More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKosta Nake: Arë e lëruar, arë e pambjellë

    Kosta Nake: Arë e lëruar, arë e pambjellë

    Do ta quaja një zbulim tronditës sikur të mos kisha njohur më parë qeshatarët – kushërinjtë e tyre. Këta qeshatarët janë pjesë e përhershme e filmave humoristikë amerikanë dhe më shkaktojnë neveri. Sikur të mos mjaftonin këta, periudha e pandemisë na i bëri peshqesh, me një shkëlqim të ri në spektaklet “Portokalli” dhe “Klanifornia”. Në mungesë të shikuesve në sallë, regjisorët futën qeshatarët artificialë për t’u treguar teleshikuesve se cilat ishin batutat që duhej t’i kishin bërë për të qeshur, ose duartrokitur, ose për të shpërthyer në ovacione.

    Te romani i Bashkim Hoxhës kjo ndërprerje patetike realizohet jo me tinguj gojorë, por me përplasje duarsh. Dhe nuk është dukuri e re, por e lashtë sa vetë Neroni. Dhe nuk është e konsumuar, pasi është një qasje e sprovuar dhe shoqëritë me qeverisje diktatoriale ose autoritare kanë kapital të mjaftueshëm jo vetëm për t’i blerë duartrokitjet, por edhe për t’u dhënë atyre ngjyrat e dëshiruara për të vrarë monotoninë.

    Duke i paraprirë kapitujt me nga një formulim servantesian, autori jo vetëm i rikthehet një tradite klasike, por edhe demonstron karakterin ironik dhe sarkastik të dukurive shoqërore që priten të shpalosen. Vendin e Don Kishotit e zë Klajdi me një pozicion ekonomik mjeran që e ka bërë njeri të trishtuar, të varur nga ai 200-lekëshi që i lë e ëma çdo mëngjes te cepi i tavolinës. Pika e lidhjes që shënon edhe ndërprerjen e pritjes së të papunit te shëtitorja krah Teatrit Kombëtar, është oferta e Sokol Ç. për të qenë pjesëmarrës në poemën simfonike “Prangat e një skllavi”, pranga që kanë zënë vend në ballinën e romanit dhe do të kthehen në një simbol për krejt veprën. Shfaqja e vënë në skenën e amfiteatrit të Durrësit, i jep dorë për të vendosur një paralele në epoka, ku shikuesit duartrokasin për vrasjen e gladiatorit dhe, përtej kësaj, njëri prej tyre, ka mbetur skllav i pranguar edhe në varr.

    Oferta e dytë i vjen nga Mironi, shoku i tij i Institutit të Arteve. Duhej të bëjë duatrokitësin dhe këtu autori gjen rastin të numërojë edhe ca punë të tjera tejet të veçanta, si vajtojcat, shëtitësit e qenve, gjumashët profesionistë, pritësit e radhës. Që në kapitullin e dytë duartrokitja dënohet si manipulim, si mjet zanor për të mbështetur politikanët dhe aktorët edhe kur nuk e meritojnë.

    Klajdi ka një arsye më shumë për të mos u ndjerë komod në këtë rol figuranti me fre në gojë: I ati ishte dënuar dikur për agjitacion dhe propagandë dhe salla kishte duartrokitur për dënimin e tij, njëlloj siç kishin bërë shikuesit për vrasjen e gladiatorit. Që këtu fillon e përgatitet pakënaqësia e aktorit të ri.

    Galeria e karaktereve plotësohet me producentin e televizionit Ervin Debina, moderatorët Enca Qinami dhe Emrion Lame, duartrokitësit Romir K. dhe Violeta, drejtuesin politik Ben Salihi dhe kryetari i një mikropartie Vladimir L. etj. Nëpërmjet fjalëve të Albës, autori sjell edhe një sozi të vetes me Dritan G. që jep emisionin e mëngjesit: “Del me kollare që në pikë të mëngjesit sikur po shkon në mbledhje. Rrudh edhe vetullat. Sa i shëmtuar!…Hap telefonin drejtpërdrejt me publikun. Që në shtatë të mëngjesit.” (f. 125)

    Sarkazma bëhet therëse kur bëhet fjalë edhe për histori karriere për duartrokitësit që fillon nga rreshti i katërt që ndodhet në hije dhe vjen te rreshti i parë ku mund të ketë edhe fokusim te portreti. Kështu e filloi Klajdi me Violetën, por dalja e Klajdit sjell ankesën e Romirit, atij që ka qenë anëtar partie që 16 vjeç dhe po ia zë vendin një rishtar si Klajdi. Dukurinë e vë në shina filozofike Juli me deklarimin se “shoqëria e spektaklit është maturimi i shoqërisë së propagandës ku njeriu jeton dy realitete njëherësh”. Ai vazhdon më tej  me një vështrim simultant se ç’ndodh në ekranet televizive nga ora 9 e mbrëmjes deri në mesnatë dhe ç’ndodh në familjet shqiptare. Njeriu i ri i socializmit është tjetërsuar në njeriun konfuz apo “kuturu”.

    Një linjë e re subjekti çelet me shfaqjen e Jonës. Ajo është rritur te gjyshi sepse e ëma i ka vdekur dhe i ati e ka braktisur. Duke i lexuar gjyshit gazetat, ajo është zhytur në politikë që e vogël, është bërë fanatike dhe tani ka hapur në facebook 12 statuse mbështetëse dhe mbrojtëse për shefin e partisë. Klajdi dhe Jona njihen në autobuzin e duartrokitsave që shoqërojnë kryeministrin në Kukës, autobus që Klajdi e quan “karroca e skllevërve”. Dy të rinjtë janë dy qasje antagoniste ndaj realitetit: Klajdi sheh trishtim, ajo sheh dritë. Do të duhet të vijë një eurodeputet francez, do të duhet që Jona të bëhet shoqëruesja e tij, të përballet me ngacmimin e tij seksual; do të duhet të qëndrojë para kryeministrit dhe batutave të tij, që t’i hapen sytë dhe të zbulojë ku e ka çuar fanatizmi. Kuptimplotë është shkuarja në takim e eurodeputetit dhe kryeministrit, secili për t’i kërkuar falje tjetrit për incidentit me Jonën e cila ndjehet e përdorur si një rrobë. Deputeti Zhill do të justifikohet se ishte një keqkuptim, kryeministri e quan harbute sjelljen e shtetases së vet. Zhgënjimi i Jonës merr përmasat e vetasgjësimit.

    Vjen trokitja e dytë e fortë e babait të Klajdit: “Kush i mban në këmbë diktaturat, autoritarët, udhëheqësit e këqij? Ata vërtet janë fajtorë, por faj më të madh kanë duartrokitësit.” (f. 79) Kjo shoqërohet me një detaj domethënës – babai ia jep pensionin e vet duke i kërkuar Klajdit të mos e humbë lirinë. Autori gjen një shteg për të shprehur edhe qëndrimin e vet ndaj liderit të shumëpërfolur muajt e fundit. “Në demokraci nuk ka lider. Ka drejtues.” (f. 82) Është një çështje që mund të ngrejë tryeza pafund debatesh. Mendoj se shoqëria shqiptare ende është e papërgatitur të ecë përpara pa një lider. Hapi i parë i madh është në rrafshin ekonomik – familja shqiptare duhet të çlirohet nga varësia e punësimit në sektorin shtetëror. Pa pavarësi ekonomike nuk mund të ketë njerëz të lirë, madje radha e duartrokitësve do të zgjatet si radhët e dikurshme të qumështit.

    Linja e tretë e subjektit, edhe pse e kufizuar në hapësirë, ndërtohet mbi figurën e mësuese Violetës. Siç e tregon me fjalët e veta, ka bërë një jetë me tabela (si tabelat e qarkullimit rrugor), ka zbatuar 10 porositë bazë të besimit të krishter, ka jetuar jetët e të tjerëve duke lexuar libra. E vetmja gjë nga jeta e vet ka një foto të fëmijërisë te mështeknat e Pogradecit. Shkon së bashku me Klajdin për ta gjetur vendin ku është shkrepur aparati, por më kot. Gjërat kanë ndryshuar dhe asgjë nuk mund të rikthehet nga bukuritë e së shkuarës. Vdekja e saj në rreshtin e duartrokitësve, vazhdimi i emisionit me këngëtarin e tallavasë Lym D. sikur të mos kishte ndodhur asgjë, fshehja, mbulimi i vdekjes është një nga pikat kulmore të veprës për të treguar se sa e pashpirt është bota e këtij lloj spektakli. Jo vetëm kaq, producenti Ervin i çon duartrokitësit menjëherë te salla e orkestrës për të regjistruar të qeshurat. Kupa është mbushur, Klajdi thotë “Nuk është e drejtë” dhe largohet nga salla. Ai premton të mbjellë një mështeknë te varri i Violetës dhe do të shkruajë atje fjalët e Hygoit: “Të vdesësh nuk është ndonjë gjë e madhe. Është e frikshme të mos jetosh.”

    Shuplaka e Jonës në faqen e një të huaji e sjell në fokus kryeministrin duke e çuar romanin në pikën tjetër kulmore. Pavarësisht ndërhyrjes ortopedike të romancierit, ai ka disa shenja për të bërë identikitin e tij. “Ndoshta nuk jam më i miri, por më të mirë se mua nuk ka deri tani.” (f. 141)

    Fati vetjak, përvoja e të atit, përdorimi fyes i Jonës është rrugëtimi i vetëdijës së Klajdit që vendos t’i përgjigjet kryeministrit me të njëjtën monedhë manipulimi: Do ta marrë peng për disa çaste që të bëjë publike protestën e vet. I ftuar në studio për librin “Shqipëria ime” (lexo: Shqipëria që dua”) kryeministri trembet me një revolver lodër dhe Klajdi ia qesëndis titullin e librit duke e quajtur “Shqipëria vetëm imja”. Përpjekja e Klajdit nuk arrin të shkojë te publiku si një mesazh se qeverisja autoritare nuk tronditet aq lehtë sa mund të mendohet. Po bashkë me protestën e personazhit, një shijë majoshe mund të ketë sjellë edhe vetë romani i Bashkim Hoxhës, sepse duartrokitësit janë stepur nga kjo ngritje e stekës. Këtë kisha parasysh kur shkrimin tim e quajta “arë e lëruar, por jo e mbjellë,” sepse një vepër e tillë meriton më shumë vëmendje, më shumë lexues, pse jo edhe çmime letrare.

    Durrës, 9 qershor 2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË