More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMark Simoni: Ati si perendi, si gjest, si autoritet, si dashni dhe...

    Mark Simoni: Ati si perendi, si gjest, si autoritet, si dashni dhe mall

    Kur del prej librit “Këngët e babës” dhe e lëshon nga dora, ndjenë se qënia jote të është ngarkuar me imazhe dhe emocione, situata impresionante dhe subjekte poetike interesante, gjendje estetike të veçanta dhe me një letërsi karakteriale të fuqishme. Bislim Ahmetaj e ka urbanizuar librin e tij në pesë blloqe të mëdhenj, secili jo vetëm i dallueshëm prej tjetrit, por që, edhe në vetvete është një univers i plotë, është nukli i një libri. Nga vetë titujt e kapitujve lexuesi kupton temat e harlisura të poezisë së këtij autori, larminë dhe premisën për t’i dhënë letërsisë së tij dimensionin universal. Megjithëse poezitë e përmbledhura në cikle, kanë një target të caktuar, ato asnjëherë nuk bien në situata monokrone, apo të jenë pjesë e stërgjatur e njëra tjetrës, por kanë dinamika, ngjyra, trajtesa, krejt të mëvetshme dhe origjinale, çfarë i japin këtij libri shije të mirë leximi.

    “Fluturime të çmendura” në ciklin e parë, ku të impresionon shumë mardhënia e poetit me natyrën, me elementët dhe hapsirat e saj, si një ndërgjegje krijuesee mbushur me detaje jete dhe energji lëvizje. Madje ai stilizon aq bukur me subjektet e natyrës, motit, gjeografisë, hapsirës dhe qiellit, që nga elementët më të vegjël e të brishtë dhe deri tek ato rropama dhe tramundana tronditëse që lenë gjurmë të pa shlyeshme. Retë me qumësht zanash / Fole rrufeshë / Yjet mbledhur në një krozhë / Zogu ithnak / Bisedë me diellin / Hëna ma gjeti shtëpinë / Udhëtoj detrash, janë ndjenë që kanë po atë energji që të jep vetë natyra me dimensionin dhe potencën e saj. Po në këtë cikël dallohet ai nerv shqetësimi, që poeti e ka të tejshkuar pothuaj në të gjithë librin, si një element karakteri dhe bosht ekuilibri. Poezitë kanë shumë grintë, janë të prera, të shkruara pothuaj në mënyrë të drejtpërdrejtë, gati telegrafike dhe me një saktësi matematike, ku dallohet gishti i akuzës së poetit për ngjarje dhe fenomene që kanë sëmurë shoqërinë, e kanë kthyer vendin në një limonti pasive dehëse dhe pa asnjë shkëndi revolte. Poezitë “Ti bija ime”, “Në linjën Londër Tiranë”, “Zoti Mister” etj. e kanë këtë matricë shqetësimi.

    “Qyqet e qytetit të qyqanave” titullohet cikli pasardhës, i shkruar me një aliteracion impresionant, ku mbi kokën e tërë botës ndjenë vajin e qyqeve, pikërisht se njerëzit e qytetit janë vetë Qyqana. Duket se këto qyqe dhe qyqana e kanë përcaktuar destinin dhe fatin e tyre dhe të gjithë qytetit. Funebre ato tri “Qy”-të, që hapin fjalët e titullit. Kjo dorë poezishë e këtij kapitulli ka një stil tjetër të shkruari nga poezitë e më parëshme. Janë Etyde, shkurtica, postulate, blice, definicione poetike, për të ardhur pastaj tek poemthi “I trishtë” që është ndër tekstet më të bukur që ka libri. është një kantatë e kënduar bukur dhe dhimbshëm, mbushur me detaje egzistenciale, është një ditar me mikrosubjekte shumë interesante, të shkruara me dhimbje dhe nostalgji, me një penel të zhdërvjelltë, që i jep tablosë dimensionin real të kohës nëpër të cilën ka udhëtuar Poeti. “Nuk shihnim më larg se maja e këpucëve tona, Dhe maja e këpucës qe përherë e grisur. / Kur fjala bënte mort, dhe në mort s’të vinin as kushërinjtë e parë. / Kur ishte e natyrshme pyetja A ke pasë lugë kosi për ato fëmijë? / Ishte luks frigoriferi, dhe mbasi nuk kishe çfarë të fusje në të, nënat tona të ngrata i përdornin si “dollap” dhe fusnin brenda pakot e ushqimeve. Dikund në lexim hasim këto vargje:

    “Qyqja e qytetit tim vajton,
    shumë më dhimbshëm,

    Se qyqja e qytetit tënd… “ Sa trishtim i shkruar krejt bukur, vajtim i krahasuar, qyqet e qyteteve të ndryshëm, zezonë tjetërsoji. Apo dikund tjetër vargje impresionante:

    “Natën e kalojmë,
    Me termetin e palosur nën kry”.

    çfarë simbolike, ankth i shkruar në tërë dimensionin real, por me një elegancë poetike të veçantë. “Bankomati dridhej dhe hungërinte si një kalë i egër”. Apo “Duart tona në xhepat bosh, dhe atje numronim vetëm gishtat nga njishi deri në pesë”.

    Elegji e thekur dhe plot dhimbje e trishtim poezia “Mbrëmë ra dhe gjethja e fundit”, shkruar me nota të mugëta, me nota si te marrshi funebër i Shopenit, çka na tregon ndjeshmërinë njerëzore të Autorit të librit. Po kaq dhimbje dhe butësi ka dhe në poezinë “Jetimja”, shtëpia e së cilës nuk ka mure, por është vetëm një çantë e grisur, e ngarkuar në krahët e saj thatim.

    Këto lloj poezishë i japin librit shumë sendiment, përkorje, delikatesë dhe e bëjnë përherë dhe më të fisëm.

    Në ciklin e tretë “Për dashurinë nuk gjej tituj” kemi mardhënien e autorit me një prej ndjesive më të shenjta të njeriut që është dashuria. Në këtë hapsirë të pamatë poetike ndjehet sentimentalizmi, hareja, lumturia, ndjenja, mardhënia, shkruar shumë bukur estetikisht, në mënyrë shumë të hijshme dhe të këndshme. Janë të gjitha pa tituj, si letrat e dashurisë që s’kishin krye, si një letërsi epistolare, plot dhimbje dhe hove zemrash, figura fine dhe fragile, të hajthme dhe plot ngjyra si vetë argumenti jetësor dhe poetik.

    I katërti cikël titullohet “Qytetet e atdheut tim”, që megjithëse është një ditar poetik i një udhëtari të ndjeshëm dhe vështak, është shumë interesant për nga gjeografia e qyteteve, për nga profili i veçantë i secilit, dhe se si Poeti e pozicionon dhe e ndjenë çdo qytet që viziton. Por, regjistri i revoltës dhe dhimbjes, që ky autor e ka të dallueshëm edhe në kët tufë poezishë, shprehet me poemthin”Në qytetin e Lasgushit” që është një uverturë repekti, dhimbje, një gjendje nokturne, e shkruar me shumë sens mase, me një harmoni mes figurës së Lasgushit, qytetit dhe gjendjes.

    “Këngët e babës” mbyllin librin. Tashmë sipari është gati të bjerë. Këto poezi megjithëse të shkruara me elementë të thjeshtë, njerëzor dhe egzistencial si (Mustaqet e babës, Baba në spital, M’ka pasë thanë baba, Kur vij në Hamallaj etj.) kanë atmosferë të epërme, gati hyjnore. Babai si një perendi, biseda të bukura si mes kreshnikësh, të vendosur herë herë në peisazhe alpine, Në poezinë “M’ka pasë thanë baba” kemi patjetër një poemë syshë, vështrimet si mardhënie, si lojë, si emocion, si komunikim. Në “Im atë qe burrë fisnik” kemi shumë art rrëfimi, shkruar me një filozofi të thukët, dhe me kundrapunkte.

    “Im atë ishte burrë esnaf,
    S’pat shumë pare…
    … Por gjithmonë vishej bukur

    Burrë i pashëm,
    Por kurrë si vu në siklet gratë që e adhuronin

    E dinte sa vlente,
    Ndaj kurrë se shiti veten…”

    Këto, dhe mjaft vlera të tjera që ka në mes rreshtave ky libër, më bëjnë të mendoj se botimi i tij është jo thjeshtë dëshmimi i një letërsie të realizuar, por mbi të gjitha që, letërsisë së vargut shqip i vjen një tekst serioz, i bukur, ambicioz dhe pretendent, që e pasuron bibliotekën tonë të letërsisë.

    Mustaqet e Babës

    Folëm me babën për katund e për fis,
    për hoxhë, për dervish e për prift.
    Folëm me babën
    për mbretëri, komunizëm dhe demokraci,
    folëm me babën
    për Ukrainë e Rusi,
    për Amerikë e Kinë, për Afganistan e Siri.
    Dikur vonë, kur fjalët na u fikën,
    u pamë në heshtje sy ndër sy.
    Sytë e mi u rrëzuan
    e fjetën mbi mustakët e tij ngjyrë gri.

    Lulet mbi varrin tand janë tha

    Lulet janë tha mbi varrin tand.
    Po, more po,
    edhe tufat e djemve te janë pjekë.
    Buqeta e nanës qenka djegë
    e motrave po ashtu,
    kunorat e vëllezërve, nipave e mbesave,
    të shokëve dhe të miqve
    ngjajnë me skelete ku varur rrinë
    lulet e thame si zilka hajmalish.
    Mbi dheun e kaftë që të mbuloi ty
    kanë nisë me dalë fije të njoma bari,
    ndërkohë që në kryet tem hala zhurmon
    gjuha e lopatave mbushun me dhe t’lagun
    që përplaset pamëshirshëm
    mbi arkëmortin tand.
    Ti nuk e di se ku gjendesh tash
    n’tokë, a n’qiell,
    veçse lulet mbi varrin tand,
    babë, janë tha
    ndërsa mua përherë e ma shpesh
    lotët po ma nxanë fytin,
    aq sa frymë s’po muj me marrë…

    Gjithmonë do shkruaj për ty

    Babë,
    mbramë prapë s’u ktheve në shpi,
    por unë t’pashë n’andërr.
    Kishe marrë parmendën
    e po lëvroje arën tande të vogël buzë lumit.
    Qetë para,
    parmenda pas,
    pastaj ti tue çelë plorin
    e nana pas teje kah e hedh farën.

    Unë duke ikë prej andrre
    dhe ara jote e vogël buzë lumit –
    duke çelë bimë të reja ngjyrë pranvere.
    Vdekja e poetit

    Poeti u këput
    e ra përdhe.
    Miqtë
    e çuan në spital.
    Në kartelën e tij të vdekjes, doktori shkroi:
    Në trupin e tij ka jetuar gjatë
    pranvera dhe vjeshta,
    në shpirtin e tij ka gjurmë
    të thella të jetës dhe dashurisë.
    Këto sëmundje i shëron vetëm vdekja.

    Natën vonë…

    Nata gojë ujku,
    gotë e thyer,
    bisht dhelpne,
    rrugë pa krye.

    Nata brinjë gjarpri,
    llampë e djegur,
    dhëmb miu,
    këmbë kërmilli.

    Nata prrua i thatë,
    drrasë e kalbur,
    besë e shkelur,
    dashuri e tretur.

    Qaj në gjuhë të huaj,
    qesh në gjuhën time

    Një fëmij i vogël
    ndoshta dy a tri vjeç,
    qan pa pra në gjuhë të huaj.

    E ama
    nji grua e hollë si plep
    i flet prajt me za të shkimun.

    “Shuj
    t’pastë nana
    jem ka shkojmë te nana Drane.”

    Fmija
    pra e
    s’ndihet ma,
    nis e qesh shqip
    e flet në gjuhë të huaj me za t’naltë.

    E ama përlotet
    e kqyr rreth e rrotull
    si nji sorkadhe e frigueme
    se mos dikush ashtë duke e venerue.

    Ndërkohë
    që dritat e avionit
    të linjës Londër-Tiranë
    janë t’zbehta, thuajse të shkimuna.

    Shumica e
    udhëtarëve t’tjerë
    as qeshin, as folin,
    ata janë t’përgjumun,
    t’përhumbun, t’ngujuem
    në heshtjen e tyne t’etertë
    mbi telefona dhe smartfona .

    Ndërkohë
    fmija i vogël që,
    qan në gjuhë të huaj
    dhe qesh në gjuhë amtare,
    ka shpërthye në të qeshuna
    avioni i linjës Londër-Tiranë
    e ka prekë tokën e Nanës Drane.

    3 Dhjetor 2023

    I randë qyrku i Lirisë

    Në këto pesëdhjetë e një vite jetë
    hala s’kam mujtë me e mësue
    a ashtë ma mirë me folë
    a me heshtë,
    ashtë ma mirë me u ngjitë nalt tuj u lëpi
    a me ndejtë me trupin drejt
    tuj e fshi djersën
    nën sy,
    ashtë ma mirë me çue krye për padrejtësi
    a me i pranue ato kryeultë,
    veç për me e pas t’nxetë
    nji racion tagji,
    ashtë ma mirë me i pa me sy t’ballit
    njerëzit e tu kah vuejnë për bukë
    e për dritë e ty kah
    t’verbon drita,
    ashtë ma mirë me kanë me mend në krye
    a thjeshtë një copë mishi
    me dy sy,
    ashtë ma mirë me kanë me zemër e shpirt
    apo një amebë njëqelizore
    që merr veç frymë.
    Në këtë pesëdhjetë e nji vjetor
    hala s’e di çka ashtë ma e mirë në jetë,

    veç vetes sime ia kam mbushë mendjen top
    se gjaja ma e randsishme
    për me t’ardhë era njeri
    ashtë beteja me mbetë i lirë.
    Jeta më ka mësue që Liria e ka çmimin e shtrenjtë,
    por çka duket e kam vendosë qysh fëmijë,
    që çdo çmim do ta paguaj vetëm e vetëm
    që qyrku i LIRISË të më rrijë mirë.

    Reforma…

    Në Livadhin e Pleshtave
    ka lulëzue hashashi.
    Pusi i Strakave
    ashtë betonizue e
    Logu i Kuajve
    ashtë ba truell për kishë,
    Fusha e Mëllenjave
    i ashtë dhanë me konçension nji investitori të huaj që s’u pa kurrë.
    Lumin e Kaltër e kanë ngujue n’tuba të zi,
    troftat pikaloshe janë ba bjonde,
    Ndërsa Ariu i murmë i Ahishtës
    krejt ashtë thi.

    ***

    Mëngjeseve
    dal e mbledh vesë
    ndër lule
    që të shuaj mallin që më djeg për ty.

    Mesditave
    kur dielli zhurit
    hijeve fshihem,
    që malli për ty të mos më përvëlojë.

    Mbrëmjeve
    shkoj pas xixëllonjave
    në parkun e madh të qytetit
    me shpresën e vakët që dritëza e tyre
    do mund ta ndriçojë fytyrën tënde ngjyrë vjollcë.

    ***

    Nëpër copa letrash,
    në faqe të pashkruara librash të palexuar
    në cepa mendimesh të zbrazët të harruar
    jetoj me ty.

    Të shoh në filma,
    teatro, variete,
    në qytet, në rrugë dhe rrugica,
    të lexoj nëpër gazeta,
    në lajmet e shkurtra të televizioneve informative,
    në buletine lajmesh të gjata,
    prapë më del vetëm ti.

    Në hijen time të mëngjesit,
    të drekës dhe të darkës
    të shoh vetëm ty.

    Ëndrrën e gjumit të parë
    e shoh me ty
    dhe gjumi më del me ty në sy.
    Në ëndrrat e mëngjesit je prapë ti
    aq sa nuk e di
    je ti në mua
    a unë në ty.

    ***

    E dashura ime është si shenjat e pikësimit.
    Kur bëjmë dashuri
    është pikë(.)
    Kur grindemi
    i ngjet pikëçuditëses(!)
    Kur bisedojmë qetë-qetë
    më ngjan si presje(,)
    Kur gjendemi larg njëri-tjetrit
    më projektohet si pikëpyetje (?)
    Në thonjëza shndërrohet kur mua
    më mbyt harrimi (“”)
    Si një apostrof (’) i tretur
    kur na zë trishtimi
    Kur më zotëron plotësisht
    më fut në kllapa( )
    Pikëpresje (;) është kur nxiton
    Dy pika(:) kur me shpirt më dashuron
    Tri pika(…) kur jeta rrjedh

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË