More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLuan Rama: Nesër, “ditare” të tjera do të lexojmë nga Ana Frank

    Luan Rama: Nesër, “ditare” të tjera do të lexojmë nga Ana Frank

    Në thelb të çdo arti padyshim që është humanizmi. Eshtë pikërisht kjo që i jep vlerë krijimeve artistike, shkrimeve letrare, çka është dëshmuar që nga koha e skribëve të lashtë me dorëshkrimet e purpurta. Humanizmi i tejkalon ideologjitë, utopitë, besimet fetare, madje dhe patriotizmin. Kanë kaluar 80 vjet që nga koha kur Ana Frank nisi të shkruajë ditarin e saj, një vepër po aq humaniste siç ishte ajo e Primo Levit, ditare këto të shkruara në kohën e tragjedisë së madhe që pësoi bota me nazizmin dhe holokaustin. Janë libra reference dhe ndokush mund të pyesë: Përse dorëshkrimi i asaj adoleshenteje ka prekur shpirtin e botës dhe është botuar në 70 gjuhë të huaja, në masën e 30 milionë ekzemplarëve. E gjen atë libër në biblioteka, në shtëpitë e njerëzve, e gjen në adaptimet teatrale, filmike, pikturale apo radiofonike, në produktet e shumta kulturore. Dhe përsëri mund të pyesësh: Përse kjo vepër është kaq e dashur dhe 80 vjet pas holokaustit. Dhe përgjigja është se në themel të atij dorëshkrimi, kjo histori ishte një nga shëmbujt e mëdhenj të humanizmit. Madje Primo Levi do të thoshte për këtë libër se “faqet e tij të prekin më shumë se sa vetë viktimat”. Kaloj në Champs Elysées të Parisit dhe posteri me fytyrën e Ana Frankut është ngado nëpër kioskat e gazetave dhe revistave. Afrohem dhe e shoh nga afër, një moment të gjatë, vështroj atë fytyrë melankolike, të brishtë, me dy sy të zinj dhe një butësi të jashtëzakonshme, çka më çon shumë vite më parë kur me Omer Kaleshin, i cili sapo kishte hapur një ekspozitë pikture në sallonin e ambasadës shqiptare në Amsterdam, një ditë ne u ndalëm dhe tek shtëpia e dikurshme e Ana Frank në strehëzën e fshehtë të saj. Sapo kishim lënë kishën protestane Westerkerk ku ishte vendosur varri i Rembrandit dhe shumë shpejt u gjendem në rrugën plot pemë që fëshfërinin nga një fllad i bukur  në 263, Prisengracht, një shtëpi tre katëshe që tashmë ka hyrë në historinë e botës. Otto Frank, babai i saj, i vetmi i mbijetuar nga tetë ata banorë të fshehur në atë vend, nuk e kishte menduar kurrë se prapa asaj porte të fshehur, maskuar me një faqe biblioteke, do të shkruhej një libër që do ti fliste aq shumë botës.

    Me ardhjen e nazizmin, familja Frank u largua nga Frankfurti i Gjermanisë dhe u vendos në Amsterdam, me shpresën se atje do ishin të qetë nga progromet naziste që kishin nisur ndaj hebrejve në Gjermani. Por me pushtimin e Hollandës në vitin 1940, jeta do të merrte një tjetër drejtim. Si tregëtar që ishte dhe sipërmarrës i shoqërisë Opteka, bashkë me ortakun e tij Pels, në korrikun e vitit 1942, dy familjet u fshehën pas asaj porte që Ana do e quante “Aneksi” në ditarin e saj (“Achterhuis”, në hollandisht) portat e së cilës do të hapeshin vetëm kur do të vinte ti gjente Gestapo, një ditë gushti të vitit 1944. Kjo shtëpi tashmë është kthyer në muze. Aty janë pjesët e fshehura, aty mund të shohësh imazhet e projektuara të banorëve të asaj bote të fshehur, duke imagjinuar jetën e tyre në heshtjen e plotë, në një kohë që jeta për hollandezët jashtë, në dritën e diellit, vazhdonte normalisht. Kush ka lexuar Ditarin e Ana Frankut dhe ata janë të shumtë, ka udhëtuar pikërisht në këtë botë të përshkruar thjeshtë nga një vajzë e re, e cila ndër të tjera kishte shkruar: “Të ngasësh biçikletën, të kërcesh, të fërshëllesh, të zbulosh botën, të ndjesh rininë, ja çfarë ëndërroj, por ndërkohë s’duhet të tregoj asgjë nga këto, pasi le të imagjinojmë një cast nëse që të tetë ne që jemi brenda të ankohemi dhe të tregohemi fatkeqë. Atëherë çdo të ndodhte me ne?...” Dhe kështu jeta vazhdonte. « Kam frikë se do na zbulojnë dhe do na pushkatojnë » shkruan ajo në shtatorin e atij viti… Të gjithë kanë frikë. Zhurma më e vogël që vjen nga pjesa tjetër e ndërtesës ku janë punonjësit e shoqërisë bën që zemrat e atyre njerëzve të ngrijnë në ankth me pyetjen e madhe: Po tani, ç’do të ndodhë me ne ? « Në Hollandë po ndodhin gjëra të tmerrshme. Por çfarë i pret ata njerëz që i çojnë në vende të largëta ? Mendojmë se shumicën e tyre i masakrojnë. Radio angleze thotë se ata i asfiksojnë përmes gazit. Si duket kjo është metoda më e shpejtë e eliminimit të tyre… » Më pas ajo shton : « E dashur Kitty, kam veçse lajme të kësqia për të të dhënë. Miqtë tanë dhe të njohur të tjerë hebrenj i marrin me grupe dhe Gestapo i transferon në Westerbrok ku me vagona kafshësh i çojnë drejt kampit të hebrejve në Drenthe. Ai vend duhet të jetë e tmerrshëm sepse njerëzve nuk u japin asgjë për të ngrënë… » Ana shkruante për ditët që kalonin, peizazhe të fjalës dhe të banorëve, brenda atyre dy dhomave të vogla, mes frikës se mos papritur dera troket : Otto, ati i saj me një fjalor pranë tij që lexon një libër të Dikens, çifti Van Daan që grindej, zonja e tij që hidhte nganjëherë vështrime jo dashamirëse, darkat e përbashkëta, librat e saj të dashur të Gëtes dhe Shjilerit, dëgjimi i “Radio Londra”, biri i çiftit Van Daan, Peter i heshtur, me të cilin ajo kishte dëshirë të uleshin në një shkallare dhe të putheshin për të ndjerë dëshirat e para të një vajze të njomë, copëza jete përshkruar me një ndjesi të jashtëzakonshme. Ana Frank nuk heziton të shkruajë dhe për menstruacionet e para të saj, për prostitutat që kishte vështruar më parë dhe që burrat i takonin rrugës duke u zhdukur bashkë me to, për shtëpitë publike si në Paris, duke shtuar se dhe i ati i saj kishte qenë në to. Këtyre banorëve, Ana u ka vendosur pseudonime të ndryshme duke menduar se mos ditari binte në dorë të tjetërkujt. Nëna quhej Nora, Ana vetë kishte pseudonimin Anne Aulis Robin, e motra, Margot, quhej Betty Aulis Robin… ndërsa ditarin e saj e ka quajtur Kitty, duke iu drejtuar si ti drejtohej vetvetes apo një shoqeje tepër intime, një personazhi të dyzuar, siç shkruan që në fillim kur nis ditarin e saj më 12 qershor të vitit 1942, çaste kur tashmë ata janë të fshehur: “Shpresoj se do mund të të besoj shumë gjëra çka nuk mund ta bëj me askënd tjetër dhe uroj të më jesh një mbështetje e madhe”.

    Atë ditë në shtëpinë e Ana Frankut në krah të Omerit, tek vështroja projektimin e fotografive të Anës, fytyrën e saj herë të qeshur e herë të trishtë, shkrimet e saj, bllokun me kuadratet e kuqe, fotot e saj fëmijë, në shkollë apo diku në një tarracë ulur në një shezlong, mendova në çast atë pasazh të ditarit që kisha lexuar vite më parë, atë çast kur një mbrëmje, buzë dritares, ajo dhe Peter, ai djalë i heshtur, vetmitar dhe i brishtë, shikonin yjet dhe bisedonin për jetën. Ishte një nga ditët më të lumtura të saj, edhe pse me Peter shpesh ajo sillej ashpër dhe për këtë qëndrim, më pas qortonte veten. Bisedonin zëulët dhe unë risolla në mendjen time atë dialog të bukur adoleshentësh:

    Besoj se para se të thoni “natën e mirë” ju jepni gjithnjë një të puthur? – Një puthje? – Shumë puthje do të thuash… jo ti besoj? – Jo, praktikisht unë s’kam puthur askënd ndonjëherë! – As për ditëlindjen tënde? – Ah, po, kjo është e vërtetë…” Dhe ata vazhojnë të bisedojnë për botën jashtë, natyrat e tyre të ndryshme, për brishtësinë e tij dhe mënyrën shpenguese të saj. “Ti me ke ndihmuar parreshtur! – më thotë papritur ai. – Duke bërë çfarë? – e pyeta e habitur. – Nga mënyra tënde e gëzueshme… Padyshim ishte gjëja më e bukur që më tha dhe se ndryshe nga herët e tjera unë mendoja të mos e shqetësoja atë duke i shkuar pranë, por përkundrazi, ai e donte këtë!…”.

    Ana shkruante bukur. Ishte shpirti i saj që fliste, pjekuria e parakohëshme e saj. Ajo është e ndjeshme dhe pikërisht ai vend i fshehtë ku s’mund të shohë botën jashtë veçse fshehurazi nga dritarja, i jep një forcë të brendshme, i jep një poetikë të mrekullueshme, e bëjnë atë të mënçur, e rrisin në moshë, madje e bëjnë të zbulojë thellësitë e shpirtit human apo të kuptojë më mirë raportet njerëzore, dilemat e jetës, familjen. “E dashur Kitty. Askujt në botë nuk mund ti shkruaj gjëra mbi veten time dhe ndenjat që provoj, përveç teje. Pse të mos flisja dhe diçka për çështjet seksuale? Prindërit dhe njerëzit në përgjithësi kanë qëndrime të ndryshme mbi këtë gjë. Në vend që tu thonë diçka vajzave si dhe djemve të tyre që nga mosha 12 vjeçare, kur flasin mes tyre për gjera të tilla prindërit i largojnë fëmijët nga dhoma dhe kështu fëmijët s’kanë rrugë tjetër veç ti zbulojnë vetë me rrugë të tjera… Ajo çka bëjnë një burrë dhe një grua është instinkti im që më flet…” 18 mars 1944). Por shpesh është ankthi që e kap Anën për fyti. Ditët janë të trishta. “Çdo ditë marr valerian kundër ankthit dhe depresionit, por kjo nuk më pengon të jem në një gjendje akoma më te rëndë ditën tjetër. Një shpërthim të qeshuri do kishte me efekt se dhjetë hape të tilla, por ne këtu në fakt kemi harruar të qeshim. Nganjëherë kam frikë se mos fytyra ime deformohet nga trishti dhe goja do detyrohet të ketë hije serioze… » (16 shtator, 1943).

    Lufta vazhdon, ndërkohë që Ana vazhdontë tregojë historitë e jetës brenda mureve të pakapërcyeshëm ku të gjithë flasin me zë të ulët, këndojnë rrallë e me zë të ulët, qajnë me zë të ulët, duke ëndërruar netëve të errta jetën, ditë që shpresojnë të vijnë. Ana shkruan për maçokun e saj të dashur që i ngjeshej më parë dhe që tashmë nuk e ka më. “Maçoku Moortje më mungon çdo çast dhe askush nuk e di se sa shumë mendoj për të. Dhe shpesh herë qaj. Eshtë shumë i mirë dhe e dua shumë. Endërroj lloj-lloj mënyrash për ta sjellë përsëri tek unë…” Ajo kujton gjithashtu stilografin e saj të shtrenjtë, dhuratë dikur nga gjyshja e saj, stilografin me këllëf të kuq që çdo mbrëmje e merrte të shkruante. Tashmë nuk e ka më. Mban mend që një ditë më parë e kishte me vete kur nisi të qëronte patatet. Vallë e ka hedhur bashkë me lëkurat e patateve në zjarrin e sobës apo do kishte rënë diku tjetër? Të nesërmen, ishte i ati që pastroi sobën dhe gjeti atë çka kishte mbetur nga ai stilograf me majë floriri që siç shkruante ajo “ishte gjëja më e çmuar që kishte. Kam vetëm një ngushëllim, edhe pse i vogël. Stilografi im u dogj siç do dua dhe unë më vonë të digjem…” E trishtueshme të shkruhet kjo nga një vajzë 14 vjeçare.

    Në 13 janar 1943, ajo shkruante: “Jashtë ndodhin gjëra të tmerrshme. Natën dhe ditën njerëzit e shkretë i rrëmbejnë me forcë, ashtu pa pagazhe, veç me një trastë në krahë dhe pak para. Madje plaçkat që kanë ua flakin gjatë rrugës. Familjet shpërbëhen, burrat, gratë, fëmijët ndahen nga njëri-tjetri. Kur fëmijët kthehen nga shkolla nuk gjejnë më prindërit e tyre… Të gjithë kanë frikë. Dhe natën, me qindra avionë fluturojnë mbi Hollandë. Duket egoiste kur ne flasim për “pas lufte”, kur ne ëndërrojmë për rroba dhe këpucë te reja, ndërkohë që do duhet që çdo qindarkë ta vendos mënjanë dhe ta ruajmë për njerëzit e tjerë të pas luftës, për të shpëtuar atë çka mundemi… Mund të të flisja me orë të tëra ditari im, për mjerimin që shkakton lufta dhe kjo më trishton akoma më shumë. Nuk na mbetet veç të presim sa më qetësisht të jetë e mundur fundin e këtyre fatkeqësisve. Hebrejtë dhe të krishterët, si dhe mbarë planeti presin, e shumë prej tyre presin veç vdekjen. Gjithë të mirat. Ana.

    Megjithë gjendjen e rëndë shpesh Ana dëshmon për humorin e saj, përshkruan situata komike, mënyrën si flë i ati, si gërhet, apo si flë me motrën Margot “shtypur si sardelet.” “Mbrëmë pyeta Margot nëse isha e shëmtuar, por ajo më tha se unë isha e këndshme, se pëlqeja të bëja humor, se kisha sy të bukur, disi të vagëta… a thua?” Një çast tjetër ajo kujton nënën e saj, kur natën i shkon tek krevati për ta marrë në shtratin e saj, por ajo nuk pranon dhe pak më vonë shkon në shtratin e të atit, dhe këtë ajo e quan një mëkat.

    Liria afronte. Në praverë të vitit 1944 duke dëgjuar Radio Orange (Radio Londre), komentatori thotë se njerëzit duhet ti shkruajnë dëshmitë e kësaj kohe që pas lufte ato të botohen dhe që historia të shkruhet përmes përjetimeve njerëzore. Atëherë Ana mendon që ditarin ta rishkruajë, ta rikthejë në një roman, ndërkohë që shkruan plot mbresa të tjera të veçanta dhe që kanë të bëjnë me kohën para lufte.  Më 5 prill 1944 ajo shkruan : « Vallë a do mund të bëhem ndonjëherë gazetare apo shkrimtare ? E shpresoj shumë këtë gjë, pasi përmes shpirtit tim unë mund të dëshmoj, të shënoj mendimet e mia, idealet dhe frutet e imagjinatës time. » Dhe më pas, një tjetër ditë shton: “Mendoj se do të ishte interesante nëse do ta botoja librin tim « Aneksi”. Kjo do të ishte diçka interesante për njerëzit, të cilët do të mësonin se si kemi jetuar këtu ne hebrenjtë” Pak përpara se të zbuloheshin nga Gestapo, dora e saj ka shkruar: “ Vështroj se si dalëngadalë bota po transformohet në një lloj shkretëtire, dëgjoj fort e më fort zhurmën e një shtrëngate që po afron e do na vrasë edhe ne, ndjej vuajtjen e miliona njerëzve e megjithatë, por kur vështroj qiellin, mendoj se gjithçka do të ndryshojë, se mizoria do të marrë fund, se qetësia dhe paqja do mbretërojnë mbi botën tonë…”

    Ana shkruan për luftën, për botën e mirë dhe mizore, për fjalimet e Curçillit dhe librin për jetën e Galileut që i pëlqen aq shumë, mediton për mitet e vjetra të antikitetit, për Tezeun, Edipin, Orfeun, Jasonin dhe Herkulin, shkruan për avionët që bombardojnë dhe lëvizjen e trupave si të ishte një kroniste, edhe pse është e ngujuar brenda katër mureve. Në mbrëmje, të gjithë mblidhen pranë radios për të dëgjuar lajmet e frontit. Shpresojnë. Ngrejnë flamujt e padukshëm brenda zemrave të tyre, shpresojnë. Data 1 gusht 1944 është data e fundit që shkruan në ditar dora e saj. Ajo përshkruan mirësinë që ndjen brenda shpirtit të saj, të cilën shumë pak ia njohin të tjerët. Dhe ajo ka besim në botën e saj, në dashurinë për njerëzit dhe botën. Të ngjan si një filozofe edhe pse është 15 vjeç! E jashtëzakonshmja Ana Frank. Ç’shëmbull i bukur i botës së qytetëruar edhe kur kjo botë është në ditët më të zymta të saj, në kohën e mizorisë dhe të holokaustit.

    Kështu, në 4 gusht 1944, « Aneksi » siç e quan ajo atë vend të fshehtë, zbulohet. Dikush, nga ata të shoqërisë ngjitur, i ka denoncuar. Në orën 10 policia gjermane “Grüne polizei”, i merr të gjithë. Në 8 gusht ata gjenden në stacionin e trenit të Amsterdamit. Më pas është rruga drejt kampit famëkeq Auchvitz… Dhe padyshim, Ana e ndjente mungesën e ditarit të saj. Vallë e kanë gjetur? Vallë e kanë djegur? Jo, ajo s’do të shkruante më. “Kitty” do ti mungonte shumë. S’do të mund ta përshkruante atë udhëtim të gjatë, mbyllur në një vagon mallrash, pa bukë, pa ujë, duke parë nga një dritare e vogël me hekura qiellin e vrenjtur e të lagësht, plot gjëmime bombash të atij udhëtimi pa kthim. Pas atij kampi të tmerrshëm, Ana dhe Margot transferohen në kampin tjetër të Bergen-Belsen. Gjermania naziste po binte. Kur në Bergen-Belsen prisnin ditën e lirisë, një mbëmje, e lodhur nga tifo, Margot u shemb nga krevati dhe vdiq. Ana jetoi dhe disa ditë më pas dhe u shua po nga tifo. Ajo nuk arriti ta shohë dritën e lirisë, të shëtiste me biçikletë rrugëve të Amsterdamit, të dashurohej me Peter, të ndjente flladin e rrugës, duke shpresuar botimin e ditarit dhe librit të saj « Jeta e Cady-së », me një histori dashurie. Kur Otto Frank u kthye nga kampi, ai e kuptoi se nga të tetë banorët e atij vendi të fshehur vetëm ai kishte mundur të shpëtonte. Mikesha e tij hollandeze dhe bashkëpuntorja e ngushtë Miep Gies, i dorëzoi dorëshkrimin e Anës, që kishte mundur ta merrte menjëherë pas arrestimit të tyre dhe bastisjes së shtëpisë. Imagjinoj tani Otto Frank duke lexuar atë ditar me duart që i dridhen, në trishtin më të madh, atë ditar të shkruar në një kohë holokausti, duke zbuluar shpirtin e madh të Anës, duke zbuluar një vajzë tjetër të cilën ai, i ati i saj nuk e kishte arritur ta njihte si duhej, bota e së cilës tashmë po e mahniste. Ana e dashur nuk ishte një adoleshnte 15 vjeçare që u shua në kampin e përqëndrimit. Ana ishte një inteligjencë e përkryer. Disa fragmente të ditarit ai i hoqi. Nuk donte që të mbeteshin kritikat e Anës për nënën e saj, grindjet mes banorëve të atij vendi të fshehtë. Kur libri botohej në Amsterdam, Otto ia dërgoi dhe një botuesi amerikan, i cili me lehtësinë më të madhe gjykoi se ai libër ishte thjesht ditari i një adoleshenteje me përshkrime të rëndomta, pa parë në të simbolikën e madhe të jetës së një familjeje në kohën e holokaustit. Dukej se ky botues nuk e kishte kuptuar në thellësi se çdo të thoshte flama naziste, pa kuptuar humanen që ishte brenda njeriut dhe në mometet më ekstreme të ekzsistencës së tij. Përse vallë kjo histori vlerësohet kaq shumë edhe tetëdhjet vjet pas fillimit të shkrimit të tij, shkruar nga një e panjohur që kurrë nuk ishte sprovuar në aventurën letrare. Vlera e librit padyshim qëndronte në atë se historia e familjes së saj ishte një histori universale. Të përshkruash botën tënde të zakonshme kur të mungon liria është gjithnjë një histori tronditëse, pasi humbja e lirisë është humbja më e madhe që mund ti ndodhë një njeriu.

    Sot që shkruajmë për ditarin e Ana Frankut, mendja na shkon menjëherë në gjithë ato vende të fshehta, bunkerë uzinash e fabrikash, ku ukrahinasit e thjeshtë, burra, gra, fëmijë, u fshihen mizorive dhe barbarisë së një mareshalli tjetër, të përngjashëm me Hitlerin, i cili quhet Putin. Nesër me siguri do të lexojmë të tjerë ditarë të dhimbshëm, të adoleshentëve, të rinjve e grave të Mariupolit dhe gjithë Ukrahinës që jetuan apokalipsin e çmendurisë vrasëse dhe të shuarjes se llojit njerëzor ; do të lexojmë ditare të tjerë shkruar nën hijen e bombave, nën peshën e barbarisë. Ja pse Ana Frank na është e çmuar edhe sot: ajo, si shkrimtarë të tjerë të mëdhenj, na hapi rrugën për ti rënë kambanës kundër barbarisë dhe për tu ngritur kundër saj! Po, nesër do të lexojmë ditare të tjerë të Ana Frankut siç shkruante ajo: « Dalëngadalë bota po transformohet në një lloj shkretëtire, dëgjoj fort e më fort zhurmën e një shtrëngate që po afron e do na vrasë edhe ne, ndjej vuajtjen e miliona njerëzve e megjithatë, por kur vështroj qiellin, mendoj se gjithçka do të ndryshojë, se mizoria do të marrë fund, se qetësia dhe paqja do mbretërojnë mbi botën tonë…”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË