More
    KreuLetërsiBibliotekë"Lakuriqësia", fragment nga romani në proces i Rigel Rizajt

    “Lakuriqësia”, fragment nga romani në proces i Rigel Rizajt

    1.        

    Drita, kudo drita, nëpër skuta, nëpër lugje, veshtullore dhe e bardhë, e squllët, e thatë, një masë e pa-masë, një trajtë e patrajtë, e flurtë, e paprekshme, tejshkuese, drita që ende nuk i thuhej dritë, që nuk i thuhej asgjë dhe që nuk perceptohej aq sa të dëftehej me gisht, as më sy, as me turinj të zgjatur drejt saj, sepse gjendej kudo por kudoi krejt pa emërtim. Drita që zbrazte farën në zgavra, në të çara toke, në gëzofe kafshësh, në gonxhe e sytha, diku në hala rrënjësh të dala. Drita që ish mbarsur si këpushë pas Evës, pas sqetullave të saj, pas seksit të saj dhe as seksi dhe as sqetullat s’do kishin emër më pas nëse drita do të mbeste përgjithnjë aty nga ku vetë ajo nuk dëshironte të ikte. Po kjo dritë që gjendej edhe tek Adami, te mjekra e tij e gjatë, e bukur, si një melankoli e kreshpëruar e ngjyer në argjend, që posa ta shihje nuk të shqitej prej mendjes, që po ta shihje do të të ngatërrohej imazhi i saj kur sytë të ndeshnin gëmushat, drizat e ferrat, barërat e egra të zgjuar prej gjumit plot rrodhe e pleshta, një mjekër, i vetmi vend në të gjithë Edenin ku drita nuk gjente rehati, ku nuk pushonte dot e qetë, si një shtazë fushe që nuk i tereziten dot brinjën nëpër shkëmbe, nëpër gropa, dhe ndaj në çdo agshol të ri kjo dritë, po e njëjta si tek Eva, mezi shmpihej, e gjente veten të plakur, tek i dhembnin kryqet e veta prej drite, tek i kërcisnin eshtrat e mëndafshta, e prapsëprapë nuk ankohej, pasi ajo mjekër ishte kaq e domosdoshme. Po kjo dritë gjendej përreth seksit të tij, së paku përpara se të kuptohej se ai gjendej aty, i fshehur, i gllabëruar, i lënë në një harresë pamore që ia kish zhbërë instiktet shtazore. E ndërsa tek Eva po kjo dritë i qe qepur si gëmushë pas sqetullave, në një etje të egër në dukje, të ngulmët si të një fëmije, sqetullat e Adamit ishin kaq të pastra, të qëruara prej dritës po aq sa edhe prej qimeve, si dy lugje prej kah kundërmonte një aromë barishtesh e myshqesh. Pse vallë?, pse sqetullave të tij i mungonte drita?, a quheshin sqetulla pasi nuk kish dritë në to?, apo mbase bash mungesa e saj i bënte të emërtoheshin vërtet si sqetulla?, ku ishte drita?, nga ia kish mbathur ajo dhe pse nuk tregohej po aq e drejtë dhe e barabartë me këtë burrë të pashëm? Po kësaj gruaje, si nuk i bënte përshtypje ajo mungesë drite në sqetullat e burrit që kish pranë?, apo mos vallë nuk e shquante dot?, a mos vallë nuk shquante as praninë e dritës te vetja? E si mundej ta bënte dallimin nëse për atë, në dukje, sqetullat e atij, po aq sa edhe të sajat, ishin të njësojta? A ishin përnjëmend të njësojta ato?, a kishin një gjini sqetullat, sa edhe ata të dy vetë? Sigurisht që as Adami më një anë dhe as Eva më anë tjetër nuk e shquanin dritën, po aq sa edhe mosdritën. Madje vështirë se mund ta kuptonin kësisoj gjininë e vetes, gjininë e tjetrit, përtej dhe brenda atij lëmshi të dendur drite. Të gjitha këto valë mendimesh ia rrezonin rruzullin e kokës Karlit ndërsa qëndronte pushuar krah Artës, – pas dashurisë, së gjatë, të pafjalë, plot grahma e marramendje, – ndërsa dorën e mbante pushuar mbi njërin gji të sajin, duke e ledhatuar herë-herë thithkën e kuqur. Ku ndryshonin ata të dy kur ishin lakuriq?, po kur nuk ishin?, cili ish ndryshimi më i thellë, i pari apo i dyti?

    2.

    Breshka e pa, ndërsa ecte, edhe pse qenë bërë ditë e muaj e vite e shekuj që e kish vënë re se ajo krijesë ishte krejt e ndryshme prej saj, madje qesharake, krejt qesharake. Pa bisht, pa zhguall. Me dy krye dhe vetëm prej lëkure si të qullët, si tejet të lëmuar. Një top vigan, një rrumbull që s’mundej ta kuptonte, ndaj edhe i shmangej, i ikte tutje siç i iket një kërcënimi. Breshka s’dihej sa kohë kishte që endej nëpër lëndinat e tokës, nëpër shkëmbinjtë ku i pëlqente të strukej e të rrokullisej jo pa rrezik. Zhgualli i saj ishte i fortë dhe s’kish asgjë që mund ta thyente, ta çante, ta kriste, ta shkërmoqte. Breshka nuk e njihte frikën. Breshka nuk njihte asnjë qenie tjetër veç vetes së saj. Ajo njihte vetëm dheun, gurët, drurët, ujërat, retë dhe qiellin. Veçse tani, përballë kësaj krijese të re, filloi të druhej, ende pa e kuptuar se gjendej në zgrip të frikës. Krijesa lëshonte zëra, dhe breshka s’mund t’ua tirrte kuptimin. Krijesa ecte mbi disa këmbë, dhe breshkës i dukej megjithatë sikur ajo rrotullohej e rrotullohej e rrotullohej. Aq e rrumbullt ishte krijesa, aq qesharake vazhdonte të mbeste ditë pas dite. Edhe pse i druhej, edhe pse ruante njëfarë largësie ndaj saj, breshka ndjente se s’mund t’i ikte plotësisht, s’mund t’i largohej dhe as që dëshironte t’i shmangej. Ngado që ajo shkonte, kjo e ndiqte nga pas, në fshehtësi, me ngadalësinë e saj morfologjike, me lëvizje dhe me gjeste të pakta, si dhe me mendime që i rrihnin në krye e që i dukeshin si të mbështjella me urtësi. Sapo ia behnin shenjat e para të perëndimit, krijesa gatitej të ndiqte një zakon që nuk e ndryshonte kurrë, që nuk e harronte kurrë, pa të cilin sikur s’mund ta mbyllte jetën e saj qesharake e të çuditshme. Ulej diku, mbi një gur a mbi dru, a thjesht përtokë, dhe, kur perëndimi shpalosej në horizont si një krifë e portokalltë, krijesa e shihte dhe e shihte, me të dyja kokët, me të katër sytë, duke psherëtirë me të dyja gojët e me të dyja flegrat e secilës hundë, duke kapsallitur të katërta qepallat, dhe mallëngjehej e mallëngjehej e mallëngjehej, përqafohej me veten, duar e krahë që zgjateshin e lakoheshin nëpër rrumbullsinë e trupit të vet. Më qesharake se kaq, e ç’mund të hasej për sytë e një breshke? Krijesa ngashërehej me perëndimin, njëra gojë diçka i thoshte tjetrës, njëra gojë herë ngjishej pas tjetrës si grabitqare, por asgjë nuk ndodhte pasi pas disa çastesh gojët shkëputeshin dhe mbesnin aty ku mbesin gojët, aty ku breshka besonte se e kanë vendin të gjitha gojët e të gjitha krijesave që mund të gjallonin pas shfaqjes së kësaj krijese. Asnjërës prej gojëve nuk u mungonte ndonjë pjesë, të dyja ishin të plota, madje dukej se ishin më të plota pasi i qenë ngjeshur njëra-tjetrës, pasi ishin ngjyer me bojën e njëra-tjetrës, pasi kishin kryer atë veprim pa kurrfarë kuptimi për breshkën. Krijesa rrinte gjatë dhe e ndiqte lakoren e diellit në perëndim, ashtu siç ndiqte breshka plot kureshtje një shteg të ri pas çdo shtegu të mëparmë. Krijesa ndiqte shtigjet e tejqyrta të diellit, shtigjet e pambarimta që kurrë nuk mund të ishin të njëllojta, shtigjet, shtigjet, shtigjet ku shkundtte ngjyrën e vet një bisht i ngopur me pluhur të portokalltë. Të kundruarit e perëndimit tashmë qe si një kolerë që i qe ngjitur nga pas edhe breshkës, një kolerë që sikur qe lëngur dhe e kish mbështjellë me veshtullinë e saj rrashtën e breshkës, atë rrashtë që as ditët javët muajt vitet dekadat e shekujt nuk kishin mundur ta depërtonin dhe breshka ndjente një shqetësim, po aq sa edhe drojë, po aq sa edhe peshtjëllim e ngazmend tek kundronte krijesën që kundronte perëndimin, tek kundronte perëndimin nëpërmjet krijesës por pa guxuar ta kundronte vet drejtpërsëdrejti. Dhe në një prej këtyre perëndimeve, pas shumë syresh, një vetëtimë çan qiellin sikur t ëish sulur bash në pikën më të brishtë të tij, – tek seksi, – dhe e godet krijesën me një tërbim të llahtarshëm nxehtësie dhe drite. Breshka, e tronditur dhe frikamashe siç është, fut kokën brenda në zhguall dhe mbyll fort qepallat duke ndjerë lëkurën e qafës t’i paloset pas mjekrës.

    Të nesërmen breshka qau. Qau me dënesje dhe dhimbjen e ndjente në të gjithë zhguallin e fortë. Krijesa, ajo topolakja, ajo qesharakja, ajo butakja, ajo e pazbërthyeshma, ajo e domosdoshmja për sytë e saj të kaftë, nuk qe më topolake, butake, qesharake, edhe pse i mbartte ende sensin i së pazbërthyeshmes: tashmë dyfish. Krijesa qe e dyfishuar. E kish humbur qesharaken, rrumbullsinë e mëprshme. Tashmë krijesa qe dy krijesa, dhe secila krijesa me një kokë, një gojë, dy duar e dy këmbë. Gjithë sa kish mbetur nga ajo vetëtimë që i kish çarë më dysh ishin disa gjurmë drite, të lëna si njollat që lë sëmundja në disa zona mishi në trajta dhe porcione jo të barabarta.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË