More
    KreuLetërsiBibliotekëMark Simoni: Përdorimi i kulturës, gjendjeve paranormale, dhe situatave mistike si element...

    Mark Simoni: Përdorimi i kulturës, gjendjeve paranormale, dhe situatave mistike si element letërsie

    Rreth librit me tregime “E heshtura” e shkrimtares Miranda Hanku, “MUZGU”

    Sapo e ke mbyllur kapakun e fundit të librit “E heshtura” të shkrimtares Miranda Hanku, e ndjenë se ke kyçur dhe lënë pas shpine portën  e madhe të një bote të tërë. Dhe në çast e ndjenë se je i përfshirë i gjithi nga një gjendje entuziaste dhe meditative, se jo vetëm thjeshtë ke dalë nga një realitet letrar i veçantë dhe tepër  interesant, (me subjekte dhe ngjarje të jashtëzakonshme), por ke shijuar një stil të çuditshëm të shkruari, je prezantuar me një set dhe kastë përsonazhesh të një lloji që si ke hasur kurrë, e ke shëtitur imagjinatën qosh e më qosh të botës nëpër realitete ku s’ke qenë asnjëherë, por mbi të gjitha je njohur me një autore, që veç talentit dhe fantazisë, vjen në letërsi me një volum të madh dijesh dhe e njohurishë, duke e përdorur kulturën si një element të epërm të krijimit dhe letërsisë.

    Raporti i reales dhe sureales, kultura si krijim dhe kultura si formim, galeria e përsonazheve kontravers, interesant, impresionant, fati si argument mistik, koiçidencat, rastësitë si element të suspansit të tregimeve, gjendjet e hipnozës, situatave paranormale dhe realitete tjera të fshehta karakteriale, dhe plot dimensione të tjerë, gjeografia e gjërë që e hedh lecuesin sa nga njëri cep i botës në tjetrin, e përshkojnë këtë libër të çuditshëm dhe e bëjnë atë shumë interesant.

    Tregimi “Konsulta”, është raporti i një psikologeje të përsosur italiane, (Shkrimtarja jonë ka dije të thella të psikanalizës), me pacienten e saj, e rënë në gjendje opsesive, me situata energjike që kalojnë menjëherë nga një gjendje në tjetrën, një çift i manipuluar në grackën fikse të posedimit të tjetrit, në një vartësi neurozash xhelozie për një djalë egjiptian, (dy përsonazhe nga dy vende dhe kultura të ndryshme), futur në rrethin vicioz të lojës së nerva me njëri tjetrin. “E papritura” është vendosur mbi një situatë koiçidencash  dhe rastësishë, (si mjet i narrativës), të takimeve të dy studiuesve të fizikës kuantike të Perëndimit, (dije që Miranda Hanku i zotron me dinjitet), dhe zhvillimeve të çuditshme të mardhënieve të shkenctarëve me njëri tjetrin. Proza “Rrëfimi” i sjell lexuesit jo vetëm një reflektim delikat të bisedës së gruas së re Renatës me priftin e zonës italiane të veriut, por përshkohet nga delikatesa dhe feminiliteti, dhe mbi të gjitha nga mrekullitë dhe fati, që sjellin vendet e shenjta në jetën e njeriut. Një përshkrim i çuditshëm i Mostarit, Medjo Gorje të Bosnjës, një eskursion fatlum, një shtatzani si mrekulli mistike, e mbështjellë nga tisi i hamendjeve, gjendjeve haluçinante, mjegullës së të panjohurave. Tregimi “Profesori” ka në aks të ngjarjes një studiues të thellë të deshifrimit të shkrimeve antike të Greqisë dhe Romës së lashtë, quhet Aurelius Tizziani dhe vjen nga Universiteti i Venecias (në një nga ato Universitete ka studiuar dhe Mira Hanku dhe e njeh mirë fushën e përsonazhit të saj). Ky profesor i rëndë si vetë studimet e tij, i zymtë dhe i mbyllur, takon në rrethana gati të çuditshme dhe krejt të rastësishme, (të një zjarri të rënë në sallat e bibliotekës së madhe të qytetit), pikërisht një student, tema e diplomës së të cilit është rreth shkrimeve të kulturave të vjetra, dhe miqësia delikate e tyre pas asaj dite. “Letra e të panjohurit”, është një odise e tërë skenash dhe mizanskenash, ngjarjesh të vogla, rastësishë dhe bestytesh, konçidencash dhe lajthitjesh, hipnozash, manipulimesh, të një njeriu të cilit i ndodhin të papritura të çuditshme, në një kroçerë që udhëton detrash të pafund. çanta e boshatisur nga një dorë e panjohur dhe e fshehta, lënia në të e një zarfi që nuk hapet nga ankthi, atmosfera e ngarkuar me atë që “Asgjë nuk ndodh rastësisht”, apo i preferuari i Universit dhe i përkdheluri i fatit. Ky tregim më zgjoi në mendje “paralelen” tjetër, “Kolombrean” e Buzzatit. “E heshtura” është një tregim që hesht shumë me fjalë, por luan me imazhe, gjendje, muzikë, Venera e Botiçelit, Mona Liza, Simfonia e 7 e Bet’hovenit, një grua në qendër të ciklonit të thashethemev, diku në një lagje të errët të një vendi të largët, dhe përndritja e imazhit të saj në një galeri arti. Lojë efektesh dhe sugjestionesh, thelbin e  të cilave Autorja e zotron për bukuri.

    Sapo mora në dorë këtë tekst dhe lexova tregimin që pagzon librin, mendova që kopertinën t’ia zgjidhja nga krijimtaria e Eduard Hopperit, të cilin e vlerësoj dhe njoh albumet e tij, i kam blerë këtu në Amerikë. Për këtë piktor, kritika ka shkruar se “është Artisti i vetmisë dhe heshtjes moderne. Në pikturat e tij hapsira dhe drita krijojnë një ndjenjë pushimi dhe izolimi.”.

    Në libër është dhe tregimi “Godina fantazëm”, godina Heliks, (nga latinishtja Helika), një godinë gjigante ekstravagante, moderne, e çuditshme, me qindra e  qindra apartamente, të vendosura në krahët e një forme të përbinshme helike. Por ajo që të intrigon është se kjo godinë duket e zhduket në mënyrë krejt misterioze. Kjo është loja që e mbanë lexuesin në akth dhe suspans, si vetë banorët e saj. (Mira Hanku konfirmon në këtë prozë njohuri të thella të arqitekturës moderne). Një nga tregimet më të këndshëm, më intrigues, në pragun e komikes dhe tragjikes njëkohësisht, është tregimi “Monedha e sherrit”. Kalvari i çuditshëm i njerëzve që posedonin një monedhë a medalion të artë, (që nga i pari që e gjeti në kopshtin e tij e me radhë), bestyte, të papritura, bekime dhe mallkime njëkohësisht, thashetheme, hamendje, inate dhe cmira, urrejtje dhe fantazmagori, hipnoza dhe situata surreale, të shpërndara në ndërgjegjen kolektive të  fshatarëve të një zone të vogël italiane, në vitin 1909.

    Bota e madhe e lexuesve e dinë shumë mirë impaktin që kanë përsonazhet e ndryshëm të letërsisë, (figurat dhe profilet e tyre psikologjike dhe karakteriale)  në memorjen e njerëzve të leximit. Ata krijesa të shkrimtarëve dhe librave përcjellin tek ne empati, ne përfshihemi në gjendjet dhe ngjarjet e tyre, jetojmë me hallet dhe atmosferën e tyre shpirtrore, dhe i mbajmë gjatë në mendje herë si modele, herë si heronj, herë si objekte humori apo gjykimi. Ata njerëz letërsie bëhen interlekutor mes nesh dhe vetë librave ku ato janë. Të gjithë ne e kemi lexuar Ana Kareninen si profil i çuditshëm psikologjik, e mbështjellë nga situata e dashurisë,  hijes së fajit dhe gjykimit të shoqërisë. Kafka na ka dhënë përsonazhin e Gregor Samsës që është burgosur brenda vetmisë egzistenciale të njeriut modern. Servantesi i ka dhënë leximit botror të 5 shekujve Don Kishotin, këtë kalorës të vonuar, që don të bëhet hero  në një botë që nuk ka më nevojë për kalorës (thënie e Alonso Quijano), qesharak, i dashur, i dhimbshëm i përshkuar nga një çmenduri e butë. Bota e leximit është e populluar nga kësi figurash impresionante që lënë mbresa në karakterin dhe kujtesën tonë. Miranda Hanku e pasuron popullatën e përsonazheve të letërsisë me njerëzit e tregimeve të saj, herë aventurierë dhe ekstravagantë, qyrykë apo dede, herë të ditur dhe me karaktere të fortë, herë delikatë dhe të përvuajtur, apo intelektualë arketipalë.

    Një prej gjërave që na bie në sy në këtë vëllim me tregime është fati dhe koiçidencat  dhe rastësitë e jetës, që e dërgojnë rrëfimin në drejtime dhe shtigje të çuditshme. Këtë matricë fenomenesh Autorja e ka përdorur si mjet letrar mbi të cilët ka ngritur subjektet dhe fabulat, apo ka futur si në vorbull përsonazhet e saj. Pothuaj në të gjithë tekstet ka raporte mes fatit dhe rastësive, sinjaleve dhe domethënieve të tyre, fenomeneve paranormale, mbushur me koiçidenca të habitshme, herë fatlume dhe po kaq herë dhe gjithë mynxyrë dhe mallkim, veshur herë herë me misticizëm, shenja dhe kode. Kjo lloj materie e bën letërsinë e këtij libri shumë tërheqës, interesant, lexuesin e vendos para mistereve dhe suspansit, e edukon me surrealitetin e fatit dhe rastësive, e lëkund lexuesin në pendulin mes fatit dhe misterit.

    Ne e dijmë shumë mirë se pikërisht fati dhe rastësitë janë përdorur që nga letërsitë më të vjetra dhe autorët e Antikitetit. Sofokliu e përfshinë Edipin në profecinë apo fatin e paracaktuar. Ose simboli i Mobi Dikut, ku siç thonë studiuesit, Akabi sfidon fatin, si dhe, rastësitë dramatike të udhëtimit të tij nëpër detra, rroposin trillin e lojës mes vullnetit të Akabit dhe forcave të pa shpjegueshme. Tesi i Debervileve, ku rastësitë varrosin fatet e përsonazheve, madje dhe vetë Tesi humbet nga rastësitë mizore, (thotë Emil Kandruk).

    Por përtej fateve dhe rastësive, Autorja nganjëherë futet dhe në terrene akoma më interesante, në ato mistike, me atmosfera që prodhojnë mister, lënë impresione të pa shpjegueshme te lexuesi, ku aktivizohen simbolet si nënshtresa kuptimore, ka gjendje transhendente.

    Shtypi thotë për “Profetin” e Kahlil Gibranit se është një përzierje fjalësh të thjeshta dhe kuptimesh të thella mistike. Gjithashtu kur përmenden poetët simbolistë Bodler dhe Malarme, kritika thekson që “ata kanë një mistikë të brendshme, ku gjenë të pa thënat nëpërmjet figurës dhe tingullit”. Pikërisht me një potencë të tillë mistike janë dhe një pjesë e sekuencave të tregimeve të Miranda Hankut, që tregon se edhe këtë pjesë të kulturës e zotron me po atë sukses sa dhe të fushave të tjera.

    Pra, që nga ky çat ne kemi në dorë një libër shumë interesant, që përshkohet nga dije të shumta racionale, dhe është punuar me shumë talent, frymëzim dhe dashuri letrare iracionale. 

    25 qershor 2025

    Filadelfia, Pensilvania, Sh.B.A.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË