More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLiridon Mulaj: A është kjo “Parajsa”?

    Liridon Mulaj: A është kjo “Parajsa”?

    Reflektim mbi romanin “Këtu është parajsa” të shkrimtares greke Christina Frangeskaki

    Aty rreth moshës 19 vjeçare, kur sapo kisha dalë nga adoleshenca dhe jeta shpalosej me kaq shumë mundësi,  njëfarë dëshirë marroke por dhe joshje njerëzore, më pat shtyrë të braktisja aspiratat për shkollim duke menduar se puna dhe kryesisht paraja ishin  gjithçka. Në të vërtetë zbulimi im nuk ishte kushedi se çfarë. Qe paraja është thuajse gjithçka, e ka vërtetuar historia dhe vazhdon ta vërtetojë por rruga deri tek paraja që nënkupton mirëfilli një jetë më të mirëqenë, është e mundimshme. Dhe kur bëhet fjalë për një emigrant shqiptar të një kohe paksa të vonë kjo aspiratë kthehet gati gati në utopi. Për shumë arsye realiteti që gjen është tjetër nga ai që ëndërron. Në emigracion kryefjala është puna që nënkupton sakrificën, heqjen dorë nga dëshirat rinore të momentit. Ti ke shkuar për punë dhe ky mbetet qëllimi parësor. Edhe pse jeta atje të shpaloset më të gjithë madhështinë e saj, me vitrina plot dritë ku ekspozohen veshje nga më të bukurat, restorante plot njerëz që hanë dhe bisedojnë kaq natyrshëm, apo dhe diskotetat plot me të rinj, pra bashkëmoshatarë të cilët nuk e kanë idenë se ç’është emigracioni, se ç’është nevoja për të lënë vendin tënd në kërkim të një jete që në të vërtetë nuk është e jotja, por materialisht është më e mirë se ajo që kishe apo mund të kishe. Kjo në parantezë është shkurtimisht historia ime ( e shkurtër)  e emigracionit, një nga miliona histori të tilla të cilat sigurisht nisjen dhe qëllimin e kanë të njëjtë por rrugëtimi ndryshon sepse historitë e emigracionit nuk janë kurrë të njëjta, secila në sakrificën e saj mbetet  e përveçme ( dhe këtu sesi më vjen ndërmend fjalia e famshme e Tolstoit tek romani Ana Karenina (“Familjet e lumtura janë të gjitha njësoj, ndërsa familjet fatkeqe janë fatkeqe ndryshe nga të tjerat”.)   Dhe pikërisht këtu dua të ndalem, tek historia e një familjeje  nga Vlora e cila një ditë të bukur (ose jo) vendos të emigrojë në Greqi, konkretisht në ishullin Rodos, histori e cila përbën edhe  subjektin e romanit “ Këtu është parajsa”  të shkrimtares Kristina Frangeskaki, përkthyer nga Eleana Zhako dhe botuar nga shtëpia botuese MediaPrint.  Nuk do të rrekem të bej analizë kritike të romanit por të mundohem që nëpërmjet rrëfimit të autores të kujtoj historinë time dhe të qindra mijëra familjeve shqiptare.

    Kryefamiljarja një mësuese rusishteje dhe kryefamiljari mësues fizike, një familje katërcipërisht intelektuale e cila detyrohet që së bashku me dy djemtë të emigrojë në Greqi për një jetë më të mirë. Aspiratat i kanë të qarta, të punojnë dhe të fitojnë para në mënyrë që jeta e tyre në një të ardhme jo të afërt ( krejt koshient për këtë) të ndryshojë sapak për mirë. Ka debat dhe mospërputhje në familje. Kryefamiljari i demotivuar shpreh dëshpërim për ikjen dhe thotë se nuk di të bëjë punë tjetër. Jeta e tij ka qënë shkumës dhe formula fizike, dhe e pranon gati gati me njëfarë turpi se përveç kësaj s’di të bëjë gjë tjetër. Se emigracionit i lipsen shpatulla të forta, krahë të fortë, zemër e fortë e sigurisht vullnet i hekurt. Por ai ëshë një mësues i brishtë i cili nuk ëndërron për një jetë më të mirë se ajo që ka, të japë mësim çdo ditë dhe një herë në vit, në muajt e nxehtë të Gushtit të kalojë ca ditë pushime në Vlorë. Ai ia del përkohësisht të qëndrojë duke e bindur bashkëshorten dhe dy djemtë se do t’u bashkohet shumë shpejt.  Ngarkohen plaçkat, s’ka kohë për drama dhe ia mësyjnë ishullit të Rodosit, tokës së premtuar. Këtu ndodh shndërrimi. Metamorfoza është në pikun e saj më të ulët. Mesuesja e rusishtes tashmë është  pastruese tualetesh. Djali i madh punon si shpërndarësh picash me motorr ndërsa më i vogli, Gëzimi së pari detyrohet të ndryshojë emrin e tij në mënyrë që të përshtatet me vendin dhe bashkëmoshatarët, këta vocërrakë që nuk lënë çast e orë pa e tallur dhe vënë në lojë për njëmijë arsye krejt të pavarura nga ai. Për gjuhën e tij të mangët, për prejardhjen e tij apo dhe emrin e tij Gëzim, të cilin e kthejnë në objekt talljeje ditën kur ai shkel për herë të parë në shkollën greke. Por gjërat ndryshojnë si me magji kur nga Gëzim do të quhet Andreas, dhe gjuha e tij nis e përmirësohet. Tashmë është më pranë shokëve, më pranë vendit, dhe ngjan sikur jeta e vocërrakut nis e lehtësohet. Kështu ndodh gjithmonë. Të vegjlit janë ata të cilët e vuajnë mbase më së shumti ndryshimin radikal, por dhe më të mundshmit për tu përshtatur me jetën e re edhe pse gati gati asnjëherë nuk pyeten për atë çka ata lanë pas, një jetë të vockël fëmijnore por që mbart dhe ajo brengen e ikjes, ashtu në mënyrën e vet. Pikërisht këtu shpaloset dhe mjeshtëria e shkrimtares e cila ia del të sjellë tre personazhe të ndryshme; (babain, mamanë dhe djalin e vogël) secilin në veten e parë dhe secilin gjithaq të vërtetë me frikërat dhe dëshirat e tij.

    Dhe rrëfimi vazhdon më një gjuhë të thjeshtë çka e bën rrëfimin emocional dhe të gjallë. Sikur gjithçka ndodh para syve të tu, madje duke rrëfyer në vetën e parë ti ndihesh personazh dhe pjesë e dramës, e brengave, përmallimit dhe vështrimit nga e ardhmja.  Historia e familjes ndryshon ngadalë, Ngjan sikur mirëqënia po rritet dhe qëllimi e justifikon mjetin. Djali i madh i familjes blen makinë dhe hera herës të tre bashkë shëtisin kodrinave të ishullit dhe kundrojnë shtëpitë e bardha të lyera me gelqere shkëlqyese. Nga pak vendi nis e ndryshon në sytë e personazheve, merr hijeshi. E bukura nis e prevalon mbi imazhin e trishtë të mbërritjes dhe dalë ngadalë kalcifikohet mendimi se  më në fund kanë gjetur parajsën. Po, këtu është Parajsa, e thote Gëzimi disa herë me vete, e thotë gjithashtu dhe mamaja e  cila edhe pse tashmë bën dy punë nis e sheh një dritë në fund të tunelit. Edhe Andrea tashmë s’ka asnjë dallim nga fëmijët e tjerë grek. Ishulli është tashmë parajsa e tyre. 

    Të tre sëbashku mundohen të bindin babain t’u bashkohet i cili përkundër stocizmit të tij vendos të niset dhe t’i bashkohet familjes. Ditët e para janë të mundimshme, ai gjendet në një amulli të cilën anëtarët e tjërë të familjes e kanë kaluar. Ndihet i padobishëm dhe i pavend. Ishulli nuk i ofron asgjë, as shtëpitë e bardha, as shëtitjet pasditeve në kodrina së bashku me Gëzimin i cili mendon se dukë ia përsëritur të atit se “Këtu është parajsa” ky i fundit do të arrijë ta shohë me sytë e tij. Por babai nuk bindet dhe brenda shpirtit të tij ai bluan dilemën “ A është kjo me të vërtetë parajsa? . Mendon për të shkuarën, për nxënësit e tij, për dërrasën e zezë dhe për Vlorën, parajsën e tij të munguar.  Për babain ka vetëm një parajsë dhe ajo është Vlora e pushimeve të Verës, Itaka e tij. Fundja për çfarë mund të mendojë një njeri i trishtuar, një njeri destini i të cilit është të kalcifikojë brenda shpirtit tij vetëm një lloj jete, një lloj ëndrre dhe aspirate. Por jeta vazhdon, duhet të vazhdojë. I duhet të punojë për tu ndjerë i dobishëm. Dhe ashtu ndodh, ende pa e zbuluar “parajsën” në ditën e tij të parë në punë rrëzohet nga skela dhe vdes. “ Dhe më thoshte, nuk jam unë për këto punë” janë fjalët e bashkëshortes teksa e vajton në varrim.  Familja tronditet nga kjo vdekje  por jeta sërish ecën . Ajo po sëndërtohet ngadalë në vendin e huaj,  Ky është fati i emigrantit, fati i njeriut i cili diktohet nga rrethanat por dhe nga qëllimet të cilat s’dihet se ku të shpien, herë në ferr e herë në Parajsë.

    Të gjithë këto elementë përhkruhen thjeshtë dhe pa pathos. Gjithçka ndjek një fill llogjik por dhe të pranueshëm, fundja fatit të keq nuk i shpëtojmë në vend të huaj, në atdhe apo kudoqofshim.

    Pasi e mbarova së lexuari këtë roman ndieva një dëshirë të fortë ti shkruaja autores dhe t’i thoja se ajo ia kishte dalë të kthente në mua kujtimet e një kohe shumë të largët por që ka lënë gjurmë të mëdha te unë. Se familja e përshkruar në roman është njësoj si familjet të cilat kam njohur kur isha vetë emigrant. Se Gëzimi më kujton shpesh veten time dhe se çdo mendim dhe pëshpëritje e mamasë, frikë apo brengë e babait janë ndjesitë e mija të mishëruara te këto personazhe. Dhe se jeta e tyre është kaq e mundimshme por kaq e vërtetë dhe fisnike saqë e shndërron këtë roman  në një himn për emigrantët  anëkënd botës. Ata të cilët janë të destinuar të mbartin mbi vete dy atdhe, dy jetë, dy identitete dhe shumë kujtime. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË