More
    KreuOpinionMargaret Atwood: Distopia e harruar që frymëzoi George Orwell-in dhe mua

    Margaret Atwood: Distopia e harruar që frymëzoi George Orwell-in dhe mua

    Nuk e lexova romanin e shquar të Jevgenij Zamjatinit (Yevgeny Zamyatin), “Ne”, deri në 1990, shumë vite pasi kisha shkruar “Rrëfenja e shërbëtores”. Si mund të më kishte shpëtuar pa lexuar një nga distopitë më të rëndësishme të shekullit të 20 me ndikim të drejtpërdrejtë në romanin “1984” të George Orwell-it, i cili pati ndikim të drejtpërdrejtë tek unë?

    Mbase më shpëtoi pa lexuar sepse isha lexuese e Orwell-it por jo studiuese e Orwell-it, dhe lexuese e letërsisë fantastiko-shkencore por jo studiuese e letërsisë fantastiko-shkencore. Kur më në fund u ndesha me “Ne”, më mahniti. Dhe tani që po e lexoj sërish përkthimin e ri dhe të shkëlqyer të Bela Shayevich-it, sërish po më mahnit.

    Tek romani “Ne” kaq shumë gjëra ngjajnë profetike: përpjekja për ta zhdukur individin duke i bashkuar të gjithë qytetarët me shtetin; mbikëqyrja e pothuajse çdo veprimi dhe mendimi, pjesërisht përmes veshëve magjepsës gjigant rozë që dëgjojnë çdo thënie. Likuidimi i kundërshtarëve – në shkrimet e Leninit të vitit 1918, ky likuidim ishte metaforik, por tek “Ne” është i fjalëpërfjalshëm, pasi ata që duhet të likuidohen në të vërtetë shndërrohen në lëng; ngritja e një muri kufitar që nuk shërben thjesht për të parandaluar pushtimin por për t’i mbajtur brenda qytetarët; krijimi i Mirëbërësit të Madh Vëllazëror,  më i madh se jeta, i gjithëdijshëm, i krye-urti i cili mund të jetë thjesht imazh ose simulakrum – të gjitha këto detaje paralajmëruan gjërat që do të vinin. 

    Kështu bëri edhe përdorimi i shkronjave dhe numrave më shumë sesa i emrave: kampet e shfarosjes së Hitlerit nuk kishin damkosur ende numra tek banorët e tyre dhe ne të kësaj epoke nuk ishim bërë ende ushqim për algoritmet. Stalini ende nuk kishte farkëtuar kultin e personalitetit të tij, Muri i Berlinit ishte dekada në të ardhmen, përgjimet elektronike nuk kishin marrë trajtë, gjyqet publike të Stalinit dhe spastrimet massive nuk do të ndodhnin edhe për një dekadë – megjithatë këtu është plani i përgjithshëm i diktaturave të mëvonshme dhe kapitalizmit të mbikëqyrjes, e paraqitur tek “Ne” si në një projekt.

    Zamjatini po shkruante “Ne” në vitet 1920-21, ndërsa lufta civile që pasoi Revolucionin e Tetorit të mbizotëruar nga bolshevikët ishte ende në proces. Vetë Zamjatini, kishte qenë anëtar i lëvizjes para vitit 1905, ishte bolshevik i vjetër (një grup i planifikuar për likuidim nga Stalini në vitet 1930 sepse ata nuk hoqën dorë nga idealet e tyre fillestare demokratike-komuniste në vend që të mbështesnin autokracinë e shokut Stalin) – por tani që bolshevikët po e fitonin luftën civile, Zamjatinit s’i pëlqente mënyra se si po zhvilloheshin ngjarjet. Komitetet fillestare të komunave thjesht po vulosnin pushtetin e elitës që u shfaq nën Leninin dhe do të forcohej nga Stalini. A ishte kjo barazi? A ishte ky lulëzimi i dhuntive dhe talenteve të individit që ishin propozuar në mënyrë kaq romantike nga partia më herët?

    Në esenë e vitit 1921 “Kam frikë”, Zamjatini tha: “Letërsia e vërtetë mund të ekzistojë vetëm kur krijohet, jo nga zyrtarë të zellshëm dhe të besueshëm, por nga njerëz të marrë, vetmitarë, heretikë, ëndërrimtarë, rebelë dhe skeptikë”. Më këtë pikëpamje ai ishte fëmijë i lëvizjes romantike, siç ishte vetë revolucioni. Por “zyrtarët e zellshëm dhe të besueshëm”, pasi panë se nga frynte era Leniniste-Staliniste, kishin nisur tashmë të instalonin censurën, duke lëshuar dekrete për tema dhe stile të parapëlqyera dhe duke shkulur barërat e këqija joortodokse. Kjo gjithmonë është praktikë e rrezikshme në totalitarizëm, pasi ka të ngjarë që barërat e këqija dhe lulet t’i ndryshojnë vendet sapo një autokrat të hap e mbyll sytë.

     “Ne” mund të shihet pjesërisht si utopi: qëllimi i Shteti të Njëshit është lumturia universale dhe argumenton që nuk mund të jesh edhe i lumtur edhe i lirë, liria duhet të zhduket. “Të drejtat” për të cilat njerëzit debatonin kaq shumë në shekullin e 19-të (dhe për të cilat vazhdojnë të debatojnë kaq shumë edhe tani) shihen si qesharake: nëse Shteti i Njëshit ka gjithçka nën kontroll dhe po vepron për lumturinë më të madhe të mundshme të të gjithëve, kush paska nevojë për të drejta?

    Kemi parë një varg të gjatë utopish të shekullit të 19-të që gjithashtu propozuan receta për lumturinë universale. U shkruan kaq shumë utopi letrare në shekullin e 19-të, saqë Gilbert dhe Sullivan krijuan një parodi operistike me titull “Utopia, e kufizuar”. Disa nga pikat kryesore janë Gara e Ardhjes së Bulwer-Lytton-it (një racë njerëzore superiore që jeton nën Norvegji, me teknologji të përparuar, krahë të fryrë, arsye që e kontrollon pasionin, dhe femrat që janë më të mëdha dhe më të forta se meshkujt); “Lajme nga Askund” e William Morris-it (socialist dhe partizan i barazisë, i arteve dhe zanateve, veshjeve artistike dhe çdo femër që të ngjall mahnitjen para-Rafaelite); dhe “Epokë kristali” nga W. H. Hudson-i, ku njerëzit jo vetëm që kanë bukuri dhe veshje artistike, por jepen të lumtur, si Shakers (Shoqata Amerikane e Besimtarëve në Ardhjen e Dytë të Krishtit), por sidoqoftë duke mos pasur asnjë interes për seksin.

    Shekulli i vonë i 19-të ishte idengulitur me “problemin e gruas” dhe “gruan e re”, dhe asnjë utopi apo distopi vetme nuk mund të shmangte traditën ekzistuese për seksin. As Bashkimi Sovjetik. Përpjekjet e hershme për të zhdukur familjen, për t’i rritur fëmijët kolektivisht, për të lejuar divorcin e menjëhershëm dhe, në disa qytete, për ta dekretuar si krim nëse një grua refuzon të bëjë seks me një komunist mashkull (ide brilante, djema!) krijuan një farsë dhe kaos aq mjeran sa Stalini u tërhoq menjëherë me tërbim nga kjo politikë në vitet 1930.

    Por Zamjatini po shkruante në periudhën e hershme, atë të fermentimit, dhe janë këto qëndrime dhe politika që satirizon “Ne”. Megjithëse njerëzit jetojnë në shtëpi mirëfilli prej xhami, me të gjitha veprimet e tyre transparente, ata ulin grilat modeste për orën e seksit, orë e rezervuar paraprakisht me biletë rozë dhe të regjistruar siç duhet nga një grua e moshuar në holl të çdo ndërtese apartamentesh, sipas rregullores. Por megjithëse të gjithë bëjnë seks, vetëm gratë që plotësojnë disa specifikime fizike lejohen të kenë fëmijë: eugjenika u konsiderua “përparimtare” në këtë kohë.

    Ashtu si tek romani i Xhek Londonit, 1908, “Thundra e hekurt” një distopi që shpreson për një të ardhme utopike, dhe gjithashtu tek “1984” e Orwell-it, forcat lëvizëse të kundërshtimit tek “Ne” janë femra. D-503, protagonist mashkull, në fillim është anëtar i përkushtuar i Shtetit të Njëshit, duke u përgatitur të lëshoj një raketë në univers me qëllim që të shpërndajë në botë të panjohura recetën e Shtetit të Njëshit për lumturinë e përsosur. Personazhet distopik priren të shkruajnë ditar, dhe D-503 synon të shkruaj ditarin e tij për universin. Por subjekti ndërlikohet, dhe po kështu edhe proza e D-së. A zhytet në atmosferë tipike për Edgar Allan Poe-n në çastet më të çuditshme? Ose në atmosferën romantike gotike gjermane? Apo si tek Baudelaire? Ndoshta. Ose ky është stili i këtij autori.

    Shkaku i kësaj shkundje emocionale është seksi. Sikur D të mbetej tek takimet e planifikuara seksuale dhe biletat e tij rozë! Por s’mundet. Hyn tek I-330, një disident sekret këndor, individualist bohem dhe që pi alkool, i cili e josh në një fole të fshehtë dashurie dhe e bën të vërë në pikëpyetje Shtetin e Njëshit. Ajo përbën kontrast të madh me O-90, një grua e rrumbullakët, e bindur që e ka të ndaluar të ketë fëmijë, sepse është shumë e shkurtër dhe është partnerja seksuale biletë-rozë e D-së. O-ja mund të interpretohet si rreth – përmbushje dhe plotësi – ose si zero e zbrazët, dhe Zamjatini i zgjedh të dyja. Në fillim mendojmë se O-90 nuk vlen për asgjë, por kur mbetet shtatzënë pavarësisht vetos zyrtare, na befason.

    Shumë është shkruar për ndryshimin midis kulturave të Unë dhe kulturave të Ne. Në një kulturë të Unë siç janë Shtetet e Bashkuara, individualiteti dhe zgjedhja vetjake janë pothuajse fe. Asgjë s’është rastësi: Amerika e ka fillesën tek puritanët dhe në fenë protestante është i rëndësishëm shpirti individual përballë Zotit, jo anëtarësia në një kishë universale. Puritanët ishin shkrimtarë të mëdhenj të ditarëve, ku regjistronin çdo shmangie dhe gabim shpirtëror: duhet të besosh në vlerën e lartë të shpirtit tënd për ta bërë këtë. “Gjej zërin tënd” është një mantra në kurset e shkrimit në Amerikën e Veriut, dhe kjo do të thotë gjej zërin tënd unik. “Fjala e lirë” do të thotë që ti mund të thuash gjithçka që të pëlqen.

    Në kulturat e Ne, për çfarë të hyn në punë ai lloj zëri? Është të qenët pjesë e një grupi ajo që vlerësohet: duhesh të veprosh në interes të harmonisë shoqërore. “Fjalë e lirë” do të thotë që ti mund të thuash gjithçka që të pëlqen, por ajo që të pëlqen natyrshëm do të kufizohet nga efektet që mund të ketë tek të tjerët, dhe kush do ta përcaktojë këtë? Vullneti i “ne”. Por kur bëhet “ne” një turmë? A është ëndërr apo makth përshkrimi i D-së për të gjithë ata që bëjnë një shëtitje me hap rreshtor, të unifikuar? Kur kthehet kjo “ne” kaq harmonike, dhe kaq e unifikuar në një tubim nazist? Kjo është qendra e zjarrit kulturor në të cilin e gjejmë veten sot.

    Çdo qenie njerëzore është me siguri edhe një Unë, i veçantë, i dallueshëm, edhe një Ne, pjesë e një familjeje, një vendi, një kulture. Në botën më të mirë, Ne – grupi, vlerëson Unë për veçantinë e tij, dhe Unë e njeh veten përmes marrëdhënieve me të tjerët. Nëse ekuilibri kuptohet dhe respektohet – ose kështu priremi të besojmë – nuk ka nevojë të ketë konflikt. Por Shteti i Njëshit ka prishur ekuilibrin: është përpjekur ta shfarosë Unë, i cili megjithatë këmbëngul pareshtur. Prandaj kemi vuajtjet e pakëta të D-503. Debatet e D-së me veten janë debatet e Zamjatinit me konformizmin e shfaqur dhe mbytjen e zërit që ekzistonte në fillim, në BS. Çfarë po ndodhte me vizionin e ndritshëm që predikonin utopitë e shekullit të 19-të dhe në të vërtetë vetë komunizmi? Çfarë kishte shkuar kaq keq?

    Kur Orwell-i shkroi 1984, spastrimet dhe asgjësimet e Stalinit kishin ndodhur tashmë, Hitleri kishte ardhur dhe shkuar, dihej shkalla në të cilën një person mund të zvogëlohej dhe shtrembërohej si qenie nga torturat, kështu që vizioni i tij është shumë më i errët se ai i Zamjatinit. Dy heroinat e Zamjatinit janë të patundura, ashtu si të Jack London-it, ndërsa Julia e Orwell-it kapitullon dhe tradhëton gati menjëherë. Personazhi i Zamjatinit S-4711 është operativ i shërbimit sekret, por numri i tij mishëron alter egon e tij. 4711 është emri i një kolonje që filloi të përdoret në qytetin gjerman të Këlnit (Cologne), ku në vitin 1288 u organizua një revoltë e suksesshme demokratike kundër autoriteteve të kishës dhe shtetit dhe ai u bë Qytet i Lirë Perandorak. Po, S-4711 është në të vërtetë disident, i vedosur për revoltë. Ndërsa në 1984, O’Brien shtiret si disident, por në të vërtetë është anëtar i policisë së shtetit.

    Zamjatini merr parasysh mundësinë e arratisjes: përtej Murit është një botë e natyrshme ku ka qenie njerëzore të lira “barbare”, të mbuluara me – mos vallë me gëzof? Për Orwell-in, askush në botën e “1984” s’mund të largohet nga ajo botë, megjithëse lejohet një e ardhme e largët në të cilën kjo shoqëri nuk ekziston më.

    “Ne” u shkrua në një moment të veçantë të historisë, atëherë kur utopia e premtuar nga komunizmi po zbehej në distopi; atëherë kur, në emër të bërjes së të gjithëve të lumtur, heretikët akuzoheshin për krim mendimi, mosmarrëveshja me një autokrat barazohej me mosbesnikërinë ndaj revolucionit, gjyqet publike po përhapeshin dhe asgjësimi i kundërshtarit ishte bërë rendi i ditës. Si mund ta kishte parë Zamjatini të ardhmen kaq qartë? Nuk e bëri, sigurisht. Ai pa të tashmen, dhe atë që tashmë fshihej në hijet e saj.

    “Drejtimi që ndjek njeriu bën që ti të parashohësh se ku po synon të shkojë, synime të cilat, nëse ngulmohen, arrihen”, thotë Ebenezer Scrooge në “Kënga e Krishtlindjeve”të Dickens-it (1984). “Por nëse ata ndërrojnë drejtim, synimi ndryshon”.

    “Ne” ishte paralajmërim për vendin dhe kohën e vet, një paralajmërim që nuk u mor parasysh sepse nuk u dëgjua: “zyrtarët e zellshëm dhe të besueshëm” u morën më së miri me këtë. Drejtimi u ndërrua. Qindra milionë njerëz vdiqën.

    A është edhe një paralajmërim për ne, në kohën tonë? Nëse po, çfarë lloj paralajmërimi? A po e dëgjojmë?

                            The Telegraph, 4 nëntor 2020

                            Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË