More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLuljeta Dano: Antologjia poetike nga Preç Zogaj: “Në çdo pasqyrë na sheh...

    Luljeta Dano: Antologjia poetike nga Preç Zogaj: “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”

    Poezia është më e vjetër dhe më e qëndrueshme se të gjitha artet! Qyshkur Aristoteli e miratoi këtë në hyrje të traktatit themelor  “Poetika” ka kaluar mjaft kohë, por kanonizmi i asaj çfarë është Poezia mbetet po ai.

    Antologjia poetike dyzetvjeçare, nga Preç Zogaj “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, me temat e përjetshme të dashurisë, besimit, adhurimin për gruan në fron – kulti i gruas së dashurisë, blatat poetike për njerëzit e shtrenjtë të familjes, përthyerja e metaforave në një kuotë të epërme, kohërat dhe gjeneratat në marrëdhënien e fatit të përbashkët, me përkushtime ehoje shpirtërore poetëve të bibliotekës këtej dhe andej jetës, vetvetishëm për një lexues besnik të këtij autori lexohet me titullin: Në çdo pasqyrë na sheh dashuria.

    Kjo antologji autoriale e përcjellë tek lexuesi me një refleksion më së miri të ndriçuar mbi dimensionet poetike të poetit P. Zogaj, mbi filozofinë e strukturalizmit jokonvencional të qenies kriptuar për lexuesit jo të njëkohshëm, tonin elegjiak të mjaft poezive dhe harmoninë estetike të së tërës që e gjejmë në të njëmbëdhjetë librat poetikë të poetit, përcillet nga studiuesi i letërsisë, pedagog i shkrimit akademik në Universitetin e Wisconsin – it, Gëzim Basha. Narrativa eseistike çelëse e orienton lexuesin tek komunikimi i fjalës së poetit me frymën shoqërore, me identitetin njerëzor në bashkëkohësisë tonë, si dhe i atribuon artit të poetit Preç Zogaj, një nga emrat më të vlerësuar të poezisë së sotme shqipe, meritat e dëshmisë artistike mbi të vërtetat absolute të jetës, të cilave asnjë shkencë filologjike nuk iu afrohet, saç iu afrohet arti i poezisë.

    I porsadalë nga mugëtira e agut, poeti i këndon mahnitshëm mëngjesit për së kundërtish, pikërisht kur është i kredhur në dritën e brylltë mëngjesore poeti ngre pyetjet që mund të bëhen nga ekzistenca brendapërbrenda territ të natës:

    Mëngjes, pasqyrë e madhe prej drite, prej dielli.

    Ku është vallë këtë minutë bota reale?

    Ku është pema e vërtetë, toka e vërtetë?

    Sepse duket imazh gjithçka këtë minutë.

    Edhe unë jam hije

    e atij që u zgjua

    dhe po shkon të dorëzohet.

    Vegullia kalon.

    Menjëherë i hap krahët

    dhe asnjë s’më largohet.

    Po të kishim një tjetër antologji konceptuale për statusin e vetë Poezisë, ajo gëzon një status me titullime krejt të përveçme, si: art i arteve (Mathew Arnold), gjaku i gjuhës (Octavio Paz), domosdoshmëri e qenies (Wallace Stivens), gjuhë e përjetshme (Erza Pound), asnjë art nuk është më i pastër, më i zhveshur nga preteksti dhe më i afërt me pavdekësinë sesa poezia (Pol Valèry), …e pafund emërtime, njeri më kuptimplotë se tjetri, njeri më sublimues se tjetri për artin e arteve: fjalën e ritmuar.

    “Të vdekurit s’arrijnë t’ia fillojnë nga e para.

    N’amshimin e tyre shkrehen shkëputjet e mia

    veshur me habi të artë dallandyshesh.

    Më do, por s’më merr me vete

    Dashuria”.

    Natyra e poezisë nga Zogaj ka frymën mistike të himneve orfike, ajo shoqëron ritualet e jetës duke lavdëruar sa krijimin a vetëkrijimin e botës tonë, aq edhe shpirtin e pavdekshëm në prag të këmbimit të jetëve, natyrën e dyfishtë që njeriu trashëgoi nga zotat parakë, ajo ka qetësinë e paqtë që vjen nga thellësitë e ekzistencës.

    “Vdekja nuk do të dijë ku të na çojë”, thotë poeti tek poezia “Koha e paprekur”, nënkuptuar sipas tij: koha e paprekur e dashurisë, nga ku vdekja diktohet si një anasjellë e dashurisë.

    “Këndej nga ne Zoti/më i vjetër është, më i dhembshur”, tek poezia “Ngjarje në Tokë”, përbrenda rrjedhës së pandërprerë ciklike të lindjes dhe kalimit Preç Zogaj ka skulpturuar këtë varg monumental kushtuar përvojës së trashëguar njerëzore. Tema universale e vdekjes në poezinë e Preç Zogajt nuk kontraston atje ku është: përkundër jetës, por është shkrirë në përbrendësinë e jetës për t’i dhënë dhe jetës karakterin e përjetësisë së saj.

    Kujtesa poetike është ena më e mirë për të kaluar këtë kohë të paanë e të përbashkët. Një poezi e shkruar në ajrin e pajetueshëm të vitit 1997:

    Shumë të afërt humbëm njeri pas tjetrit sivjet.

    I përcollëm pa fjalë, pa ngut, a thua se

    po i dorëzonim për t’i marrë të gjallë prapë

    në një stinë më të butë…

    Siç latinët dëshironin: “Fiat ars, pereat mundus” (Le të bëhet arti, edhe nëse bota humbet), në mjaft poezi të kësaj antologjie autoriale të shkruara në kohëra të egra poeti rri vrojtues “i mbetur vetëm me gjuhën shqipe”, syri i të cilit zotëron dhuntinë e tejdukshmërisë për të parë: “ashtin e heshtjes” dhe “fantazmat që jetën e duan gjithmonë kështu siç është”.

    Nëse në pikturë “Natura morta” është një zhanër, çfarë do të ishte në poezi zymtësia dhe ftohtësia e vjershërimit “Natura morta” që çvlerëson e zbraz edhe vetë dhembjen pa të çuar asgjëkundi! Porse rrugëtimi në Portat e Dhembjes që njeriut i duhet të kalojë gjatë cikleve të jetës, në poezinë e P. Zogaj i ngjan njeriut me duart në lutje brenda faltores. Me gjithë pikëllimin shpirti përdëllimtar është në rënie të butë në ato duar lutësore.

    E Diela meshtare është përzgjedhur për t’u lartësuar në poezinë e Zogajt më bujarisht nga tërë ditët e javës, me një katedrale gjuhe poetike, qysh në vargjet e para të vitit 1982 me të cilat nis kjo antologji vetiake:

    Të dielën herët ika në male

    i paëndërrueshëm më prej teje.

    Në poemthin “Sërish e diel”:

    Baba, si je?

    Frymëmarrja e tij largon

    shtatë ditët e javës që i ranë përsipër.

    Përgjigjet: Mirë!

    Dhe pret të dielën tjetër.

    Në të gjitha stacionet e jetës poeti e shënon të dielën:

    Duke u plakur kujdesshëm

    Këndej së dielës!

    Po cilat janë “mëkatet” që shohin nga çdo pasqyrë poetin? Për të mëkat është dhe nxitimi, është ora e ëngjëllit të pazbutur të shkrimit, është magjepsja nga bukuria e gruas që të shtatë ditët i bën të diela, është bisha e egër me të cilën kufizohet vetmia e gruas, është lirësia që i kushtoi jeta e njeriut planetit:

    Një thithje ajri.

    Një mendim dashurie.

    Jemi në fillimet e fillimit të jetës.

    Poezia nuk është libri që rri në bibliotekë, sa është prania e asaj fryme poezie tek ai që ushqehet me poezinë dhe e mbart kudo me vete atë këngë. Për nobelistin Andrè Gide, i cili u rrit me rreptësinë e edukimit fetar “Një poezi e mirë është një jetë e përmbledhur në pak rreshta”. Një tipar tjetër i simbiozës së poetit Preç Zogaj me lexuesin është ky jetëpërshkrim shëlbyes brenda kufijve të një poezie.

    Janë vetëm shtatëdhjetë kilometra largësi midis vendlindjes dhe vendbanimit në kryeqytet, por që përjetohen nga poeti, si një kalim mes dy botërash. Është poezia “Kalimi” që i jep titullin vëllimit poetik të botuar në vitin 1999, në të cilën rrëfehet pse ato shtatëdhjetë kilometra në ultësirën fushore e thuajse bregdetare ndajnë botët. Një gjendje e pashkëputur vajtje – ardhje, në të cilën “nata përpëlitet sikur po lind një natë tjetër” dhe rrafshet filozofalë përzjehen.

    Kalimi u bë, po tani ç’do të jetë?

    Shpirti më thotë: Mos u kthe, mos u nis!

    Poshtë është përsëritje, lart është mërzi.

    Dhe besoj asgjë, asgjë midis.

    Antropologjia kulturore nga vijmë, vetëdijshëm ose jo, është toka nga e cila përbëhemi. Treva etnologjike e vendlindjes dhe moshave të tij të para, ka edhe një hartë tjetër shpirtërore në antologjinë poetike të poetit Preç Zogaj. Vende dhe njerëz janë shenjuar aty: fëmijët e Kallmetit që punojnë gjatë verës në punishten e duhanit, perëndimet mbi vargmalin e Torovicës, gratë e Fildanës, Mali i Shëlbuemit, poetët sivëllezër të Lezhës Ndoc Gjetja dhe Rudolf  Marku, Shëngjini bregdetar mbetet një port i nisjeve dhe mbërritjeve në shtëpi, kishat e Lezhës, të cilat janë vetë pjesë e një harte shumë speciale të vendeve të shenjta të botës kristiane.

    Në një bisedë, Preçi tregon se në kopshtijet e shtëpisë në Manati ndodhej një carac për të cilin thoshin se qe pesëqindvjeçar dhe pemët lulore të shtogut. Është një formulë e lashtë e harruar përse, por e pranishme në Shqipërinë qendrore dhe Ultësirën perëndimore, në të dy krahët e shtëpisë duhej të mbilleshin këto dy pemë, njera frutore dhe tjetra vetëm medicinale. Të veshura me veti të shumëfishta kultike, të dyja ato pemë ruanin jetën, forconin vitalitetin shpirtëror dhe mendor. Është një trevë, ku gratë nxirrnin fije nga guri për ta bërë pjesë në pëlhurën artizanale që endnin: në ujin e rrjedhshëm të një lumi a përroi kridhnin gjethe mbi të cilat vendosnin gurë. I linin ashtu për njëzetë e një ditë dhe kur mbaronte procesi ato nxirrnin e mblidhnin një fije që kishte prodhuar guri në bashkëpunim me gjethen dhe ujin që shkonte drejt detit. Edhe kjo është një praktikë, për fat të keq e pambledhur në skedat e etnografisë, por e arritur dhe e parë, së paku gjer në vitet e ’80 – a. Kupola të tilla mistike, që kanë ruajtur energjinë e mirë gjeneratë pas gjeneratë do të kishin fuqinë e tyre mbrojtëse edhe në arkitekturën poetike të poetit që e di pa e ditur:

    Mendoja, mendoj, do të mendoj përherë:

    Kam ardhur këtu nga vendi që do njoh kur të kthehem.

    Një tjetër nobelist i shqetësuar më shumë për çështjet e ligjshmërive dhe etikës letrare, sesa për vetë letërsisnë, Octavio Paz nuk u lodh së shkruari me qindra ese librore dhe të shkurtëra mbi poezinë si traditë; rolin e poetit; modernitetin përkundër poezisë; poezinë përkundruall heshtjes: Poezia është ajo që lind kur fjala takon e përplaset me heshtjen – është mendimi i ngulmët i O. Paz, i cili solli një galeri me portrete poetësh të mirënjohur botërorë prej të cilëve mësuam se nuk jemi të ndarë nga Vetëdija e lartë burimore. Nëkryeesenë – traktat “El arco y la lira” (Harku dhe Lira), botuar në vitin 1956, duke zgjedhur për titull instrumentët muzikorë që identifikojnë dy kolonat kryesore: epikën dhe lirikën e kënduar, Paz e përqas të përputhur matshmërinë e kohës me të poezisë: “Koha nuk është thjesht, një vijë që kalon, as një masë që mund ta ndalosh dhe ta masësh plotësisht. Ajo është një rrjedhë ku shkuarja dhe ardhja takohen në një çast të përjetshëm, një çast që është gjithnjë i pranishëm dhe gjithnjë i zhdukur. Në poezi koha ndalon, bëhet një moment i fshehtë ku e shkuara dhe e ardhmja bashkohen në heshtje. Atëherë koha nuk rrjedh më, ajo qëndron si dritë në errësirë”.

    Në këtë kryqëzim ku unifikohet koha me poezinë, Preç Zogaj ka ndërtuar librat e tij poetikë, pavarësisht vitit shkrues në fund të një poezie:

    Nënë, je gabuar kur më thoshe

    linde prej një trëndafili.

    Je gabuar me kryqin, me aromën

    e larit mistik.

    Prej kohësh mendoj: s’kam mbaruar së linduri.

    Po e mbyll këtë shënim përshëndetës për ngjarjen kulturore të botimit të antologjisë poetike nga Preç Zogaj “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, po me konceptin e Octavio Paz, se poezia e vërtetë është një tempull, ku asnjë fjalë përveç nderimit nuk i mbush dot hapësirat e saj.

    Tiranë, korrik 2025

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË