Përktheu nga anglishtja Kujtim Morina
U shpëtova njëherë nga mëkati kur po shkoja në të trembëdhjetat. Por nuk është se u shpëtova vërtet. Ndodhi kështu. Ato ditë mbahej një meshë e madhe ringjalljeje në kishën Auntie Reed. Çdo natë për javë të tëra, kishte shumë predikime, këngë, lutje dhe britma dhe disa mëkatarë të thekur i ishin rikthyer përsëri Krishtit dhe anëtarësia në kishë ishte rritur shumë shpejt. Pastaj sapo përfundoi ringjallja, ata mbajtën një takim të veçantë për fëmijët “për t’i sjellë qingjat e vegjël në tufë”. Tezja ime më foli për këtë disa ditë më parë. Atë natë më çuan në rreshtin e parë dhe më vunë në stolin e përcjellësve të të vdekurit me të gjithë mëkatarët e tjerë të vegjël, që nuk ishin kthyer ende te Krishti.
Tezja më tha që kur të shpëtohem, do të shihja një dritë dhe diçka do të ndodhte brenda meje! Dhe Jezusi do të vinte në jetën time! Zoti do të qëndronte me mua nga ajo ditë e përgjithmonë! Ajo më tha se mund ta shihja, dëgjoja dhe ndieja Jezusin në shpirt. E besova. Kisha dëgjuar shumë njerëz të moshuar të thoshin të njëjtën gjë dhe më dukej se duhej ta dinin. Kështu që u ula qetësisht në kishën e ngjeshur dhe të zhurmshme duke pritur Jezusin të vinte tek unë.
Predikuesi bëri një predikim të mrekullueshëm ritmik, me të gjitha rënkimet, britmat dhe klithmat e vetmuara dhe pamjet e llahtarshme të ferrit dhe më pas këndoi një këngë rreth nëntëdhjetë e nëntë të sigurtë në tufë por një qingj i vogël kishte mbetur në të ftohtë. Pastaj ai tha: “A nuk do të vini? A nuk do të vini tek Jezusi? Qingja të vegjël, a nuk do të vini?” Dhe drejtoi krahët drej nesh, të gjithë mëkatarëve të vegjël në stolin e përcjellësve. Vajzat e vogla klithën. Disa prej tyre kërcyen dhe shkuan tek Jezusi menjëherë. Por shumica prej nesh po qëndronim aty.
Shumë të moshuar erdhën dhe na u ulën në gjunjë dhe po luteshin. Gra të moshuara me fytyra që iu shkëlqenin dhe flokë me gërsheta, burra me duar të plasaritura. Kori i kishës këndonte një këngë për dritat e ulëta që po digjeshin dhe për mëkatarë të mjerë që do të shpëtoheshin. E gjithë ndërtesa u tund me lutje dhe këngë.
Unë ende po prisja të shikoja Jezusin.
Më në fund, të gjithë të vegjlit kishin shkuar në altar dhe ishin shpëtuar përveç meje dhe një djali tjetër. Ai ishte një djalë rrumbullak që quhej Uestli. Uestli dhe unë u rrethuam nga motrat dhe xhakonët duke u lutur. Ishte shumë nxehtë në kishë dhe po bëhej vonë. Më në fund, Uestli më tha duke pëshpëritur: E marrtë dreqi! Jam lodhur i ulur këtu. Le të ngrihemi dhe shpëtohemi.” Kështu ai u ngrit dhe u shpëtua.
Pastaj mbeta vetëm unë në stolin e përcjellësve. Tezja erdhi dhe m’u ul në gjunjë duke britur ndërsa lutjet dhe këngët pështilleshin rreth meje në kishën e vogël. E gjithë grixha lutej vetëm për mua në një vajtim të fuqishëm zërash dhe rënkimesh. Unë qëndroja duke pritur gjakftohtë Jezusin, duke pritur e pritur por ai nuk po vinte. Doja ta shihja por asgjë nuk po ndodhte. Asgjë! Doja të më ndodhte diçka por asgjë nuk po vinte.
Dëgjova këngët dhe meshtarin të thoshte: “Përse nuk vjen? Fëmija im i dashur, përse nuk vjen tek Jezusi ? Jezusi po të pret. Ai të do. Përse nuk vjen? Motër Rida, si e ka emrin fëmija?”
“Langston” dënesi tezja ime.
“Langston, përse nuk vjen? Përse nuk vjen dhe të shpëtohesh/ Oh, qinxhi i Zotit. Përse nuk vjen?”
Tani po bëhej vërtet vonë. Fillova të më vinte turp nga vetja, duke qëndruar ashtu për aq gjatë. Fillova të vras mendjen çfarë mendonte Zoti për Uestli, i cili e sigurtë që as ai s’e kishte parë Jezusin por që ishte ulur krenar tani në platformë, duke tundur këmbët e tij në kilota dhe duke u zgërdheshur me mua, që isha rrethuar nga xhakonët dhe gratë e moshuara në gjunjë duke u lutur. Zoti s’e kishte goditur Uestlin për vdekje për keqpërdorjen e emrit të tij apo për për të gënjyerit në tempull. Kështu që vendosa që mbase për t’i shpëtuar ndonjë telashi tjerër, më mirë të gënjeja edhe unë, të thoja që Jezusi kishte ardhur, të ngrihesha dhe të shpëtohesha.
Kështu që u ngrita.
Papritur e gjitha dhoma shpërtheu në një det britmash kur më panë që u ngrita. Valë gëzimi pushtuan vendin. Gratë kërcyen përpjetë. Tezja më hodhi krahët. Meshtari më zgjati dorën dhe më çoi në platformë.
Kur gjërat u qetësuan, në një heshtje të papritur, ndërprerë nga disa ekstaza “Amin”, të gjithë qinxhat e vegjël u bekuan në emër të Zotit. Pastaj këngët e tyre të gëzueshme e mbushën dhomën.
Atë natë për herë të fundit në jetën time, veçse njëherë- sepse isha vetëm dymbëdhjetë vjeç, qava. Qava në krevat vetëm dhe nuk dija të ndaloja. Futa kokën mes jorganit por tezja më dëgjoi. Ajo u zgjua dhe i tregoi xhaxhait se unë po qaja sepse Fryma e Shenjtë kishte hyrë në jetën time dhe kisha parë Jezusin. Por unë po qaja në të vërtetë sepse s’kisha guxim t’i tregoja se kisha gënjyer dhe i kisha mashtruar të gjithë në kishë, se unë nuk e kisha parë Jezusin dhe që tani nuk besoja më se kishte një Jezus meqë ai nuk erdhi për të më ndihmuar.