PYETJET QË MERRNIN
FORMËN E SHIUT
U vinim zjarrin mbrëmjeve të vjeshtës
E vallëzonim rreth flakëve si ciganët,
Duke tundur shaminë e fëmijërisë.
Ishte koha kur dashuroheshim me zjarret e oborreve.
Dhe festonim hareshëm
Rilindjen tonë të përditshme.
Pastaj flakët merrnin fytyrën e nënës
Ne e pyesnim për rilindjen e Krishtit
Dhe Krishtin e njeriut.
Derisa pyetjet tona shtoheshin
E merrnin formën e bubullimës
Pastaj formën e shiut!..
SA HERË VRITET NJË HARABEL,
VDES NJË PERËNDIM
Në qytetin tim
Harabelat i vrasin ende pa lindur dielli,
Mugut, në agim.
Sa herë vritet një harabel,
Vdes një perëndim!
PESHA E BURRËRISË
Gjithmonë e kam ditur
Se zjarret e udhëve ushqehen me copëza eshtrash
Nga ashti i burrave.
Sa herë më është dashur
Të peshoj burrërinë time,
Kam mbajtur në pëllëmbët e duarve
Prushin e tyre.
MERIMANGA E DRITËS
Një merimangë e zezë drite,
Veshur me hiret e tua,
Varet në gjoksin tim si medalion.
Më thoshe shpesh se do bëheshe
Kujtesa ime e zezë…
A bëhet vallë kujtesa merimangë
Veshur me kaq hire?
Unë e di
Veç perlat lindin nga terri i ujërave
E bëjnë
Dritë errësire…
UDHA E HEDHUR MBI SUPE
Përtej horizontit, ishte një tjetër horizont
Përtej së panjohurës, një tjetër e panjohur.
Unë përvishja mëngët
E hidhja mbi supe
Udhën time të përbaltur.
TINGUJT E NETËVE
Sonet
O netët e mia të pagjumta, që kumboni rrëmbujshëm
Nën hapa të rëndë ikanakësh, endur nëpër botë
Mbi barela të vrarësh pse më përkundni trishtueshëm
E kinse shpirtin ma mbushni me psherëtima e lotë?
Kush i sjell, deri tek unë këto hapa të largët
Që shpirtin e brengosur, ma torturojnë si një krim?
Jehonat e tyre i trandin netët e mia barbarisht
E kthehen prajshëm në muzikë funebre e gjumit tim.
Përpëlitem ethshëm në shtrat, nga brenga për të ikurit
E vallëzoj me muzikën e hapave të tyre
Me një ritëm të ri që kërcehet veç në errësirë.
Kur jam zgjuar, rri ende zgjuar, bëj gjyqin e mendimeve.
Kur jam në gjumë, zgjohem befas, bëj gjyqin e ëndrrave
Derisa vjen mëngjesi, e sërish gdhihem i pagdhirë.
FLAMINGOT
Kur vallëzojnë flamingot në lagunë
Nga zjarri i puplave të tyre
Digjet e kaltra e ujrave.
Kur ngrihen flamingot në fluturim
Digjet si në ëndërra
Gjithë qielli.
Flamingot – lotë dielli.
KODI I TRËNDAFILIT
Sa herë fryn erë
Dal para portës,
E përplas këmbët
Të dërgojë mesazhe pritjeje,
Por ti nuk vjen…
Ndoshta nuk i merr mesazhet e mia
A ndoshta ke harruar kodin e trëndafilit,
Që zbërthen gjuhën e erërave,
Por ti e di
Para portës sime
Kalon vetëm udha e kthimit.
E unë të pres
Siç pret një besimtar i devotshëm
Muajin e madhërishëm të agjërimit.
SEKRETI I MARRËZISË
Ia hoqa vellon e misterit
Dashurisë sime,
Magjia u prish…
Tashmë
Më duhet të gjej një gur stralli
Të zbuloj
Sekretin e marrëzisë.
NA NDAN VETËM NJË BUZËQESHJE
Unë iki në kërkim të asaj që ikën prej meje
E fshihet në misteret e labirinteve të tua
Si labirintet e nëndheshme të legjendës
Pa më lënë asnjë shenjë të vetme, asnjë gjurmë
Derisa ndalem i lodhur e ngujohem
Në burgun e pyetjeve të mia.
Në cilën fjalë fshihet sekreti?
Në cilin sekret fshihet buzëqeshja?
Në cilën buzëqeshje fshihet udha?
Udha që më sjell tek ti?
Ah, sa më torturojnë këto pyetje
Të njëjta si labirintet e tua
Mbushur me misteret e legjendës.
Më jep një buzëqeshje e dashur,
Një buzëqeshje të hollë, të hollë
Si filli i Arjanës!
VISEVE KU DIMËRON E ZEZA
Vij në viset e tua, ku dimëron e zeza…
Në duar mbaj pyllin tonë të dikurshëm,
Pyllin pa vjeshtë,
Pyllin që i bënte hije puthjes sonë të parë
E nuk rrëzon asnjë gjethe kujtimesh.
Vij në viset e tua…
Me hapin e rëndë,
Plumb të rëndë…
Teksa pylli uturon në dorën time
E bëhet
Përmendore kënge
Me emrin tënd.
ZËRI I GJAKUT
Ma jep dorën, të dëgjoj zërin e gjakut!
Udha është e shkurtër,
Udhëtimi i gjatë…
Kur të kalojmë pranë pyllit të dimrit,
Ujku do këndojë këngën e uritur,
Por ti mos u trëmb e dashur
Se unë do ta gjuaj me llastikun e fëmijërisë
Që ruaj ende në xhepin e pantallonave
Veç më thuaj kur ta dëgjosh.
Pranë teje unë bëhem i shurdhër
Vetëm zërin e gjakut dëgjoj, si bubullimë brenda meje
Pastaj me tingujt e tij, përkthej gjithë tingujt e tjerë
Dhe kështu dëgjoj tërë botën
Dhe botën që dëgjoj e kam tërë timen
Se të kam ty
Ty që nuk dua të trëmbesh
Nga kënga e uritur e ujkut.
Ma jep dorën e dashur,
Të dëgjoj, zërin e gjakut!
DHIMBJA E KUJTIMEVE
Mbi një degëz prilli, vdiq xixëllonja jonë
Dhe yjet e vajtuan me lot drite, pa psherëtimë.
Pastaj degëzën e thyen erërat e grindura
Që frynë me shakullimë
Në përvjetorin e fundit të martesës sonë
E trupat na u mbushën me dhimbje eshtrash
Si hakmarrje për xixëllonjën e vdekur.
Zot, nëse dëgjon lutjen time
Shpëtomë nga dhimbja e kujtimeve
E merrmë ç’më ka mbetur!
UNAZAT E DHEUT
Ai bënte unaza dheu,
I varte nën strehën e shtëpisë
E këndonte këngë unazash.
Pastaj shtrihej i lodhur në tokë,
I mbledhur kruspull,
Si një unazë e stërmadhe
Dhe flinte
Mbështjellë me ngrohtësinë e diellit dimëror.
Në ëndërr i shfaqej e njëjta grua
Me një unazë floriri të thyer
I ledhatonte flokët
E diç i pëshpëriste.
Kështu i ndodhte sa herë bënte unaza dheu
E këndonte këngë unazash
I vinte ajo grua,
E se linte të vdiste.
RRËFIMI I UJËRAVE
Do kaloj 40 pragje
Të vijë tek ti,
Të rrëfehem për lotin
Që më pikon në zemër
Pikë…, pikë…
E thërmohet brenda asaj
Si një pikëz mërkur.
Do vij të rrëfehem
Si rrëfehen ujërat,
Kur kalojnë në 40 gurë.
JERUZALEM… JERUZALEM…
Kujtesë nga koha e luftës
I plagosuri rënkonte e fliste në jerm:
“Jeruzalem… Jeruzalem…”
Nëna i ndërronte kompresat mbi ballë
E murmuriste nën zë një anatemë.
Babai kërciste dhëmbët në heshtje
E pikonte rakinë mbi fashat e plagës.
Pastaj vëzhgonte patrullat naziste,
Që venin e vinin rrugicave të mëhallës.
Unë pyesja nënën gjithë kureshtje:
Kush është Jeruzalemi, më thuaj?
Shshttt! – thoshte ajo, – është vëllai i botit
Dhe bënte me kokë nga i huaji.
I plagosuri përpëlitej e fliste në jerm:
“Jeruzalem… Jeruzalem…”
Babai kërciste dhëmbët në heshtje
Nëna murmuriste nën zë një anatemë.
Ato ditë nëna ma mbajti sekret
Origjinën e të huajit që erdhi tek ne
Por unë Jeruzalemin e quaj edhe sot
Vëllain e botit hebre.