Georgi Gospodinov është një nga shkrimtarët më të njohur europianë. Me origjinë nga Bullgaria, romanet e tij kanë fituar dy herë çmimin më prestigjioz letrar të vendit të tij dhe janë përzgjedhur në listën e ngushtë për shumë çmime ndërkombëtare – për Çmimin Letrar PEN për Përkthimin, Premio Gregor von Rezzori, Bruecke Berlin Preis dhe Haus der Kulturen der Welt Literaturpreis – dhe kanë fituar çmimin Jan Michalski (2016) për Letërsi dhe Çmimin Angelus për Letërsinë e Europës Qendrore (2019), Premio Strega Europeo (2021).
Një ‘klinikë për të shkuarën’ e drejtuar nga Gaustin, një terapist enigmatic, ofron një trajtim premtues për të sëmurët nga Alzheimer: çdo kat riprodhon një dhjetëvjeccar, duke i transportuar pacientët pas në kohë më të sigurt dhe më të lumtur. Një tregimtar i paidentifikuar ka për detyrë të mbledhë shënime të së kaluarës….një numër në rritje i njerëzve të shëndetshëm kërkojnë strehim atje, duke shpresuar t’u shpëtojnë tmerreve të jetës moderne – një zhvillim që rezulton në një rebus të papritur kur e kaluara fillon të pushtojë të tashmen. Shpejt vende të tëra duan të imitojnë idenë, me referendume që zhvillohen për të vendosur se cili version i veçantë i së kaluarës do të formësojë të ardhmen e secilit komb.
“Lloji më fin i letërsisë, mbi perceptimin tonë për kohën dhe kalimin e saj, e shkruar me një stil mjeshtëror dhe krejtësisht të paparashikueshëm”.
OLGA TOKARCZUK, Fituese e çmimit Nobel për Letërsinë
“I gjallë dhe I thellë”
CLAIRE MESSUD
“Prekës dhe inteligjent”
NEW YORK TIMES
“Një libër jashtëzakonisht I fuqishëm”
IRISH TIMES
“I vërtetë në formë, Gospodinov gjen humorin në zymtësi… Ky roman mund të ishte një lojë intelektuale e zgjuar, me koncept të lartë, me pak investime emocionale, por Gospodinov është një shkrimtar që shkruan me dashuri dhe mjeshtëri të lartë”.
THE GUARDIAN
“Një Proust nga Lindja”.
La Repubblica
Ndërkohë, ditën e mërkurë me datë 2 tetor, Milena Selimi ishte në Salzburg në një takim me përkthyesit e Gospodinov në gjuhë të ndryshme, ku i pranishëm ishte edhe autori. Lidhur me këtë takim, për “ExLibris”, ajo shkruan:
Në sallën Josephina u mbajt nje takim joformal i autorit Georgi Gospodinov dhe perkthyeseve të tij.
Romani “KOHËSTREHIM” i sapolindur prej dy ditesh u takua me autorin Georgi Gospodinov ne Strasburg për Konferencën Europiane të Perkthimit, Ceatl, ku përkthyeset e Gospodinovit, Angela Rodel, Maria Vutova, Magdalena Pytlak, Milena Selimi dhe Marie Vrinat-Nikolov diskutuan dhe lexuan pjesë nga romani “Kohëstrehim” dhe “Fizika e trishtimit” ne gjuhët bullgarisht, shqip, anglisht, polonisht, spanjisht dhe frengjisht.
“Jam e lumtur që mund ta kemi në shqip autorin fitues te Çmimit Booker Prize 2023, këtë autor të jashtëzakonshëm që hyn thellë në lëkurën njerëzore për të gjetur aty historitë e së shkuarës, që sot i bën njerëzit të kthehen pas e të gjejnë sigurinë e humbur”.
“Keni realizuar kopertinë interesante- edhe drita e pasdites ka ardhur aty”- ajo dritë që autori e trashëgon nga prindërit e vet tek fëmijët e tij.
Një moment interesant ishte leximi i prologut të veprës në një polifoni gjuhesh:
Asnjë kohë s’të përket. Asnjë vend s’është i yti. Këtë që ti kërkon, nuk të kërkon ty, atë që sheh në ëndërr, s’të shikon ty. E di se diçka ka qenë e jotja në një vend e në një kohë tjetër, prandaj gjithmonë kalon dhoma dhe ditë të shkuara. Por, nëse je në vendin e duhur, koha është tjetër. Nëse je në kohën e duhur, vendi është ndryshe.
E pashërueshme.