Në kujtim të babait tim dhe mikut të tij të shtrenjtë Jorgo Jovani
Edhe pse kishin kaluar plot tridhjetë vjet nga ikja e babait në amëshim, herë pas here më bëhej se ndeshja vështrimin e tij pyetës: “e ke gjetur vëllain tim Jorgo, siç ta kam lënë amanet?”. Në plot raste të tjera vështrimi i babait bëhej habitës: “si, akoma nuk e ke gjetur vëllanë tim të shtrenjtë?!”.
Gjithnjë e kisha dashur vështrimin e butë dhe të ngrohtë të syve të babait. Qysh kur isha fare i vogël, në atë moshë kur fëmija fikson gjithçka në kujtesën e vet dhe që kalimi i viteve jo vetëm që nuk ia zbeh imazhet por, përkundrazi, ia gdhend akoma më shumë. Sytë e tij, edhe kur ishte i kapitur nga puna e lodhhme e shoferit, – çdo ditë në timon, nga mëngjesi deri në darkë, shpesh edhe deri në mesnatë, rrugëve të pa asfaltuara nëpër fshatra dhe qytete të vendit – shprehnin mirësi. Një mirësi që buronte nga thellësitë e shpirtit dhe që përhapej, si një mantel hyjnor, në gjithë tiparet e fytyrës së tij zeshkane, rrahur prej erërave dhe dallgëve të jetës. Kjo butësi dhe mirësi e vështrimit të babait kontrastonte me karakterin e tij të fortë dhe burrëror, gjë që e admiroja aq shumë.
Unë kisha shumë besim në fjalën e babait. Kurrë, asnjëherë, nuk mbaj mend që ai të mos e kishte mbajtur fjalën që thoshte. Për këtë nuk kisha patur asnjë dyshim. Sikurse, kështu e ndjeja, edhe babai nuk dyshoi kurrë, sa qe gjallë, se një ditë unë do ta gjeja Jorgon e tij të dashur dhe do t’i çoja fjalë për këtë ritakim. Babai mund të dyshonte deri edhe për ekzistencën e Zotit, por jo se unë nuk do ta mbaja fjalën që i kisha dhënë. Se amanetin e tij do ta çoja në vend. Se Jorgon, shokun e tij të dashur të viteve të ushtrisë, do ta gjeja dhe do ai do lumturohej aq shumë nga ky lajm i gëzuar.
* * *
…Ndërsa makina përshkonte kilotemetër pas kilometri, nisur nga Tirana në mëngjes herët në drejtim të Dropullit, të gjitha mendimet e mia ishin përqëndruar te çasti i lumtur. Do takoja Dhimitrin, nipin e Jorgo Jovanit. Çfarë emocioni! Çfarë dalldije e brendshme gëzimi, hareje, padurimi – ndjesi që përziheshin dhe shkriheshin sëbashku dhe që, me siguri, kulmin e shpërthimit të tyre do ta kishin në çastin kur do të ndeshesha ballëpërballë me nipin e njeriut më të shtrenjtë të babait. Dale, prit, mos u ngut! Qortoja veten me një ndjenjë ngazëllimi dhe triumfi, duke përfytyruar gjithçka rreth takimit që më priste.
Tri ditë më parë në telefonin tim hyri një zë i panjohur. Megjithatë një zë i ngrohtë, i butë.
-Alo!… Flas me…? Jam Dhimitri, nipi i Jorgo Jovanit, mikut të shtrenjtë të babait tuaj…
-Oh, vërtet?!
Për një çast u hutova. Një hutim prej një tronditjeje të bukur. Në atë moment vetja mu duk si i llastuar prej fatit.
E mblodha veten dhe i thashë:
-Ju falenderoj që më gjetët. Edhe unë kam kërkuar, por… të jem i sinqertë, jo aq sa duhet. Babai më pat lënë amanet…
-Ah, mos e vrisni mendjen! – më ndërpreu me butësi dhe mirësjellje zëri nga ana tjetër e telefonit, ndoshta për të mos më lënë të endem në hutimin dhe trazimin aspak komod që i krijohet njeriut nga brerja e ndërgjegjes.
Ishte një rrethanë që kurrë nuk e kisha imagjinuar kështu. Por në djall imagjinatat dhe fantazitë! Tani kishte rëndësi që po flisja me një njeri që lidhej me familjen e Jorgo Jovanit, mikut të vyer të babait. Një miqësi plot dashuri, respekt dhe mirënjohje që kishte nisur në ushtri, kur ata të dy ishin vetëm tetëmbëdhjetë vjeç. Dhe që kishte vazhduar pak më shumë se pesëdhjetë vjet, kur shpirti i tim eti fluturoi në qiell, kurse trupi i tij u bë banor i strehës së përjetshme në tokën e fshatit të tij të lindjes.
Vetëm dy amanete kishte lenë im atë. Të varrosej në fshatin e tij të lindjes. Amaneti tjetër: të gjenim mikun e tij të shtrenjtë, pasi kishte humbur çdo kontakt me të. Amaneti i parë ishte vënë në jetë. Por jo amaneti i dytë. Për këtë amanetin e dytë unë po udhëtoja drejt vendlindjes së Jorgo Jovanit…
-Edhe unë ju gjeta për hir të një amaneti – vijoi të fliste Dhimitri – Amaneti i nënës sime. Nëna ime quhet…
-Hriso! – e ndërpreva unë në çast, me një ndjenjë të tillë gëzimi dhe triumfi, sikur të kisha gjetur zgjidhjen e enigmës më të madhe.
-Gjithë këto vite nëna më ka thënë pareshtur që të bëja çmos të takoja ndonjë nga fëmijët e Kiços, babait tuaj, mikut të shtrenjtë të babait të saj. Domethënë të gjyshit tim Jorgo. Sa do gëzohet Hriso kur t’i them për këtë bisedë që po bëjmë bashkë!
Vetëm zërin i dëgjoja, por nga mënyra se si fliste – plot drithma dhe emocion – e imagjinoja shprehjen e gëzuar që i kishte marë fytyra në ato çaste.
Për herë të parë Hrison e kisha parë kur qeshë jo më shumë se dhjetë vjeç. Po aq ishte edhe ajo. E pashë në një fotografi familjare që Jorgo ia kishte dhënë babait dhe ky e kishte vendosur në një kornizë, që qëndronte varur në murin e dhomës së gjumit të prindërve, rreth gjysmë metri mbi një radio të bukur. Ajo radio ishte e vetmja gjë me të cilën unë mburresha te shokët e pallatit të vogël ku banonim. Familja e bukur me pesë anëtarë, fiksuar në fotografi, përbëhej nga: Jorgo, gruaja e tij Agllaia, djali i madh Vangjeli, vajza e vetme Hriso dhe djali i vogël Odisea. Të gjithë të bukur. Mua më dukej më shumë si një pikturë, sesa një fotografi. Tiparet e fytyrës së hijshme, thuajse ëngjëllore të Hrisos, shoqëroheshin me një buzagaz të ëmbël. Binin në sy, veç të tjerash, dy gërsheta të gjata që e tregonin edhe më të bukur dhe lozonjare këtë vajzë dropullite…
Ndërsa vazhdoja udhëtimin drejt Dropullit, për t’u ndalur në fshatin e bukur Jergucat, ku në zyrën e tij më priste Dhimitri, kujtesa nisi të më përshkruante detaje të shumta nga ato ardhje të pakta që Jorgoja simpatik dhe gruaja e tij e bukur dhe fisnike kishin bërë në shtëpinë tonë të vogël në qytetin bregdetar. Apartamenti, ku jetonim babai, nëna, unë, vëllai dhe dy motrat, kishte vetëm dy dhoma të vogla. Por në ato dy-tri raste që Jorgoja dhe gruaja e tij kishin ardhur te ne, befas në sytë tanë apartamenti i vogël bëhej sa një pallat i stërmadh. Jorgoja kishte pamjen e një konti. Veshur me një kostum të bukur, të cilin, sikurse na kapte veshi ndonjë fjalë mes babait dhe nënës, ia kishin sjellë nga Amerika. Pamjen prej konti të vërtetë, në sytë tanë Jorgos ia jepte edhe më shumë fakti se ai vinte me një veturë të markës Vollga. Babai na pat thënë se Jorgoja e përdorte atë makinë si taksi. Ishte një makinë vërtet luksoze. E madhe, e bukur, në ngjyrë qumështi. Makinën e parkonte pranë hyrjes së pallatit. Rreth makinës së tij mblidheshin jo vetëm fëmijë kureshtarë, por edhe të rritur. Ne, fëmijët, deri në atë kohë nuk kishim parë një makinë kaq të bukur dhe luksoze. Na dukej kaq e madhe, sa një avion i vogël!
Të gjithë gëzonim kur në shtëpinë tonë të vogël vinin këta mysafirë të mëdhenj. Por më shumë nga të gjithë ne gëzonte babai. Ai dhe Jorgo duheshin si vëllezër e shkuar vëllezërve. Dashuria e babait për Jorgon – isha krejt i bindur në vetvete se edhe dashuria e Jorgos për babanë – ndryshonte kryekëput nga çdo lloj dashurie tjetër. Madje edhe nga ajo e vëllezërve të një gjaku.
Një ditë, kur babai po bisedonte me nënën për vizitën e pritshme të Jorgos dhe gruas së tij në shtëpinë tonë të vogël, veshi më kapi këto fjalë të babait:
-Sikur në gjithë botën të shkoj, njeri më të dashur dhe më fisnik se Jorgo nuk do të gjej. Asnjë! Asgjëkundi!
Fjalët e fundit babai i tha me një vendosmëri dhe krenari të tillë, sa nuk lejonin asnjë hapësirë, sado të vogël, që të vihej në dyshim nga askush ajo që tha.
Rrallë, shumë rrallë, tri-katër herë në vit, në raste ngjarjesh të shënuara, babai vishte një kostum të bukur. Sa herë që e vishte, kishte dëshirë të thoshte se “këtë kostum ma ka dhënë vëllai Jorgo”. Me atë kostum, që flitej se kishte ardhur nga Amerika, ishte martuar. Babai e ruante si një kujtim të shtrenjtë, ndaj e vishte rrallë, që të mos dëmtohej. E veshi për plot pesëdhjetë vjet. Një gjysmë shekulli!
* * *
Kur u hap dera e zyrës së tij, pashë se brenda saj kishte katër-pesë burra, të cilët kthyen kokën nga i porsaardhuri. Instiktivisht sytë e mi ranë mbi një burrë të ri, truphedhur. Edhe ai instiktivisht u ngrit në këmbë dhe erdhi në drejtimin tim.
-Dhimitri!
Vetëm kaq munda të thosha në atë çast. Brenda pak sekondash të dy ramë në krahët e njëri-tjetrit. U përqafuam me mall. Dhimitri i ngjante aq shumë gjyshit të tij, Jovanit. Jo vetëm nga pamja, nga shtati, por edhe nga përkujdesjet plot mirësjellje.
Zotëri i madh kishte qenë Jorgo Jovani. Po aq zotëri dukej edhe nipi i tij. Kjo ngjashmëri kaq e bukur dhe e hijshme – sado e çuditshme që të duket – më bëri të ndihem disi më i lehtësuar në atë që po ndodhte me amanetin e babait, plot tridhjetë vjet nga ikja e tij nga bota e të gjallëve. Por që jetonte në të gjallët që kishte lënë pas.
Në tiparet e fytyrës sime, me siguri kishte buisur lumturia. Këtë gjë nuk mund ta shihja, vetëm se e ndjeja që duhej të ishte kështu.
Tek ndieja përqafimin e ngrohtë, me drithërima emocioni të Dhimitrit, brenda vetes thashë:
“Më në fund erdhi dita që e kisha dashur dhe që e kisha pritur aq shumë! E “gjeta” Jorgo Jovanin! Për këtë më kishte ndihmuar nipi i tij, Dhimitri. Amaneti i babait ishte çuar në vend”.

