More
    KreuIn memoriamLuan Rama: Në Paris, në hapat e Kadaresë…

    Luan Rama: Në Paris, në hapat e Kadaresë…

    Kam patur fatin që në shtegtimet e mia nëpër rrugët e Parisit të njoh dhe të shkruaj për itineraret parisiane të shkrimtarëve të shquar që kanë jetuar e krijuar në Paris, jo vetëm ata francezë si Hygo, Balzak, Prust, Bodler apo më pas Apoliner e Kamy, por edhe shumë shkrimtarë të tjerë amerikanë (veçanërisht ata të « brezit të humbur »), latino-amerikanët  me Asturias, Sabato, Kortazar etj, e gjer skandinavë e aziatikë që për shumë vite kishin jetuar në Parisin e tyre për çka përshkruaj jetën dhe gjeografinë e tyre parisiane në librin « Parisi letrar », në « Mbresa parisiane » apo në « Bohemë anglosaksonë në Paris ». Janë gjurmët që kanë lënë Heminguei, Fizgerald, Dos Passos, Becket, Xhois, apo Bohres me hotelin e tij të përhershëm në Rue des Beaux Arts apo Sabato me “Hotel Madison”. etj. e shumë të tjerë. Edhe pse vitet e fundit të jetës së tij Kadare u largua nga Parisi për të jetuar përfundimisht në Shqipërinë  e tij (çka nuk arriti ta bënte Jusuf Vrioni që aq  shumë e dëshironte), përsëri Parisi ishte i përhershëm dhe i qenësishëm brenda tij, në ndjesitë dhe letërsinë e  tij, apo kujtimet parisiane për të cilat shkroi dhe në librin « Mëngjeset në Kafe Rostand », e ku akoma më shumë, në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme”, Helena Kadare me një mjeshtëri të veçantë, na dha atë jetë të plotësuar të Kadaresë, rrethuar me ngjarje, miq e shkrimtarë të shquar të botës si Kundera, Jonesko, Umberto Ecco, me intelektualë të mëdhenj si Jacques Attali, filozofi Edgar Morin, me proçesin krijues të përditshëm dhe jehonën shqiptare, gjurmë që do të evidentohen së afërmi duke filluar me vendosjen e një pllake përkujtimore në 63, Boulevard Saint-Michel, aty ku familja Kadare jetoi për një kohë shumë të gjatë.

    Vendosja e kësaj pllake do të jetë një nismë  e shoqatës së sapo krijuar në Paris « Miqtë e Ismail Kadaresë » e duke vazhduar më pas me evidentimin e një jete që do të jetë e pranishme në këtë Paris letrar por që ka  lidhje dhe me politikën shqiptare, veçanërisht në kohët e fundit të viteve 80’, me ndryshimet politike dhe tranzicionin e vështirë shqiptar. Gjurmët e Kadaresë janë të shumta në këtë Paris me rrugët e tij të dashura, sheshet, kafenetë, vendet ku ai shkroi veprat e tij, apo ku takoi personazhe të jetës shqiptare e franceze për të cilët do të shkruante. Unë nuk e kam njohur historinë parisiane të Kadaresë në vitet ‘70-’80 por njoh diçka nga kjo jetë e gjallë dhe mjaft aktive pas viteve ’90.

    « Në librin tim të parë, – shkruante Kadareja në « Mëngjeset në Kafe Rostand », kisha një vjershë për Parisin. Më kujtoheshin shpesh sytë kureshtarë të botuesit dhe pyetja e tij se përse kisha shkruar për Parisin ». Isha 16 vjeç, gjimnazist dhe nuk e dija asgjë nga ajo çka ndodhte në botë. Ndaj ngrija supet dhe përgjigjesha : – S’e di !… » Por talenti i madh dhe letërsia do ta sillte atë në Paris. « Lidhja ime me Parisin do të ishte e gjatë, dyzet vjeçare. Në të vërtetë ishin dy Parise, ai i kohës së komunizmit dhe tjetri, i përkohshmi, secili nga 20 vjet. E kisha të vështirë të gjeja se cili ishte imi, e cili jo…”

    Sheshi i parë që do të shihte në Paris ishte siç kujton ai “Place de Trocadero” dhe padyshim Avenue de Champs Elysées, ndërsa hoteli i parë ku qëndroi në ardhjen e tij në Paris ishte “Hotel Duplex” ku zakonisht vinin gjithë shqiptarët nga Tirana, veçanërisht funksionarë dhe studjues. Ishte një hotel modest, jo larg “Kullës Eiffel” dhe shumë pranë dy stacioneve të metrosë “Commerce” dhe “Duplex”, meqë aty afër ndodheshin apartamentet e punonjësve të ambasadës, në mënyrë që ambasada “të kujdesej” nga afër për ta dhe të dinte se ç’bënin e ku shkonin në Paris. Pikërisht aty zbarkoi për herë të ârë më 1971 kohë e botimit të “Gjernerali i ushtrisë së vdekur” nga “Albin Michel”. Me vete siç shkruan Helena kishte dorëshkrimet e romaneve “Kështjella” dhe “Kronikë në gur”. I vetëm, me ambasadorin e kulturuar Javer Malo që nuk e kuptonte se përse botuesi i “Albin Michel” nuk do vazhdonte aventurën letrare me Kadare, shkrimtari vështronte gjithë trishtim atë Paris të hirtë, por pak kohë më vonë shumë shtëpi botuese kërkuan ta botonin duke filluar me “Hachette literature”.

    Para se të vija në Paris në vitin 1991, pas rënies së monumentit të Enver Hoxhës, duke qenë se Ismaili ishte dhe një shkrimtar i lidhur me kinematografinë, e kisha takuar disa herë në Lidhjen e Shkrimtarëve apo Kinostudio kur regjisori Kujtim Çashku përgatitej të realizonte filmin « Prilli i thyer». Skenari ishte shkruar. Më kujtohet kur në klubin e Pallatit të Kulturës, Kujtimi i propozoi që veprës « Prilli i thyer «  ti jepte një karakter politik duke futur personazhin e një të burgosuri politik në veriun shqiptar, të pranishëm gjatë udhëtimit të çiftit të sapomartuar Dianës dhe Besianit. Dhe Ismaili e pranoi menjëherë këtë ndryshim madhor dhe u tregua entusiazt që vepra e tij do aludonte për diçka të fuqishme, politike. Por kur Timo Flloko do të interpretonte këtë figurë në xhirimet e para, imazhi i këtij personazhi me kokë të qethur u kujtoi cenzorëve të kohës se ai ishte i ngjashëm me ata mijra të burgosur politikë në Burrel, Spaç apo Qafë e Barit, çka ajo « kokë e qethur » nuk do të shfaqej më në ekran. E pra, disa muaj pas ardhjes time në Paris, munda ta takoj Kadarenë në një apartament në katin e parë të një shtëpie modeste në Boulogne pranë kishës së kësaj qyteze (në sajë të mikut të përhershëm Julien Roche) dhe ku në interfonin e tij duhej të shtypje atje ku shkruhej fjala « Mozart », një preferencë e bukur kjo e Kadaresë. Por para se të instalohej në këtë shtëpi, Kadareja kishte gjetur mbështetjen e regjisores Liri Begeja e cila vite më parë kishte realizuar filmin « Prilli i thyer » me producent Frederik Miteran, mikun e saj, një film i xhiruar në Korsikë, në mjedise kullash që të kujtonin botën e veriut shqiptar meqë Shqipëria e Enver Hoxhës refuzoi që një grup artistësh të Perëndimit të shkelnin tokën shqiptare. Një kohë të shkurtër familja Kadare e strehua fshehurazi në një fshat 200 km larg Parisit, në Nibelle, (ku vite më vonë, më 1995, do qëndronim me pushime bashkë me Begejë-n dhe ku gjeta shënime të Kadaresë dhe librat që kishte lexuar ato kohë, mes tyre dhe një libër të Dostojevskit dhe Orwell). Më pas, familjen Kadare e vendosën në Rue Monsieur le Prince » e pastaj në një apartament të Louis Barnier, vjehrit fisnik të Liri Begejës, në “Rue Olier,” në Parisin 15 që të mos përndiqeshin nga Sigurimi shqiptar dhe ai serb. Pra kur ata ishin pranë pyllit të Boulogne që e ndante me Parisin, kisha një ndjesi të çuditshme mbrëmjen e parë kur do të shtypja interfonin me emrin Mozart në darkën që çifti Kadare kishte shtruar për kushërirën e Helenës, Helene Gusho Bishop dhe profesorin e letërsisë franceze në Amerikë, zotin Tom Bishop, një çift mjaft simpatik. Në atë kohë shtëpia e Liri Begesë dhe e mikut të madh të shqiptarëve Luc Barnier, në “Rue de Gravillier” në Parisin 3, pranë Qëndrës së Kulturës Ndërkombëtare “Georges Pompidou”, ishte një shtëpi e dashur për Kadaretë. Por jo vetëm, pasi kjo shtëpi u kthye më pas në një nga shtëpitë mikpritëse të intelektualëve shqiptarë që zbarkonin në Paris.

    Në këto vite të para, kur ishin botuar nga “Fayard” romanet “Prilli i thyer” (1987), “Pallati i ëndrrave” (1990), “Përbindëshi” dhe “Pesha e kryqit” (1991), “Piramida” e përshëndetur nxehtësisht nga Alain Bosquet (1992) apo “Dritë hëne” (1993), Kadarenë e pritën me entusiazëm të veçantë shkrimtarë dhe artistë francezë të cilët e përshëndetën nxehtësisht aktin e tij për të mos u pajtuar më me regjimin. Një prej tyre ishte dhe Michel Piccoli që për në tepër kishte interpretuar rolin e priftit në filmin « Gjenerali i Ushtrisë së vdekur » të Luçiano Tovoli, film që nuk arriti të realizohej në Shqipëri por në Abruzze të Italisë së jugut, kohë kur Ismailit do i duhej të vinte disa herë në Paris për të diskutuar rreth filmit me Michel Piccoli, Marcello Mastroianin, skenaristin Jean-Claud Carrere apo dhe regjisorin italian Marco Belocchio. Një pasdite, në FNAC-un e Montparanasse-it u prezantua një roman i Kadaresë. Ishte viti 1993-1994 dhe në këtë takim dëgjoja të flisnin për veprat e Kadaresë disidenti kroat Pedrag Matvejeviç si dhe aktorin e mirënjohur Michel Piccoli. Botimin e romanit “Hija” më 1994 e përshëndeste me një shkrim në “Quainzaine littéraire”, ish lektori i frëngjishtes dhe studjuesi i shkëlqyer i Kadaresë Jean-Paul Champseix me titullin “Një shqiptar në Paris ose dashuritë e një të vdekuri të gjallë”.

    Pikërisht në ato kohë, në vitin 1992 munda të organizoj takimin e Kadaresë me delegacionin e parë të Partisë Demokratike të ardhur në Paris dhe të kryesuar nga Gramoz Pashko, një i njohur i vjetër dhe mik i Kadareve. Ishte një mbrëmje e paharrueshme në një kafene përballë metrosë « Commerce » ku më pas Kadareja do të kishte zakon të shkonte shpesh. Në kohën kur ishte në Boulogne, Kadaresë i mungonte qendra e Parisit, për më tepër për takimet me shkrimtarët e shquar të Francës si dhe botuesin e tij drejtorin e botimeve « Fayard », Claude Durand, zyrat e të cilit ishin në “Rue des Saints Peres”, në lagjen e Saint-Germain-des Près. Mbaj mend që Ismaili atë kohë kërkonte një apartament të ri dhe një ditë ne shkuam në ndërtesat buzë Senës të Paris 16. Sigurisht i pëlqente të shikonte mbrëmjeve, tej dritareve, lumin e Senës, por më pas nuk i pëlqeu dhe përfundimisht më 1993 u vendos në katin e parë të një ndërtese në “Rue Violet”, jo larg nga metroja “Duplex” dhe « Commerce », ku kishte zbarkuar për herë të parë në Paris.

    Ato vite të para të demokacisë shqiptare ishin mjaft të ngjeshura për Kadarenë. Nëse gjatë një dekade botoheshin çdo vit romanet e Kadaresë, të cilat gjenin një jehonë të jashtëzakonshme në kritikën franceze me romanet “Dimri i madh” apo “Koncerti”, tashmë i duhej të shkruante dhe artikuj të shumtë mbi demokracinë e re shqiptare, për dëshirën e madhe të shqiptarëve për tu bashkuar me komunitetin europian. Intervistat po ashtu ishin të shumta. Pena shumë të njohura shkruanin për romanet e tij si Alain Bosquet, Robert Sabatier, André Cladel, François Nourissier, Mona Ozouf, Antoine Spire etj. Një ditë nga Roma erdhi një gazetare italiane e RAI 1 që më kishte telefonuar më parë për një intervistë me Kadarenë (atëherë shumë gazetarë më telefononin për të njëjtën kërkesë për intervista dhe jo vetëm francezë). Mbaj mend që Kadarenë, gazetaren dhe një kameraman i çova në pyllin e Boulogne-s, ku në një stol, përballë një dielli të bukur, Kadareja foli më shumë se një orë për zhvillimet shqiptare, emision ky që u ndoq shumë në mediat italiane. Ishte pikërisht kjo kohë kur në një bisedë, Ismaili më pohoi se i kishin kërkuar të pranonte që të ishte presidenti i parë i Shqipërisë demokratike por ai nuk e shihte veten në një pozicion të tillë pasi as që e imagjinonte të braktiste letërsinë, ndërkohë që propozuesit i sillnin shëmbullin e Havelit. Misioni i tij i madh ishte letërsia. Megjithatë ai e ndjente se duhej të angazhohej me diskursin e tij politik në ardhmërinë e Shqipërisë, siç do ta tregonte ato vite duke i dërguar letra presidentëve të shquar të botës, presidentit Bush, presidentit Miteran, presidentit Havel etj, letra, tekstet e të cilave mi jepte që ti nisja për botim në gazetat shqiptare ku ai mendonte t’i botonte. Lumturisht atëherë ishte koha e faksit. Ishte koha e miqësisë së madhe me intelektualin e shquar Jacques Attali, këshilltarin më të afërt të presidentit Miteran, i cili do ti dërgonte ftesë personale për të ardhur në Paris për festimet e 200 vjetorit të Revolucionit Francez, ditë kur presidenti do ta priste një mëngjes në pallatin presidencial. Ato kohë miq të shumtë shkrimtarë e artistë e rrethonin Kadarenë siç ishte regjisori greko-francez Kosta Gavras apo gazetarët Nicole Zand, Jean Pierre Elkabach, Franz-Olivier Gisbert apo Bernard Pivot që vite më parë e kishte intervistuar në emisionin e famshëm “L’Apostrophe” ku kishin kaluar gjithashtu më të mëdhenjtë e botës letrare.

    Një tjetër gjurmë e rëndësishme ishte Akademia Franceze, pranimi i tij si anëtar i Akademisë së  Shkencave sociale e politike, seanca e mrekullueshme me fjalimin e tij që la gjurmë por dhe kujtimi i parë i tij kur do të shkonte një ditë në Akademi dhe do ti dhuronte mikut të tij një “dhuratë” të çuditëshme shqiptare. Një revole… Duhej të ishte padyshim miku ynë Laurent Personne, një mik i Shqipërisë dhe shef kabineti i Sekretarit të Përhershëm të Akademisë, Maurice Dryon. Dhe ja si e përshkruan Kadareja me humorin e tij skenën e asaj dite në “Mëngjeset në Kafenenë Rostand”: “Erdhi ora, thashë me vete. Përpiqesha të mos mendoja asgjë, por të bëja atë që duhej, si ballkanas i vërtetë ose i rremë, kjo s’kishte shumë rëndësi. Futa dorën ne çantë dhe preka tytën e ftohtë të armës… Në anën tjetër të tryzës dukej që njeriu nuk po i besonte syve. – O, jo, thirri me zë të lartë… Jo gjer këtu, zoti K. Ju lutem, ju betohem… Ai vazhdonte të thoshte se kjo ishte një gjë e paparë, e papërfytyrueshme, nga ato që s’ndodhin kurrë në këtë Akademi. Në të vërtetë tronditja e tij prej pamjes së armës ishte më e fortë se ç’e kisha menduar… Ai vazhdoi të fliste me të njëjtin stil, por që mua më dëgjoheshin dy mënyrash. O, jo, zoti K. Po kapërceni çdo kufi. Në këtë Akademi s’bëhen kërcënime të tilla. Largojeni, ju lutem, atë armë…” E imagjinoj se sa shumë ka qeshur Kadareja në mënyrën e tij kur ua tregonte miqve të tij të afërt në tryzat e mbrëmjes. Por kjo, në vitet e para të demokracisë shqiptare ishte bërë normale  kur vetë presidenti “demoktratik” i sapo zgjedhur Berisha filloi të shpërndante shpata dhe bokbure artizanale ndër homologët e tij europiane çka në vizitën e tij të parë me Miteran, një skenë e habitshme u zhvillua para syve të mia dhe protokollit francez në aeroport: kishin harruar shpatat për Miteranin. Si mund një stërnip i Skënderbeut të harronte shpatat?! Këtë histori nuk ia kisha treguar Kadaresë se kushedi kjo mund ti kishte nxitur idenë e shkrimit të një skene burleske. Sigurisht, fjalimi i tij në seancën e pranimit si akademik ishte një nga fjalimet më të bukura të Kadaresë për rolin e shkrimtarit në progresin e mendimit njerëzor.

     Pas Hotel “Duplex”, hoteli tjetër për të do të ishte hotel “Derby » në krah të « Ecole militaire » ku dikur bëheshin paradat e famshme të kavalerisë së Napoleonit dhe ku ishte organizuar një nga pritjet më madhështore që i ishte bërë ndonjëherë një gjenerali të huaj, dhe ky ishte Ibrahimi, djali i Mehmet Ali Pashës, themeluesit të Egjiptit modern. Ishte viti 1990 kur shoqëria shqiptare kishte nisur të lëvizte drejt ndryshimit politik dhe ishte ardhja e fundit e Kadaresë nga Tirana në Paris. Tutje, përmes “Champs de Mars”, dukej kulla e hekurt “Eiffel”. Pas kaq vitesh ai kujtonte tashmë kafenenë “La Terrace”, aty përballë hotelit ku jo rrallë kam qenë me miqtë e mi. “Më e këndëshmja ishte “La Terrace” – do të shkruante më vonë ai. – Më kishte tërhequr që në mëngjesin e parë, por vetëm ditën e katërt, pas kafesë, kur duart e mia po kërkonin nëpër xhepa ndonjë copë letër dhe një stilolaps, e ndjeva se ajo ishte kafeneja e duhur.” Por më vonë, në ardhjen e tij të fundit nga Tirana, kur s’do të kthehej më për shumë vite, ai e kujton « La Terrace » me nostalgji : “Në “La Terrace”, në një ditë tetori kishte ndodhur ndarja e dy Pariseve (ajo komuniste dhe postkomuniste. L.R.) Kisha vendosur të mos kthehesha më në Shqipëri pa rënë rendi politik. Tek vështroja gazetarin Daniel Shnejdermann të “Le Monde”-it, që po largohej, bashkë me tekstin e intervistës sime lamtumirore, nuk më shkonte mendja se ndarja, nga çdo pikëpamje do të ishte e përkohëshme…”

    Nga itineraret e Kadaresë, një nga vendet apo « stacionet » më me emër ishte Rue Monsieur le Prince, apo « Zoti Princ » siç e shkruan Kadarej,a duke kujtuar disa nga banorët e vjetër të kësaj lagje të kohës iluministe apo të kohës së Revolucionit, të fundit të shekullit XIX me Auguste Comte etj. Rrugë që i përshkonte pothuaj çdo ditë. Më kujtohet një herë që po kaloja në « Rue de l’Odéon » për të shkuar drejt Panteonit me një poete që kishte mbërritur nga Rennes ku jetonte dhe po flisnim për Kadarenë të cilin ajo e adhuronte. Po i afroheshim « Café Rostand » dhe për një çast i thashë: – Ke dëshirë ta shohësh ? – Edhe pyet, – më tha dhe i ndritën sytë. – Shiko aty në cepin e kafenesë, përtej xhamave, ulur pranë tavolinës. Ajo vështroi dhe hapi sytë nga habia. – E pamundur ? Kadareja ? – Po, – iu përgjegja. – Vështrova orën dhe i thashë. – Për gjysmë ore besoj se do ngrihet. – A mund ta takojmë ? – Mjerisht do duhet që ta lemë shkrimtarin të qetë. Ai po shkruan. Si mund ta ndërpresim frymëzimin e tij?” Ajo e kuptoi dhe ne vazhduam më tej.  Një herë, në një tavolinë tjetër në “Café Rostand”, jo ajo që ishte tryeza e tij e shkrimit e dëgjoja me interes tek bisedonte me një producente braziliane, një brune rreth të dyzatave,për realizimin e një filmi tjetër mbi romanin “Prilli i thyer”. Atë film do ta shikoja vite më vonë në televizion, një film interes në frymën e realizmit magjik siç i pëlqejnë latino-amerikanët.

    Një herë tjetër po aty, duke ecur në bulevardin Saint-Michel me fabulistin e njohur Ferit Lamaj që kishte shkruar disa fabula mjaft të bukura lidhur me krijimtarinë e Kadaresë, unë ndalova pranë një kioske gazetash e revistash. Pastaj duke i treguar numrin 63 dhe duke vështruar dritaret sipër, i thashë Feritit. – E shikon këtë portë? – Po, – tha i habitur nga pyetja ime e çuditshme. – Këtu jetonte Kadareja. Ai u hutua një çast, qeshi dhe vështroi nga porta e pastaj nga dritaret. Me siguri imagjinonte shkrimtarin. Kështu i kisha treguar dikur mikut tim të vjetër Spartak Papadhimitri shtëpinë ku kishte jetuar në vitet ‘20-‘30 Heminguei, një ditë kur po ngjiteshim nëpër kalldrëmet historike të “Rue Moufftard” ku më parë Kadareja ndalonte në një restorant të thjeshtë, tek miku i Omer Kaleshit që quhej Claude dhe që ishte lokali i preferuar dhe i përditshëm i Omer Kaleshit. Të tjerëve u tregoja shtëpitë ku kishin jetuar Xhois, hotelin ku kishte vdekur në mjerim Oscar Wildea po shtëpinë e Hugoit në “Place Vosges” apo të Mopasanit, e cila ishte kthyer në residencën e ambasadorit turk pranë “Radio France”, shtëpinë e Balzaku, buzë Senës, ku ai u fshihej huadhënësve që i kërkonin borxhet dhe ku romancieri i madh vdiq), atë të shkrimtares Marguerite Duras ngjitur me “Café Flore”, në “Rue Benoit” apo të Romain Gary në “Rue du Bac”… Shtëpi, shumë shtëpi, pllaka, data të shkruara nëpër mure, sipër portave. Mjerisht, pikërisht pas portës, një ditë Gary kishte vrarë veten një fillim dhjetori të vitit 1980. Shtëpi të trishta, shtëpi të gëzuara…

    Padyshim “Rue Monsieur le Prince”, ka qenë rruga më e rrahur nga këmbësori Kadare Ishte koha kur në vitin 1996 u vendos në bulevardin simpatik Saint-Michel që të çonte drejt Panteonit dhe kopshteve të Luksemburgut për të cilat në kohën e adoleshencës kishim lexuar tek “Të mjerët” e Viktor Hygoit.

    Kur u vendos në bulevardin Saint-Michel pas botimeve të shumta në “Fayard” dhe në mirëkuptim me mikun e tij Claude Durand, një ditë këmbët e çuan Kadarenë në zyrat e botimeve “Jose Corti” ku u njoh me botuesin i cili botoi një vepër të tij. Pas tij, po në atë lagje, një ditë u kryqëzua me botuesen e “Odile Jacob” ku përsëri dhe ajo do të botonte një vepër të re të shkrimtarit shqiptar. Por dhe krah botimeve “Flamarion” dy hapa nga “Café Rostand” në « Place de Odeon », ai do të botonte librin “Kushëriri i engjëjve” pas takimit me Angjelin Prelocaj. Ismaili kishte dëgjuar për koreografin e talentuar dhe bashkë me Izet Currin organizuam takimin e shkrimtarit me koreografin, të cilin atë kohë e njihja familjarisht. Prindërit e tij jetonnin në periferinë parisiane ndërsa Prelocaj me familjen e tij jo larg Bastille-s së Revolucionit Francez, në boulevard “Richard Lenoir” Kështu bashkë me Ismailin shkuam në kafenenë “Café Bastille” në sheshin historik të Bastille-s me obeliskun e mrekullueshëm dhe ”gjeniun” në majë të tij që shndriste nga dielli, i larë në ar. Mes Ismailit dhe Prelocaj, i cili e njihte mirë veprën romaneske të Kadaresë nisi një bisedë pasionante edhe pse Prelocaj shumë pak e fliste shqipen në atë kohë. Ishte tregimi i tij për ikjen nga kufiri shqiptar kur nëna ishte shtatzënë me të. “Angjelin Prelocaj, – do të shkruante Ismaili në “Mëngjeset në Kafe Rostand”, – m’i tregoi (historinë e familjes L.R.) me një frëngjishte tepër elegante…  Angjelini tha se, ndonëse mjeshtëria e shkrimtarit dhe e koreografit dukeshin aq të largëta, në thelb… Flisnim të dy aq ngatërrueshëm, sa, po të na dëgjonte njeri, do të kujtonte se i ishim kthyer gjuhës shqipe. Më dukej se kisha gjetur bërthamën e librit tim për të.”… Dhe jo shumë vonë, “Flamarion” botoi librin e mrekullueshëm “Kushëriri i engjëjve”.

    Odeoni ishte padyshim zona e tij e preferuar. Në mesin e viteve ’20 të shekullit XX aty kishte dhënë disa herë shfaqje Aleksandër Moisiu, për çka ka shkruar shumë shtypi i asaj kohe. Ismailit i pëlqente që rrugët e ngushta kishin emra dramaturgësh, pllaka përkujtimore me datat e lindjes dhe të vdekjes së tyre. “Të gjitha të vitit 1600. Afërsisht të kohës së Shekspirit…”

    Ndërkohë që shkruaj të tjera imazhe më shfaqen, siç ishte dhe shtëpia e poetes franceze Claudine Helf një mikeshë e afërt e amerikanes së mrekullueshme Norma Bosquet (gruaja e Alain Bosquet) e cila organizonte në apartamentin e saj në Rue de la Fesanderie çdo muaj një takim letrar me shkrimtarë dhe poetë të shquar francezë. Dhe kjo në vazhdën e tradicionit francez ku gjithnjë shkrimtarë, siç kishte qenë Mallarmé apo Flaubert në fundin e shekullit XIX që organizonin çdo javë takimet letrare në apartamentet e tyre. Krahas Kadaresë dhe Helenës takoja atje dhe Luan Starovën me gruan e tij. Jo pak shqiptarë në tryzën dhe banketet letrare parisiane.

    E megjithatë, “Café Rostand” u kthye në vendin e ritualittë shenjtë, atë të Shkrimit, meditimit, vështrimit të shoqërisë njerëzore dhe të botës. Një kafe përpara, një letër, një stilolaps dhe shkrimtari humbte në botra të tjera, të ngjashme me atë që pulsonte para syve të tij. “Ideja për të shkruar diçka për “Kafe Rostand” më kishte ardhur aq natyrshëm, saqë s’e mbaja mend as kohën, as rrethanat. Ishte një ndjesi midis pendimit dhe mirënjohjes, e ngjashme me atë të shoqes së jetës, që, duke qenë pranë teje në gjithçka, nuk e ka pasur, ose ty të duket se nuk e ka pasur vëmendjen e duhur. Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe e po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kafenenë…” Në itineraret parisiane të Kadaresë nuk mund të harrosh as restorantin e famshëm “Fouquet’s”, atë të aktorëve të teatrit dhe kinematografisë franceze e botërore ku mblidhej me Piccoli, Mastroiani, Carrere… Disa herë i ftuar në “Fouquet’s” të Champs Elyséee në takimet e Kadaresë me Ekrem Bardhën që vinte nga Amerika të takohej me të, shikoja me kënaqësi të veçantë Kadarenë pasionin e tij për verërat e njohura, që për francezët vera është një institucion më vete. Ishte ai që e zgjidhte gjithnjë verën, ai që e shijonte dhe jepte pëlqimin për verëra të njohura si “Margaux”, “Chateauneuf du Pape”, “Saint-Julien”, etj. Shikoja Kadarenë se si e mbante verën në gojë, e rrotullonte që qiellza të kapte tërë shijet e tokës dhe të diellit. Këtë kulturë të verërave besoj se Kadareja nuk e kishte kur erdhi në Francë. Ajo u përftua në darkat e zgjedhura të francezëve, me poltitikanë, shkrimtarë, artistë të shquar etj. Për të pak rëndësi kishte e ngrëna. Rëndësi kishte vera, si një mbretëreshë që zotëronte tryezën dhe shpirtin. Mbaj mend disa darka kur na ftonte ish ministri Jacques Augard dhe gruaja e tij një bjonde e bukur, kur një martinikase që shërbente sillte verën, tregonte etiketën e verës, ku ne shikonin ngjyrën e saj. Shërbimi i verës ishte një ritual më vete. Kadareja e provonte i pari, pasi hidhej në një kanë vere. Më pas fillonte biseda për verën, (për çka më vonë do të botoja një libër për verërat franceze), pasi vera kishte gjuhën e saj, fjalorin e vet, aty flitej për “velurin e verës” (il a du velours), për aromë sileksi, mjalti, lule shtrydheje, për verën që kishte trupin e bukur të një gruaje (“il a  du corps) etj.

    Një tjetër restorant i parapëlqyer i Kadaresë ishte “Closerie de Lilas”, në fund të bulevardit “Montparnasse”, një ndërtesë që kishte ruajtur hiret e fillimit të shekullit pasi aty bëheshin mbrëmjet kur shpallej poeti me i mirë i Francës, i cili konsiderohej “Princi i Poezisë”. Pikërisht aty, (ku ishte ftuar disa herë gjatë viteve ‘80) por nga mesi i viteve ’90, atje ai do të nderohej me “Çmimi i Mesdheut” e padyshim vera do të ishte e klasit të parë, aty në ato tavolina që mbanin pllaka të vogla bronxi me emra shkrimtarësh e arttistësh ku për çudi ndodhej dhe emri i atij që quhej … Lenin!

    Si mos të kujtoj gjithashtu praninë e  Kadaresë në koncertet e artistëve shqiptarë, siç ishte premiera e një opere (dhe jo vetëm) me Inva Mulën në Opera Garnier, apo të Tedi Papavramit në sallën “Gavaux” etj. Shumë artistë që kanë prezantuar veprat e tyre në Paris, kanë dashur ta kenë praninë e Kadaresë në sallë, siç ishin dhe premierat e koreografitë të mrekullueshme të Angjelin Prelocaj (“Dasma” apo “Romeo dhe Zhulieta”, etj) apo të aktorit të njohur Rexhep Mitrovica (“Hamlet”, “Ditari i Nizhinskit”) në “Teatrin e Opera Bastille” apo “Comedie Française”. Një epokë më vete ishte koha e Konferencës së Rambouillet me delegacionin e Kosovës, letrat e Kadaresë që duhej ti përcillja Rexhep Qoses apo anasjelltas, kohë kur shoqëroja një mbrëmje prijësin e UCK-së Hashim Thaçi dhe Ram Buja për në shtëpinë e Kadaresë në bulevardin Saint Michel, një mbrëmje ku na priste atje Bukurie Gjonbalaj dhe  kur lufta vazhdonte e ashpër në malet e Kosovës kundër forcave serbe.

    Këto shënime janë shumë të pakta dhe të pamjaftueshme për të ndërtuar itinerarin parisian të Kadaresë, (ja pse dhe Helena e quajti librin e saj me kujtime « Kohë e pamjaftueshme » pasi është e vështirë ta rrokësh jetën e një shkrimtari të shquar të një epoke në disa shkrime, qoftë dhe me një libër). E megjithatë shumë miq të Kadaresë që e kanë takuar dhe jetuar pranë tij në Paris këto 35 vjetët e fundit (mes tyre dhe ambasadorët Dritan Tola apo Ylljet Aliçka, e padyshim shumë miq artistë e shkrimtarë që vinin nga Tirana) kanë shumë ç’të tregojnë, çka do mund të krijojë afreskun e vërtetë të jetës së një shkrimtari të lidhur aq ngushtë pas krijimit të tij, letërsisë, me atë ritual të përditshëm siç mund të ishte lutja e një murgu mesjetar në « scriptoria »-t e manastireve. E atëherë do ta kuptojmë më mirë shkrimtarin, pa u kapur në vogëlsirat por duke e parë atë si një përfaqësues të shpirtit krijues kombëtar. Së fundi, nëse do të përcaktoja një gjeografi itineraresh të Kadaresë në Paris do mund të shkruaja : “Rue de la Pompe”, ku ishte dikur dhe ambasada shqiptare në Paris, “Hotel Duplex”, “Hotel Derby”, apartamenti në Boulogne, apartamenti në “Rue Olier” apartamenti në “Rue Violet” Parisi 15, apartamenti në 63 bd. Saint-Michel, « Café Rostand », (ku u shkrua një pjesë e rëndësishme e veprave të tij si “Lule të ftohta të prillit”, “Aksidenti”, “Zëvendësi”, “Një darkë më shumë”, etj) « Café Les Deux Magots » (“Dy magjistarët”, i cili prej vitesh jepte një çmim letrar për shkrimtarin më të mirë dhe aty nga mesi i viteve ’90 asistova në çmimin që iu dha Kadaresë, siç i ishte dhënë më parë dhe çmimi letrar “Cino del Luca” po në Paris); apo dhe « Café Flore » në Saint-Germain des Près (aq të preferuar nga Heminguei, Sartre, Simone de Beauvoir etj), ambasada shqiptare në “Avenue Marceau” pranë “Harkut të Triumfit”, “Rue Monsieur le Prince”, botimet « Fayard » në “Rue des Saints Père”, “Café Luxembourg” ( vend-takimi i shqiptarëve ruajalistë të viteve ‘40-’70), “Kopshtet e Luxembourgut”, zyrat e botuesit të « Jose Corti », botimet « Flamarion », restoranti « Fouquets » në Champs Elysées, restoranti « Closerie des Lilas » etj, etj që s’kanë të mbaruar, si stacione jete të një shkrimtari të shquar. E vështirë ti rrokësh të gjitha pasi gjurmët e tij janë ngado në këtë Paris të lashtë dhe me aq shumë histori e jetë shkrimtarësh që dikur ishte epiqendra botërore e kulturës. Në këtë itinerar kam fotografuar jo pak imazhe që së bashku përbëjnë atë çka mund të quanim Parisin e Kadaresë. Madje dhe “Café de Luxembourg” kur një ditë shoqëroja Kadarenë dhe Helenën në takimin e tyre me Flora Brovinën që vinte nga Kosova dhe që Kadareja donte të mësonte shumë se çfarë ndodhte ato kohë në Kosovë. Brenda një shkrimi është e pamundur të shkruash për ngjarje dhe vende të lidhura ngushtë me Kadarenë, të shkruash për ceremonitë zyrtare, takimet me Jusuf Vrionin dhe ceremoninë e tij për Legjionin e Nderit në parlamentin francez, vdekjen e mikut të tij Alain Bosquet dhe përcjelljen e tij në varrezat e Montmartre-s (ku hidhnim mbi arkivolin e tij fletë të poezive të librit të tij më të fundit), takimet me shqiptarët, për Parisin e Pestë apo të Gjashtë siç shkruante ai dhe padyshim për Parisin e Letrave, atë të Shkrimit, aq të çmuar dhe jetike për të. Kujtimet duken pambarim siç mund të shkruaja gjatë kur më kërkoi ta shoqëroja në atelierin e piktorit Omer Kaleshi, të cilin nuk e kishte vizituar më parë dhe ku lindi ideja e librit të ardhsëm “Arti si mëkat”, shkruar për të. Ishte interesante ta shihje habinë e tij me atë atelier-apartament, me rroba karakteristike të varura si për të dëshmuar origjinën e tij shqiptare, aty mes atyre tablove dhe kokave të pikturuara të historisë ballkanike. Për disa çaste të gjata ai vështronte pa folur atë seri kokash ballkanike, të shkëputura nga trupi i tyre, por Omeri i paqtë ndërkohë i tha: “Në fillimet e mia si piktor, pikturoja portrete por ati im, hoxhë, më qortonte: Mos pikturo fytyra pasi është mëkat ndaj Zotit”. Por Omeri nuk do ta dëgjonte atin e tij dhe Kadareja do të hskruante një ese mjaft të bukur për kokat e tij dhe luftrat ballkanike.  Po kështu si mund të harroj vizitat e përbashkëta në Vesdun, në Rennes në një ngjarje të rëndësishme kulturore e shumë të tjera duke kujtuar këtë çast restorantin e bukur “Treni Blu” në stacionin e trenave që shkonin për në jug, “Gare de Lyon”. Por e rëndësishme është të shënohen “stacionet” më të rëndësishme për të kuptuar Kadarenë. Në të ardhmen, admirues të letërsisë së Kadaresë, njerëz që e kanë njohur vitet e fundit në Shqipëri do të kenë kështu mundësinë ti shkelin këto itinerare për të përjetuar jetën e shkrimtarit të madh.

    Ky itinerar do të jetë gjithashtu interesant dhe për brezat e rinj të shqiptarëve, të letrarëve të rinj që do të vijnë në Paris për të përjetuar jetën dhe veprat e shkrimtarit, një udhëzues për vendet ku ka shkelur dhe ka jetuar, rrugët që ka përshkuar, për të fiksuar si të thuash ekzistencën e tij të përherëshme dhe kujtesën e një letrari që shënoi shekullin e vet, e një bardi që i këndoi Shqipërisë së lashtë dhe asaj moderne. Kështu ata do ta përfytyrojnë këtë gjeni të letrave që vazhdon bredhjet e tij në botën parisiane. Helena Kadare është padyshim kronistja  më e mirë dhe e pagabueshme e Ismail Kadaresë duke na sjellë gjithashtu dhe informacionin e ardhjeve të Kadaresë në Paris në vitet ’70 (duke filluar nga 1971), takimet me ambasadorët shqiptarë Javer Malo, Dhimitër Lamani apo Misto Treska, mbi letrat që i dërgone asaj Kdareja nga “Hotel Derby” janë padyshim letra sa personale aq dhe politike e filozofike, që së bashku përbëjnë atë që mund ta quajmëitinerare kadareane në Paris. Është e habitshme që ndërkohë që eci nëpër « Rue Monsieur le Prince » (ku në vitet 30 banonin studentët shqiptarë) në mënyrë instinktive më shfaqet figura e Kadaresë. Është një figurë që do të endet për një kohë shumë të gjatë nëpër rrugët e sheshet e Parisit, duke u shfaqur në vendet ku ka jetuar, shkruar dhe dashuruar, ku i trishtë dhe i zemëruar ndonjëherë e ka braktisur atë vend për të ardhur sërish të nesërmen…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË