More
    KreuIn memoriamKolegët për Dan Musliun

    Kolegët për Dan Musliun

    PETRIT PALUSHI

    Para pak ditësh u nda prej jete Dan Musliu (31 maj 1954 – 22 tetor 2020), poeti dhe kritiku elitar i letrave shqipe.

    Te Dani merrte kuptimin e duhur fjala NJERI; ishte më tepër se i kulturuar, aristrokat në fjalën e vet. Mbas A. Pipës dhe I. Rugovës mbetet kritiku letrar më i dallueshëm në letrat shqipe.

    Ndarja prej jete e Danit la pikëllim të madh të natyrshëm te kolegët.

    Fjalët e tyre, jo vetëm nderim për kontributin e dallueshëm të tij në letrat shqipe, por njëkohësisht edhe një formë ngushëllimi, sepse tash e tutje edhe pa praninë e tij fizike do mbeten kujtimet për të dhe komunikimi me veprën e tij letrare.

    Në këtë material përzgjodhëm vetëm disa prej shënimeve të kolegëve…

    LAZËR STANI

    Poet, mendimtar, kritik, publicist dhe mbi të gjitha njeri fisnik

    Të gjithë ne, njerëzit e kësaj toke, e humbim betejën tonë të fundit.

    Beteja jote e fundit paska qenë me Covid 19 miku im i paharruar, Ramadan Musliu. Fjalët janë të pafuqishme për ta përshkruar dhimbjen kohe të errët. Pushofsh në paqe!

    BARDHYL LONDO

    Kambana

    (Kushtuar mikut tim, Dan Musliu)

    Ky qytet maskë vazhdon jetën e tij,

    askush nuk qesh, askush nuk qan.

    Shpirti im kambanë tingëllon:

    Dan, Dan, Dan…

    AGRON TUFA

    Vjeshta e mbrame e poetit

    Ramadan Musliu

    (31 maj 1954 – 22 tetor 2020)

    Ikja e papritur e Ramadan Musliut, poetit dhe kritikut të shënuar të letrave tona më goditi dhe mua, si shumëkënd tjetër besoj, që e ka çmuar letërsinë e tij, kontributin krijues e intelektual të Danit. Ai ishte një natyrë e urtë, sqimatare, një burrë jashtëzakonisht i këndshëm e i çiltër kur gjente kuvendues. Kam mësuar shumë prej dijeve të tij në mes të viteve ’90. Përtej fjalëve dhe mpirjes që më pushton, dua t’ju sjell një pjesë nga ajo pavdekësi e poetit Ramadan Musliu, i cili gjatë gjithë karantinës së këtij viti na solli zërat e pavdekësisë me poetë nga gjithë kulturat. E hidhur të mendosh se kjo paska qenë vjeshta e mbrame e poetit. Prandaj për vete dhe për miqtë e poezisë po sjellim një pjezës të tij, ku mendoj se harrimi nuk është i pushtetshëm: Poezitë. Dhe mendoj se mbijetesa e poetit s’ka ku provohet më mirë, përveçse në silabet e vargjeve të tij.

    Lamtumirë Dan, poet e njeri fisnik!

    VIRION GRAÇI

    Kritik elegant, krijues tepër i kultivuar

    E kam njohur Danin kur u vendosën në Tirane me gazeten “Rilindja”.

    Kemi shkëmbyer libra dhe i kemi kujtuar shoku-shokut libra që mund të na interesonin; kemi shkëmbyer mendime, shaka, humor e komente të shpenguara miqesore aq sa na e lejonte sqima, etika, tavolina dhe diferenca në moshë.

    E kam çmuar Danin sepse kishte lexuar e asimiluar sistematikisht çdo gjë me vlerë që ishte botuar në gjuhën tonë shqipe. Në këtë mënyrë ai nuk kishte dehjen e ngazëllimin mitizues që na perfshinte shpesh ne rishtarëve aso kohe që porsa zbulonim Prishtinën letrare apo dhe shkrimtarët e ndaluar të Shqipërisë. Dani njihte mirë letërsinë botërore në emrat dhe veprat e saj me fondamentale e kjo mbase e ndihmonte të mos ishte albanocentrist i acaruar e folklorik por lexues i mirë, kritik elegant, krijues tepër i kultivuar e me vetëdije të lartë qytetare, ndryshe nga shume shqiptarë fodullë e mistrecë qe ndihen në guasken e tyre mëhallore si të jenë krejt gjithësia, olimpi i vlerave. Danin po ashtu e kam çmuar për tonin përherë të qetë, gati pëshpëritës në kuvendim, por vetvetiu arrinte te gdhendte edhe në gur fjalët e tij të matura, sintetizuese.

    Poezia e tij do t’i mjaftojë të ketë një vend nderi në radhen e parë të poezisë shqipe; librat studimore do t’i mjaftojnë të ketë po ashtu të njëjtin vend në trashëgiminë tonë kritike. Cilësitë e tij njerëzore i mjaftojnë të jetë i paharrueshëm dhe i pazëvendësueshëm mes njerëzve të tij të afërm, kolegëve, shokëve e miqve.

    ERMIR NIKA

    Poezia e tij tejkalon disa rrafshe leximi

    Ramadan Musliu përfaqëson jo vetëm një personalitet të shquar në poezinë shqipe, por në të njëjtën kohë edhe një lëvizje intelektuale, ku në epiqendër të saj ishte dhe deri në fund, mbeti fjala. Veprimtaria e tij ishte e gjerë dhe e shumëanshme, por diapazoni i tij letrar ishte i pafund. Poezia e tij tejkalon disa rrafshe leximi dhe mendimi lartohet deri në konceptin e mbrujtur me kthejlltësinë e vizionit që parakalon epokat dhe hapësirat e ndërmjetme mes tyre. Mos kërkoni të gjeni thjesht një realitet shqiptar në veprën e Ramadan Musliut, pasi përmasat e perceptimit dhe ligjërimit të tij artistik i përkasin gjithësisë. Kjo masë e ngurtë dhe e etertë njëherazi, ribëhet në vargun e Musliut nëpërmjet kujtesës dhe formave të panjohura të ekzistencës, të cilat transformojnë kohë pas kohe mbijetesën në botën e egër apo edhe atë virtuale, e cila hera herës duket si e kapur nga dukuri jashtëtokësore e më pas, papritur sundohesh nga përshtypja sikur papandehur jetojmë në një planet të shkëputur nga sistemi diellor. Zhvendosjet nga njëri skaj në tjetrin, jo gjithmonë përmbushin fillimin dhe vijimësinë e pelegrinazhit të asketëve të fjalës dhe mendimit të shkëputur nga përkohësia. Rrjedhimisht, kjo jetë sipas shkrimeve, mbetet vetëm një fragment i përlidhur në gjithëkohësinë e misionarit të veçuar që bart frymën e përcjellë nga apostujt dhe dishepujt e kahershmëm dhe të sotëm, gjurmët e të cilëve gjenden ende përqark globit. 

    RUDOLF MARKU

    Një gazetar i shquar në kohërat më të vështira

    Nje poet i talentuar, aq dhe modest; një vlerë e vërtetë e mendimit kritik të letërsisë shqipe; një njeri i ditur, i përulur dhe jashtëzakonisht i mirë; një gazetar i shquar në kohërat më të vështira; RIP, mik!

    PREND BUZHALA

    Lajm pafundësisht i trishtë

    Shkoi në amshim njëra ndër figurat elitare të letrave shqipe, poeti e kritiku i spikatur letrar, Ramadan Musliu (1954-2020).

    Lajmi është pafundësisht i trishtë!

    Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit krijues!

    Lamtumirë, mik i letrave!

    I përjetshëm qoftë kujtimi për të!

    HALIL MATOSHI

    Pusho i qetë më paqen e pasosun, koleg e mik!

    Iku kritiku dhe esteti fenomenologjik heideggerian, Ramadan Musliu.

    Covid19,

    Monstrumi i dalun nga honet e terratisuna, shkaktue na kâ sot edhe ni zi, tue marrë simas rregullit të fundbotshëm poetin e kritikun e letrave, gazetarin e mikun Ramadan Musliu.

    Ndër lavruesit ma t’spikatun të gazetarisë kritike kulturore, në gazetën ikonike “Rilindja”, Dan Musliu nuk ja duel në përballje me Covid19, tue marrë frymë për t’mramën herë në Spitalin skej qytetit të Prishtinës, pa ague dita e êjte, e 22 tetorit.

    Parandjenja.-

    Në fund të vuajtjes sime

    ishte dera.

    Më dëgjo: Më kujtohet

    ajo që ti e quan vdekje.

    Mbi kokë zhurma. Dega e bredhit tundej

    Pastaj asgjë.

    (…)

    Pikërisht me 8 të tetor, Dan Musliu e ka publiku në faqen e tina të Facebok-ut ni tubë me vjersha t’përkthyeme të autores amerikane Louise GLÜCK, (1943), nga ShBA – fituese e Çmimit Nobel për letërsi, 2020 dhe në poezinë “Trishtimi i Kirkës”, shoh nji parandjenjë, një farë kodi të ni dere!?

    Që paralajmëron mundësinë e daljës matanë gërditjes, në estetikën e dritës që përbirohet në plasat e derës!?

    Chronoss-i.-

    * I lemë n’Beguncë të Vitisë më 1954.

    Gazetar dhe poet. Kritik mendjehollë, të cilin kur e kish pas lexu Ismail Kadare, tek shkruente për nji nga veprat e tij, autori i shquem kish pas thânë “n’Shqipëri nuk shkruhet kështu!?”.

    (Simas rrfimeve të kolegut e vendasit të Danit, Sami Piraj.)

    Ishte nji aluzion për interpretimin ideologjik të artit në Shqipni, ku ka sunue gjatë doktrina socrealiste.

    * Më 1988 e ka shkru për “Rilindja” e të shtunës, esenë (kritike) për librin tém t’parë poetik “Frymë varresh në dallgore”, me titull “Përafrimi i mitin me aktualitetin”, që ishte shkrimi i parë serioz për poezinë time.

    Në ni farë mënyre, inkurajim e referencë, spari derë e hapun për me hy në botën e letrave shqipe.

    * Me 2016 me propozim të atëherë Ministër Kulture Dr. Kujtim Shala dhe këshilltarit të tij Dr. Vehbi Miftari, ishim dytë anëtar të bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës. I ditun, konciz, i urtë që fjalët i kishte më kèt’, Dani ishte nji kundërshtar i thekun dogmës komuniste. Rrugën nga Theatri Kombëtar deri tek sheshi i Zahirit zakonisht e bânim bashk, flisnim edhe për letërsinë po edhe politikën. Anonte nga fenomenologjia Heideggeriane në diskursin kritik dhe estetik.

    * Po në këtë tetor, rishtas u caktu nga Ministresha e Kulturës Vlora Dumoshi për me qenë pjesë e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

    * Tue e kujtue Ragip Sylajn në Therandë, më 19 të Teorit, poetesha Naime Beqiraj më foli për lëngatën që ia kish zapue frymën Danit, por e menova t’fortë, që ka me e kapërcye këtë vrasës t’pa dokshëm e misterioz…

    Coda.-

    Ai hyni qetë e pa bujë në letrat shqipe ashtu, në vitet ‘80 të shekullit të kaluem, siç doli nga skena jetësore pa rrapullimë, beftë…

    Në ditën e sotshme, 22 tetor, 2020.

    Lamtumirë Dan.

    Pusho i qetë më paqen e pasosun, koleg e mik!

    Chronos-i t’vetmin lajm të vërtetë e sjell Thanatos-in.

    Të tjerat janë veç se lojë, këndej.

    T’fala andej, Isufit, Isuf Gërvallës, Antonit, Gani Bobit, Brahimit, Beqës e Musës…

    U thuej që rrallë e për mallë na bien në menje, vetëm kur shohim përreth shkreti dhe injorancë!?

     ILIR SECI

    Dani

    Sot mora lajmin e hidhun të ikjes së beftë nga kjo jetë të mikut tem të mirë, poetit Ramadan Musliu. Danin siç e kena thirrë tanë, e kam njoftë në vjetën 1994 kur erdhi në Tiranë me redaksinë e gazetës “Rilindja”, gazeta “Rilindja” e Kosovës që hapi redaksinë në Tiranë mbasi shovinistët serbë e patën mbyllë redaksinë në Prishtinë. Për vite me rradhë e njoha kur bashkëpunoja me gazetën “Rilindja” botimi i Tiranës. Me Danin u bamë miq të mirë, u njoftëm familjarisht, ishte familjar i devotshëm, poet i shkëlqyer, studiues dhe kritik që ka me i mungue fort kulturës shqiptare, ishte njeri erudit, i perulun, modest te Zoti, që kurrë se ndigjoje duke folë në vetën e parë.

    Dani ishte njeri joformal, jam i sigurtë se prej atje nalt ku ka shkue shpirti i tij kishte me thanë – “Leni bre këto eulogji” – ata që e kanë njoftë si une i dine mirë këto virtyte të tij. Qofsh i parajsës mik i mirë e uroj të kesh shkue në nji botë ma të mire se kjo që le, nji bote ku vlerësohen talenti, kultura, erudicioni, përkushtimi dhe dashamirësia, virtyte me të cilat ishe i bekuem bujarisht…Zoti e forcoftë familjen e Danit në këtë humbje, gjindemi pranë familjes së tij, bashkëshortes Misretes, fëmijeve Sihanës, Mendimit, Ardianës, Lirës dhe tanë të afermëve të tij.

    NAIME BEQIRAJ

    Harresa nuk takohet kurrë me veprën tënde

    Dan bre, pse bre Dan shkove?

    Bisedën e fundit e bëmë të takoheshim pas dy ditësh në Prishtinë

    “Redaktimin e librit ta besoj veç ty xha Dane”, unë me humor.

    “Si gjithnjë. Edhe dy ditë besoj me kalon Covid e kolli, e lë fshatin e rikthehna në Prishtinë, qoftë edhe për ta pirë nga një kafe”, ai me humor.

    Miku im, i mirë, më i miri. Poeti fin, kritiku më i mirë letrar që ka pas ky vend, i mbylli sytë përgjithmonë.

    Njeriu që kurrë sëmundje në trup nuk pat, nuk piu duhan, nuk vuajti. Njeriu që bëri më shumë për të tjerët se sa për vete. Autori i disa librave me poezi, kritikë, studime, publicistikë. Më i dituri ndër ne.

    Zemra më dhemb për ty, Dan i dashur, për Misreten, për Syhanen, Mendimin, Ardianën e Lirën, për mbesat që ta ringjallën shpirtin – familje e rrallë ku flitej për artin e dashamirësinë, aty ku me dekada hëngra bukë e mora aq shumë dashuri.

    Prisnim e luteshim që ditët e fundit me Covid të tejkaloheshin e ti përsëri të më qerasje me kafe në Elida.

    Tash ke shkuar të prindët, të Ibrahim Rugova që e pate mik dhe e deshte shumë

    Kemi me të kujtu gjatë, Dan!

    Harresa nuk takohet kurrë me veprën tënde.

    SHAIP BEQIRI

    Zgavrat e çerekshekullit

    Homazh mikut tim, Ramadan Musliut (31.V.1954 – 22.X.2020)

    Nga ditët e para të mërgimit tim, para plot njëzet e pesë vjetësh, kur pati dhënë grahmën Anton Pashku, matanë kësaj bote kanë kaluar dhjetëra miq të mi, ndër më të dashurit e të shtrenjtët, kurse sot asaj Çete të Ndritur iu bashkua edhe Ramadan Musliu.

    Nuk e kisha menduar që premtimin në fund të një teksti për librin e tij të fundit të poezisë, shkruar para gati një vjeti, do të më duhej ta bëja duke e vazhduar me përkujtimin në ditën e grahmës së tij.

    Më takoi fati të qëndroja e krijoja midis miqsh e shkrimtarësh të jashtëzakonshëm të dy brezave krijues të Kosovës; tek i pari qenë: T. Dervishi, B. Musliu e Y. Shkreli, kurse tek i dyti: A. Mala, R. Musliu e A. Konushevci. Deri tash mallin e pjesëtarëve të afërt të këtyre dy brezave krijues, tok me shumë të tjerë, sa herë vija këtu, e hiqja deri në fund vetëm me R. Musliun; atje vazhdoj ta bëj ende me Y. Shkrelin e papërsëritshëm.

    Ikja e poetit të jashtëzakonshëm dhe kritikut e studiuesit ndër më seriozët e të thellët që kishin letrat shqipe, më ngriu fjalën në grykë!

    FARUK TASHOLLI

    Dani ishte i parakohshëm

    O miku im, Petrit! Dani ishte i parakohshëm. Ligjërimi i tij ishte ndesh me shablonet stereotipe të kohës. Ai do të shkonte një ditë si shkoi tash, por kam dhembje pa fund çfare truri ka hy në dhe!

    JUSUF BUXHOVI

    Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh.

    Lamtumirë miku im, Ramadan Musliu!

    Kultura jonë mbeti pa krijuesin dhe intelektualin e madh. Ndërsa vepra ime mbeti pa redaktorin dhe mentorin e fjalës së fundit…

    ADEM GASHI

    Gjettë prehjen e amshimit shpirti i tij!

    Vajti matanë edhe Dani (Ramadan Musliu), miku im i gjeneratës së studimeve, miku im i letrave. Gjettë prehjen e amshimit shpirti i tij! Ngushëllime familjes e miqve!

    SHQIPONJA AXHAMI TROTA

    Sot në vendin tim vdiq një njeri

    Zonja Kler, sot në vendin tim vdiq një njeri,

    i fortë dhe hijerëndë. Një pemë e madhe…

    Zonja Kler, sot dua të vish me mua tu hedhim gurabie mjelmave, duke u përsëritur vargjet e tij…

    Zonja Kler, më mëso të lutem sharjen më të shpifur

    dua t’ia këlthas në vesh vdekjes,

    dhe zonja Kler më buzëqesh duke hedhur në koshin e riciklimit një deng gazetash…

    p.s.

    Ramadan Musliu, dhimbje dhe humbje për të gjithë

    OLIMBI VELAJ

    Qofsh i parajsës, njeri i bardhë!

    Oh, lajm i hidhur! Si paska ikur Dani? Ai njeri dhe poet i mrekullueshëm, ai mik i patëdytë! Çfarë humbje! Unë nuk di si të ngushëlloj të afërmit dhe miqtë. Guxim për këte dhimbje! Qofsh i parajsës, njeri i bardhë! Kurrë nuk do të të harrojme ne të kësaj bote!

    KALTRINË LOHAJ

    U prehsh në paqe!

    Nuk i ka nje muaj qe jemi takuar per here te fundit, e sa herë që mua më kanë ftuar ta moderoj një takim, arsyeja pse nuk kam mundur me refuzu një gjë të tillë je ti, e sa here që është dashtê me e prezantu emrin tend une jam ndjere e vogel sepse prezantimi për ty ka qenë i mangët.

    Si mundesh me prezantu nje kritik letrar kaq te pa zevendesueshem te letrave tona.

    Une e kam dite qe ke qene njeri i mirë, por sot edhe me shume, kur kam pare persona qe kane qajtë në zë kur më kanë treguar që ke ndërruar jetë. Është kaq e ftohte vdekja, por sot e kam ndjere edhe me te ftohte mengjesin, sepse asesi s’po mundem me e pranu qe me nuk do te jesh mes grupit tonë të vogel shoqeror, i cili jam e bindur nuk do ta ketë më atë ngrohtesinë e njejtë si më parë… Gjithmonë do të jesh ne mendjet tona… U prehsh në paqe!

    NDUE UKAJ

    Ti jetove në zemrën e gjërave

    Lamtumirë Dan Musliu!

    Kjo vjeshtë e hershme të këputi nga fjalët, ku jetove me dinjitet.

    Ti jetove në zemrën e gjërave, prej ku, me fisnikëri krijove botë të bukura letrare.

    Do të kujtojmë të qeshur e plot energji, me sibilat e tua melodike.

    Do të kujtojmë si njërin nga mendjet më fisnike të Prishtinës. Si intelektual të vërtetë dhe të rrallë ndër ne. Pushofsh në paqe!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË