More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimMahmoud Atef: Besnik Mustafaj, një shqiptar që e njohim dhe na njeh

    Mahmoud Atef: Besnik Mustafaj, një shqiptar që e njohim dhe na njeh

    Me rastin e botimit në arabisht të romanit “Dëmtuar gjatë rrugës”, shkrimtari Besnik Mustafaj ishte i ftuari i nderit në edicionin e 55-të të Panairit Ndërkombëtar të Librit në Kajro. Me këtë rast u organizuan disa veprimtari, ku më kryesori ishte simpoziumi me temë: “Besnik Mustafaj – rrugëtimi i një shkrimtari midis politikës dhe letërsisë”. Mediat në mbarë botën arabe i kushtuan një vëmendje të veçantë këtij simpoziumi dhe më gjerë personalitetit të shkrimtarit tonë. Pas “Një sagë e vogël” dhe “Daullja prej letre”, ky është romani i tretë i Besnik Mustafajt që botohet në arabisht.

    ExLibris zgjodhi për lexuesit e vet shkrimin e botuar me 31 janar në shtojcën kulturore të gazetës së madhe “Al Araby”, e cila del në Londër dhe shpërndahet në mbarë botën, përfshirë këtu edhe vendet arabe.

    Është gjë e rrallë që njeriu të jetë politikan i dashur për masat e gjera. Ndërsa të jetë ministër dhe më pas të largohet nga pozita me dëshirën e tij, në vende si yni, ku zyrtarët nuk e kanë statusin e “ish-it” derisa të japin shpirt, është diçka edhe më e çuditshme dhe e rrallë. Pastaj, tërheqja nga politika për shkak të dëshirës për t’iu përkushtuar letërsisë, mund të thuhet se është mrekullia vetë.

    E gjithë kjo ndjenjë habie buron nga jeta dhe veprimtaria e romancierit dhe poetit shqiptar Besnik Mustafaj, ish-ministri i Punëve të Jashtme të vendit të tij. Për shkak të veçantisë së tij, ai u kthye në personazhin publik të parë që tërhiqte vëmendjen. Megjithatë, Mustafaj – i cili u ul të premten  e kaluar (26 janar) për herë të parë përpara audiencës në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Kajro – e trajton të gjithë këtë me një thjeshtësi të admirueshme, pavarësisht se toni i tij nuk e fsheh krenarinë për prodhimtarinë e tij letrare.

    Ai vetë, me përulësi, e përmbledh këtë çështje duke thënë: “Konflikti i brendshëm midis letërsisë dhe politikës më ka shtyrë që të zgjedh atë që më përshtatet më shumë. Sepse letërsia është si një zonjë e rëndë që nuk pranon të dytë. Unë jam tërhequr nga politika, pavarësisht se nuk kam humbur në zgjedhje dhe as nuk jam akuzuar asnjëherë për asgjë. Çështja ime mbeti e pakuptueshme për publikun e gjerë. Në fakt, fama mu rrit më tepër pas tërheqjes nga politika.”

    Kopertina e romanit “Daullja prej letre” në arabisht.

    Autori i “Daullja prej letre”, i cili është përkthyer në gjuhën arabe dhe botuar nga Dar Al-Hiwar në vitin 2022 dhe më herët përkthimi i “Një sagë e vogël nga burgu”, i cili është botuar nga Alan Publishers në vitin 2021, i përngjan më shumë një burri në një prej fshatrave të Deltës së Nilit, me fytyrën e tij rrumbullake e bardhoshe.

    Ndërsa me veshjen e thjeshtë dhe çantën e shpinës, me të cilën mori pjesë në takimin e Kajros, ai i ngjan një qytetari të zakonshëm, të cilin mund ta hasësh nëpër korridoret e institucioneve shtetërore në vendet arabe. Kjo duket se lidhet me thjeshtësinë, spontaneitetin dhe mungesën e rezervës së tij në të folur, pavarësisht karrierës së tij të mëparshme diplomatike, pasi ai ka qenë gjithashtu ambasador i Shqipërisë në Francë, përpara se të mbante një post ministror, përgjatë një nga periudhave më delikate të vendit të tij.

    Kjo ishte për njeriun Besnik Mustafaj. Po në lidhje me shkrimet e tij? Edhe këtu habia nuk ka fund. Mustafaj, i cili flet rrjedhshëm frëngjisht, ndoshta aq sa një francez, shkruan vetëm në shqip, pavarësisht ofertave joshëse që ka marrë nga botuesit francezë për të shkruar në gjuhën e tyre, pasi kjo do t’i mundësonte – siç i kanë thanë – përhapje më të gjerë, rrjedhimisht edhe përmbushje më të madhe letrare dhe materiale.

    Lidhur me këtë, në intervistën e tij për Al-Arabi Al-Jadeed ai thotë: “Shkrimtari në gjuhën e tij është si peshku në ujë. Vetëm gjuha amtare të jep mundësinë të notosh lirshëm. Të hysh në një gjuhë të huaj është si të jesh brenda një kutie xhami, në një akuarium. Ata që shkruajnë në një gjuhë tjetër, duke braktisur gjuhën e tyre amtare, nuk e kuptojnë se rëndësinë parësore që ka për një shkrimtar të kuptohet dhe që pëlqehet nga ata që flasin gjuhën e tij.”

    Nga simpoziumi i Panairit në Kajro, Mustafaj tregon për një tjetër ngjarje që e ka shtyrë të zgjedhë për të shkruar shqip gjerësisht. Gjatë një interviste për një kanal televiziz francez, gazetarja intervistuese i kishte përmendur se Milan Kundera, me origjinë çeke, kishte zgjedhur në gjysmën e dytë jetës së tij si shkrimtar të shkruante në frëngjisht. Mustafajit nuk i kishte mbetur zgjidhje tjetër veçse t’i përgjigjej asaj në mënyrë spontane: “Gjithçka që Kundera ka shkruar në frëngjisht më duket më e dobët, si e shkruar nga dikush tjetër në krahasim me atë që ai kishte shkruar më parë në gjuhën çeke.”

    Kopertina e romanit “Një sagë e vogël” në arabisht

    Mustafaj shton: “Të nesërmen mora një telefonatë nga Kundera, në të cilën ai më qortoi me shumë mendjemadhësi, duke më thënë: Një buzëqumësht si ti do të më japë këshilla mua! Gjithçka që munda të bëja ishte t›i përgjigjesha: Nëse deklarata ime ju paska zemëruar, do të thotë se është e vërtetë. Kështu ma mbylli telefonin në fytyrë. Unë isha vërtet buzëqumësht. Isha 35 vjeç.”

    Më tej ai shpjegon: “Sa për mua, më pëlqen të shkruaj me fjalët që më nevojiten, jo vetëm me ato që di. Gjuha ime amtare është ajo që më jep këtë hapësirë ​​dhe mjedis të lirë që nuk do ta gjej askund tjetër.”

     Mustafaj ishte i ftuar në Kajro për të promovuar veprën e tij të fundit të përkthyer në arabisht, romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”, i cili është botuar nga shtëpia botuese siriane Dar al-Hiwar” dhe përkthyer nga Adnan Muhamed. Ashtu si pjesa tjetër e romaneve të tij, ai trajton ndikimin e periudhës diktatoriale gjatë sundimit komunist në vendin e tij, e cila ka zgjatur plot 45 vjet.

    Lidhur me rëndësinë e përkthimit të librave të tij në arabisht, ai i shpjegoi Al-Arabi Al-Jadeed se ka shumë vlera të përbashkëta midis vendit të tij dhe rajonit të vendeve arabe, veçanërisht se Islami ka hyrë në Shqipëri qysh në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë. Kjo sepse vendi i tij ka qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane, ashtu si dhe rajoni i vendeve arabe. Ai shton gjithashtu se edhe pse në romanet e tij merret ekskluzivisht me dramat shqiptare, dhimbja njerëzore në letërsinë e tij është universale.

    Kopertina e romanit “Dëmtuar gjatë rrugës”, botuar në arabisht me titullin “Në emër të nënës dhe të birit”

    Po në lidhje me dhimbjen palestineze, kur ai njihet për përkushtimin e tij ndaj çështjeve humanitare? Mustafaj iu përgjigj Al-Arabi Al-Jadeed se çështja palestineze është një tragjedi e madhe. Ai shton: “Ajo që ndodhi më 7 tetor është pa dyshim e rëndë nga ana e Hamasit. Por në vazhdim Izraeli e ka tejkaluar atë që mund të njihet si e drejta e tij për t’u kundërpërgjigjur.” Më pas ai shpjegon, duke theksuar: “Çështja Palestineze nuk mund të zgjidhet përmes një lufte, e cila po duket asgjësuese për popullin palestinez nga ana e Izraelit”.

    Ashtu si Mustafajt nuk i mungon përkushtimi për të mbështetur atë që është humane, ai gjithashtu nuk e harron respektin e tij për komponentin mysliman, i cili është tashmë pjesë e identitetit të tij historik. Ai shfaqet megjithatë i shqetësuar pse rryma politike gjithnjë e më me peshë në Europë shohin një kontradiktë thelbësore midis Islamit dhe qytetërimit europian. Ai thotë: “Ne jemi në vendin tonë myslimanë europianë, as refugjatë, as emigrantë. Ne nuk vuajmë nga ndonjë ndjenjë inferioriteti apo superioriteti ndaj pjesës tjetër të Europës. Nëse duam t’i bashkohemi Bashkimit Europian, ne do të hyjmë në të me të gjitha shtresat e identitetit tonë, duke përfshirë atë myslimane.”

    Pyetjes për mungesën e shkëmbimeve shqiptaro – arabe, Mustafaj i jep një përgjigje plot seriozitet, por ku nuk mungon sarkazma, se vendi i tij, ashtu si edhe vendet arabe shikojnë në mënyrë pothuaj ekskluzive nga Brukseli dhe Uashingtoni, duke harruar sa i rëndësishëm është për zhvillimin e tyre bashkëpunimi me ato vende, me të cilat ato kanë edhe elementë të përbashkët kulturorë.

    Përktheu dhe përgatiti për botim:

    Fatrit Beqiri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË