Përkthyen nga origjinali suedisht Entela Tabaku dhe Shqiptar Oseku
Fragment i shkëputur nga kapitulli i shkruar posaçërisht për botimin në shqip të librit “Gjakim kthimesh, gjakim ikjesh. Ese mbi letërsinë në arrati” të autorit suedez Leandoer, së shpejti nga Shtëpia Botuese Onufri në përkthim të Entela Tabakut dhe Shqiptar Osekut. Fragmenti u botua nga e përditshmja suedeze “Svenska Dagbladet”, dt. 19-07-2023.
Si ta kishte vendosur që nga fillimi se do të personifikonte ndërrimin e shekujve, Lasgush Poradeci u lind më 27 dhjetor 1899 si Llazar Gusho, në Pogradec, një qytet i vogël shqiptar në bregun jugor të liqenit të Ohrit. Domethënë se i përkiti shekullit të XIX për disa ditë. Lindi kur simbolizmi evropian ishte në kulmin e vet dhe mund të shihet si përfaqësuesi i tij i fundit: Lasgush Poradeci në Shqipëri përfaqëson skajin më të largët kohor e hapësinor që mbërriti simbolizmi si rrymë letrare. Bashkë me Migjenin (1911-1938), një poet nga qyteti shqiptar verior i Shkodrës që vdiq herët nga tuberkulozi, përfaqëson kulturën e veçantë të ndërrimit të shekujve, të karakterizuar nga takimi i dekadencës me ëndrrën, distancimit me angazhimin shoqëror: nga njëra anë, identifikimi aktiv i Migjenit me të varfërit, të dëbuarit e të poshtëruarit, lypësit, e prostitutat; nga ana tjetër Lasgush Poradeci, me panteizmin e vet kozmik, në një qoshe të përgjumur të vendit. Poradeci e botoi shumicën e poezive në vitet njëzet, në dy përmbledhje që përbëjnë pjesën kryesore të krijimtarisë së tij, “Vallja e yjeve” në vitin 1933 dhe “Ylli i zemrës” në vitin 1937, të dyja të botuara në një shtëpi botuese shqiptare në mërgim, në Rumani. Ashtu si lëvizja simboliste në përgjithësi, edhe Poradeci bën bashkë lokalen me internacionalen, një rreth shumë të gjerë me një rreth shumë të ngushtë. Mësoi shumë gjuhë të huaja dhe e shkroi tezën e doktoraturës në gjermanisht, në Austri, për një poet rumun. U lind në një Evropë ku kufijtë e gjuhëve dhe të vendeve nuk ishin pengesë për rrymat letrare dhe vdiq në vendin më të mbyllur të kontinentit, si gjeografikisht ashtu edhe shpirtërisht. Shkollën e kreu në një shkollë rumune në Manastir, në Maqedoninë e sotme të Veriut. U dërgua gjatë luftës në Greqi, ku studioi në liceun francez të Athinës, prej andej shkoi në Bukaresht, ku mori pjesë në rrethet intelektuale të mërgatës, të cilat synonin krijimin e një letërsie kombëtare dhe filloi të botonte në revistat shqiptare: Shqipëri’ e re në Rumani dhe Dielli në Boston. Studimet e çuan mandej në Berlin dhe në Graz, prej nga u kthye në Shqipëri, ku do të punonte si mësues në Tiranë deri në shpërthimin e luftës. Nuk u largua më nga Shqipëria gjersa vdiq në vitin 1987.
Ashtu si T. S. Eliot, edhe Lasgush Poradeci studioi sanskritisht për të lexuar shkrimet e shenjta të hinduizmit. E shihte veten si panteist, interesohej për teozofi dhe misticizma të tjerë dhe mbërriti gradën më të lartë në urdhrin e masonëve. Mistika e tij jokonfesionale ishte tipike për periudhën e simbolizmit. Po të kishte jetuar në Paris do të ishte bërë rosencreucianist, po të kishte jetuar në Londër do të ishte anëtarësuar në urdhrin Golden Dawn. Botëkuptimi i tij buronte nga të gjitha kontinentet dhe kohërat, por në beben e syrit kishte vetëm një pamje: liqenin e vendlindjes. Siç e përmenda, ekzistenca e tij përshkonte një orbitë shumë të gjerë e një shumë të ngushtë. Udhëtari poliglot u bë i njohur në vendlindje që në kohën e studimeve, nxënësit e shkollave tregonin histori për të. Njëkohësisht ishte edhe frymëzim për shkrimtarë të tjerë dhe një simbol për poezinë si qëndresë, në një kohën të intolerancës ekstreme.
E brendshmja është shumë më e madhe se e jashtmja, pritja e tejkalon të shumëpriturën. Nëse qëndron aq sa duhet në të njëjtin vend, vëren se aty gjen gjithçka. Të njëjtën gjë zbuloi edhe Thoreau në bregun e Waldenit. Në poezinë e Poradecit, liqeni bëhet universal, përmban lindje dhe vdekje, përmban hapësirë dhe një panteon të tërë. Tipik për kohën është edhe personifikimi i tij me natyrën dhe dëshira pak vdekjendjellëse për t’u shkrirë me kozmosin. Në këtë bashkim të lokales me universalen të kujton poetin Max Elskamp, i cili pa Lindjen e Largët nga dritarja e shtëpisë së vet në qytetin bregdetar Antwerpen. Apo Saint-Pol-Roux, i cili ekspozoi vepra fantastike arti në Finistèren e rrahur nga era në bregdet të Atlantikut, për çudi të popullsisë lokale. Të vetmet kufizime të vlefshme ekzistojnë në gjuhë. Po i kapërceve ato, bëhesh zot i pamposhtur i kohës dhe i hapësirës: kufizimet gjeografike as që krahasohen me to. Prandaj edhe poezitë e Poradecit janë ushtrime praktike të lirisë, të cilat i tregojnë lexuesit sa hapësirë ka në një vend, sa e lehtë është të bëhesh pjesë e një aventure ekzistenciale, mjafton të zbresësh te liqeni dhe të hapësh sytë:
Mëngjes
Si shpirt` i zi në kraharuar,
U mbyll liqeri nënë male.
Ndaj fund` i ti e pasqyruar,
Po shuhet nata me ngadale.
E shoh ku vdes e ku po vuan,
E syt` e saj duke pulitur;
E syt` e saj q`u mavijuan,
Jan` yjt` e qjellit të venitur.
Tashi dh` agimi llambaritës
Po svagullon në fund liqeri,
Po tretet tinëz yll` i dritës
Posi një sumbull prej sheqeri.
Pra, ja! pra, ja! se dita ndezi,
Se fund` i ujit vetëtiti,
Se posi lajmëtar – mëngjesi,
Del zogu i bardh` i një nositi…
Ky poliglot e mishëron më së miri nocionin ”poezi e vendit”, poezia e tij vërtet ndehet nga vendlindja në kozmos, por nuk largohet kurrë prej brigjeve të Ohrit. Thonë se u thoshte shkollarëve të rinj të qytetit se “Një pogradecar i vërtetë nuk ia kthen kurrë shpinën Ohrit”.
Gjatë komunizmit jetoi me të ardhura të pakta, sipas të bijave kishte vetëm një kostum, por ruante një pavarësi aristokratike ndaj gjitha ftesave të partisë për t’i shërbyer propagandës si poeti i gjallë më i njohur i vendit. Më parë thyente penën se shkruante poezi të tipit që kërkonte pushteti. Edhe ditarin madje e shkroi në një përzierje midis greqishtes dhe sanskritishtes, për t’i shpëtuar censurës së mundshme të autoriteteve.
Heshtja e bëri edhe më legjendar. Ende tregohen histori për Lasgush Poradecin dhe mënyrën e tij për t’u bërë i pambërritshëm dhe i panevojshëm për qeverisjen totalitare të vendit. Për shembull, refuzonte të përgjigjej kur dikush i drejtohej me thirrjen e detyrueshme ”shok”. Kush nuk i drejtohej me ”zoti Llazar”, as që kish shpresë të merrte ndonjë reagim.
Nuk publikoi gjatë kohës së komunizmit dhe e fitoi jetesën si përkthyes në një shtëpi botuese shtetërore. Banonte në Tiranë, por e kalonte gjithë kohën e lirë në bregun e liqenit të Ohrit. Përktheu shkrimtarë të ndryshëm si Robert Burns dhe Heine, Brecht dhe Goethe, Victor Hugo, Pusjkin, Lermontov dhe Majakovskij: qe një bibliotekë shëtitëse. Përkthente nga pesë gjuhë të mëdha evropiane dhe njihte edhe disa të tjera, por është i panjohur jashtë vendit të vet: kushedi sa letërsi ia doli të kalonte nëpër barrierën gjuhësore, por vepra e vet i mbeti në një anë. Poezia e tij është përkthyer shumë pak. Vargëzimi i tij është njëkohësisht i sofistikuar dhe i menjëhershëm, i ngjashëm me poetët Fröding dhe Karlfeldt. Një poezi dashurie si ”Prandaj” shqiptarët e dinë përmendësh dhe e kanë muzikuar. Poradeci shkëlqen në krijime fjalësh të reja, si dhe në fjalë të kahershme, gjuha e tij konsiderohet e vështirë, por nuk është pengesë për popullaritetin e tij: përkundrazi krenohen me faktin që është i vështirë për t’u kuptuar.
Poetë të tjerë u ndien të detyruar të sakrifikoheshin në altarin e linjës së partisë për hir të mbijetesës, pavarësisht se çfarë mendonin. Dritëro Agolli, që ia doli të botonte më 1973 romanin satirik “Shkëlqimi dhe rënia e zotit Zylo” (sigurisht, duke vënë në qendër të satirës një individ të njohur, jo sistemin, por megjithatë), u bënte thirrje poetëve të së ardhmes se brezi i tij nuk shkruante poezi dashurie, por luftonte kundër analfabetizmit dhe thante këneta. Është e pabesueshme se si një identitet kombëtar që u formulua më së shumti jashtë kufijve të vendit, i cili u ëndërrua dhe u diskutua nga diaspora dhe qe rezultat i botës së hapur të periudhës para luftës së parë, shkoi në ekstremin e vet të kundërt, drejt një intolerance dhe vetëmjaftueshmërie të paparë në botë, në të cilën brezat u përkushtuan në shkëputje të vetes nga të tjerët.
Në një atmosferë të tillë intelektuale, heshtja e një poeti peshonte rëndë. Ismail Kadare, i zënë siç ishte me mbajtjen e drejtpeshimit në përpjekje për të mbijetuar si shkrimtar, i rikthehet shpesh Lasgush Poradecit, në kontekste të ndryshme, fiktive dhe eseistike, i magjepsur dukshëm nga qëndrimi konsekuent i poetit: ajo figurë e heshtur shfaqej si një ideal moral i paarritshëm, në një kohë kur të gjithë dërdëllisnin dhe rrihnin shuplakat për linjën e partisë. Kadareja, gjithashtu, si dëshmi të faktit që simbolisti i moshuar preferonte të jetonte më shumë në një realitet të brendshëm sesa në realitetin e dukshëm të jashtëm, ka treguar se si një ditë trokiti më kot në derën e shtëpisë së Poradecit. Nga brenda u dëgjua zëri i poetit: ”Nuk e hap dot derën, e ka kyçur gruaja”, ndërkohë që e shoqja kish dhjetë vjet që kishte vdekur.
Vetëm një herë e përdori Poradeci pozicionin e vet si shkrimtar i njohur, atëherë kur kryesia e lagjes deshi t’ia mbyste qenin e kapur në një spastrim të kafshëve shtëpiake të lagjes. Poradeci iu drejtua menjëherë instancave më të larta të partisë. Mbas tri ditësh u dorëzuan dhe ia rikthyen. Qeni quhej Cuci dhe sot e shohim pranë poetit, në statujën e kthyer me fytyrë nga liqeni i Ohrit. Elegant, por i varfër, i izoluar por gjithmonë në shoqëri të qenit, i heshtur por i lehtë për t’u kuptuar, kështu e shihnin bashkëqytetarët. Kështu donte, me siguri, të shihej: duket se e kishte nën kontroll imazhin e vet publik.
Edhe pse e vogël, shqipja është superfuqi në botën e poezisë dhe kjo vetëm në sajë të poezive të Lasgush Poradecit. Ai ka një vend të padiskutueshëm në letërsinë botërore dhe do të numërohej ndër emrat e saj të mëdhenj, po të kishte shkruar në një gjuhë tjetër.