Romani “Nesër e përgjithmonë” i Ermal Metës, Dudaj 2022
Sapo lexova se romani kishte në qendër një pianist, paralelen e parë e hoqa me romanin e Visar Zitit “Këpuca e aktorit” duke u bërë dy vepra për fatet e ngjashme të artistëve shqiptarë nën diktaturë.
Paralelen e dytë e hoqa me romanin e Dritëro Agollit “Njeriu me top” ku Augusto, një ushtar italian, duke u strehuar në një familje shqiptare, i mëson të zotit të shtëpisë të përdorë topin e fshehur. Këtu kemi një ushtar gjerman, dezertori Kornelius, që kërkon strehë në një tjetër familje shqiptare, por në vend të topit të fshehur, gjen një piano të marrë nga një shtëpi e braktisur dhe gjermani i mëson Kajanit 7-vjeçar të luajë në të duke i hapur shtegun e mundimshëm të artit. Kornelius ishte nga Drezdeni dhe para se të rekrutohej në radhët e ushtrisë naziste, pati punuar si mësues pianoje. Por, kur “lufta është zhurmë, atëherë muzika s’mund të jetë veçse heshtje.” (f.21) Gjithsesi, background-i muzikor i armikut shërben si dorë e zgjatur për armëpushim me të pushtuarin.
Mund të presësh faqe pas faqeje të zbulosh lidhjen e kësaj familjeje me autorin duke e hamendësuar si një libër autobiografik, por ky roman me 455 faqe, i shkruar fillimisht në gjuhën italiane, është, para së gjithash, një prodhim artistik dhe jo një rrëfim për veten.
Meridiani i parë që na zhyt në thellësitë e romanit është se Ermali ka lindur në Fier, kurse ngjarjet e romanit vendosen në Veri, në fshatin Rragam, në brigjet e lumit Drin, ku jeton e veçuar familja e Betim Saliasit. Pak më tej është fshati Guri i Zi ku jetojnë kushërinjtë bashkëmoshatarë të Kajanit, Besniku dhe Fatjoni, të cilët me papjekurinë e tyre gati e mbytën, duke e shtyrë në lumë. Gjatë tërheqjes drejt Shkodrës dhe lëvizjes jashtë kufirit trupat gjermane ushtruan raprezalje edhe në fshatin Ragam, familja e Betimit shpëtoi duke u fshehur në një llagëm, por vetë Betimi mori një goditje me plumb nën sqetullën e majtë e cila ia shpoi njërën mushkëri. Në çastet e fundit të jetës Betimi i kërkoi nipit të luante në piano, por instrumenti ishte shkatërruar. “Korneliusi do ta ndreqë pianon dhe unë do të luaj për ty, të betohem gjysh, të betohem! Nesër, nesër do të luaj për ty.” (f.58-59) Por për gjyshin nuk do të kishte të nesërme, ai jep shpirt me fjalët “Nesër e përgjithmonë” që shërbejnë si titull i veprës. Pjesa e parë ka një përmbyllje ku autori kthehet në rolin e komentatorit politik: “…Fitorja e partizanëve dhe kapitullimi fill më pas i Gjermanisë më 8 maj 1945 shënuan fillimin e diktaturës komuniste që në Vendin e Shqiponjave do të zgjaste deri në fund të 1990-s, për t’u shpërbërë krejt më 1991…” (f.67)
Mjafton pjesa e parë për të perceptuar strukturën unike të romanit: gjashtë pjesë dhe një epilog. Çdo pjesë ka kapituj që identifikohen me numra, një titull – sintezë dhe një vendosje e përpiktë në kohë, gjë që na lehtëson të orientohemi gjatë retrospektivave të shumta.
Në pjesën e dytë ka një kapërcim të konsiderueshëm në kohë: Kajan Dervishi që ka ardhur me familjen në Tiranë që nga viti 1946, ka mbaruar liceun artistik “Jordan Misja” në moshën 20-vjeçare dhe e kanë mbajtur atje si profesor. E ëma, Seli, bija e Betim Saliasit, ish-partizane, ka një post të rëndësishëm partiak në kryeqytet dhe ky angazhim bëhet pengesë për legalizimin e dashurisë së Kajanit me Elisabetën për shkak të ca njollave të errëta të familjes së saj. “I ati është një tradhtar, ka vrarë njerëzit e tij dhe ka vdekur për këtë.” (f.81)Por dy të rinjtë ngrihen mbi murin e biografive sepse i ka bashkuar fort si një premtim puthja e parë. “Sepse kështu bëhet një premtim, pa thënë asgjë, pa folur. Fjalën edhe mund ta hash, mund ta tradhtosh, ta bësh hasha, ta lajthisësh, ta mbysësh përbrenda, mund edhe ta ndryshosh, ta rishkruash, mund ta harrosh, por një gjest jo. Puthjen e parë jo.” (f.76)
Babai i Kajanit pëson një iktus dhe këtu shfaqet paralelja e tretë, i njëjti fat shëndetësor me atë të babait të Emës te romani i Irma Kurtit “Njeriu që flet me pemët.”
Meridiani i dytë: Familja Dervishi tronditet sepse nipat e Selit janë përgjuar dhe do të arrestohen, prandaj komandanti partizan Dashi e këshillon që të arratisen. Fillimisht Seli pati shkuar me urgjencë në Shkodër për të shpëtuar nipat e saj, një tjetër udhëtim të fshehtë pati bërë ajo me Kajanin për te varret e Besnikut e Fatjonit që nuk kishin mundur të arratiseshin. Kjo krisje biografike dhe tronditje shpirtërore e Kajanit i mbahet e fshehtë Elisabetës dhe vjen paralelja e katërt me romanin “Dimri i vetmisë së madhe” të Ismail Kadaresë, kur Besnik Struga i kthyer nga Moska nuk i tregon Zanës atë që ndodhi mes partive dhe ftohja që i ka hyrë brenda atij, i përcillet edhe marrëdhënies me të fejuarën.
Simboli i përndjekjes dhe raprezaljeve bëhet Bajram Tuzi me një portret dhe sjellje që përputhet me karakterin: “sytë i kishte të veckët e të errët, hunda e shtypur i jepte një pamje kanosëse” (f.94), “i pëshirë” (f.96), “i ndiqte pas si një hienë” (f.105), “sadist”, “me entuziazëm makabër” (f.106), “me gajasje harbute” (f.111). Bajrami do shfaqet sërish në pjesën e katërt me atë ngërdheshjen dashakaqe duke iu gëzuar goditjes së dytë që ka marrë shoqja Dervishi, nënë e Kajanit, pas deklarimit të arratisjes së të birit nga Gjermania e Lindjes në Gjermaninë e Perëndimit. Ajo do përfundojë në tortura të paimagjinueshme që do ta çmendin, por nuk do t’ia fshijnë besnikërinë ndaj kauzës. Prej kapitullit 7 e në vazhdim bëhet i dukshëm qëndrimi shpotitës i rrëfyesit ndaj regjimit.
Pjesa e tretë është shkëlqimi i përkohshëm i Kajan Dervishit, me atë udhëtimin si muzikant në Gjermaninë Lindore dhe përballjen dinjitoze me artistë të tjerë të kampin socialist, veçanërisht me rusin Dariji. Ermal Meta këtu luan në fushën e vet, prandaj detajet dhe termat janë të përpikëta. “Përqëndrimi ia kishte ndryshuar tiparet Kajanit. Flokët i ishin ngjitur pas ballit, muskujt e nofullës ngjanin si tela të hollë çeliku. Në vështrim kishte puplat e një kaosi të rregullt të ushqyer nga fryma e djallit. Hijeshia e pamjes së ujit në lëvizje, kur e trazonte nimfa e liqenit… Pastaj mbërriti lëvizja e tretë, ajo e xhindit shtrembanik dhe e gaztorit. Pianissimo dhe fortissimo, nota të shpeshta të përsëritura, arpezhe marramendëse…një tërësi e përsosur…” (f.190) Ndërsa vitet e luftës janë rrëfim i rrëfimit, kur bëhet fjalë për Gjermaninë, detajet janë aq të shumta sa mund të mendosh që autori i ka shkelur me këmbët e veta rrugët dhe institucionet që përmend.
Në Gjermaninë Lindore në zemrën e plagosur të Kajanit shfaqet një dashuri e re për polaken Dana edhe pse nuk e njohin gjuhën e njëri-tjetrit. Në çastin e ndarjes ajo i lë një shënim në polonisht: “Dashuria është një biletë për të shkuar ku të duash.” Por klima miqësore që krijohet mes artistëve kontraston me situatën e ndërlikuar policore dhe agjenturore, sepse shumë afër tyre është Muri i Berlinit. Alfred Fuksi që duket sheshit si agjent, pasohet nga Harro Bauer që është drejtuesi artistik i koncertit, por edhe nënshkrues i vendimeve policore. Artistët pjesëmarrës në koncert ndiqen nga agjentët në çdo hap, sepse “aty ku ka kulturë ka ide dhe jo gjithnjë idetë përputhen me mendimin politik të vendit.” (f.185) Lexuesi mund të presë një takim fatlum të Kajanit me mësuesin Kornelius, por ja ku vjen meridiani i tretë – ai bëhet pre e luftës midis Lindjes dhe Perëndimit, grabitet dhe kalon në Gjermaninë Perëndimore duke shpëtuar nga vdekja, por e vulos kalimin nga ferri në purgator me një pullë të shëmtuar në fytyrë.
Përpjekjet për të fituar statusin e azilantit me identitetin e muzikantit gjermanolindor Jonas të vrarë përfundojnë pa sukses dhe bie në duart e Zelda Karter, agjente e CIA-s e cila e ndihmon të shkojë në Nju Orlins të Amerikës. E fillon si pjatalarës, ashtu si shumë emigrantë shqiptarë të të gjitha epokave, po mjeshtëria si pianist e bën t’i bashkohet një grupi muzikor. Nju Orlinsi është djepi i xhazit dhe vetë xhazi “është një përpjekje e bukurisë për t’u arratisur nga krahët e mjerimit.” (f.315) Grupi i Uilli Blumit ku u përfshi Kajani, u ngjit në shumë skena koncertesh në Amerikë dhe gjetkë dhe kjo ishte karriera e mirëfilltë e artistit në një vend të lirë.
Vitet e gjata të qëndrimit në Amerikë i ofruan dy surpriza të bukura: së pari gjeti të dy kushërinjtë Besnik dhe Fatjon që, përkundër sajesave të sigurimit shqiptar, kishin arritur ta kapërcenin kufirin dhe trupat e varrosur kishin vetëm rrobat që kishin lënë në bregun e liqenit të Shkodrës. Rinjohja me ta ka diçka të ngjashme me baladën e rinjohjes pas nëntë vitesh e nëntë ditësh, kur gruaja po shkonte nuse dhe është një nishan i Ago Ymerit që ndryshon rrjedhën e ngjarjeve. Kajani mbante mend që Besniku i vogël mbante në qafë një flori me gjel që përcillej brez pa brezi dhe një shfaqje rastësore e medaljonit zbulon se pas shqiptaro-amerikanit Nik fshihet Besniku.
Së dyti, në Amerikë vjen edhe Dana me të ëmën, të përndjekura nga Polonia si hebreje. Ringrihet ura e dashurisë, martohen dhe u lind një djalë, “ishte një bashkëshort i bërë baba, u bë një burrë i ri, me të birin në krahë… Teksa vështronte kërthiun e tij, zbuloi se liria kishte rrënjë shumë të thella… (f.340-341) Por vjen meridiani i pestë: një aksident automobilistik u mori jetën Danës dhe birit Itan. Ky meridian kryqëzohet me paralelen që na kujton “Fatin e njeriut” të Mikail Shollohovit, ku goditjet e fatit të hidhur janë të njëpasnjëshme dhe e thërrmojnë zemrën e njeriut. “Tërë dhembja që ndiente në trup u shpërngul gjetiu brenda tij, një vend ku nuk do të ishte i burgosur por prej nga s’do të mund të arratisej dot, një vend ku e ardhmja që kishte parë në sytë e të dashurve të tij nuk do të ekzistonte më…” (f.357)
Pjesa e gjashtë afrohet në vitin 1984, kur Kajani ndërmerr aktin e jashtëzakonshëm aventuror të ardhjes nga Amerika në Greqi dhe hyn ilegalisht në Shqipëri, një hyrje diversive me dy objektiva madhorë: të shkojë në Savër të Lushnjës ku janë internuar prindërit e Besnikut e Fatjonit dhe t’u çojë lajmin se bijtë e tyre janë gjallë duke ua provuar me fotografinë që kishte bërë së bashku në Amerikë; të takojë nënën e vet. Në sytë e Kajanit parakalon një Shqipëri “me pallate shtrembanikë pa pikë lezeti”, “pemë me gjelbërim të venitur”, “rrugë si mos më keq”, “tabela shkatarraqe”, me njerëzit që kishin të njëjtat karakteristika: një palë frerë shumë të shkurtër dhe binarë mbi të cilët vazhdonin të ekzistonin”, me Savrën ku kishte “barraka balte, kallamash e llamarine”. Misioni i parë realizohet me sukses dhe u sjell dy pleqve gëzimin e humbur. Misioni i dytë ishte fatal sepse e ëma e shkatërruar nga torturat çnjerëzore që i kishin lënë dyqind e nëntëdhjetë e shtatë shenja në trup, pas dhjetë vitesh ka humbur drejtpeshimin mendor, por në rastin më të parë ua dorëzon të birin organeve të sigurimit të shtetit të cilat e futin në burgun e Spaçit, kurse ajo vetë bën harakiri. Kajani “kishte kërkuar dashurinë dhe kishte gjetur humbjen, kishte kërkuar paqen dhe kishte gjetur dhembjen, kishte kërkuar shelbimin dhe kishte gjetur asgjësimin.” (f.434) Në burg mëson se Korneliusi nuk ishte ndihmuar për t’u riatdhesuar, por kishte përfunduar në Spaç dhe kishte humbur jetën.
Pas gjashtë vitesh izolimi e shfrytëzimi, kur ishte pesëdhjetë e katër vjeç, lirohet nga burgu, por liria e plaku më shumë se vitet e burgut, pasi kishte mbetur pa asnjë njeri të afërt. “Kishte dalë nga goja e ferrit, por një pjesë e tij ishte ende atje, mes atyre maleve dhe nuk do të kthehej më.” (f.439) Takimi me komandant Dashin i zbulon se e ëma paskej qenë shefe e spiunazhit brenda Shqipërisë. Në bllokun e saj të shënimeve gjen një adresë dhe niset drejt Vlorës. Kalvari i përgjakur i 30 viteve i kishte rezervuar një ishull lumturie: shoqja Dervishi e kishte detyruar Elisabetën të largohej nga Tirana për ta ndarë nga i biri. Elisabeta ka një vajzë, Albën, dhe ajo është bija e panjohur e Kajanit, bija e dashurisë së parë. Alba ka një djalë që mban emrin e gjyshit – Kajan. Në shtëpi ka një piano dhe gjysh e nip luajnë së bashku. Romani mbyllet me dialogun e tyre që e rimerr për herë të dytë titullin.
Nipi: Do të luajmë edhe nesër?
Gjyshi: Po, Kajan. Nesër e përgjithmonë. (f.453)
Kur ke përfunduar krejt romanin, mund të shfaqet një paralele tjetër mjaft domethënëse që shpjegon mjaft nga çudirat shqiptare: politika ka ushqyer antagonizëm edhe brenda familjes, Seli shefe e spiunazhit, kurse vëllai i saj i internuar. Edhe te romani “Dëmtuar gjatë rrugës” të Besnik Mustafajt kemi burrë e grua me qasje të ndryshme në angazhimin politik, edhe te romani “Shpërngulja e të vdekurve” i Kim Mehmetit babai njërin djalë e dërgon me gjermanët, tjetrin me partizanët. Ky trazim politik bën që të ndryshojnë shpesh hunjtë e gardhit që ndajnë të majtën me të djathtën, kështu shpjegohet që organizata politike të hyjnë në pazare dhe koalicione interesi duke shpërfillur gardhin, kështu shpjegohet që partitë politike nuk e ndërtojnë fushatën zgjedhore mbi programe, por mbi krahasime se cila është më pak e korruptuar.
Bilisht, 20-25 prill 2024