More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lufta", tregim nga Adelinë Selmani

    “Lufta”, tregim nga Adelinë Selmani

    Lexoj se për kohën para moshës shtatëvjeçare shumë pak gjëra i mbajmë mend dhe është e paqartë nëse me të vërtetë kujtojmë ndonjë gjë apo janë thjesht rrëfimet e të tjerëve që na janë ngulitur në mendje. Përshtypjen se kujtojmë vetë diçka na e përforcojnë edhe fotografitë e asaj kohe të hershme të jetës, fotografi që shpesh i shoqërojnë rrëfimet e të tjerëve për fëmijërinë tonë. E lëshoj librin ngadalë mbi tavolinë dhe ngulis sytë në peizazhin e varfër para meje, nis të kthehem prapa në kohë, në fëmijërinë time aty ky zënë fill kujtimet e para – jam pesë vjeçe, por s`mund të jetë rrëfim i tjetërkujt, perspektiva është imja, ngjarjet zhvillohen para meje e realiteti prodhohet prej meje, në këtë tablo mungoj pikërisht unë,  jam e tëra sy, ndjesitë janë aq të forta e imazhet aq të qarta sa s`më duket që kujtoj ndodhi të tjera të mëvonshme me të njëjtën përpikëri:

    Është mbrëmje, saktësisht ora 19:30, të gjithë janë tërë sy e vesh para televizorit, s`pipëtin asnjeri, prej tij vjen një zë gruaje, përhapet nëpër dhomë, është i pakëndshëm, më duket se ngjason me zërin e mamit kur na qorton mua dhe vëllanë. Ne të dy po luajmë me fije shkrepëse, kemi ndërtuar dy shtëpi të bukura e të larta e tash po e stisim edhe një rrugë, herë pas herë këqyri gruan në televizor dhe kthej shikimin kah babi, nuk e kuptoj se si mund t`i bëjë kaq shumë përshtypje; është e njëjta grua çdo natë dhe më duket se i thotë gjithmonë të njëjtat fjalë që unë s`i kuptoj, s`kuptoj as pse e këqyrin kur s`u pëlqen, të gjithëve u prishet fytyra dhe pëshpërisin kur përfundon. Mua dhe vëllait, kur këqyrim filma vizatimorë, fytyra na buzëqesh, nuk vrenjtemi si ata. Vëllai, gjatë hutimit tim, m`i ka marrë disa fije shkrepëse, e qortoj, babi na thotë të mbajmë qetësi pa e shkëputur shikimin prej gruas në televizor, biem në ujdi dhe vazhdojmë ta zgjasim rrugën. Papritmas shtëpia dridhet, diçka gjëmon jashtë dhe fijet e shkrepëses përzihen, diçka që babi e quajti luftë, sulm, bom.., e plot emra që s`i mbajta në mend, na e prishi lojën. Të gjithë brofën në këmbë e dolën jashtë të shihnin se çfarë kishte ndodhur, u kthyen brenda me fytyra të zverdhura. U sula drejt babit të më tregonte se çfarë po ndodhte, por mora urdhër ta vazhdoja lojën ose të shkoja te mami. Nuk më luhej më, ajo gjëja luftë na kishte prishur gjithçka që kishim ndërtuar. Shkova te mami, në dhomën ngjitur, ishte ulur në dysheme dhe po tëhollonte bukë aq shpejt saqë m`i mori mendtë, kishte shumë bukë, kurrë në jetën time s`kisha parë aq shumë bukë. U ula në divanin përballë saj dhe fillova t`i numëroja bukët, dija të numëroja veç deri në dhjetë dhe herë pas here më duhej t`i rikthehesha numërimit nga njëshi, mami ndërkohë ngritte kokën dhe shihte e shqetësuar kah dritarja që ishte prapa meje. E pyeta shumë herë se kush mund t`i hante të gjitha ato bukë, e pyeta se mos po gatuante për ndonjë gjigant që e mbanin të fshehur prej meje, apo do të vinte axhi t`i merrte. Ai nuk jetonte me ne – ishte ndryshe prej nesh – jetonte në mal, nuk vishej si ne – kishte rroba të çuditshme të gjelbra me ca njolla, madje as nuk ishte i pastër si ne, çizmet e tij ishin plot baltë, njëherë fshehurazi desha t`i mbathja, ishin aq të gjata e të rënda sa mezi nxora këmbët prej tyre, edhe duart i kishte të fuqishme, sa herë e shihja të vinte vrapoja drejt tij, më kapte dhe më hidhte lart në ajër. Por as nuk hante si ne; ishte i babëzitur dhe gjithmonë mbushte çantat plot ushqime para se të ikte. U binda se vetëm axhi mund t`i hante tërë bukët që po i gatuante mami kur u dëgjua sërish një gjëmim i fortë, mbylla veshët me duar dhe rrudha sytë fort, kësaj here nuk u drodh veç shtëpia, ndjeva se diçka e fortë po më godiste në kokë e në shpinë. Dikur ra qetësia, por s`guxoja t`i hapja sytë; diçka e keqe kishte ndodhur, ndjeva duart e mamit që po m`i kapnin të miat e po m`i largonin nga veshët, më pyeste në isha mirë, hapa sytë ngadalë dhe pashë se bukët ishin mbushur me cifla xhami, pashë rreth e rrotull meje, kishte copa xhami ngado, mami më kapi me të dyja duart dhe duke vrapuar, me mua në krah, çau për nga dera, u ndeshëm me babin, e hakërryer i tha: ken` t`u e vra çikën. E kuptova se ajo gjëja luftë jo vetëm që ma kishte prishur lojën, por edhe mund të të vriste. Babi më kapi rrëmbimthi në krah dhe u nis para, hymë në bodrumin e shtëpisë. E urreja atë vend, kishte pluhur, ishte shumë errësirë dhe shpesh me vëllanë kishim parë edhe minj e plot insekte. S`doja të rrija aty, por s`guxoja të bëja zë, diçka e çuditshme po ndodhte. Vëllai kishte shkuar më herët, madje kishte arritur t`i merrte edhe kutitë me fije shkrepëse, ishte ulur në batanije dhe kishte filluar sërish të ndërtonte shtëpi, më ftoi të vazhdonim lojën, u ula afër tij dhe në vesh i pëshpërita se nuk doja të luaja më, i thashë se lufta ishte ajo gjëja që gjëmonte dhe mund të të vriste, ai ndaloi dhe më pa me ca sy që shprehnin hutim e që tregonin se s`po merrte vesh gjë, vazhdova të flisja ngadalë që të mos më dëgjonin të rriturit dhe m`u duk se zëri im filloi t`i ngjasonte gruas në televizor, mendova se ndoshta edhe ajo fliste për luftën, prandaj tingëllonim njëjtë,  i thashë se lufta desh më vrau, se na i kishte mbushur bukët me cifla xhami e s`do të mund t`i hanim as ne, as axhi. Shikimi i tij u turbullua edhe më, më këqyri gjatë e dikur ma zgjati një fije shkrepëse, atëherë iu hakërreva se unë s`isha më e vogël të luaja. Të nesërmen e lamë shtëpinë, ngarkuan në rimorkion e një traktori miell e batanije, por s`na e morën asnjë lodër, vëllai u çor e qau që s`mundi ta merrte arushin me të cilin flinte çdo natë,  ishim ulur ngjitur, futa dorën ngadalë poshtë këmbës së tij, duke parë se mos më shihte ndonjë ia shtrëngova me thonj mishin fort e nëpër dhëmbë i thashë se duhej të bënte çfarë bëja unë e të rritej siç isha rritur unë. E mora përdore e u ulëm bri kanatave të rimorkios, shikonim qenin tonë që na vinte pas, ai na ndoqi një copë rrugë, dikur me sy të përlotur na pa e ndaloi vrapin, i urreva të gjithë që po e linin në atë gjënë luftë që prishte lojëra e mund të të vriste. Nuk m’u hoq nga mendja gjatë gjithë ditës dhe u pendova që s`kërceva ta merrja. Por, kur erdhi mbrëmja e harrova dhe as e kujtova më për ditë të tëra. Ishte mbrëmja më e errët që kisha parë, nuk kishte yje, as hënë. Disa njerëz që ishin veshur ndryshe e që mbanin armë në duar, na mblodhën në një fushë, ishim shumë-shumë, nuk mund të shihja sa shumë, por dëgjoja zëra, të qara fëmijësh, britma. Një fashë drite e fortë binte herë pas here mbi turmë, dy njerëz që nuk flisnin si ne, tërhiqnin zvarrë një burrë dhe pas pak çastesh dëgjohej një krismë, u përsërit shumë herë e njëjta, pas zvarritjes dëgjohej krisma, pastaj britma e të qara grash, e kuptova ç`ndodhte, ata njerëz ishin ajo gjëja luftë, ata po i vrisnin burrat. Frika ma rrënqethi mishtë e drithëroi krejt trupin, pashë nga babi, i brita duke dënesur të fshihej, ika nga duart e mamit dhe shkova u ula në prehrin e tij, nuk doja ta merrte lufta. Duke u dridhur iu përgjërova të fshihej, ai qe topitur, fytyra e tij s`kishte kurrfarë shprehjeje, as nuk nxirrte zë. Tërë natën trupi më kërceu e më dukej se më shumë se britmat e krismat dëgjoja rrahjet e zemrës sime që s`kishin qenë kurrë aq të forta, tërë natën iu luta dikujt që mami e quante zot e besonte se na i dëgjonte lutjet, iu luta të mos e shihnin babin, e mallkova veten se pse s`isha rritur më shumë ta mbuloja me trupin tim, por mund të bëhesha më e madhe, nëse ajo fashë drite do të binte mbi ne, do të ngrihesha në këmbë, në majë të gishtërinjve e do t`i hapja duart, kështu ata s`do ta shihnin, s`do të ma merrnin. Dridhesha, dënesja dhe s`mund ta kuptoja pse ai ishte aq i qetë, dikur mendova se mos edhe ai donte të ikte prej nesh. Jo, unë s`do ta lija kurrë, iu ngjita me të dyja duart për kraharori dhe e shtrëngova me sa fuqi pata, ashtu ndenja tërë natën, e nata ishte pafund e gjatë, s`e kisha ditur kurrë se sa të gjata ishin netët. Dikur, një prej luftës tha diçka me një zë që çirrej, s`kuptova ç`thoshte, por për herë të parë babi u përmend, mori frymë thellë, dhe kjo qe ngjitëse, të tërë pas tij u përmendën. Kishte marrë fund! I pëshpërita vëllai, që s`kuptonte gjë, se lufta mori fund. Ai më pa sërish i hutuar, pa e kuptuar se ç`po flisja dhe nuk bëzajti, iu afrova edhe më shumë dhe i thashë se ai vazhdonte të ishte bebe dhe s`kuptonte gjë. Atëherë ai filloi të qante e t`i ankohej mamit, ajo u kthye kah unë dhe më kërkoi që të mos e ngacmoja vëllanë. I thashë se ai duhej të rritej si unë, se tashmë e kishte parë me sytë e tij luftën. Mami s`ma vari veshin, u bëra hundë e buzë që s`e kuptonte që unë isha rritur… Kur fijet e para të dritës ranë mbi ne, m`u duk se kisha parë një ëndërr të keqe. Vëllai i qe ngjitur mamit për gjoksi dhe po flinte i qetë. Me të në krah, ma kapi dorën e u nisëm drejt traktorëve që ishin buzë rrugës, dëgjova se po niseshim për në Shqipëri, s`dija ç`ishte Shqipëria, as ku i binte, as sa larg ishte, veçse  dija që ishte një vend ku s`kishte net të tilla. S`iu shqita kurrë më babit, u ula në prehrin e tij ndërkohë që ai voziste, s`e pyeta kurrë asgjë, se kështu bënin të rriturit, ata s`bënin pyetje, kuptonin vetë gjithë çka ndodhte. S`doja as të haja, as të pija, kisha vendosur të mos i ndahesha, s`do të lejoja as të ma merrnin e as të ikte prej meje. Udhëtuam për ditë të tëra, dëgjonim krisma të luftës dhe e dija se dikush vritej, shihja njerëz që i hidhnin skajeve të rrugës, pashë edhe nga ata që ishin lufta, ishin të këqij, të shëmtuar, edhe gjuha e tyre më ngjasonte me luftën. Na ndalnin kohë pas kohë e mua më kaplonin drithmat e frika si në atë natën e gjatë, por kurrë s`nxirrja zë, kurrë s`qava, as u ankova që më ishin mpirë këmbët duke ndenjur vetëm në njërën këmbë të babit, doja ta kuptonte edhe ai që unë isha rritur.

    Një ditë, që qe më e qetë se të tjerat, babi hapi gojën për herë të parë, më pyeti në e dija pse axhi ishte ndryshe dhe jetonte ndryshe, i thashë se dija pak dhe ktheva shikimin në anën tjetër, s`doja ta diktonte që  nuk dija gjë e të dukesha si vëllai që s`kuptonte as ç`ishte lufta. Më tha plot fjalë që s`i kuptoja, e unë skuqesha deri tek veshët nga inati, por mësova që ai ishte UÇK. Ai po luftonte për ne, që ta largonte luftën nga shtëpitë tona. U ngazëlleva, s`kisha pse të frikësohesha më, s`do të vdiste askush! Tashmë kisha një superhero! Ai do të vinte të na shpëtonte! Atëherë e lashë zotin që i lutej mamit dhe lutjet e mia ia drejtova axhit, tashmë e dija që diçka e quajtur UÇK mund të të mbronte dhe të të shpëtonte. Ajo gjëja UÇK ma riktheu ëndrrën që ma mori lufta – atë ditë guxova të ëndërroja për herë të parë  se isha në shtëpi, babi po më mbante në prehër, ndërkohë që e shihte atë gruan në televizor, e herë pas here m`i përkëdhelte faqet. Më kishte marrë malli edhe për gruan e televizorit, ajo bënte të mblidheshim e tërë familja. Për çudi, pikërisht atë ditë, ndjeva përkëdheljen e dikujt në faqen time – s`ishte e babit. Një nga ata të luftës, u afrua te kabina ku ishim ne të dy, i foli babit në atë gjuhën si lufta, babi iu përgjigj në të njëjtën gjuhë, u habita se si nga goja e babit mund të dilnin fjalë që tingëllonin aq keq, si duket atij të luftës nuk i pëlqeu çfarë tha babi; mbështeti tytën e revolverit në fytin e babit dhe me të i ngriti kokën lart, mua filluan të më rridhnin lot faqeve, po lutesha që një UÇK të dilte nga mali e të na shpëtonte, mundohesha të mos pipëtija, m`u mblodh një duq në fyt e shpërtheva, ai ktheu sytë nga unë, e tërhoqi revolverin ngadalë e e fshehu pas shpinës së tij, e urdhëroi babin diçka dhe ma ledhatoi faqen. Kur e tërhoqi dorën, e gërreva faqen me thonj – s`doja të më prekte lufta. Babi më pa, i shkoi buza në gaz, e kaloi gishtërinjtë lehtë edhe ai mbi faqen time, si për t`i fshirë gjurmët që lufta po linte në mua.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË