I nderuar profesor Anton Nikë Berisha,
Të dashur vëllezër kosovar, nga Forumi i Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” Klinë, pjesëmarrës në këtë aktivitet;
Të nderuar anëtarë e drejtues të Klubit të Letrave “Ndoc Gjetja” dhe drejtues të bibliotekës “Gjergj Fishta” Lezhë, organizator të këtij takimi të bukur;
Pjesëmarrës të nderuar, intelektual, studiues e shkrimtar
Në se shfleton fletët e wikipedia-s, një enciklopedi kjo on-line, apo lexon të dhënat e shumta mbi krijimtarinë e profesor Anton Nikë Berishës, menjëherë do të gjendesh në dilemën e madhe:
– A kam çfarë them unë më shumë se kaq?!
Një dileme të tillë nuk mund t’i shpëtoja as unë! Bile, duke mos qenë as specialist i mirëfilltë i fushës, nuk u gjenda thjesht përballë kësaj dileme, por përballë një stepje të natyrshme. Ma rekomandoi shkrimtarin dhe studiuesin e njohur, ndër më të njohurit e letërsisë bashkëkohore shqiptare, shkrimtari i ndjerë Hasan Hasani-Përkola disa vite më parë, i cili më dhuroi edhe disa nga librat e tij, kryesisht ata kushtuar figurës së Shën Terezës, ku profesor Antoni është, besoj, biografi më i madh i saj, të cilët i lexova me kureshtje të madhe. Rrëshqita fletë pas flete e libër pas libri, pa e ndjerë distancën e madhe me shkrimtarin, e kjo falë thjeshtësisë së tij në të shkruar, gjuhës së pastër shqipe, fjalëve të rralla e të bukura që i përdor kurdoherë me vend në mënyrë që të marrin peshën e tyre reale, fjalive të artikuluara bukur, shqip e kuptueshëm dhe, “u bëra më trim”, duke i dhënë të drejtën vetes të lexoja e të gjykoja, (aq sa mundesha!) edhe më tej rreth letrave të bollshme e të shumë fushave që profesor Antoni ka vënë në dispozicion të lexuesve shqiptarë dhe më gjerë. Them nga se shumë nga veprat e tij janë përkthyer tashmë në gjuhë të huaja e për to kanë shkruar plot personalitete jo shqiptare, gjë që përbën një kontribut të veçantë të tij në fushën e njohjes së letërsisë e kritikës shqiptare edhe nga të huajt. Më tej pata fatin ta njoh e të rri personalisht me të nga afër, të bisedoj thjeshtë, të më jap me dorën e dorëshkrimin e tij disa libra, të cilat i lexova me ëndje e pasuruan bibliotekën time modeste. Për ndonjë prej tyre, si romanet “Frymëmarrje nate” apo “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” edhe bëra ndonjë punim modest, të cilat i botova në librin tim “Këndvështrime”.
Sa më shumë e njihja profesor Antonin përmes bisedave me të apo përmes leximeve të shumta, aq më shumë kuptoja se madhështia i ka themelet e qëndrueshme vetëm tek thjeshtësia e se sa më lart të ngjitesh në horizontin e dijeve, aq më shumë ndërgjegjësohesh në “vogëlinë” tënde, gjë që ta shton etjen për të mësuar më tej. E nga librat e Anton Nikë Berishës, në të gjitha zhanret e lëvruara prej tij, ke çfarë mëson. Ai është studiues i njohur letrar, njohësi (besoj unë) më i mirë i letërsisë arbëreshe, mbledhës i llojeve të letërsisë, studiues e krijues i përmasave gjithëshqiptare e më tej, autor tekstesh universitare e ligjërues i njohur brenda e jashtë vendit.
Romanet e tij për të rritur e për fëmijë, transmetojnë bukur traditën shqiptare dhe kanë një origjinalitet që rrallë e gjen; poezia e tij shquhet për mjeshtërinë e përdorimit të fjalës dhe, edhe pse vijnë në formën e përsiatjeve dhe janë kryesisht filozofike poetike, apo poetike filozofike, lexuesi e ndjek fillin e kumtit të tij pa lodhje dhe e merr mesazhin në formën e tij më të bukur e jetësor. Më ka bërë fort përshtypje libri me poezi “Prushi i Bukurisë”, “Sytë e heshtjes”, “Frymësi e fjalës” apo “Hire të vetmisë”, veç të tjerave, edhe për fjalën e bukur shqipe të përdorur mjeshtërisht, shumë prej të cilave janë braktisur nga shkrimtarët bashkëkohorë si shenjë e modernitetit të tyre, disa edhe janë zëvendësuar me fjalë të huaja që vijnë tek lexuesi ftohtë e nuk ngjallin emocion as kureshtje.
VETMIA – VATËR E NGROHTË E PAFUNDËSISË SË VEPRIMIT
(Disa fjalë rreth librit “Hire të vetmisë” (Përsiatje poetike), Argeta LMG, Tiranë 2022)
Siç e transmeton vetë autori që në kopërtinë të këtij libri, krejt qasja e tij në këtë përsiatje poetike, (poetike filozofike do të thosha unë!) është një përkushtim i autorit Anton Nikë Berisha ndaj një gjendje të posaçme të njeriut, ndaj qenësisë së vetmisë, qenësi e cila, siç transmeton bukur autori në vargjet e librit, është një gjendje ku njeriu gjendet shpesh, bile është një gjendje që e bashkëshoqëron atë nga lindja në vdekje, duke u shndërruar, në njëfarë mënyre, motor nxitës që ai, njeriu pra, të kuptojë më mirë veten, botën që e rrethon, të tjerët, të djeshmen, të sotmen e të nesërmen. Jo më kot autori i pagëzon këto gjendje si “hire të vetmisë”, çka nënkupton se ato mund të lindin vetëm në një situatë të tillë vetë reflektimi të brendshëm, vetëm në një gjendje ku njeriu bën dialog me veten për ta njohur më mirë atë dhe se ato i shërbejnë njeriut edhe për të ndriçuar udhët e jetës. Ka aq shumë përcaktime të bukura të kësaj gjendjeje, prej të cilave njeriu mëson se vetmia nuk është një situatë fatale, e përkohshme, që vjen në rrethana të caktuara, shpesh të padëshirueshme, apo në rrethana të ndërgjegjshme meditimi, nuk është një gjendje e rrallë që u përket vetëm disa njerëzve, por një gjendje e përgjithshme dhe e përhershme, bashkëshoqëruese e jetës tonë, prej të cilës reflektohet e nxirren mësime të bukura.
Në ndonjë nga përsiatjet e mia të thjeshta poetike e konsideroj se njeriu nuk është kurrë i vetëm, së paku ai bashkëjeton e bashkëshoqërohet me mendimet e tij, mendime të cilat e bëjnë gjendjen e qenien të paqëndrueshme, e hedhin njeriun në ëndrra e ëndërrime, në besime e mosbesime, në realitete të tjera virtuale që mëtojnë e kthehen në motive për t’u shndërruar në gjendje reale e të prekshme, në situata krejt të tjera nga ajo që shihet. Njeriu bashkëshoqërohet kurdoherë me botën e tij shpirtërore e, parë në këtë kontest, ajo që për dikë tjetër mund të konsiderohet si vetmi e tij, për vetë personin, nuk është e tillë. Dhe kjo ‘bashkëjetesë”, apo “vetmi”, prodhon pikërisht ato që autori i konsideron hire.
Nisur edhe nga një premisë e tillë, e lexova këtë libër me shumë kureshtje! Pra, doja të mësoja se ç’hire mund të prodhojë vetmia, kur vetë personalisht, nuk e pranoj atë si “qenësi” edhe në situatën kur ajo është e dukshme për syrin që sheh nga jashtë. E them me bindje se përsiatja poetike filozofike e profesor Antonit të bindë se vetmia, jo vetëm nuk është një koncept fizik i qenies e gjendjes, por një koncept i thellë i asaj që është bashkëshoqërues i jetës sonë; nuk është një gjendje statike, por një proces i thellë analize, reflektimi e botëkuptimi, i pashmangshëm për këdo, pavarësisht nivelit të tij intelektual, pasuror apo pozitës shoqërore. Ajo që është vetmi, me hiret e saj, e sjellë kaq bukur përmes vargjeve që rimojnë së brendshmi, nga profesor Antoni, është shoqëri, bashkëjetesë, është qenësi e vijimësi, jo vetëm reale, por edhe e domosdoshme dhe e vlertë e njeriut. “Vetmia” e profesor Antonit ka të bëj me individualitetin njerëzor, ku secili prej nesh është i ndryshëm nga tjetri dhe jeton me përjetimet e tij, të cilat jo domosdo duhet të jenë të njëjtat me të tjerëve, të dallueshme prej tyre apo, për më tepër, të pëlqyeshme apo në kontradiktë me të tjerët. Vetmia është pjesë e qenies së secilit, pjesë e thelbit të tij, është bota e tij brendshme, ndjesitë e tij. Ajo është bashkudhëtare e jetës, sa kohë që ekziston mendimi, ai që e dallon atë nga gjithçka që e rrethon dhe e bën një individualitet të mëvetësishëm. Bernard Bertoluçi theksonte se “Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm, ose një shpëtim i mrekullueshëm” dhe pikërisht ky përcaktim ka të bëj me ato që profesori i nderuar, Anton Nikë Berisha, i quan hiret e vetmisë.
Nëse nga qenësi e vetmisë nuk jemi në gjendje të marrim ato që janë hiret e saj, rrezikojmë të biem në dëshpërim e kllapi, por nëse prej saj përfitojmë motive për veprim e ndryshim, kuptimësi mbi jetën si një proces i ndërlikuar vetmie e bashkëpunimi, atëherë vetmia është një shpërblim i mrekullueshëm. Pikërisht kësaj ane i mëshon autori me vargjet e tij, të sjella në libër me mjeshtërinë e poetit e mendimin e thellë të filozofit.
Librit i paraprinë një poezi nga Sharl Bodler, titulluar “Soditje e vetvetes”, e sjellë nga autori, besoj, me qëllim. Me këtë, në heshtjen e vetmisë, ai ka dashur të na zbulojë se të gjitha poezitë e vëllimit, të ndara në 35 pjesë (poezi) dhe emërtuar thjesht me numra 1-35, janë një “soditje e vetvetes”, një pamje e botës “së brendshmi”, pikërisht në qenësinë e vetmisë. Poezia e Sharl Bodler, përfundon me: “Dëgjo i dashuri im, Nata po vjen si nur”, pas një përsiatje mes territ e dritës, kënaqësisë e brengës, mirësisë e mëkatit, ku nuk mungon që kënaqësinë ta portretizojë si “xhelat t’pa m’shirë” etj. Pra, ai kërkon që terrin ta shoh si “nur”, e këtu qëndron bukuria e krijimit poetik të tij, bukuri që autori ynë e shpalos që nga vargu i parë i poezisë së parë deri tek vargu i fundit i asaj të 35-të.
Pra, për profesor Antonin vetmia është një gjendje dinamike që e vë në lëvizje vetë njeriun. Ai e përcakton që në fillim brendësinë tonë si dhuratë “nga mendja e të Tejlartit, Zotynë”, dhe vetë njeriun “të lindur me pafundësinë e kohëve” që “Hyji e veshi me fshehtësi të pafund” e vetminë si “qenësi gërmimi n’brendësi të vetes,”, “brerje e ndërgjegjes përballë dyshimeve”, “shtjellë gjallërike që i tundon rropullitë”, “tis brengash gërryese të vëna në lëvizje”, një “ëndërrim i qetë që gëlon pa u ndalur”, “vrundull ere që lartësohet deri në qiell” për t’u rikthyer brenda vetes, “burim i gjallë në thellësinë e qenies,”.
Nga fillimi në fund, në të 35 poezitë e librit, “vetmia” njerëzore shpaloset herë si “kërkim këmbëngulës i vetvetes”, herë si “shakull që i frynë zjarrit të mëdyshjes”, si “dhembshuri pa fillim e fund”, si “ngulmuese e pa reshtur pas fshehtësisë”, herë si “mbëltuese e së vërtetës shkundulluese”, por gjithnjë si “prehje e përhershme e ngushëllim shpirti”, deri edhe si “[…] bekim hyjnor që e kërkojmë”, apo “vashë lozonjare yllëzuar në vetvete”, si “lumë i jetës që rrjedh pa u ndalur”, apo “kureshtje e gjallë që s’pushon asnjëherë”, “dashuri e peshuar në loçkën e zemrës” e deri “Bredhje lumturake e pambarimtë,”, “[…] rendje e pareshtur kah drita e pasosur” për të përfunduar, sipas meje, në përcaktimin më të kuptimtë të saj kur e portretizon autori si “vatër e ngrohtë e pafundësisë së veprimit-“ (18-faqe 33), gjë që i jep edhe kuptimin më të madh krejt qenies së vetmisë, ngritur prej Tij deri në Hyjni.
A kemi ne nevojë të meditojmë?
Të bashkëbisedojmë më shpesh me veten?
T’i kërkojmë burimin e halleve tona, por edhe të zgjidhjeve, në radhë të parë, brenda vetes?
Libri i profesor Antonit të vë në komunikim me një shumësi çështjesh e pyetjesh.
Si çdo gjë tjetër në këtë jetë, autori nuk nguron ta shikojë qenësinë e vetmisë me dy (ose disa) anët e medaljes. Parë kështu, natyrshëm nuk mungojnë, pra s’kanë si të mungojnë në këto përsiatje edhe përcaktime të tilla si “bukuri e shëmtuar”, “shtrëngatë e zemrës së plagosur” apo “kandërr e shthurur” e strukur në “kopshtin e kënaqësive” e që shërben për të “[…] hapur dyert erërënda të ferrit”. Autori nuk nguron ta quajë atë edhe helm i gjarprit “që i ngushton damarët” e plot të tjera përcaktime të ngjashme, por ruan gjithnjë bukur drejtpeshimin për ta kanalizuar atë në “hiret njerëzore”, kur e vlerëson vetminë:
Fuqi e pafund që vijimisht të ribën
Qoftë kur nëpër lumin e së mirës jeton
Apo kur zhytesh në lymin e së keqes.
Mund të rreshtoja pa fund fjalë, shprehje e përcaktime të bukura që të ngjitin me herën e parë, sepse i tillë është krejt libri, çdo vjershë, çdo strofë, çdo varg e çdo fjalë e tij, një përsiatje e bukur jetësore, poetike filozofike që transmeton kumte e mësime jete, gjë që do të më duhej të citoja me radhë krejt librin, një ndërmarrje kjo e padobishme, por dua të veçoj e cek shkurtimisht përcaktime të tilla reale ndaj saj: “purgatori i shpirtit”, apo si “zhytje në lumin Lete”, “ndjenjësim kur mirëfilli je i vetvetes”, apo “pasuri që nuk shitet, as nuk blihet” që “[…] ndez etjen për shtegtime të reja”, apo “Gur varri që flet me gjuhën e heshtjes”, që vijnë nga autori si mesazhe për lexuesin e si nevojë që ai ta “krijojë” vetë vetminë disa herë, duke mos e parë atë vetëm si diçka që vjen si fatalitet, si braktisje nga të tjerët, por së shumti si nevojë vetë pastrimi e vetë reflektimi për veprim.
E gjithë përsiatja nis me vetminë si dhuratë e Hyjit që na fali mendjen, e cila e ka aftësinë për të ta krijuar këtë gjendje të qenësishme, vazhdon me vetminë si nxitje për veprim, për të ecur e notuar në lumin e jetës pa ngec në lymin e saj e përfundon me përcaktimin si “Grahmë ku zë fill frymësia e vdekjes”, tek e cila lehtësisht dallohen dy pamje të saj: vdekja si frymësi dhe nevoja që edhe këtë çast ta përpijë “vetmia” si qenësi, d.m.th. gjithë jetën njeriu duhet ta mbajë parasysh se jemi vdekatar e ta karakterizojë veprimi vijues pozitiv që lumi i jetës të vazhdojë rrjedhën e tij..
Ardhur nga një mendje e ndritur si ajo e profesor Antonit, kjo shumësi përcaktimesh poetike filozofike për një dukuri që shumëkush mund ta përcaktonte si gjendje “bosh”, nuk të habit aspak, por të frymëzon t’i shikosh hiret e saj si një kurorë e bukur jete e shtysë për veprime të mira drejt pafundësisë, ashtu siç rrjedh lumi i jetës drejt saj, e për të mos rrezikuar që ai të na veçojë diku në shtratin e tij si lym apo lizhdër
Faleminderit Zotit që kemi kaq mendje të ndritura që flasin shqip!
Lezhë, më 13 nëntor 2023