe na prezantojnë me personalitetin tonë.

    Vepra të ndryshme të letërsisë i përshkruajnë pasqyrat si simbol të së vërtetën, zbulimit, guximit dhe fuqizimit. Kurse në disa besime të lashta pasqyrat janë një rrugë kalimi midis botëve. Gjithashtu pasqyrat janë një rrugë drejt shpirtit. Bota e lashtë besonte se shikimi në një xham është një mënyrë për të ekzaminuar shpirtin. Kjo është arsyeja pse në filma vampirët dhe demonët nuk kanë reflektim, sepse këtyre entiteteve u mungon shpirti. Është për shkak të këtyre besimeve që kinezët, egjiptianët, majat dhe kulturat e tjera i mbulonin të gjitha pasqyrat gjatë funeralit për të mundësuar një kalim të sigurt të shpirtit në parajsë dhe për të parandaluar që entitetet e tjera të kalojnë në botë.

    E gjithë skena, ku Marini përpiqet të rruhet përpara pasqyrës së saposjellë nga rojat, duhet lexuar në nështresat e saj kuptimore. Ai përdor forcën e tij për ta thyer e shkërmoqur pasqyrën në një mozaik prej mijëra copëzh dhe ajo nuk rrëzohet, por qëndron në mur për të reflektuar një pamje të përbindshme, ku njerëzit “dukeshin të tmerrshëm ashtu të shpartallisun gjymtyrësh e të rikompozuem simbas tekave rastësore të copave të pasqyrës që ende rrinte e varun dhe priste  e këpuste çka gjente para për ta ringjitë në forma përbindëshe si disa shartime djallëzore anatomike” (f. 250) Thyerja e pasqyrës ndodh fill pas krisjes së shpirtit të Marinit, pasi kupton peshën e padurueshme të pafajësisë që ndodh te ai si një përplasje botëkuptimesh.

    Është meritë e autorit që i përplas kaq mençur këto botëkuptime qytetërimesh përmes dy personazheve fetare: prifti katolik që thotë se “pafajësia është ngushëllimi më i madh” dhe prifti ortodoks grek që thotë: “Vrite…vrite… që të shpëtosh nga pesha e pafajësisë”. Dy fjali ndonjëherë mjaftojnë për ta tronditë botën, sepse pas tyre qëndron një filozofi e tërë.

    Në një ese të tij ku flet për simbolin, Umberto Eko thotë se “Ai që e kupton me vetëdije të ftohtë se universi është i pakuptueshëm atij i mjafton çlirimi përmes pyetjes, jo pranimi i gatshëm i përgjigjes.”

    Ndaj, ju lutem, më thoni, a ia vlen ta lexosh këtë libër?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË