More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLekë Tasi: Letërsi që i bën shërbim të madh opinionit

    Lekë Tasi: Letërsi që i bën shërbim të madh opinionit

    Durim Taçi në romanin e tij më të ri “Lakimi” (Botimet “Living”), dëshmon një aftësi kompozimi që nuk habit lexuesit e tij të librave më të hershëm. Përvoja e tij nga jeta në emigracion dhe përgatitja teorike e nisur në Tiranë me fakultetin e filologjisë dhe me studimet për kinematografi, vazhduar më tej në Milano me filozofi, e kanë aftësuar Durimin të ndërtojë letërsi me marrëdhënie jetësore, personazhe, karaktere, situata që të bindin me vërtetësinë e tyre pulsuese, dhe ta përfytyrojnë hedhjen e tyre në letër si fryt kryesisht të talentit (improvizim vrojtim) dhe pastaj të aparatit profesional të tij.

    Kush e njeh Durimin romancier prej produktit të tij më të hershëm, të mbushur me përpjekje e dhimbje  në  vitet e mëkëmbjes së  emigracionit, veçon te romani “Lakimi” një fjalë të fortë shqiptuar përmjet Elirës, personazh shqiptar dhe evropian njëherazi, e cila gjen rast të shkundë në lirinë e atjeshme qoftë mykun tonë shqiptar në familje, ashtu dhe egërsinë mashkullore të mesjetës europiane, që mbijeton çuditërisht me gjakftohtësi  cinike dhe  e pandëshkuar ende falë  solidaritetit midis sadistëve modernë.

    Pasqyrimi i këtyre episodeve me një ritëm të ngjeshur në libër të bën të kuptosh çmimin Montefiore që iu dha Durimit në vitin 2016 për librin e tij Codice Kanun, një arritje e paekuivok atje në Italinë editoriale të mbushur me autorë niveli. Jurive duhet tu ketë rënë në sy të folurit e tij pa doreza brenda raportit të vështirë që jeta ka vendosur atje me emigrantët, objektivisht por edhe subjektivisht sipas rastit, pra ngjan ta kenë përzgjedhur ndër kaq kandidatë, një ofrues gjërash të vlefshme dhe të dallushme në atë mes. Kjo arritje gëzon ambjentet letrare e artistike në atdhe, por nuk dihet nëse kjo kënaqësi e grupeve të emancipuara do të ketë forcën të shkundë modën e vjetër që reziston me shkëmbime çmimesh rregullisht brenda jurive këtu…

    Titulli “Lakimi” ka të bëjë me lakimin e emrit: emnore, gjinore etj., dhe është një gjetje e autorit për të artikuluar episode të ndryshme në të cilat pasqyrohet lufta që i bëhet femrës që guxon të jetë e lirë. Kështu, në rastin konkret, edhe përpjekja e saj për t’ ia kthyer fjalën mashkullit të përhershëm baraz, do përfundojë me tragjedi, në mos të njerës, të tjetrës prej femrave të përfshira.

    “Furnizuesi” i këtyre episodeve online, Roberto, një beqar që ofrohet veç pak për dialog të hapur, e refuzon sugjerimin e Elirës në këtë drejtim. Profilohen kështu gati pa dashur edhe natyra e dy figurave në tipiken e tyre më të thellë historike psikologjike, megjithse të afërta: ajo e zvarritjes që karakterizon vendin më të qytetëruar të Evropës, të mbërritur sot në një udhëkryq pritjeje të pa nerv nga njera anë, dhe ajo e vrullshmja e një shoqërie të shtypur me një fund që kërkon rrugëdalje në çdo por të saj, dmth tek çdo kërkues fati me skaf o në shtigje malore.

    Historia nis pikërisht me këtë lloj dialogu të shkruar siç e propozon Italiani i sofistikuar, të cilin Elira, me temperament aspak të sofistikuar, por të vendosur, e do të folur troç, për ta deshifruar aty për aty mesazhin në funksion të kërkesave të saj jetësore, që pastaj të vështrojë përpara. Robertoja mbetet i papërfshirë, kështu që lexuesi ka raste të regjistrojë episode pa fund që ai i rendit gati me cinizëm, histori të trishta që kanë në qendër femrën viktimë. Natyrisht, ky fill nuk është përjashtim i papërfillshëm në kronikat e atij vendi të njohur për humanizmin e tij të shquar. Në nivele më të larta, paligjësia ka tronditur rendin politik deri sa u fol republikë prokurorësh, por me rezultate dramatike. Gjithsesi e keqja duhet luftuar sado të rrallë të jenë bartësit e saj.

    Një vlerë e dukshme e librit qëndron te fakti që episodet janë  nxjerrë nga arkivat, pra bazohen te vërtetësia, gjë që koston punë kërkimore, kurse paraqitja e tyre si pjesë e thurjes së jetës, me Elirën dhe personazhet e tjerë në qendër, merr formën e një trame thuajse policore me dyshime, rreziqe, zhgënjime dhe konkluzione përfundimtare, që e mbajnë gjallë tensionin tek lexuesi  dhe i japin, falë profesionalizmit të sprovuar të autorit, një kënaqësi si në çdo roman modern të aksionit, ku ndeshemi me emocionet intensive që ka sot jeta në metropolet e botës,  nëpër  xhepat e fshehura të kronikës së zezë, me plagët që  mund të mos shfaqen veçse një herë në jetë ose fare te shtresat e pasura.

    Prandaj letërsia, kjo lloj letërsie, i bën një shërbim të madh opinionit. Parathënia e shkurtër e Victor Hugo tek “Të Mjerët” mbetet përherë në fuqi…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË