Përktheu nga italishtja: Kriselda Beqaj Rocchi
Me befasi të këndshme, midis veprave të artit të ruajtura në Romë në Muzetë e Vatikanit, hasim një grup skulpturor të dy personazheve të antikitetit klasik, mundësve shumë të famshëm Kreugu (Creuga)[1] dhe Damokseni, ndeshja e fundit e të cilëve – përfunduar në mënyrë tragjike, siç do të shihet në vazhdim – ka frymëzuar në Shekullin XVIII skulptorin më të madh të kohës: Antonio Canova. Befasia është specifikisht e këndshme nëse personi që viziton ato Muze është i kombësisë shqiptare dhe nuk mendon se mund të gjejë aty ngjarje të lashta të lidhura në një farë mënyre me tokën e tij.
Le të përpiqemi pra të rindërtojmë historinë e këtij grupi skulpturor dhe të artistit që e ka realizuar. Antonio Canova ishte një nga zërat më të shquar të Neoklasicizmit evropian, stinë kulturorë që, siç dihet, u maturua në vazhdën e teorizimeve të gjermanit Winkelmann dhe propozoi – edhe për skulpturën – kanone estetike të lidhura me rizbulimin e klasicizmit grek, në pjesën e dytë të Shekullit të Tetëmbëdhjetë. Lindur në rajonin Veneto në Possagno (Treviso) në vitin 1757, jetuar për një kohë të gjatë në Romë, i kërkuar për famën e tij nga klientë nga shtete të ndryshme evropiane, protagonist i një operacioni të gjerë rikuperimi të kryeveprave të grabitura në Itali dhe të transferuara nga Napoleon Bonaparti në muzetë francezë, personalitet me vlera të mëdha, Canova ishte skulptori më i njohur mes fundit të Shekullit XVIII dhe fillimit të Shekullit XIX, jo çuditërisht i mbiquajtur “Nuovo Fidia”.
Këto shënime të shkurtra, me natyrë thuajse skolastike, kanë për qëllim vetëm të kujtojnë, për lexuesit jo specialist, staturën e skulptorit dhe kompleksitetin e kontekstit historik (midis periudhës Napoleonike dhe Restaurimit) në të cilin pozicionohet vepra e tij. Ato nuk synojnë të ndërhyjnë në debatin kritik mbi këtë të fundit pasi, përveç limiteve të përgatitjes personale specifike, vetë qëllimi i këtij kontributi e përjashton një analizë të tillë, duke qenë më tëpër i orientuar drejt temave antropologjike të epokave të kaluara që kanë të bëjnë me respektimin e fjalës së dhënë si akt besimi i ndërsjellë, akt i cili në lakimin e tij përfshin edhe fushën e mikpritjes; në veçanti, paraqesin interes ato zakone që përfshinë zonën e Epirit nga Greqia e lashtë deri në pjesën jugore të Ilirisë romake, duke vënë në pikëpyetje edhe historinë e Shqipërisë moderne.
Vitin e kaluar ishte qindvjetori i dytë i vdekjes së skulptorit të madh Canova, i shuar pikërisht në vitin 1822: një mundësi për të rishikuar veprën e tij dhe gjithashtu për të rizbuluar disa detaje që mund të pasurojnë njohuritë tona. Ishte rasti, për personin që shkruan, që të rikuperonte një detaj mbase të papërfillshëm për shumicën, por sigurisht jo për ata që merren me botën historiko-kulturore shqiptare: po, sepse dy trupa të shkëlqyer mermeri të krijuar nga Canova lidhen me qytetin e Durrësit të Shqipërisë së sotme dhe me aspekte traditash rrënjët e të cilave shtrihen në natën e shekujve[2].
Bëhet fjalë për grupin e punuar në mermer, I pugilatori (Mundësit/Boksierët), të ruajtur në Belvederen e Oborrit Tetëkëndor në Muzetë e Vatikanit (shiko Fig.1). I projektuar dhe realizuar nga Canova në fund të Shekullit XVIII, vite në cilat skulptori ishte bërë tashmë i famshëm në të gjithë Evropën për vepra të cilat kishin konkretizuar teoritë e tij estetike, që tjetër nuk ishin veçse interpretime origjinale e subjektive të teorive neoklasike: artisti, pohonte ai, nuk duhet të imitojë skllavërisht antikët duke prodhuar kopje të kryeveprave të njohura; ai para së gjithash duhet të studiojë burimet historike dhe letrare të klasicizmit, duhet t’u rikthehet librave dhe pasi t’i ketë metabolizuar e të ketë marrë prej tyre udhëzimet e nevojshme, të kalojë në studimin e jetës për të krijuar në fund statujën apo grupin skulpturor që kishte në mendje.
Pikërisht në këtë linjë, Canova, i etur për të marrë njohuri personale mbi të lashtët, me kalimin e kohës kishte zgjeruar bibliotekën e tij, duke u transformuar në një koleksionist të ekzemplarëve të rrallë dhe në një bibliofil të rafinuar. Në vitet Nëntëdhjetë të Shekullit të Tetëmbëdhjetë, kur ishte bërë tashmë i njohur në gjithë Evropën për vepra si Orfeo e Euridice, Amore e Psiche, Monumento funebre di Clemente XIV, skulptori, që ishte njëkohësisht një lexues i zjarrtë, dëshironte të prezantonte në repertorin e vet tematika të reja, jo më në stilin “e ëmbël dhe delikat”, jo më thjesht interpretues të “madhështisë së qetë” të teorizuar nga Winckelmann, por të lidhura me pasione të forta, me karaktere të fuqishme, në mënyrë që të demonstronte aftësitë e veta për të përcjellë edhe emocione të forta e të trazuara përmes mermerit: kjo shpjegon kërkimin e tij për frymëzim për temën e re në burimet antike dhe veçanërisht zhytjen e tij në Pausania, Viaggio in Grecia i të cilit ripropozohej pikërisht në vitet 1792-1793 në versionin italian, i marrë në fakt nga versioni i përkthyer nga Alfonso Bonacciuoli në vitin 1593 nga greqishtja në gjuhën vulgare[3].
Nga leximi i tekstit të Pausania, Canova merrte shënime vizuale të cilat i mblidhte në një fletore ku transferonte disa faqe të historianit që tregonin për personazhet “e fortë”: ato çka e mahnitnin për realizimin e poetikës së tij të re ishin në veçanti disa episode që kishin të bënin me jetën e Lisimakut, Tezeut dhe Herkulit, si dhe disa shembuj të veprimeve tragjike si në rastin e Kreugut dhe Damoksenit, dy atletë të famshëm të antikitetit. Pra, ai gjeti në tekstin e Pausania pikërisht atë që i përgjigjej kërkesave të tij artistike[4].
Ndër subjektet e renditur më sipër nga teksti i Pausania, të konsideruar të aftë për të ngjallur emocione të forta, Canova zgjedh historinë specifike të dy mundësve, Kreugu dhe Damokseni, duke e konsideruar atë si më të përshtatshmen për t’u bërë “manifest” i qëllimeve të reja në programin e tij artistik. Vepra që ai do të kishte krijuar në vijim ishte konceptuar dhe dëshiruar nga ai vetë, pa porosi të askujt. Kjo dëshmon rëndësinë e saj dhe kush e njeh sot për herë të parë duhet të jetë i vetëdijshëm se nuk bëhet fjalë thjesht për një nga veprat e shumta të Canova, por pikërisht për atë të cilës i ishte besuar detyra të shënonte një pikë kthese në karrierën e tij artistike.
Pra, po thoshim, bëhej fjalë për një ngjarje tragjike që duhej të transferohej në mermer. Në fakt, ajo që ndodhi, sipas historisë së Pausania, në përfundim të një sfide force fizike që duhet të ishte ekzemplare nga pikëpamja sportive, ishte një çështje me ndikim të konsiderueshëm emocional: ndeshja mes dy sportistëve shumë të fortë përfundoi me ngjarjen tragjike të vdekjes së njërit prej të dyve, por gjyqtarët skualifikuan fituesin dhe ia dhanë fitoren humbësit të vdekur.
Më poshtë po sjell një kalim nga tregimi i Pausania, i cili, duke raportuar për Lojërat Olimpike Panhelenike, përshkruan një episod të tmerrshëm:
Di që Argasit u sollën në të njëjtën mënyrë edhe ndaj Kreugut, një boksier nga Epidamni: atij, pas vdekjes, Argasit i dhanë kurorën e Nemejve, pasi rivali Damokseni prej Sirakuze shkeli marrëveshjen e vendosur mes të dyve. Kur po binte mbrëmja ndërkohë që ata akoma luftonin, ranë dakord – dhe publiku i dëgjoi – që secili t’i jepte vetëm një goditje të fundit kundërshtarit. Në atë kohë mundësit nuk ishin të pajisur me brez shpues të ngjitur në kyçin e të dy duarve, por luftonin me meilichai që lidhnin në zgavrën e dorës në mënyrë që t’i linin gishtat e zhveshur; meilichai ishin shirita të hollë lëkure lope të endura së bashku sipas një zakoni të lashtë.
Kreugu, sipas marrëveshjes, e goditi në kokë Damoksenin, i cili, nga ana tjetër, i bëri shenjë të ngrinte krahun dhe pasi Kreugu e ngriti, Damokseni e goditi me gishta drejt e nën brinjë, duke i depërtuar me dorë brenda trupit – për shkak të thonjve të mprehtë dhe forcës së goditjes – dhe pasi i arriti organet e brendshme, ia nxorri dhe ia grisi.
Kreugu dha shpirt menjëherë dhe Argasit e dëbuan Damoksenin, pasi ai kishte shkelur paktin dhe i kishte dhënë kundërshtarit të tij shumë goditje në vend të një; Kreugut, pas vdekjes, ata i dhanë fitoren dhe i kushtuan një imazh në Argos, i cili në kohën time gjendej në shenjtëroren e Apollo Lykios[5].
Në versionin italian të Shekullit të Gjashtëmbëdhjetë, burim i mundshëm i tekstit të përdorur nga Canova, teksti i Pausania përkthehet si më poshtë:
Një gjykim të ngjashëm (të ngjashëm me atë të shprehur për Arrachione, “lojtar i madh luftarak” në lojëra të ndryshme olimpike) kam parë që është dhënë nga Argasit në favor të Kreugut nga Durazzo, një lojtar mundës të cilit i dhanë kurorën e lojërave Nemeane pas vdekjes pasi kundërshtari i tij Damokseni i Sirakuzës kishte thyer marrëveshjen që kishin bërë mes tyre.
Në mbrëmjen e ditës së luftimit, ata, në prani të të gjithëve, lidhën një pakt sipas së cilit secili lejonte kundërshtarin t’i jepte një goditje në cilën pjesë të trupit që dëshironte. Atëkohë luftonin akoma me meliche, që i lidhnin poshtë pëllëmbës së dorës në një mënyrë që gishtat ngeleshin të zbuluar. Këto meliche ishin rripa të krijuar me lëkurë lope të hollë dhe të lidhur së bashku sipas një mënyre të lashtë.
Sipas paktit, Kreugu i jep një goditje në kokë Damoksenit. Damokseni urdhëron Kreugun të ngrejë dorën duke e goditur në ije, dhe me gishtat e ngurtësuar – qoftë për ashpërsinë dhe gjatësinë e thonjve, qoftë për forcën e madhe që ushtroi – i fut dorën në trup e i shkul organet e brendshme. Atë moment Kreugu jep shpirt. Argasit, duke parë se Damokseni kishte shkelur paktin e lidhur midis tyre, pasi e kishte vrarë kundërshtarin e tij jo vetëm me një, por me shumë goditje, e dërguan në mërgim dhe Kreugut, megjithëse i vdekur, i dhanë nderin e fitores dhe i bënë një statujë në Argos, e cila në kohën time ishte ende e vendosur në tempullin e Giove Licio[6].
Pra Pausania, duke raportuar traditën që lidhej me lojërat që zhvilloheshin në qytetin e Nemeas (më vonë në Argos) dhe në të cilat merrnin pjesë sportistët më të famshëm të kohës, citon një rast specifik dhe të tmerrshëm që kishte ndodhur realisht, me ndikim aq të fortë saqë kujtimi i tij ishte përjetësua në një statujë të ngritur në vijim në tempullin e Apollo Licio. Statujë që ai vetë kishte mundur ta shihte.
Bëhej fjalë për një ndeshje midis dy mundësve, njëri Kreugu, i ardhur nga Epidamni (më vonë Dyrachium/Durazzo), tjetri Damokseni, nga Syrakousai (më vonë Syracusae/Siracuza) të cilët duhej të ndesheshin me duart e pajisura vetëm me meliche, pra shirita lëkure që shtrëngoheshin në grusht dhe linin gishtat të lirë. Pas një dite rraskapitëse lufte me rezultate gjithmonë të barabarta, të dy arrijnë një marrëveshje të cilën e përcaktojnë para të gjithëve: do të jetë një goditje e vetme dhe përfundimtare që do të vendosë se kujt duhet t’i jepet fitorja.
Është Kreugu ai që gjuan i pari duke synuar kokën e Damoksenit; më pas ai përgatitet të mbrohet, duke ngritur krahun siç i kërkon kundërshtari i tij. Por sirakuziani, duke thyer paktin e lidhur, nuk e gjuan kundërshtarin e tij me një goditje të vetme, por synon ijet duke e sulmuar me goditje të shumta, të tmerrshme, aq sa dorën me gishtat e shtrirë të tendosur dhe thonjtë e mprehtë ia ngul në mish, duke i shqyer organet e brendshme dhe duke e çuar kundërshtarin në një vdekje të menjëhershme.
Gjyqtarët, të tronditur nga egërsia e Damoksenit dhe pabesia me të cilën kishte prishur marrëveshjen, duke mos mbajtur fjalën e dhënë, e dënojnë me internim dhe shpallin fitues Kreugun; në kujtim të përjetshëm të besnikërisë së tij ndërtohet një statujë në tempullin e Apollo Licios.
Statuja e parë e krijuar nga Canova ishte ajo e Kreugut (Creuga/Creugante) në vitin 1801 dhe e ekspozuar në studion e tij të njohur romake; profili i boksierit të Durazzo ishte ai që kishte goditur skulptorin, një humbës/heroik, viktimë e një fituesi/meskin. Kasti i statujës u dërgua në Paris dhe në akademi të ndryshme evropiane për të testuar opinionin dhe reagimet e komunitetit artistik – me të cilin artisti ishte në dialog të vazhdueshëm – mbi risinë e veprës. Blerësi i saj ishte Papa Pio VII.
Pasoi e dyta, ajo e Damoksenit, e nevojshme për rrëfimin e historisë, funksionale – si të thuash – për lartësimin e Kreugut; të dyja u vendosën më vonë në Oborrin Tetëkëndor të Belvederes së Vatikanit, ku mund të admirohen edhe sot.
Vizitorit që është i vetëdijshëm për historinë e tyre, edhe sot i përcjellin atë personazhin “e fortë” që synonte Canova; nxjerrin në pah gjendjen shpirtërore intensive të dy luftëtarëve: përsosja e trupave të tyre është e shkëlqyer, qëndrimi i tyre është shumë shprehës, ai i Kreugut është i hapur dhe solar, ai i Damoksenit është i kërrusur dhe i paqartë; fytyrat zbulojnë njëra një përqendrim të lartë, tjetra një egërsi të dhunshme. Bibliografia kritike mbi Canova ofron elementë reflektimi mbi virtytet e tipareve të tyre[7].
I pugilatori përbëjnë një interes të ri sepse ajo që ka goditur shkruesin e kësaj analize është veçantia e qytetit të origjinës së njërit prej protagonistëve: Kreugu – pra Creugante në bibliografinë canoviane – ishte me origjinë nga Durazzo dhe Durazzo evokon, me shekuj historie greke e romake, nga Epidamno deri në Dyrrachium, Ilirinë antike, Epirin, dhe mandej Shqipërinë e sotme. U tha që Canova nuk e lexonte Pausania në gjuhën origjinale greke, por në përkthimin italian të Shekullit të Tetëmbëdhjetë, në të cilin, e thënë shkurt, flitet për një Durazzo që gjendej në Shqipërinë e asaj kohe. Vendi ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe në krahinat e izoluara malore ishte ruajtur principi antik i fjalës së dhënë, fjalë e cila vepronte si rregullatore e raporteve sociale, por besohet se Canova nuk kishte dijeni për këto tradita; për të konkluduar nëse i njihte apo jo zakonet e Shqipërisë do të duhej të hetonim librat e bibliotekës së tij tejet të pasur, madje është një hetim që duhet kryer pasi mund të na rezervojë surpriza sugjestive.
Sot, duke parë dy statujat e Canova, duke mësuar historinë që i frymëzoi dhe duke e futur në perimetrin e saj gjeografik, vërehet qartë një referencë për Shqipërinë, e cila ndër shtyllat e historisë së saj të antropologjisë kulturore, pra të traditave dhe botës legjendare, e ka mbajtur gjithmonë gjallë në kohë atë të fjalës së dhënë. Në dritën e këtij fakti, historia e vizualizuar nga Canova merr një implikim shtesë dhe e legjitimon atë referencë: Kreugu nga Epidamni alias Creugante di Durazzo, bën një pakt me kundërshtarin e tij, jep fjalën dhe i qëndron besnik asaj, pavarësisht se i vihet në rrezik vetë jeta; padyshim parimi sipas të cilit pakti është pakt, përfshin nderin e individit dhe është ligj moral që rregullon jetën shoqërore i përkiste horizontit të tij kulturor si djalë nga Durazzo. Damokseni nga Sirakuza duket se nuk e njeh ose të paktën e shkel parimin shtyllë të bashkëjetesës civile duke mos arritur të zbatojë marrëveshjen e hartuar; ai fiton por skualifikohet si burrë. Megjithatë, rëndësia e paktit që ai do të ishte dashur të respektonte për shkak të vlerës së tij si betim ishte një parim bazë ligjor edhe – por jo vetëm – në zonën e Mesdheut antik, veçanërisht në cilësinë e rregullatorit të konflikteve (të hakmarrjes in primis)[8].
Prandaj, duke qenë se teksti i Pausania fle për një sportist nga Durazzo – pavarësisht ndërgjegjësimit të evolucionit historik të gjatë dhe kompleks – lind spontan sugjerimi i tokës shqiptare dhe i rëndësisë që pati në të, me konotacione të ndryshme përgjatë kohës, fjala e dhënë. Nga ana tjetër, tema, e cila siç dihet ushqeu një traditë të gjatë legjendare në Shqipëri, përbënte një bagazh kulturor që sollën me vete ata persona të detyruar të emigronin drejt Italisë, si në Veri dhe në Jug. Dy shënime në lidhje me këtë.
Në lidhje me rastin e parë, atë të emigrimit të shqiptarëve drejt Italisë së Veriut pas vitit 1479, vit në të cilin Shkodra iu dorëzua Otomanëve, është e ditur se Senati venecian dërgoi në rajonin e Friulit një kuotë emigrantësh, kryesisht fshatarë me origjinë nga zona e Shkodrës, për të ripopulluar zonën në kufirin e Gradisca: në shekullin e kaluar, pikërisht në atë zonë u gjendën gjurmë të tregimeve legjendarë në lidhje me një ushtar të vdekur që ngrihet nga varri për të respektuar fjalën e dhënë kur ishte gjallë për të marrë nusen e premtuar. Një tregim i tillë kujton patjetër disa legjenda popullore gjermane, të importuara ndoshta nga kolonët e Tirolo, por mendohet se është legjitime ta lidhim edhe me traditat e shqiptarëve të emigruar në Shekullin e largët XV, të ruajtura ndër shekuj.[9] Për rastin e dytë, atë të shpërnguljeve në Italinë e Jugut, në fshatra të ndryshëm arbëreshe ruhet akoma tregimi sipas së cilit fjala e dhënë vlente njësoj edhe pas vdekjes së personit që kishte marrë përgjegjësinë për të: është rasti i Kostandinit i cili i angazhohet nënës së vet për t›i sjellë motrën e destinuar të martohet në një vend të largët.[10]
Natyrisht, sot në Shqipëri, si në çdo shoqëri moderne, vlera e fjalës së dhënë i përket vetëm përgjegjësisë dhe moralit të individit, në momentin që është shndërruar në një ligj të brendshëm te ky fundit. Megjithatë, në një kontekst kolektiv, shumica kultivon me dëshirë referimin ndaj atij parimi të lashtë të ruajtur në traditat legjendare, të ripunuar në shumë vepra letrare, nga ato më të famshmet e Ismail Kadaresë e deri te ato të shkrimtarëve të brezit të fundit.[11]
Për të përmbyllur.
Faqet e Pausania, të transferuara në Shekullin e Tetëmbëdhjetë në grupin e famshëm skulpturor të Canova, të rilexuara sot me njohjen e traditës ilire, greke, romake e shqiptare, traditë e vendosur në një spektër më të gjerë gjeografik të kulturës antropologjike, sjellin mundësi të reja studimi për çdo njohës të asaj vepre arti. Por dy statujat e mrekullueshme të I Pugilatori të Canova kanë një vlerë të shtuar sidomos për vizitorin shqiptar, i cili, duke shkuar në Muzetë e Vatikanit për t’i admiruar ato e duke mësuar për banorin Creuga/Creugante nga Durazzo, me habi dhe krenari legjitime do të gjejë gjurmë pozitive të identitetit të vendit të vet. Duke rijetuar synimin e Canova për të ngjallur një emocion të fortë me atë grup mermeri, ai me siguri do të shijojë përsosmërinë që magjeps shqisat, por do të habitet edhe më shumë duke ditur episodin që e frymëzoi. Dhe ai detaj i Durazzo, qyteti i origjinës i një kampioni të forcës fizike dhe të etikës, do t’i sjellë në mendje shpalosjen e shekujve dhe një lloj fil rouge të përbashkët që kalon nëpër to dhe vërteton midis vlerave të ruajtura dhe të lartësuara në Shqipëri atë të fjalës së dhënë.
[1] Emri i duhur është Creuga, por në tekstin e përdorur nga Antonio Canova, i cili duket se rimerr një përkthim të Shekullit të Gjashtëmbëdhjetë të Pausanias të kryer nga Alfonso Bonacciuoli, emri Creuga është përkthyer fjalë për fjalë nga forma e lakuar: në greqishten origjinale në fakt flitet për një gjykim të dhënë “Në favor të”, prandaj emri u përkthye jo në rasën emërore, Creuga siç duhej të ishte, por në rasën gjinore Creugante. Kjo formë ka mbetur në bibliografinë canoviane. Shiko shënimet 3-5 më poshtë.
[2] Falenderoj Mario Bonaldi, me të cilin kam punuar në leximin e implikimeve shqiptare në pikturat e Paolo Veronese në San Sebastiano të Venecias, që më vuri në dukje detajin e çmuar të qytetit të origjinës së personazhit Creuga të skalitur nga Canova.
[3] PAUSANIA, Viaggio Istorico della Grecia, Volumi IV, në Romë. Për Gio. Desiderj 1793. Me leje nga eprorët, p. 109. edicioni i Shekullit të Tetëmbëdhjetë duket se është rimarrë nga: Descrittione della Grecia e Pausania. Në të cilën përmbahet origjina e saj, vendi, Qytetet, Feja antike, zakonet & luftërat e bëra nga ata popuj. Bashkë me Male, Liqene, Lumenj, Miniera, Statuja, Kolosë, Tempuj & dhe të gjitha gjërat e mrekullueshme që e kanë ilustruar. E përkthyer nga greqishtja në gjuhën vulgare nga S. Alfonso Bonacciuoli Gentilhuomo Ferrarese. Me Tavolinën e stërmbushur me gjërat e dukshme dhe shënimet në anë. Al Ser.mo Sig. il S. Donno Alfonso d’Este Duca di Ferrara, &c., in Mantova, Per Francesco Osanna Stampator Ducale, MDXCIII: L’Arcadia.
[4] Shiko Filippo Morgantini, I Pugilatori di Antonio Canova e lo sviluppo del soggetto di «forte carattere», Fletore të <<Bobbio>> Revistë kulturore e I. I. S. <<Norberto Bobbio>> e Carignano, 1, 2009, pp. 41-46; a p. 44: “Një fletore me skica me laps dëshmon për takimin e Canova me shkrimtarin antik, dhe lejon të kuptohet rëndësia e momentit letrar në procesin e krijimit të veprave të tij. Është e mundur të dallohen me siguri, edhe falë disa shënimeve të shkruara me dorë, vizatime të shumta të shpikura pas leximit të tekstit të Pausania, kryesisht të një karakteri “të fortë”, duke përfshirë: Lisimakun, truprojën që Aleksandri i Madh në zemërim e sipër e kishte mbyllur në një dhomë me një luan, të ilustruar duke luftuar dhe vrarë luanin; Tezeun çunak, i cili në vend që të trembet dhe të ikë si gjithë të tjerët kur shikojnë lëkurën e luanit që mbulon supet e Herkulit, nuk luan vendit dhe është gati të mbrohet nga bisha; Herkulin fëmijë që mbyt gjarpërinjtë; prijësin mesen Aristomenes në betejë; mundësit Kreugu dhe Damokseni”. Shiko edhe katalogun e ekspozitës Canova, Eterna bellezza, Muzeu i Romës, Pallati Braschi, Romë 19 maj-21 qershor 2020, nën kujdesin e Giuseppe Pavanello. Në Rai kultura (https://www.raicultura.it) gjendet një video e shkurtër mbi dy statujat e krijuara nga Fabio Benedettucci me rastin e ekspozitës.
[5] Pausania, Guida della Grecia, Libri VIII, Arcadia, Teksti dhe përkthimi nga Mauro Moggi e Massimo Osanna, Fondazcioni Lorenzo Valla, Mondadori, 2003, pp. 218-219, VIII, 40-41.Ky është teksti kritik të cilit duhet t’i referohemi, si për origjinalin në greqisht, ashtu edhe për përkthimin.
[6] Pausania, Descrittione della Grecia, cit., c. 346.
[7] Shiko shënimin 4.
[8] Tema në epoka dhe variante të ndryshme, që nga premtimi/fjala e dhënë e deri te mbajtja e saj pas vdekjes së protagonistit, me skenarë netësh makabre, ishte e pranishme në zona të ndryshme evropiane dhe sllave; veçanërisht në ato nordike ajo morri një vitalitet intensiv, i cili shpërtheu – siç dihet – në epokën romantike me Eleonora të Bürger, manifest i Sturm und Drang gjerman.
[9] M. Gortani, Gorizia con le vallate dell’Isonzo e del Vipacco, Udine, Società Editrice Friulana, 1930 (ribotim anastatik Del Bianco, 1980), pp. 89-90. Historia e regjistruar nga Gortani u ruajt në luginën e Vilës Jusina: një ushtar i vdekur në luftë kthehet në fshatin e tij një natë, rrëmben të renë që kishte qenë e fejuara e tij, e vendos mbi kurrizin e kalit të bardhë dhe dëshiron ta marrë me vete në varr; megjithatë ajo shpëton, duke u strehuar në kishën e varrezës.
[10] Kostandini i cili vdiq duke luftuar si të gjithë vëllezërit e tjerë, do të dalë nga varri për ta sjellë Garentinën për një përqafim përfundimtar me nënën e saj. Shiko Rapsodie d’un poema albanese raccolte nelle colonie del Napoletano, të përkthyer nga Gerolamo de’ Rada, nën kujdesin e tij dhe të Niccolò J. de’ Coronei, tipografia F. Bencini, Firenze, 1866, libri I, kënga XVII, pp. 29-33. Ka shumë botime të mëvonshme të veprës. Ajo e Kostandinit dhe Garentinës është ndër baladat popullore më ndjellëse dhe më të përhapura në botën arbëreshe të Italisë së Jugut. Nuk do të zgjatem te kjo temë, sepse është e njohur.
[11] Referenca për Ismail Kadarenë dhe romanin e tij Chi ha riportato Doruntina? është e detyrueshme. Me rastin e Panairit të fundit Ndërkombëtar të Librit në Torino, zërat e letërsisë bashkëkohore shqiptare kanë rimarrë me dëshirë tema nga historia e antropologjisë kulturore shqiptare, përfshirë atë të fjalës së dhënë.