More
    KreuHistoriKlara Kodra: Maria Antonia Braile poetesha e parë arbëreshe dhe...

    Klara Kodra: Maria Antonia Braile poetesha e parë arbëreshe dhe lirizmi i saj

    Poeteshat  shqiptare  kanë ardhur  në brigjet e poezisë, shumë  më vonë se simotrat e tyre evropiane  dhe botërore. Kjo nuk ndodhi, natyrisht  se atyre  u mungonte  talenti individual  në krahasim  me kombësitë e tjera, por për shkak të rrethanave jashtëzakonisht  të vështira  historiko-sociale, një pjesë  të të cilave  si  pushtimin otoman, ato e ndanin  me bashkatdhetarët  meshkuj, që edhe  ata kishin mbetur  relativisht  prapa  në krahasim  me bashkëvëllezërit  evropianë, ndonëse më vonë e kapërcyen  prapambetjen  relative me një djegie  etapash. Po gratë shqiptare ishin veçanërisht të rënduara  nga paragjykimet patriarkale që  rëndonin mbi to, nga pozita e tyre e nënshtruar  në gjirin e familjes  dhe të shoqërisë shqiptare. E vetmja  mundësi për të shfaqur talentin e tyre ishte letërsia  gojore, në të  cilën merrnin  pjesë  si  këngëtare  anonime (sidomos në këngët  e vajtimit).

    Poetesha e parë shqiptare, madje shkrimtarja e parë  shqiptare (po qe se nuk  llogarisim  Dora d’Istrian, familja e së cilës ishte  mërguar prej kohe në Rumani dhe e shfaqi talentin e vet  më tepër si  studiuese ose kritike; Kristina  Xhentile Mandalanë që ishte më tepër  folkloriste) qe një përfaqësuese e diasporës  arbëreshe, Maria Antonia  Braile  që botoi  vëllimin e vet “Këngë” në arbërisht dhe në italisht në vitin 1913.

    Ajo pati një jetë të shkurtër (1894-1917). Ishte me origjinë na Shën Mitër  Korone dhe ato pak vjersha që shkroi u botuan  vetëm  pas vdekjes së saj nga i vëllai  Salvatore  që ishte  edhe ai poet, por shumë i ndryshëm  prej saj me prirje satirike, më shumë  se lirike.

    Maria Antonia  Braile nuk ka vetëm rëndësi historike, ajo ka  një  poetik të  vetin.

    Pa dyshim, ajo shkroi  pak dhe  ishte  një poeteshë  minore, po dallohet për  një lirizëm  të çiltër dhe  fin. Mbase, po të jetonte, talenti i  saj do të çelte  lule të tjera  lirike.

    Në vëllimin e saj, çuditërisht për një vajzë të re, mungon  lirika e dashurisë.

    Vjershat që spikasin në  vëllimin e vogël të botuar  prej saj  janë  “Tek e  keqja s’mund” (“Tek e keqja  sëmundje” qartësisht autobiografike  ku përshkruhen  vuajtjet e saj nga sëmundja  që po i  merr jetën në lule të rinisë dhe ndihet etja  për jetë dhe ankthi i vdekjes.  Krahasimi i vetes  nga autorja  me një lule që lëngon  është  një krahasim  i njohur, por që  personalizohet prej saj duke i dhënë  ngrohtësi  lirike.

    Për konçizitet dhe forcë  përshkruese  spikat  vjersha portret që vizaton  profilin e një  fëmije të  parakohshëm që do të jetë  edhe ai  jetëshkurtër, Dukagjini “Rri  te froni Dukagjini/ Me  ata  sizit e helmuar/ Ruan  zjarrin çë ë  i shuar” (Rri te  froni  Dukagjini/ Me ato  syçka  të helmuara/ vështron  zjarrin  që është  shuar).

    Kjo vjershë e merr  forcën shprehëse  nga një  epitet që karakterizon  sytë e fëmijës  dhe bie  në kundërshtim  me moshën e tij të njomë “e helmuar”, pra, shpreh  trishtim dhe nga  një detaj, vështrimi i tij nga  zjarri që është shuar dhe sikur  paralajmëron  shuarjen e shpejtë  të djalit  të vogël.

    Meriton vëmendje  dhe vjersha  në  frymë popullore  me distikë  të rimuar (si  vjershat  lirike arbëreshe  të dashurisë) që i kushtohet Luftës së Parë Botërore që shihet  në një optikë femërore  si kositëse  jetësh  të reja dhe aspak  në një përmasë lavdie  apo heroizmi. Si shkaktar  të  luftës heroina  lirike-autorja- akuzon  Kajzerin  gjerman Vilhelm.

    Kjo është e vetmja vjershë me problematikë politiko-sociale  e vëllimit.

    Siç thamë, poetesha e sheh  luftën  me sytë e gruas, po edhe të njeriut të thjeshtë të popullit, duke mos u mashtruar nga parullat nacionaliste për çlirimin e Trentos dhe Triestes që qarkullonin në Itali, pra, me një  realizëm  dhe një largpamësi të rrallë në atë kohë.

    Vëllimi i poeteshës së re nuk pati jehonë ndër bashkëkohësit, po do të  përmendet  shumë  më vonë  nga studiuesi  arbëresh Gradilone, më vonë akoma  nga studiuesit e tokës së origjinës, Shqipëri  si Nasho  Jorgaqi dhe ne vetë.

    Më vonë, më 1995 studiuesi  kanadez  Robert Elsie do t’i jepte  një vend  të vogël  në “Historinë e letërsisë  shqiptare” që botoi  në New York.

    Mund të ishte me vlerë  ribotimi i këtij  vëllimi të vogël  që të dëgjohej  nga lexuesit e sotëm ky zë  i butë  dhe i ëmbël  poetik  që mund  të nxjerrë  edhe tinguj  të ashpër.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË