More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLuan M. Rama: Me Ilirian Zhupën, sa shumë jetë midis…

    Luan M. Rama: Me Ilirian Zhupën, sa shumë jetë midis…

    Sa herë më ndodh që të jem në shoqëri me shkrimtarë apo artistë, koha nuk është më kohë. Më ngjan se bëhet erë e ikën vrikthi. Ose bëhet lumë. Lumë që rrëmbyshëm na merr mes zhaurimës së vet tëposhtë e na shpie në detin e paanë. Në detin ku dallgët e mallit na kalamendin e tallazojnë sipas trilleve të tyre.

    Edhe me Ilirian Zhupën kështu më ngjau. Nuk mund të ndodhte ndryshe.

    Kishim kohë pa u parë. Shumë kohë. Dhe u desh të flisnim për shumë ngjarje, për njerëz tanët e miq të përbashkët. Edhe për ata që kanë shkuar.

    Iliriani shërben në Bari.

    Është diplomat në Konsullatën e Shqipërisë në bregun më të afërm të vendit fqinj. Matanë detit.

    Janë bërë shumë vite që prej kur poeti shërben në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nuk e teproj asfare të them se është punëtor i mirë i diplomacisë në shërbim të vendit të vet. I tillë ka qenë gjithkund ku ka punuar. Për të është çështje edukate, çështje principi. Është edhe çështje trashëgimie.

    Edhe Faik Konica ka qenë diplomat. Si ai edhe të tjerë më pas. Emra të ndryshëm, në kohë të ndryshme.

    Vetëm marrëdhënia e poetit me mëmëdheun nuk ndryshon. Sepse nuk ndryshon as dashuria e poetit për mëmëdheun.

    Poeti i madh helen, nobelisti Jorgos Seferis ka shërbyer si konsull i vendit të vet në Korçën tonë në vitet 1936-1937. Në kujtim dhe në nderim të tij, para do kohe u restaurua dhe u përurua ajo ndërtesë e bukur.

    U vendos edhe busti i poetit konsull e diplomat. U bë shumë mirë. Sepse është një shenjë. Shenjë miqësie, shenjë kulture. Edhe respekti e nderimi.

    Poeti ynë Ilirjan Zhupa ka qenë gjithashtu konsull i Shqipërisë në Janinë. Edhe në Selanik.

    Poetët, shkrimtarët, artistët janë ambasodorët më të mirë të vendit të tyre nëpër botë. Kështu thonë shpesh ata që drejtojnë. Por, kur duhet të vendosin, “harrojnë”.

    Jo shumë larg nga Korça, në Konicën matanë kufirit, shpirti i Faik Beut endet rrënojave të braktisura të shtëpisë së vet.

    Mbase pret që dikush nga ata që mburren se lexojnë çfarë ai ka shkruar në gjuhën e nënës dhe të babës, të mund të kujtohet e të vërë dorë. Nuk do të ishte keq të ringrihet mbi ato rrënoja edhe shtëpia e publicistit, shkrimtarit, botuesit dhe ambasadorit të Shqipërisë në SHBA. Shumë mirë do të qe që edhe një bust i tij të vendoset me vështrimin nga atdheu në oborrin e shtëpisë. Le të jenë shtëpia dhe busti aty në dheun e të parëve të vet një shenjë. Shenjë kujtese e nderimi.

    “MOS MË PYET KU KAM QENË”

    Ndërsa ecja përgjatë unazës së vjetër të Tiranës për të mbërritur në vendtakimin me Ilirianin Zhupën, më erdhi në mend “Mos më pyet ku kam qenë”.

    Është libri i poezive të tij.

    Më i miri. Dhe më përfaqësuesi. Aty poeti është në çdo fjalë e në çdo varg Iliriani i përjetimeve vullkanore. Sepse, edhe jeta ndanë vullkanesh e ka çuar e përplasur jo pak. Në një farë mënyre ka ecur mbi zjarre.

    Qysh në moshën e hershme, kur botoi poezitë e para, bëhen pesëdhjetë vjet. “Kohë në të cilën e kam jetuar gjer në thelb edhe fjalën, edhe heshtjen, duke paguar e shpërblyer me tepri edhe për njërën, edhe për tjetrën”, thotë poeti.

    Pa atë rrugëtim nuk do të ishte Iliriani që është. Nuk do të ishte as poeti që është. Edhe miku që është nuk do të ishte.

    Kur më shkroi se ka ardhur në Tiranë e më lajmëroi të takohemi, u ndjeva mirë. U gëzova shumë. U gëzova për të. Ndjeva se Iliriani është mirë.

    Ka kaluar kohë të vështira. I është dashur të luftojë gjatë me sëmundjet. Nuk iu ndanë. Sa dëbonte njërën, i avitej tjetra.

    Ndaj, lajmi për t’u takuar, më shumë se sa kënaqësinë e ftesës për t’u parë sy më sy, më la të kuptoja se është shumë mirë edhe me shëndet. Kisha të drejtë.

    U poqëm vllaznisht. Kështu më pëlqen ta shkruaj këtë fjalë. Më ngjan se thotë më shumë. E thotë edhe më ngrohtë, edhe më ëmbël se sa trajta e normës “vëllazërisht” përmbajtjen e vet. Në “vllaznisht”, sikur ka më shumë dashuri të vërtetë e më shumë njerzëri.

    U përqafëm me mall. Përlotshëm, por dhe gazmendshëm.

    “Mos më pyet ku kam qenë” me sa duket më erdh si paralajmërim. Ilirjani nuk pëlqen të flasë për të shkuarën. Atë e ka lënë në libra. Ndaj edhe unë nuk e pyeta. Nuk qe hiç nevoja. E qeshura në portretin e tij dhe mirësia më thanë gjithçka.

    U ulëm në një nga lokalet e shumtë në rrugën e ambasadave. Dikush mund të thotë, epo me një diplomat, ku tjetër më mirë se në rrugën e ambasadave mund ta pinit kafenë?

    Nuk qe kjo arsyeja. Qe zgjedhje e rastësishme. Dhe qëlluam me fat. Në kafenë ku u ulëm, gjetëm Koço Kostën. Shkrimtarin e kohës pakohë. Sepse edhe kur koha kishte “kohë”, Koço nuk ishte brenda saj. Ai gjithmonë ka patur kohën e vet. Si mendjen e vet. Ndaj Koço Kosta është gjithmonë i njejti. Ai ka kaluar nëpër kohë, por koha nuk ka kaluar nëpër Koçon. Sfidant i përjetshëm. Kalorës i ëndërt i një letërsie ndryshe, qe me “Natën e Sofie Kondilit” na diellëzon një botë krejt tjetër, për të na marrë nga “Mëhalla e Pelës”, e për të na shpënë në yllësinë e vet të paanë. Atje është mbretëria e tij.

    Pasi zumë vend në një kthinë të lokalit, me të ardhur kafeja, Iliriani më ngushëllon për babanë.

    Nuk mundi të vinte atëkohë. Patëm folë gjatë në telefon. Por kafenë nuk e kishim pirë.

    Siç e prisja, më pyet për Mersinin.

    Kur bëheshin bashkë harroheshin me njëri-tjetrin. Im atë e donte. Dhe e respektonte shumë. Kënaqej kur bisedonin.

    Edhe Iliriani po aq.

    Sa qe gjallë babai e Iliriani larg, flisnin në telefon e pëmes kameras, e shihnin njëri-tjetrin. Përshëndeteshin.

    Tani kanë mbetur kujtimet.

    Për të mos e shtyrë më tej muhabetin në emocionet e shpjegueshme në kësi rastesh, e pyes për Valin, zonjën e tij, për djemtë, Lisin dhe Kristin.

    Unë i mbaj mend që kur lindën. Ata tani janë bërë burra. Jetojnë e punojnë në Europë.

    Edhe Ilirjani më pyet për të mitë. Fillimisht për mamanë, pastaj për gjithë të tjerët.

    Më shumë do të dijë për Tean.

    Bashkë jemi shokë që prej vitit 1987. Njohjen na e pat mundësuar Preç Zogaj.

    Punonin bashkë në gazetën “Zëri i Rinisë”.

    Unë isha student në Shkodër. Iliriani ka qenë para meje. Në të njejtën degë. Kemi patur të njejtët pedagogë.

    Me kohë u bëmë miq. Na miqësoi gazeta, dashuria për poezinë, ëndërra ime për t’u bërë gazetar. Edhe me Mero Bazen, Faruk Myrtajn “Zëri i Rinisë” na miqësoi. Edhe “Vullnetari”. Ishte gazetë që “Zëri i Rinisë” e botonte enkas për vullnetarët që ndërtonin hekurudhën Milot – Rrëshen – Klos. Nuk përtonim të shkonim. Rendnim gjithë pasion, pa pyetur për vapën e korrikut dhe të gushtit. Merrnim edhe honorare. Nuk ishin pak për atë kohë. Por ne na gëzonte më shumë emri poshtë shkrimeve që mbushnin faqet e “Vullnetarit”.

    Iliriani dhe Preçi qenë “porta” ku hynim pa trokitur.

    Prej Ilirianit pastaj njoha Xhevon. Kështu e thërrasin miqtë e aferm poetin Xhevahir Spahiun. Dhe prej Xhevos, njoha Petro Markon.

    Sa me fat e quaj veten që e kam parë nga afër, që i kam dhënë dorën dhe jam ulur pranë Petro Markos në Klubin e Gazetarëve. Mua më ngjante sikur takoja Heminguejin. Kanë qenë miq. Petro Marko është Hemingueji ynë.

    Më vonë, miqësia me Ilirianin u bë edhe më e ngushtë.

    U bë miqësi e shtëpisë. Vëllai i Ilirianit u martuar me motrën time. Në mes është nipi, mbesa. Janë edhe fëmijët e tyre. Kështu miqësitë jo vetëm forcohen, por edhe trashëgohen.

    “TË GJITHË ECIN NË UDHË TË VET…”

    Kështu shkruan Ilirjan Zhupa në një varg të poezisë “Miqtë e mi shkojnë në udhë të vet”. Dhe pasi iu kushton nga një varg disa prej më të afërmve prej tyre emër për emër, e mbyll poezinë me vargjet:

    “Të gjithë ecin në udhë të vet, duke më harruar mua.

    Pikërisht se e dinë që nuk mund t’i harroj,

    Pikërisht se e dinë që ende s’kam vdekur”.

    Edhe Ilirian Zhupa ecën në udhë të vet. Udha e tij është udha e njeriut. Forca e tij është dashuria për njeriun. Ëndërra e tij është të “udhëtojmë në qiellin prej fjalësh”. Sepse “tema më e vjetër e ekzistencës do të jetë gjithmonë e re dhe e pazbuluar, sa kohë të fillojë dhe të mbarojë çdo qënie njerëzore. Ajo do të jetë një dëshmi prej fjalësh, jo prej sendesh”.

    Për Ilirian Zhupën fjala është dëshmi. Është shenjë. E dëshmia është edhe amanet.

    Kulti i fjalës është i vetmi kult të cilit i falet poeti. Ai e shenjtëron atë. Ndaj na thotë “shihini dhe prekini fjalët… sepse ajo e mban gjallë shpirtin tonë edhe kur nuk jemi”.

    I them që kam qenë në Çorraj, si për ta shtyrë bisedën tutje në Kurveleshin e Labërisë.

    Iliriani ka shkruar një poezi shumë të bukur për Çorrajt, fshatin që poeti e quan “rrënjët e mia”. Poezia është ëndërra e tij për fshatin; naimiane, e bukur, e ndjerë deri në asht. Siç janë të gjitha ëndërrat e poetëve. Siç janë të bukura dhe të pafajshme edhe ëndërrat e fëmijëve.

    Në Çorraj prej kohësh s’kam qenë”, është titulli i poezisë.

    “Kam ikur prej kohësh nga Çorraj dhe kam frikë të vij…”, thotë poeti. E mandej vazhdon:

    “Në rrëpirat e tua kam shtuar ca lëndina të vogla,

    Plakave u kam lidhur nga një shami të re te kryet,

    Shtëpitë e murrme t’i kam lyer me gëlqere të bardhë,

    Fëmijëve motakë u kam treguar një përrallë.

    U kam thënë djemve një sekret dashurie,

    U kam dhënë një shteg nate për përqafimet dhe puthjet,

    U kam shtuar ujërat burimeve dhe pemëve frutat.

    Vajzave u kam mësuar ca çapkënllëqe ngacmuese,

    Për t’u bërë më shpejt të dashura dhe nuse.

    U kam thënë pleqve ca fjalë të rralla,

    Të harrojnë reumatizmin dhe therjen e eshtrave,

    Të heqin dorë prej pleqërisë dhe ankesave.

    Dhe pastaj pragjeve, dhe pastaj avllive, përrenjve, gurëve,

    Shpendëve dhe qiejve…

    Dhe përsëri s’kam ardhur edhe pse të shtova kaq gjëra

    Nga frika mos je më i bukur se ëndrra”.

    Babai i Ilirianit, Odisea, u lind në Çorraj. Unë e kam njohur. Dhe e mbaj mend mirë atë njeri fjalëmirë e zëbutë. E kam në sy. Kujtimi për të qe një prej arsyeve pse shkova në Çorraj.

    Nuk më ka qëlluar qoftë edhe në një rast të vetëm të shkoj në Tepelenë e në gjithë fshatrat e asaj krahine apo të takoj tepelenase, kudo ku më është dashur të shkoj me punë, që të kem përmendur emrin e mësuesit Odise Zhupa, e të mos kem gjetur nderimin më të lartë për atë burrë, që mirësinë e rrezëllente në gjithë qenien e tij me një fisnikëri dhe kulturë, të cilën thjeshtësia e bënte monumentale, imponuese. Heshtja e tij mbartëte një solemnitet të veçantë. Sikur vinte nga legjendat. Mbase në atë heshtje që në fakt është ai “qielli prej fjalësh” është mbrujtur e blatuar shpirti poetik i Ilirian Zhupës.

    Çorraj është fshat i bukur. Lartësia në malin mbi det e bën edhe më të bukur. Kundruall në shpatin përballë është Fterra. Edhe ai një fshat i përmendur i asaj krahine. Fshat me emër dhe me histori.

    Edhe pse çorrjotët kanë ikur dhe pas kanë lënë vetëm drynët mbi portat e dashurisë dhe dhimbjes së tyre si amanetin e mallit dhe si gjurmën ku një ditë do të kthehen, prapë Çorraj është më i bukur se ëndërra e poetit.

    Lapidari i Maro Kondit dhe i dëshmorëve të tjerë të fshatit, emërtimet e rrugëve si në qytet (përshembull “Rruga Gjihile”, “Rruga e Qafës” etj), ku nuk kalojnë më njerëz si më parë, janë shenjë.

    Shenja mbetet. Shenja është amanet. Shenjë dhe amanet është edhe pllaka që përkujton pesë niviciotët dëshmorë të atdheut, të pushkatuar nga gjermanët në Çorraj më 19 qershor 1944.

    Si e ka thënë poeti? “Dëshmi prej fjalësh. Jo prej sendesh”.

    Edhe fjala është shenjë. Edhe fjala është amanet.

    Koha iku si erë. Përhumbur kujtimesh, historish, njerëzish të gjallë e të vdekur, po na zinte mesnata. Kamarierët që po linin punën na kujtuan se kishte ardhur koha të ndaheshim.

    -Por këtë herë, për pak kohë, tha Iliriani. Sepse shpejt do të kthehem. Dhe do të shkojmë në Çorraj. Do të shkojmë edhe në Valin e Martaneshit tënd.

    Shenjat na thërrasin. Dhe kemi shumë për çfarë të flasim. Kemi ende shumë ç’të tregojmë.

    Është gjithë ai qiell prej fjalësh nëpër të cilin duhet të udhëtojmë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË