More
    KreuLetërsiBibliotekëKujtim Morina: Disa mendime për prozën e Nazmi Rrahmanit

    Kujtim Morina: Disa mendime për prozën e Nazmi Rrahmanit

    Dëshiroj të shpreh disa mendime pas leximit të dy romaneve të Nazmi Rrahmanit, për mua një zbulim i mirë. Romanin “Malësorja” e gjeta në Zym, më tërhoqi titulli dhe thashë të qëmtoj më shumë si e ka trajtuar autori. Librashitësi më tha: ka shkruar për atë kohë që mos u ktheftë kurrë më. E kuptova, për kohën kur zakonet, traditat e kishin ngërthyer keq femrën shqiptare që nuk vendoste asgjë vetë dhe ishte e shtypur, e poshtëruar nga mjedisi, opinioni, familja, fisi, etj. I botuar në vitin 1965, ndër romanet e para të shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës më vjen të bëj një paralele me disa romane të Petro Markos, “Hasta la Vista” më 1958 dhe “Qyteti i Fundit” (1960) që bënë diferencën për prozën e mirë dhe hapën siparin e romanit modern shqiptar.

    Ndërsa romanin tjetër “Toka e Përgjakur (1973) e mora më vonë dhe më la mbresa jo më pak se i pari. Unë nuk e kam lexuar prozën e shkrimtarëve të Kosovës, ndryshe nga poezia e këtyre autorëve që mendoj se deri diku e njoh mirë. I kam pasur në shtëpi kur isha fëmijë disa romane të Hivzi Sulejmanit, Ramiz Kelmendit, Zejnullah Rrahmanit por nuk i kam lexuar përveç një përmbledhjeje me tregime të shkrimtarëve nga Kosova që e kishte botuar shtëpia botuese Naim Frashëri në vitet 70, romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qoses që ishte në programin shkollor të Shqipërisë në vitet 80 dhe nuk mbaj mend gjë tjetër. Më vonë kam lexuar Anton Pashkun, Mehmet Krajën, etj,

    Çfarë ka të veçantë proza e Nazmi Rrahmanit?

    Ndërtimi i personazhit, karakterit. Shumë nga shkrimtarët shqiptarë mendoj se të shtyrë për të krijuar një simbolikë nuk arrijnë të ndërtojnë mirë dhe të plotë një karakter letrar. Pra krijojnë idenë e përfaqësimit të shtresës që synojnë dhe të simbolikës por personazhi del i zbehtë. Ndërsa në prozën e Nazmi Rrahmanit mendoj se ka një depërtim të thellë në botën e personazheve, këndvështrimin nga shumë aspekte, ndërtimin e shumë linjave, ndërthurjen e tyre, ndërveprimin, etj. Personazhi shihet nga shumë kënde, prerje, dinamika të jetës dhe përballet me realitetin e krijuar,

    Një element tjetër që e tërheq lexuesin në prozën e Nazmi Rrahmanit mendoj se është mbajtja e gjendjes së ankthit të lexuesit që e shpalon ngjarjen gradualisht duke e mbajtur gjithnjë gjendjen e ankthit, emocionit, pa e ditur mirë çfarë do të ndodhë në vazhdim por edhe duke mos e lodhur lexuesin në tjerrjet pa fund të prozës. Besoj se motoja e të shkruarit të këtij shkrimtari është: shkruaj për atë që njeh më mirë. Autori mendoj se i përket më shumë rrymës së realizmit që edhe kur edhe trillon, e bën sa më të besueshme duke e ngërthyer realitetin artistik në shumë plane që të ngjajë sa më i vërtetë. Ky stil të shkruari i shkrimtarit afrohet me dëshminë apo edhe me narrativën dokumentare siç është thënë edhe nga kritikë të tjerë. Në fakt ndër dy kolonat e shkrimit letrar, trillimin dhe dëshminë, nuk është pak të kesh të fortë, të paktën njërën prej tyre. 

    Për prozën e Nazmi Rrahmanit shprehet edhe albanologu i njohur Robert Elsie. “Nazmi Rrahmani nga zona e Podujevës një romancier mjaft prodhimtar dhe i njohur që ka shkruar për jetën në fshatin kosovar”- shkruan Elsie në librin e tij “Letërsia shqipe, një histori e shkurtër”. Pra autori shkruan për jetën në fshatin kosovar që nuk është pak. Mendoj se arrin të depërtojë në mentalitetin e brendshëm të shqiptarit të Kosovës me lidhjen e fortë me tokën, gjakmarrjen të cilën e analizon në shumë plane ashtu siç është e ngulitur për shumë breza në jetën e këtyre banorëve, jetën e femrës shqiptare, zakonet, traditat që janë si në pjesët e tjera të etnosit shqiptar. Autori shkruan për një periudhë mes dy luftërave botërore dhe më pas dhe pasqyron edhe një aspekt pak të njohur me themel, dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në Turqi nga makineria shtetërore jugosllave. Mes këtij operacioni dhe manipulimi pothuaj masiv, disa nga personazhet e shkrimtarit arrijnë të kthehen nga mërgimi, nga mosgjetja e vetes atje, nga dashuria e madhe për vendin ku kanë lindur dhe rindërtojnë jetën prapë në vendlindje.

    Gjuha e romaneve është mbreselënëse. Dialogjet përshtaten në dialekt madje edhe përshkrimet me fjalë të gjetura që i përshtaten situatës.  Gjithashtu ka edhe shprehje të zonës që qëndrojnë mjaft mirë. Përshkrime të natyrës, të jetës së personazheve janë gjithnjë sa të shtjelluara aq edhe të kursyera që mos ta kalojnë masën. Gjeografia e autorit duket se është pak e kufizuar, kryesisht në Llap e Gollak, por ai e kompenson këtë me një njohje të thellë të psikologjisë së personazheve dhe vëzhgim të mprehtë të jetës. Kam lexuar se autori ka shkruar vetëm romane, jo prozë të shkurtër, pra është përshtatur mirë dhe një kohë relativisht të gjatë me prozën e gjatë Megjithatë është çudi që nuk ka botuar pas vitit 1978. Ndërkohë dihet se që nga fillim i viteve 90 e në vazhdim ka ngritur shtëpinë botuese “Faik Konica”.

    Duket se autori përshkruan një periudhë kryesisht të viteve 30 dhe 50 të shekullit të 20. Nuk ka shkruar për shtypjen nga regjimi serb në Kosovë dhe gjithë pasojat që ka lënë ai regjim shtypës e diskriminues. Kjo është e kuptueshme nga censura e kohës kur janë botuar romanet. Nuk mund të luftosh njëkohësisht në të gjitha drejtimet. Disa nga romanet janë botuar edhe në Shqipëri në vitet 70. Nuk e di sa kanë arritur të lexohen apo çfarë ndikimi kanë pasur. Ndërkohë në Kosovë, me sa kam dëgjuar disa nga romanet e tij kanë qenë të përfshira për një kohë të gjatë në programin shkollor, s’po them në lekturën shkollore se s’po më pëlqen si term.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË