More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Kronikat e mjegullës” i Bashkim Hoxhës si parodizim i historisë

    “Kronikat e mjegullës” i Bashkim Hoxhës si parodizim i historisë

    Nga Behar GJOKA

    Titulli i romanit të Bashkim Hoxhës sugjeron praninë e mjegullës si detaj artistik, që fsheh dhe zbulon ngjarjet dhe protagonistët, historikë dhe të trilluar, duke endur një realitet letrar të trilluar. Aty ku historia shkruhet si përrallë dhe letërsia lexohet si histori, ka pamundësi të receptimit të tekstit letrar, si shenjë estetike, ndonëse ato janë të ndara. Mjegulla, si bashkëshoqëruese e kronikave, me shumë gjasa e fatit tonë, përgjithësisht vjen e mbështjellë me ngjyra gri, ndërkaq pikërisht ombrella e mjegullimit e përvijon historinë tonë, të mbushur me krenari dhe humbje. Mjegullaza, e shtrirë në kohë dhe hapësirë, fiton kështu statusin e dëshmisë/ dëshmitarit. Kjo rrethanë e plasuar, në hapësirën e tekstit, vetvetiu mjegullën e bën protagoniste kryesore të fatit të shqiptarit, endur rrjedhave historike nëpër të cilat ka mbijetuar qenia shqiptare. Duke qenë e pranishme në tekst, me gjithë aureolën e vet, madje që derdhet si e tillë në prozë dhe vargje, mjegulla gati është shpirtëzuar, gjer në animizim. Pra, përmes këtij detaji të beftë kemi të skicuar personifikimin e gjësendeve, krejt pa shpirt, të cilat, megjithatë, mundësojnë kundrimin e ftohtë të historisë dhe rrafsheve të çuditshme të saj. Në kuptim të fundit, mjegulla është kamera, është ekrani ku reflektohet jeta dhe fati ynë, si të thuash, është vetë pasqyra e historisë sonë, ku përthyhen dështimet dhe të mbërrimet tona. Duke u shkruar në mjegull, një “histori” e përmbysur që e mbulon dhe pasqyron atë, situata zbret në rrafsh ironik, madje thelbësisht parodizues, gjë që sendërton një estetikë, bosht i së cilës do të ishte ironia intertekstuale, term i U. Eco-s, dhe materializon tipologjinë e prozës postmoderne. Mjegulla tashmë shërben si element ndërlidhës i episodeve që shpalohen në hapësirën e librit.

    Fytyra e shtetit dhe qenies

    “Kronikat…” kanë vënë në qendër historinë e shtetit shqiptar, si dhe skicimin e tipareve të qenies shqiptare, të shpërfaqura në shtjellat historike, nga fillimi i mëvetësisë e gjer në ditët e sotme. Përqendrimi i vëmendjes, pavarësisht se shënon një kronikë vetëm se imagjinare, që madje lëviz me shpejtësi rrufe, ndalet në këto momente të historisë:
    A – Ngritja e flamurit si një akt jetik i ekzistencës dhe identitetit, bashkë me figurën kryesore, Ismail bej Vlorën, që bart peshën e shqiptimit të botës romanore.
    B – Mbretëria shqiptare ku edhe hidhen themelet e shtetit, e cila sjell pranë shumë figura historike, si dhe Mbretin Zog, një figurë që kundrohet me dritëhije.
    C – Vitet e diktaturës, që patën si epiqendër Enver Hoxhën, me të gjitha pasojat e diktaturës, i cili vetëm shfaqet në faqet e librit.
    D – Demokracia që, megjithëse po i mbush tridhjetë vjetët, fantitet si një re në sfondin e mjegullës tërësore të romanit.
    Rrjedha subjektore lineare, nga njëri çast historik në tjetrin, përngjitur me to ndeshim parakalimin e figurave të secilës kohë, të japin përshtypjen se kemi një roman historik. Ndërkaq, kur ndeshesh me fakte të tjera, kryesisht të fshehura nga historia zyrtare, mbase të një beteje epokale dhe shekullore, të vegjëlisë me bejlerët/ pasunarët, sikur skicohet ideja e një antihistorie, ndonëse të plazmuar me penelime të rrufeshme. Në fakt, nga prania e dritëhijeve të historisë, që në ndonjë rast rrëshqasin në kundrim informues/ mediatik, aq më shumë që vijnë të përthyera në grinë e mjegullës, gjithnjë si një mëtim autorial, më në fund bindesh se nuk është një roman historik, aq më pak antihistorik. Sugjerimi i Harold Bloom: Nga letërsia krijohet vetëm letërsi, edhe pse një përbërës thelbësor në këtë përzierje është jeta, por përbërës ama dhe jo formë. (2008: 167), ndihmon për ta parë romanin si fakt letrar. Materia, në tanësinë e vet, ofron një situatë ku merret shkas nga historia dhe figurat historike fiksohen të ngrira, kurse ato imagjinare, shpalohen me dinamikë, më tepër e parodizon dhe ironizon historinë e shtetit dhe të fatit të qenies.
    Sinkretika e rrokshme letrare
    Tiparet shkrimore në këtë tekst, shpërfaqur me larmi, në atë situim të përveçëm lidhen edhe me rrethanën e gërshetimit të prozës me poezinë, si tregues i letërsisë bashkëkohore. Megjithatë, mbizotërimi i tekstit, si prozëshkrim i mirëfilltë, vetëkuptohet nga prania e njëzet e një episodeve që shpërfaqin ngjarjet dhe protagonistët e kësaj “historie” thelbësisht imagjinare, në shëmbëllimin e vet, të mesazheve dhe formësimit shprehës. Krahas sendërtimit si prozë, pjesë e rëndësishme e tekstit letrar është edhe ligjërimi me anë të vargjeve. Shkrimi poetik shpaloset me dy forma ligjërimore: së pari, me anë të poezive dhe prozave poetike të mirëfillta, si në rastin: “Lavdërimi i parë i mjegullës”, si prozë poetike; “Lavdërimi i dytë i mjegullës”, poezi; “Buletini i mjegullës”, prozë poetike; “Nëpër mjegull ecën fati im”, poezi; “Horoskopi i mjegullës”, prozë poetike; përsëritet “Lavdërimi i parë i mjegullës”.
    Së dyti, tekste poetike, kryesisht të këngëve popullore, të cilat gjenden të përfshira në gjithë hapësirën, me anësim nga vargjet erotike, që shkojnë në dyzet e një vargje, të cilat edhe përsëriten herë pas here. Sendërtimi i tekstit romanor me praninë e ligjëratës poetike, krahas rrëfimit dhe dialogut identifikues, krijon premisat për ta parë si një rast të pastër të shkrimit sinkretik, domethënë të shkrimit letrar, si një bashkëshkrim i gjendjeve të ndryshme letrare, poezi, prozë dhe dramatikë, që e shpalon qartë natyrën e poetikës së shkrimit bashkëkohor, me kahje të shenjëzimeve postmoderne.

    Roman i personazheve

    Varësisht strukturës së tekstit, “Kronikat e mjegullës” projektohet si roman i personazheve që vijnë dhe zbulohen në funksion të ndodhive të historisë shqiptare, që këtu ironizohet dhe përtallet, gjer në grotesk, gjë që lajmëtohet në thënien paratekstuale “Grabit ç’të mundesh nga kjo jetë”, shprehje e marrë nga Dekameroni i Bokaçios, që pasohet nga vargu: “Kush fiton, i merr të gjitha. ABAB.” E para në radhën e personazheve të romanit është Hëna, e cila fill pas humbjes së virgjërisë i përjeton të gjitha etapat historike. Gjithnjë duke u përshtatur në rrethanat e caktuara, vetvetiu kthehet në një protagoniste të romanit, me gjasë një dëshmitare e vetëparodizmit të historisë sonë, të nginjur te hijedrita. Pastaj vjen Azis beu, që paraqitet në shkëlqimin dhe shpërfytyrimin e vet, si përfaqësues i parisë, që simbolizon rënien nga fiku të kësaj shtrese. Masari, një figurë enigmatike që më tepër flet me heshtjen e tij, ka rol të përfillshëm në shpalimin e ngjarjeve. Cubi simbolizon kaçakërinë, si formë tradicionale e kundërshtimit të poshtërsive të pushtetit. Nesti, figura e mësuesit dhe roli dytësor që bart në jetën e shtetit shqiptar. Pa harruar figurën e mjegullës, si kryepersonazh imagjinar dhe një detaj i gjetur që personifikohet dhe ndërlidh episodet e romanit. Po kaq hija e mjegullës lëshon dritë e terr mbi personazhet e tjera, në varësi të konteksteve që ndërrohen shpesh. Për të vijuar me rishfaqjen e Azis beut, me dukjen për herë të parë të Mistos, të qytetit të fundit, të Ferdinandit, rikthimin e Hënës dhe të bijve të saj, me ardhjen e Harunit, Çingijeve e Dafinës, Të tjerët, për ta mbyllur me Kristelën. Pohimi i bërë nga rrëfimtari: “Historia e Hënës dhe familjes së saj me Azis beun kishte vazhduar gjithë jetën.” (2019: 203), i vendos protagonistët në një marrëdhënie të ndërsjellë, të një betejë shekullore, në mes parisë dhe vegjëlisë, ku ndërkaq përthyhet lufta e paepur e asgjësimit të kundërshtarit. Prania e personazheve, historike dhe imagjinare, ku të dytët kanë peshën reale të sendërtimit të realitetit letrar, e shënjon këtë tekst në roman të personazheve.

    Narrativa dhe dialogu

    Megjithatë, vështruar në brendësi, ky tekst, në shpalimin e vet, nga njëra anë është roman i personazheve, ndërkohë që bota romanore, siç ngjet në prozëshkrim, ngjizet përmes narracionit dhe zbulimit të personazheve me anë të dialogut. Mbizotërimi i natyrës së personazheve, megjithatë, nuk e shmang përfundimisht praninë e autorit-rrëfimtar. Përsjellja e shumë personazheve në hapësirën e tekstit, replikat e përndezura, e kanë lënë disi në hije narratorin. “Tërheqja” qëllimore, sepse ashtu shpalohet, në këtë pozicion, si një praktikë e shkrimit dramatik, ka ndihmuar në zbulimin e karaktereve, por nuk e ka mënjanuar plotësisht rrëfimtarin-autor. Teksti romanor, ku zbulohet loja dhe parodizimi i historisë, e harkut njëshekullor, mundësohet nga: roli më i tërhequr i rrëfimtarit, si për të lënë hapësirën e lirë për personazhet që zbulojnë dritëhijet e ngjarjeve, sidomos fokusimin e anëve të padukshme të akteve qendrore historike, ka mundësuar projektimin e një bote të padukshme. Rrëfimtari, pavarësisht qëndrimit në hije, nuk e ka braktisur dëshminë e kronikanit, që sheh dhe përshkruan gjithçka, që ngjet në tekst. Pra, rrëfimtari parapëlqen dëshmitarin i cili më shumë hesht, që të flasin protagonistët. Dialogu i çlirët, pa doreza, i personazheve, krahas portretizimit të rrëfimtarit autor, ku madje shpesh replikat e ndezura, që shkëmbejnë protagonistët, përngjyroset me kontekste kohore dhe hapësinore, është forma e identifikimit dhe karakterizimit të tyre. Vetëkuptohet që universi letrar në këtë formë shkrimi shndërrohet në tekst konkret prej narrativës dhe dialogut, që shpesh gjëllijnë në dhënie-marrje të ndërsjella.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË