More
    KreuIn memoriamKlara Kodra: Vitet e para të jetës

    Klara Kodra: Vitet e para të jetës

    Ka disa trëndafila  maji me një ngjyrë  që luhatet  midis së bardhës  dhe të trëndafiltës dhe me një aromë të veçantë. S’e di  pse mendoj  që vajza  e vogël, e lindur në një ditë të kthjellët maji (e përfytyroj si të kthjellët, po mund të ishte edhe me shi), më 18 maj  1910[1] në Romë duhet t’u ngjante  këtyre trëndafilave, me faqet rozë të  ëmbla e të  buta (tërë jetën  kjo vajzë edhe kur u bë  grua  dhe nënë  ruajti  një lëkurë jashtëzakonisht fine e të butë), me një  gojë që i ngjante  një zemre.

    Ajo fëmijë  ishte e bija e inxhinierit  skenarist nga Roma, vëllait të  regjizorit  të njohur Enriko Guaconi, Albertos dhe e sicilianes Maria del  Sarto. Pas njëzetenjë vjetëve  (a nëntëmbëdhjetë vjetëve) ajo  do të kapërcente  detin Adriatik  dhe do të shihte  një qiell tjetër, një tokë  tjetër të  cilën  atëherë  as që mund  ta përfytyronte dhe që do të  bëheshin  të sajat  ashtu si  qielli i kthjellët e tepër i kaltër  italian,  ashtu si  dielli i Romës, pranverat dhe verat e mrekullueshme të këtij qyteti.

    Pas  tridhjetepesë vjetëve (a ndofta tridhjetetre?) ajo do të bëhej nëna ime.

    Nuk kam fotografi të fëmijërisë së saj të  hershme, po mendoj se do të ketë qenë  në fillim  një fëmijë e bukur, meqenëse më vonë u bë një  vajzë dhe një  grua me bukuri të rrallë.

    Bukuria është një dhuratë e natyrës  apo e Perëndisë që përbën njëkohësisht një bekim dhe një mallkim.

    Ka të ngjarë  që atë  bukuri vajza Jolandë ta ketë  trashëguar nga  e ëma  siciliane. Nga kjo e fundit kam vetëm një fotografi në moshën shtatëdhjetë vjeçare, fotografia e një gruaje brune, krenare dhe energjike, pa asnjë thinjë, po që nuk thotë asgjë për pamjen e saj rinore.

    Po aq bukur sa Jolanda, do të ishte e motra, Xhinevra, e lindur pas një viti, po me një bukuri të veçantë, të ndryshme, më shkrepëtitëse, më çapkëne, më “pikante” po të përdorim këtë fjalë.

    Jolanda  do të bëhej  nga ato qenie  të rralla që sipas një ideali të grekëve të lashtë  shkrijnë  bukurinë fizike, intelektuale dhe morale. (Dy të parat ua dhurojnë “zanat” që në djep, vetëm e fundit është në dorë të tyre).

    Nga i ati skenarist, Jolanda do të trashëgonte talentin, po jashtë fushës së kinematografisë, në fushën më të vështirë të poezisë dhe, – për çudi, –  të kritikës letrare. Do të ishte një përjashtim për Italinë e asaj kohe  ku vajzat rriteshin  për vatrën familjare dhe kishin rolin mjaft të  diskutueshëm të “engjëllit të familjes”. Vetëm pak vite më vonë  nga lindja  e saj, simotrat angleze do të  shpërthenin  në greva për të drejtën e votës. Po italianet  do të mbeten gjatë prapa  tyre.

    Është e vërtetë  që, kur Jolanda ishte ende në djep, një  bashkëvendas i nënës së saj, siciliani Pirandelo botonte  romanin “Burri i saj” ku shtronte probleme që sapo  ravizoheshin, konflikti i grave  shkrimtare me detyrat e tyre familjare për shkak  të talentit të tyre. Në sallonet  letrare të Romës së asaj kohe kishte  shkrimtarë “të modës”, kuklla të bukura të kurdisura e të zbrazëta, po edhe  ndonjë talent të mirëfilltë në shpërthim e sipër si sardenjasja Gracia  Deleda, një nga gratë e rralla që do të fitonte  Nobelin  dhe që  kishte frymëzuar protagonisten e romanit.

    Italia kishte  njohur jo shumë kohë  më parë një mbretëreshë aq të bukur  sa edhe të  mençur, mbrojtëse të urtëve,  si Margaritën[2]*, e cila ia kishte prishur mendjen  me hiret e veta republikanit Karduçi, këtij romantiku që s’pranonte se ishte  i tillë  dhe që i kushtoi  asaj një  ode mjaft të goditur.

    Patjetër, shpërthimi dhe lulëzimi i mëvonshëm i talentit të vajzës së vogël, nuk do të përfytyrohej dot nga siciliania Maria, nëna e re, sigurisht e rritur në normat e rrepta të vendlindjes së vet, që të kujtonin disi kanunin e ashpër  shqiptar dhe që megjithatë guxoi të merrte me dashuri Alberton e ri, inxhinier me talent skenaristi, po aq i pashëm sa ishte i mençur.

    Ndoshta  prindërit e rinj do të jenë zhgënjyer  në frytin e parë  të dashurisë së tyre që u doli vajzë. Ka të  ngjarë që të prisnin djalë, ëndërra e familjeve të kohës. Djali do të vinte vonë, pas dy vajzave, në vitin fatidik 1922.

    Ndofta  Maria dhe  Albertoja do të jenë  ngushëlluar me bukurinë e fëmijës. Bukuria atëherë ishte  më e çmuar pajë për vajzat.

    Talenti  përkundrazi… do të quhej  më tepër  një mallkim se një  bekim.

    Në atë mëngjes maji (s’e di  pse mendoj  se mamaja  lindi  në mëngjes si unë  dhe ime motër, po mund të ketë qenë çfarëdo orë e ditës), familja e vogël s’e dinte ende  që  së  shpejti mbi Italinë  do të binin dy mënxyra (s’dihej cila do të  ishte më e tmerrshmja), një luftë e egër, mandej një diktaturë.

    Maria i njihte  katastrofat  natyrore si tërmetin e Mesinës të vitit 1908, ku ajo kishte  humbur një motër, Tinën dhe  kishte  shpëtuar  për një fije.

    Po nuk ishte mësuar  me katastrofat  e një lloji tjetër, ato që shkaktoheshin  nga njerëzit. Sigurisht ajo priste një periudhë paqeje  dhe lumturie për familjen  e porsakrijuar. S’do të shkonte as një vit dhe do të vinte vajza tjetër. Edhe kjo, siç thamë, mjaft e bukur sa t’i  bënte prindërit të harronin që s’ishte  djalë.

    Ajo do të  quhej Xhinerva.

    Ka qenë i çuditshëm  parapëlqimi i prindërve të Jolandës për këto emra të lashtë. Emri i vajzës së parë, Jolanda, vinte  nga mesjeta dhe kishte një  brerore mbretërore (të sillte ndërmend mbretëreshën Jolanda); emri i së  dytës, Xhinerva, vinte nga një  kohë më  e lashtë, nga legjendat epike të “tryezës së rrumbullakët”. Edhe ky  emër  mbretëreshe, për më tepër i një  mbretëreshe të dashuruar (a s’kishte qenë  dashuria  dramatike e Xhinervës dhe kalorësit Lançelot, burim frymëzimi për dashurinë e Paolos  dhe Françeskës?)


    [1]  Ka një enigmë, lidhur me  ditën e lindjes  së tim mëje. Në letërnjoftimin e saj të fundit dita e lindjes shënohej si 18 maj 1912. Në fakt  50-vjetorin ia festuam  më 1962, një vit para vdekjes. Vërtetimi i lindjes në Itali mbante  përkundrazi  vitin 1910.  Cila është data e saktë? Mbase s’do ta marrim vesh kurrë.

    [2] * E shoqja e mbretit Umberto I.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË