More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ligjërime ngjyrash" poezi nga Pozaet Qose

    “Ligjërime ngjyrash” poezi nga Pozaet Qose

    ZEMËRIMI I SË ONUFËRTËS

    Troku i një kali rrëzohet mbi natë,
    Si një pikëz gjaku a si një baladë,
    Mbytur hingëllimash ngujohet mbi plagë.
     
    Kullon gjak të njelmët ai trok i ftohtë,
    Përqarkjes ca fjalë nis edhe i thotë;
    Mos e humb njeri veten nëpër lotë!
     
    Rrëzohet lëndina përmbi krifë të tij,
    Si urim i bardhë a si lajm i zi,
    Që s’vjen dot tek unë,  frymën s’mban  te ti.
     
    Troku ku janë bashkë njerëz e fani. 


    DHEMBJA E SË FISNIKTËS

    Gurë, si sy parajse, mbi supet e lumit,
    Pikëlime yjesh në shuplaka resh,
    Përziejnë ninullën e lashtë të Osumit,
    Me dhembjen e hidhur të kohës së sertë.
     
    Kjo dritë Margarite, ky zë prej Kristaqi
    Altarit të jetës bekohen përherë,
    Si shenjë virgjërie, që flet nga çarçafi,
    Kur jeta zgjat duart për njerëz të tjerë.
     
    Ndezulli e dehur, shenjëz e njeriut,
    Penguar nga dheu t’i jepet harbimit;
    Përlotje e bardhë, si shpirti i *Vexhiut,
    Përfjalje e ëmbël, si shpirti i *Agimit.
         
     : Vexhi Buharaja.             : Agim  Mehqemeja.
     


    ZHGËNJIMI I SË HAPËSIRTËS 

    Një varkë në breg  fjalos me  zbrazëtinë.
     
    Kujtimesh endet kohës tejkanjoze,
    Si një fëmijë, që ka për  nënë vetminë.
     
    Atje jam unë, e fshehur në ronitje,
    Si ëndërr e harruar në braktisje,
    Si këngë e padëgjuar nëpër disqe.
     
    E përkëdhel me duart e dëshirës,
    E shpie larg, në krahët e së djeshmes,
    E bëj pulëbardhë, që sulet hapësirës,
    T’i zgjojë të fshehta uji brenda vetes.
     
    Në heshtje,  jap e marr me të pareshtur,
    Mes  humbjes ta takoj diku  të qeshur
    Në drithma valësh, si mesditë e etur.
     
    Më përcëllon një klithmë e plagosur;
    Ky është mundim i kotë, që s’ka të sosur.
     
    Kumbojnë  mes ethesh tinguj të përlotur.


    HUTIMI I SË ARTËS

    Dy krahë fëmije zgjatur janë drejt hënës,
    Ta zbresin poshtë,  ta kenë në mes të gjirit.
    Nga dritë e saj pikojnë dy sytë e nënës,
    Që s’dihet se ku endet mes harrimit
     
    E zbehta hënë trishtimit rrudhet sonte
    Se një fëmijë braktisur është nga nëna.
    Si dorë ia fshin në çast rrëketë e lotëve
    Një trëndafil i çel aty te zemra.
     
    Hutuar endet qiellit të zbrazët
    Dhe dritën e përndan si zë të shuar,
    E zbehur krejt prej lotësh e prej plagësh,
    Që ky fëmijë mbjell  udhësh i vetmuar.
     
    Humbet një lumë atje ku grinden dallgët,
    Si sytë, që presin dritën e praruar.


     ANKTHI I SË PRAGDIMËRTËS 

    Fundvjeshtës shkon një milingonë,
    Së kaftës rreth e rrotull.
    Çdo çast e zbret, e ngjit si hon,
    Mes heshtjes së pasosur.
     
    Hapësira, një filxhan kafeje,
    Ku era fryn pareshtur.
    Kjo milingonë, një pikëz reje,
    Frymon si dritë e mekur.
     
    E lodhur zgjatet tutje udha,
    Shkreton jehona fjalësh,
    Si një fytyrë, përplot me rrudha,
    Që fshehur ndrin së gjallësh.
     


    PËRHUMBJA E SË PËRVUAJTURËS

    Si mesnatë e errët derdhur jeta jote
    Mëngjesesh- humnera, mbrëmjesh  në përlotje.
     
    Çupëz e parritur, tretur nga veremi,
    Bota shkon e vjen, si hazdisje treni,
    Me syrin te kripa, me gjuhën te helmi,
    Por nuk vjen ai, humbur mes një terri.
     
    Gishtërinj vështrimesh gërmojnë gjer së thelli,
    Të nxjerrin te buzët një çurkajë dielli.
     
    Si s’e nxjerrin dot, bëhen ankth i situr
    Nga veremi yt, çupëz e parritur.


    HABIA E SË PRILLTËS

    Në prill u shuan sytë e dritëruar
    Prej thikës së pabesë të xhelozisë.
    Në ta e gjelbra ndrinte farfuruar,
    Si urë, ku jeta derdhej natë e ditë.
     
    Përse më vranë, pyeti e habitur,
    Tek drita shuhej frikshëm nëpër ta?!
    Në heshtje shkaku fshihej i çmeritur
    Nëpër krrokama korbash krra-krra-krra.
     
    U bë një lot i nxehtë ky prill i vrarë
    Dhe qielli i kaltër fjongo zie.
    S’e mori vesh pse faji në muranë
    E ktheu një lektisje dashurie.
     
    Përçartur udhësh shkon gjithnjë e gjelbra,
    Sheh vetes thellë, që të mos zgjojë legjenda.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË