More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKlara Kodra: Një vështrim më i plotë mbi përrallën shqipe të kultivuar...

    Klara Kodra: Një vështrim më i plotë mbi përrallën shqipe të kultivuar për fëmijë

    “Përralla letrare shqiptare” e prof. asoc. dr. Ramazan Çadri

    Letërsia shqipe për fëmijë historikisht lindi relativisht vonë në krahasim me letërsitë analoge europiane (ashtu si disa gjini të letërsisë shqipe për të rritur). Ajo e kapërceu këtë prapambetje, duke djegur etapat dhe duke u dhënë jetë veprave dhe personazheve të realizuara si veprat e Bedri Dedjes, Adelina Mamaqit, Odhise Grillos, Gaqo Bushakës, Xhavit Beqirajt, Tasim Gjokutajt, Mira Meksit etj., dhe personazhet që gjejmë në qendër të tyre.

    Kjo lindje e vonshme fatkeqësisht u shoqërua edhe me një vonesë në studime, e shkaktuar nga nënvleftësimi i kritikëve dhe historianëve të letërsisë shqiptare që shihnin letërsinë për fëmijë si dytësore në krahasim me letërsinë për të rritur. Ky nënvleftësim ishte larg së qeni i menduar se kjo degë e letërsisë shqipe nuk kishte asgjë për t’i pasur zili letërsisë për të rritur nga pikëpamja e literalitetit ose vlerës estetike.

    Letërsia shqipe për fëmijë lindi që në kohën e Rilindjes me fabulat e autorëve të shquar, si Naimi e Çajupi dhe autorëve të tjerë të zellshëm, ndonëse më pak të shquar edhe me ndonjë autor arbëresh si Kristina Xhentile Mandala, me përrallat e veta.

    Në faza të tjera kjo degë e letërsisë sonë u pasurua me gjini e lloje të reja. Po ajo filloi të studiohej vetëm pas Luftës së Dytë edhe atëherë me një ritëm më të ngadalshëm se letërsia (mëmë ose motër për të rritur).

    Për një kohë të gjatë vazhduan të mungonin studimet e plota për këtë letërsi.

    Ky boshllëk në studimet letrare shqipe po mbushet dalëngadalë. Sot shkenca letrare tek ne njeh vepra serioze në këtë fushë si “Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë” të Astrit Bishqemit, “Tradita dhe probleme të letërsisë shqipe për fëmijë” të Bedri Dedjes, “Poezia shqipe për fëmijë” të Agim Devës, “Lindja dhe formimi i letërsisë shqipe për fëmijë” të R.Çadrit, vepra studimore që japin tablo gjithëpërfshirëse ose të kufizuara në një gjini të letërsisë shqipe për fëmijë.

    Këtyre veprave tani vonë po u shtohet një studim tjetër origjinal dhe serioz i studiuesit të njohur Ramazan Çadri që i kushtohet një lloji të veçantë me nënllojet e veta, përrallës së kultivuar shqiptare. Titulli i veprës është “Përralla letrare shqiptare” dhe jep një tablo të gjerë analitike dhe sintetike për lindjen dhe evolucionin e një lloji të vjetër dhe me rrënjët në krijimtarinë popullore si përralla.

    Autori ka gjetur formën e përshtatshme për të organizuar lëndën e gjerë, strukturimin e saj në katër kapituj, titujt e të cilëve janë: “Konteksti historik i përrallës letrare”, “Përralla letrare shqipe”, “Llojet e shkurtra të përrallës letrare” dhe “Llojet e gjata letrare në formën e përrallës”.

    Në kapitullin e parë lloji i përrallës vendoset në një sfond europian dhe botëror, duke përfshirë çështjen e gjenezës së saj nga përralla popullore.

    Në kapitullin e dytë vihet në qendër përralla letrare shqipe duke e ndarë në tri faza në bazë të kriterit kronologjik.

    Dy kapitujt e fundit janë organizuar në bazë të një klasifikimi tipologjik të përrallës shqipe në bazë të gjatësisë, të përkatësisë së saj ndaj gjinisë së prozës ose të poezisë dhe ndarjes së llojeve të gjata të përrallës në nënlloje si poema përrallë, novela përrallë, romani përrallë ose nënlloje më të ngushta si poema fantastike ose përralla shkencore.

    Kjo vepër studimore spikat për plotësi dhe saktësi dhe për një harmonizim midis analizës dhe sintezës.

    Brenda kuadrit të llojeve dhe nënllojeve autori ka mundur të vendosë individualitete krijuese të letërsisë per fëmijë dhe vepra të veçanta në llojin e përrallës.

    Ai ka zgjedhur talentet më përfaqësuese dhe veprat më kuptimplote që e përfaqësojnë këtë lloj duke ndërthurur analizën e tematikës, problematikës, mesazhet me analizën e mirëfilltë estetike domethënë analizën e formës.

    Studiuesit, për të nënvizuar këto talente të veçanta, i është dashur të kapërcejë vështirësitë që paraqiste kriteri gjinor tematik i ndërthurur me parimin kronologjik që ai ka zgjedhur të ndjekë në veprën e vet dhe që ndihmon në krijimin e tablove të gjera dhe në ndjekjen e evolucionit dialektik të llojit.

    Bëhet fjalë për te nxjerrë figura të veçanta të portretizuara në sfondin e gjerë të këtyre tablove dhe për të lëvizur herë – herë prozhektorin e veprimit mbi to për t’i nxjerrë në dritë.

    Studiuesi ia ka arritur të evidencojë këto individualitete krijuese me veçoritë e tyre dalluese dhe risitë që sjellin në llojin e përrallës. Ka ditur të zgjedhë talente të tilla që kanë lënë gjurmë si Bedri Dedja, Adelina Mamaqi, Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Tasim Gjokutaj, Shpresa Vreto, Mira Meksi e ndonjë tjetër. Ndalet edhe në ndihmesën që dhanë autorë të shquar për të rritur si D.Agolli, Moikom Zeqo, Dalan Shapllo, Naum Prifti.

    Gjatë analizës së veprave letrare konkrete studiuesi nxjerr në pah veprat më të mira të këtyre autorëve, duke synuar një objektivitet sa më të madh dhe duke mënjanuar, për sa ka mundur, qoftë idealizimin e veprave në fjalë, qoftë hiperbolizimin e të metave të tyre, duke kapërcyer entusiazmin e tepruar apo rreptësinë e tepruar të kritikës bashkëkohëse.

    Për krijimin e veprës së vet Ramaza Çadri është mbështetur mbi një shumëllojshmëri veprash për fëmijë të llojit të përrallës (pra, i është dashur të bëjë një punë të madhe organizuese, seleksionuese, vlerësuese) dhe mbi një bibliografi të gjerë studimore në shqip dhe në gjuhë të huaj, teorike dhe konkrete.

    Duke respektuar mendimin teorik dhe kritik të studiuesve të tjerë që herë-herë i citon duke mbështetur mendimin e tyre, studiuesi është kujdesur të japë mendimin e tij vetiak mbi problemet e ndryshme të mesazhit dhe të formës që paraqet lloji i zgjedhur dhe përtëritja e tij në faza të ndryshme të zhvillimit të përrallës shqipe.

    Studiuesi ka pasqyruar dobësitë e lidhura me kufizime historike të evolucionit të përrallës si ndikimi negativ i politizimit dhe ideologjizimit në këtë lloj që rrezikonte të sterilizonte ndikimin e saj te brezi i ri, të dobësonte vlerën estetike të përrallës dhe të keqedukonte fëmijët dhe të rinjtë. Megjithatë studiuesi vuri re se kjo prirje hodhi rrënjë kryesisht te autorë të rinj, pra të paformuar ose te individualitete të dobët. Më të talentuarit e kaluan këtë prirje si një sëmundje fëmijërore të krijimtarisë së tyre dhe Ramazan Çadri e vëren, duke pasqyruar vepra të tyre të mëtejshme me vlerë të lartë estetike.

    Studiuesi ndalet mbi probleme të tilla të problematikës siç është aktualizimi i veprave letrare për fëmijë në veprat bashkëkohore duke trajtuar probleme të tilla si vendi i Shqipërisë në botë, si te romani i Bedri Dedjes “Kacamicri rreth globit” ose prirje për universalizimin e vlerave duke thyer konceptet e kohës dhe të hapësirës si në veprat moderniste për të rritur që vihet re në veprat e Mira Meksit. Studiuesi respekton këtu të drejtën për zgjedhje të autorëve duke dënuar një aktualizim me çdo kusht, po duke mos e parë atë si kufizim.

    Studiuesi evidenton çelësat e ndryshëm që përdorin shkrimtarët për të hyrë në botën e fëmijëve si humori, dramatizmi, lirizmi në përputhje me individualitetin e tyre.

    Ramazan Çadri nuk lë pa evidentuar rolin e veçantë që ka figura personazh në llojin e përrallës së kultivuar shqipe për shkak të ndikimit që kanë në fakt personazhet mbi publikun fëmijëror, një ndikim njohës, edukativ dhe estetik.

    Në një kohë kur në letërsinë për të rritur personazhi është copëzuar dhe zbehur figurat e personazheve e ruajnë plotësisht forcën ndikuese emocionale te fëmijët dhe të rinjtë. Autorët e talentuar për fëmijë e kanë vënë re këtë ndikim që nga fillimet e përrallës shqipe gjer më sot dhe janë përpjekur të krijojnë figura sa më të gjalla, një pjesë e të cilave është bërë tepër e dashur për lexuesin e vogël shqiptar.

    Studiuesi i analizon këto personazhe dhe mesazhet që bartin. Ai përpiqet t’i klasifikojë, po duke patur parasysh vlerën e mesazhit dhe nivelin e lartë estetik që i bashkon. Janë këto personazhe që i përkasin botës njerëzore si Fatbardh Pikaloshi i Bedri Dedjes që mishëron prirjen e fëmijëve për trimëri, Kokëdruthi, Kokakomçi, Kokëfirifiu, Kokëtapa i të njëjtit autor që mëshirojnë përkundrazi prirjen e fëmijëve për shejtanllëqe, po në figurat e të cilëve ka një lloj kompleksiteti dhe evolucioni; personazhe simpatikë që i flasin zemrës së lexuesit fëmijë, si vogëlushja Beta e Adelina Mamaqit, vogëlushja Mirelë e Shpresa Vretos, personazhi tepër i veçantë i “vajzës që dinte gjuhën e zogjve që të bën për vete për mirësi e mençuri” të Dalan Shapllos. Ka edhe personazhe të antropomorfizuara që i përkasin botës së kafshëve që simbolizojnë karaktere njerëzore, po herë-herë ruajnë veçoritë biologjike që i dallojnë, si lepurushi Veshkaushi i Odhise Grillos, personazhi veçanërisht tërheqës i derrkucit Çufo të Gaqo Bushakës, tok me shokët e vet arushi Tip, maçoku Salo dhe Bubi Kaçurrel, një qenush simpatik, po edhe mishërimi i fëmijës së zellshëm dhe të dashur, harabeli gjumash dhe dembel, Pleshti i Dritëro Agollit, mishërues i një prirjeje negative, protagonisti kalë i “Birit të erës” së Viktor Canosinajt, me veti të larta pozitive. Ka edhe personazhe që i përkasin fantazisë së kulluar si personazhi i çuditshëm dhe i ndërlikuar Riake, gjysëm fantazëm, gjysëm njeri i Mira Meksit.

    Për sa i përket botës së larme të figurave të personazheve tipikë dhe të individualizuar në letërsinë për fëmijë, studiuesi nuk lë pa pasqyruar një dukuri të veçantë si “shtegtimi” i një personazhi nga një vepër në tjetrën të të njëjtit autor.

    Ashtu ndodh me grupin e fëmijëve rrugaçë të Bedri Dedjes nga romani i parë “Një udhëtim i çuditshëm” në një roman tjetër të shkruar mjaft më vonë “Alarmet e qytetit Sdiluisht” me personazhin e Çufos nga një roman tek tjetri në trilogjinë “Aventurat e Çufos” të Gaqo Bushakës.

    Autori nënvizon evolucionin shpirtëror të këtyre personazheve nga njëra vepër te vepra pasuese.

    Studimit të Ramazan Çadrit mund t’i bëhej ndonjë vrejtje në drejtim të seleksionimit të autorëve. Synimi drejt plotësisë nganjëherë ka dëmtuar përzgjedhjen.

    Po këtij studimi nuk mund t’i mohohet merita e madhe e të qenit gjer më sot vepra më e plotë që i kushtohet llojit të përrallës që mund të shërbente për të pasuruar një histori të re të letërsisë për fëmijë. Ramazan Çadri ka ditur gjithashtu të vizatojë në mënyrë sintetike disa individualitete krijuese që dhanë ndihmesë në llojin e përrallës, duke ndërthurur objektivitetin me veçanësinë e vështrimit kritiko-vlerësues.

    Ky punim monografik shënon një hap përpara në krijimtarinë studimore të këtij autori dhe një arritje të shkencës letrare shqipe në fushën e historisë së letërsisë për fëmijë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË