KreuLetërsiBibliotekëKleo Lati: Pranga të padukshme (tregim)

Kleo Lati: Pranga të padukshme (tregim)

Në apartamentin luksoz të Jetnorit dhe dashnores së tij të parë, Dianës – në hierarkinë e dashnoreve të tij të shumta, ajo zinte vendin e parë. Diçka e ngjashme me violinën e parë në një orkestër simfonike -, po zhvillohej kjo bisedë:

-Unë kam në barkun tim fëmijën tënd. Po të dua, edhe me këtë fakt, unë e shkatërroj karierën tënde.

Ministrit i kaluan të përqethura të çuditshme, më shumë të dominuara nga një frikë e pakuptueshme. Një lloj të tillë frike dhe pasigurie që nuk e kishte ndier kurrë më parë. Frikë dhe pasiguri që ishin në kundërshtim me fuqinë dhe autoritetin e postit të tij të lartë. Megjithatë, ai qëndroi për disa çaste pa thënë asnjë fjalë, pa e ditur nëse duhej t’ia shkrepte me të madhe të qeshurës apo të revoltohej dhe t’i përvishej me atë zemërimin e tij të zakonshëm, që shpesh e bënte të dilte nga vetja. Por nuk bëri as njërën, as tjetrën.

-Ti nuk mund të zgjedhësh shkatërrimin tënd vetëm e vetëm për të shkatërruar dikë tjetër – i tha ai dhe iu afrua aq pranë, sa ajo ndjeu frymën e tij në fytyrë – Je një djall i vërtetë! Një kurtizane e kohëve moderne… Shko thuaja këtë gjë burrit tënd, po ta mbajti!

-U trembe? Të hyri frika në palcë? – i tha ajo dhe qeshi me të madhe – Do doja të kisha një fëmijë me ty, vërtet, por nuk jam aq budallaqe sa të mbetem shtazënë dhe të privoj veten nga liria dhe kënaqësitë… Je frikacak i madh! Kot mburresh dhe hiqesh si një njeri që nuk e çan kokën për asgjë!

-Po ty çfarë të tremb?

-Mua? Asgjë… Ah, prit! Vetëm një gjë më tremb: ideja që një ditë nuk do mund të shijoj dot kënaqësitë që shijoj sot. Nuk dua as ta mendoj…

Ndjente një kënaqësi të egër, të pamëshirshme kur luante, ngacmonte apo qesëndiste burra me pushtet, qoftë edhe Jetnorin që i siguronte asaj favore dhe avantazhe që dikur ajo nuk i kishte parë as në ëndrrat e saj më të bukura.

-Përderisa jam lidhur me një burrë që ka shumë pushtet dhe shumë pará, gjithçka më lejohet – vijoi të fliste ajo me atë krenarinë e saj të njohur.

-Ah, ti je një djallushkë e vërtetë!

Pas këtyre fjalëve e rrëmbeu me forcë nga beli, e ngjeshi pas trupit të vet dhe e puthi me një mënyrë të tillë, sa ajo, edhe pse e njihte mirë natyrën e tij egërshane në kësi rastesh, u tremb. Nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t’u shkëputur nga ai, pasi e dinte mirë se diçka e tillë atë do ta inatoste deri në moskontroll të vetes. Në plot situata dhe rrethana të tjera, ai ishte në gjendje të kontrollonte veten, të shtirej, të vinte me mjeshtëri dhe marifet atë maskë që e tregonte shumë më të ndryshëm nga ç’ishte në të vërtetë. Por në raste si ky tani, apo të ngjashme me të, veprimet e tij ishin të pakontrolluara dhe të pamaskuara.

Diana u shkëput nga krahët e tij vetëm pasi ndjeu se diçka të tillë ishte gati ta bënte edhe ai. Kur ajo ishte vetëm një metër larg Jetnorit, ky i tha:

-Për një gjë jam i bindur: për sa kohë ti do kesh dhe do gëzosh një jetë si kjo që po bën tani, për sa kohë do kesh pará me grushta nëpër xhepa dhe nëpër banka, siç i ke tani, sa kohë do harxhosh pa e vrarë mendjen, do jesh kjo që je tani: e bukur, e lumur, e ëmbël dhe lozonjare.

Për disa momente mes tyre ra një heshtje. Një heshtje e ngurtë, e ftohtë, e qelqtë.

-Le të na akuzojnë sa të duan për jetën që bëjmë. Neve, sidomos ty dhe mua, aq na bën! Dhe ti e di shumë mirë këtë. Le të thonë sa të duan gazetarët dhe kritikët e zellshëm se kjo botë është e kalbur deri në zemër, ne do vazhdojmë ta shijojmë atë.

-Ata nuk thonë se kjo botë është e kalbur deri në zemër. Thonë se kjo qeverisje dhe ky sistem janë të kalbura dhe… pa zemër – e ngacmoi ajo enkas me atë diabolizmin e saj të njohur.

Donte të thoshte edhe diçka tjetër, por ai e rrëmbeu sërish nga beli dhe e puthi. Kësaj here akoma më me egërsi dhe pasion të pakontrolluar instinktiv. Pastaj e lëshoi, shkoi te dera dhe pasi e kontrolloi se e kishte kyçur, e rrotulloi edhe një herë çelësin dhe u kthye drejt saj. Për një moment shkoi sërish te dera dhe pasi u sigurua se ishte e kyçur, e mori në krahë kurtizanen e tij dhe e shtriu në tavolinën e punës. I ngriti fustanin, i hoqi mbathjet dhe vështronte si i hipnotizuar seksin e saj. Ajo nuk bëri as përpjekjen më të vogël për të ndalur vërshimin e përndezur të tij. Trupin e saj elegant e la nën peshën e trupit të tij të bëshëm. Edhe nën peshën e instinkteve të tij të pakontrolluara. Ndërkohë që filloi t’i hiqte fustanin dhe e puthte gjithandej, disa letra dhe dokumente fluturuan nga tavolina dhe ranë në dysheme si gjethe të kalbura pemësh.

-Je i pangopur! Në gjithçka i pangopur je! – i tha ajo kur u shkëput pak nga krahët e tij, moment që koençidoi me një zile të zgjatur të telefonit, por ai as që i dha ndonjë rëndësi.

-Po sikur të jetë shefi i madh? – e provokoi enkas ajo.

As kjo gjë, çuditërisht, nuk i krijoi atij ndonjë turbullim, gjë që i ndodhte gjithnjë sa herë bëhej fjalë për shefin e madh. Për Udhëheqësin. Le më pastaj kur ndodhej ballëpërballë tij. Të gjithë ministrat dridheshin para tij, si ata nxënësit e vegjël që kanë shkuar të papërgatitur në shkollë dhe presin ndëshkimin e rreptë të mësuesit. Ai i qesëndiste ministrat sa me fjalorin e rëndë dhe shpesh të pakontrolluar, aq edhe me cinizmin dhe mospërfilljen e tij të zakonshme. Kishte edhe nga ata ministra, madje, që këtë sjellje të Udhëheqësit e quanin si një zbavitje të tij, apo si një terapi që ai zgjidhte të përdorte sa herë ndodhej në gjendje jo të mirë shpirtërore, nën peshën e rëndë të punëve dhe halleve të qeverisë dhe të shtetit. Ndonjë syresh, servil i rangut të lartë, e përligjte këtë sjellje të Udhëheqësit duke e argumentuar pikërisht me peshën e rëndë të punëve dhe halleve të shtetit që binin mbi supet e tij…

Nga ana e vet Jetnori nuk binte poshtë për nga mëndjemadhësia, kapadaillëku dhe egoizmi. Marrëzia e tij arrinte gjer në atë pikë, sa të mendonte – madje të kishte edhe bindjen – se të gjithë e çmonin për zotësinë dhe karierën e tij të bujshme dhe plot shkëlqim. Se brenda tij flinin aftësi dhe talente të mëdha për të bërë vepra të rëndësishme. Hipokrizinë e përsosur të vartësve të vet ai e merrte si një nderim për zotësinë dhe postin e lartë që gëzonte…

Zilja e celularit të tij ra përsëri. Tani ai mendoi seriozisht se mos ishte vërtet Udhëheqësi, ndaj brofi në këmbë dhe kapi telefonin. Me bisht të syrit – asgjë nuk i shpëtonte syrit të saj – Diana pa të shkruar në ekranin e celularit emrin “Princesha”. Ishte gruaja e tij.

-Urdhëro, princesha ime! – tha Jetnori, duke u përpjekur të përmbante dihatjen.

Por “Princesha”, që e njihte burrin e saj shumë më mirë nga sa pandehte ky, i tha:

-Mirë je?

-Mirë… ti?… – mundi të thoshte ai, krahëvarur dhe gjunjëkëputur nga dridhjet e epshit që ende nuk i ishin shuar.

-Ke ndonjë gjë?… Pse merr frymë me zor?

-Jo, thjesht…

-Ah, i pangopur!… E marr me mend se çfarë po bën!

-Për çfarë… e ke fjalën?

-Mos je gjë me atë kurvën?

Fjalët e fundit Diana i dëgjoi shumë mirë, por nuk i bënë asnjë përshtypje. Madje, sado e çuditshme që të duket, ndjeu një ngazëllim të brendshëm, një lloj gëzimi të zymtë, një ndjenjë epërsie ndaj gruas së dashnorit të saj. Gruaja e tij e ligjshme e dinte marrëdhënien intime të burrit të saj me një grua tjetër, por nuk kishte fuqi që ta ndalonte diçka të tillë.

Këtë skenë Diana e shijoi si një episod të vërtetë romani. Sytë e saj shkëlqyen prej triumfit të një egoizmi, që tek femra si Diana shfaqet në formën e epërsisë ndaj të tjerëve, kushdo qofshin këta.

…Ishte mbuluar i tëri nga djersët. Vetëm tani, ndërkohë që ajo po rregullonte veshjen e vet dhe po shikohej para pasqyrës, ai vuri re se gravata ishte e shtrënguar dhe i zinte frymën. Me një lëvizje nervoze të dorës së djathtë liroi gravatën.

-Kur të hipën gjaku në kokë, ti nuk e kontrollon dot veten – i tha ajo dhe pastaj shtoi:

-Seksi dhe paratë janë ballsami yt !

-Thuaje edhe një herë, se më pëlqen aq shumë kur ma thua ti!

-Ti je një maniak i sëmurë pas parave dhe seksit. Nuk ngopesh kurrë me to…

-Pse, vetëm unë? Edhe ti… në mos më shumë…

Ajo besonte se te njeriu të gjitha shfaqen si një sëmundje: dëshirat, pasionet, veset, smira, egoizmi, hipokrizia, mania për pushtet dhe pará. Madje edhe vetë dashuria dhe, bashkë me të, edhe xhelozia.

-Më duhet të ta përsëris: mos harro se nga ke ardhur! A nuk ma thua edhe ti shpesh këtë gjë? – i tha ai dhe u ul në karriken rrotulluese.

Diana, të cilës i pëlqente që disa miq të rangjeve të larta e krahasonin me Mata Harin për nga bukuria e trupit dhe dinakëria e mendjes, vërtet kishte ardhur nga bodrumet e shoqërisë, por mjeshtërisht ishte ngjitur deri në katet e larta të saj. Punonte si drejtore në nje ministri tjetër, jo në atë që drejtonte Jetnori. Kuptohet, atje kishte shkuar me ndërhyrjen e tij.

*  *  *

Në vilën e Jetnorit ajo hynte nga një rrugicë pakëz të rrahur nga njerëzit, që ia kishte treguar ai, me qëllim që kur hynte atje të shmangte kamerat që fiksonin gjithçka në pjesën e përparme të vilës. Sigurisht, të shmangte edhe gazetarët e disa kanaleve televizive, shumica e të cilëve djem dhe vajza të reja, – disa prej tyre ende pa mbaruar universitetin – që për “redaksi” kishin rrugët nga kalonin politikanët apo rrugët përpara kryeministrisë, parlamentit, presidencës, bashkisë, ministrive… Thuajse të gjithë politikanët bezdiseshin nga këta gjuetarë të lajmit të fundit, sikurse u pëlqente atyre të vetëquheshin, por e vërteta është se aspak ose shumë rrallë qëllonin që të emetonin ndonjë lajm që ia vlente. Madje shpesh këta djem dhe vajza të reja ngjallnin një lloj keqardhjeje dhe mëshire te kalimtarët e rastit, kur i shihnin që rrinin me orë të tëra përballë kamerave dhe me mikrofona në dorë, dimër e verë, në acar dhe në kulmin e vapës, në kohë me shi apo me furtunë.

Ai kishte dhe një apartament luksoz në zemër të Tiranës dhe ajo, që të mos diktohej nga sy kureshtarësh, futej me makinën e saj luksoze në garazh dhe që andej, përmes shkallëve të brendshme, ngjitej drejt apartamentit të tij.

Jetnori ishte një njeri i pushtetshëm. Egoist dhe tepër ambicioz. I pëlqente të ishte dominant. Por sado e çuditshme që të tingëllojë, ai ishte i fiksuar pas femrave dominatrix. Kishte patur plot eksperienca edhe me femra të tilla, por vetëm Diana ishte ajo që ia përmbushte si asnjëra këtë dëshirë deri në fiksim. Ajo e eksitonte deri në marrëzi. Diana ishte në gjendje të kënaqte edhe fantazitë e tij më të çmendura.

Mes atyre gjërave që ai pëlqente tek Diana ishte dhe kjo: Ajo i urrente pijet për femrat. Thuajse nuk pinte kurrë nga këto lloj pijesh. Në shtëpinë e saj apo në shtëpinë e dashnorit dhe bosit të saj, në zyrën e saj apo në zyrën e tij, por edhe në lokalet e shtrenjta ku shkonte, – në Tiranë apo në shumë qytete të botës ku udhëtonte shpesh – ajo porosiste vodka me akull, xhin, tekila dhe verë.

Diana po e rronte jetën e vet në një kornizë të praruar, brenda së cilës kishte gjithçka. Ndihej vërtet e lumtur, megjithatë thellë brenda vetes kishte edhe një pasiguri. A ishin të mjaftueshme caqet e kënaqësisë dhe lumturisë që ajo po shijonte prej vitesh, që nga koha kur në lidhjen me Jetnorin e pushtetshëm po gëzonte një jetë gjithnjë dhe më luksoze? Shpesh brenda vetes thoshte se “kam siguruar gjithçka që kam kërkuar në jetë, çfarë të kërkoj më tepër?”. Por nëse nuk mund të përcaktonte dot caqet e lumturisë, deri ku shtyheshin dhe zgjeroheshin ato, ambicia dhe egoizmi i Dianës e yshtnin parreshtur që të kërkonte gjithnjë e më shumë nga jeta. E nanurisur dhe e dehur nga avuj ëndrrash kënaqësie dhe lumturie, ajo dëshironte dhe shijonte aq shumë, sa shpesh fantazitë e saj merrnin krahë dhe flakë. Diana, sa nga përvoja e vet aq edhe e të tjerëve, e kishte përvetësuar fort mirë mësimin e jetës se pa ambicie nuk fillon asgjë. Se pa ambicie nuk fiton asgjë. Se pa ambicie nuk mund të shkosh shumë larg, edhe sikur rrethanat e jetës të jenë të favorshme.

Nëse jeta është një monedhë, ajo kishte ambicien e thellë që këtë monedhë ta shpenzonte ashtu si dëshironte ajo dhe askush tjetër.

Ndryshe nga shumë njerëz që duan një lumturi të thjeshtë në jetë, pa luks dhe pa shumë salltanete, Diana ëndërronte dhe në fakt shijonte një lumturi plot bollëk, mirëqënie dhe shkëlqim. Nëse për shumë njerëz që e njihnin nga jashtë ajo ishte e përkëdhelura e fatit – dhe këtu sigurisht që gaboheshin -, e vërteta është se ajo kishte bërë gjithçka që fatin ta kishte në anën e saj. Me një vetëbesim dhe krenari për t’u patur zili, ajo kishte vënë gjithçka në shërbim të ëndrrës së saj për një jetë dhe lumturi luksoze: trupin e bukur si të një balerine, zgjuarsinë dhe dinakërinë e pakonkurrueshme. Ishin të gjitha këto që i jepnin ritëm dhe frymë jetës së saj.

Sa për Jetnorin, ky ia kalonte ku e ku zotit Grande të Balzakut, që sa herë i paraqitej një rast i volitshëm hapte gurmazin e qeses së tij dhe kullufiste një tok me pará. Vetëm në fillim, kur Jetnori iu fut politikës, paratë e tij mateshin me qese, pasi me kalimin e kohës gurmazi i qeses u bë grykë e madhe dhe qesja u bë një thes i fryrë me paratë që i atij i vinin prej çezmës së pushtetit, aq sa edhe ai vetë – plot gjashtë vjet në postin e lartë qeveritar – nuk e dinte me saktësi se sa pará kishte.

Ai kishte një adhurim të pandryshueshëm për paratë dhe jetën luksoze. Mund të toleronte apo edhe të shpërfillte diçka për një farë kohe, por adhurimi për paratë dhe jetën luksoze ishin të pandryshueshme, siç ndodh me disa zakone, rite dhe doke, nga të cilat njeriu e ka të vështirë, në mos të pamundur, që të shkëputet. Diçka e ngjashme me atë nevojën apo vesin e një prostitute, e cila fillimisht i futet prostitucionit thjesht dhe vetëm për të fituar pará, por që nuk heq dorë nga shitja e trupit të vet edhe kur ka fituar aq sa ka siguruar jetën dhe tani nuk e bën vetëm për të holla, por edhe si një nevojë e brendshme që i ndjen trupi për të mëkatuar. Në këtë rast ndodh ky ndryshim për këtë tip prostitute: në fillim në ndjenjat e saj dominonte shija e parasë, ndërsa më vonë shija e mëkatit të trupit.

Nëse besimtarët ndaj Zotit krenohen me pastërtinë e shpirtit dhe me mëshirën, besimtarët ndaj pushtetit dhe parasë krenohen me imoralitetin shpirtëror dhe me egoizmin e pafre.

*  *  *

Diana kishte jo vetëm një trup elegant, por edhe një zë të ëmbël dhe melodioz, aq sa edhe një këngëtare do t’ja kish zili. Freskia dhe delikatesa e tipareve të saj bënin përshtypje edhe tek kodoshët më të regjur, të cilët në jetën e tyre arkivonin lidhje të shumta erotike me vajza dhe gra të bukura dhe të pasura.

-Ti, Diana, je nga ata tipa të rrallë njerëzish që ose mund t’i shmangësh, ose t’i luftosh. Por të shmangësh ty është gati e pamundur. Ti zotëron një fuqi joshjeje, thuajse të parezistueshme. Por edhe të luftosh ty, kjo është e rrezikshme. Gati të gjithë i tremben fuqisë së hakmarrjes dhe zemërimit tënd. Kështu që njerëzit nuk zgjedhin as të të shmangin, por as të të luftojnë – i thoshte shpesh Jetnori, i cili te Diana gjente dashnoren, miken, bashkëpunëtoren në punërat e fshehta dhe përfitimet që i siguronte prej postit dhe njohjeve të shumta që kishte gjithandej.

-Ti je thesari im i vogël! – i thoshte ai me përkëdheli.

-Nga ky thesar i vogël ti ke përfitime aq të mëdha! – ia priste ajo.

-Ti je besnikja ime! Jo në atë kuptim që shumica e burrave kërkojnë besnikëri te partnerja e tyre.

-Edhe ti je besniku im! Në atë kuptim që ti dhe unë e dimë shumë mirë…

Si Diana, si ai, kishin nevojë për mbështetje ndaj njëri-tjetrit.

Të dy e shfrytëzonin njëri-tjetrin. Të dy kishin një raport epërsie dhe varësie ndaj njëri-tjetrit. Ajo e përdorte si perde Jetnorin. Por edhe ky e përdorte si perde Dianën.

“Unë bëj gjithçka si skllave e tij. Ai paguan që të jetë eprori im. Unë, nga ana tjetër, bëj gjithçka që ai dëshiron. Që të dy jemi njëherësh skllevër dhe padronë të njëri-tjetrit. Kështu funksionon” – i kishte thënë një ditë Diana një shoqes së vet.

Pastaj, fytyrëvrejtur, me një zë gati të pikëlluar dhe me një dhembje të çuditshme në shpirt,  kishte vazhduar:

-Të tjerët, ata që më njohin vetëm nga jashtë, mendojnë se jam e lumtur dhe e shpenguar. Por… Ah, varësia dhe frika e vazhdueshne që fle brenda meje se mos një ditë i humbas këto privilegje, më krijojnë ndjesinë se jam në çdo kohë e lidhur me pranga. Me pranga të padukshme.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË