Pyetësori “Librat e jetës sime”
Libri që po lexoj ndërkohë:
Kam në dorë romanin autobiografik të shkrimtares bashkëkohëse kineze të emigruar në Angli, Jung Çang, “Mjellmat e egra”, një sagë e fuqishme tronditëse që rrok tre breza grash, që pasqyron dramën ngjethëse të prindërve të autores, komunistë idealistë të shpallur armiq klase dhe rininë “pa rini” të brezit të shkrimtares e cila përjetoi “revolucionin kulturor”, me tërë shkatërrimet që solli me vete. Më bëjnë përshtypje pikat e takimit me realitetin shqiptar të kohës së diktaturës dhe gjithashtu çiltërsia dhe forca emocionale me të cilën është shkruar romani që shkrin realitetin jetësor me “fiction”. Jam e mendimit që, pavarësisht nga eksperimentet e modernistëve, romanin e mban në këmbë personazhi dhe konkretisht këtu tri gratë trime, gjyshja, nëna dhe vetë autorja që janë në qendër.
Libri që më ka ndryshuar jetën:
Jam rritur në gjirin e librave që në fëmijërinë e hershme e megjithatë kurrë s’jam ngopur me ta deri më sot.
Romani i parë që kam lexuar ka qenë “Pinoku”, të cilin ma ka dhuruar në origjinal babai që në moshën pesë vjeç (kisha mësuar të lexoja që atëherë).
Mund të përmend disa libra që ma kanë pasuruar jetën dhe ma kanë rrezatuar me thellësinë e mesazhit dhe bukurinë e formës.
Nga autorët shqiptarë mund të kujtoj “Këngët e Milosaos” të De Radës me konçizitetin, origjinalitetin befasues të figuracionit, kultin e gëzimit të këngëve të para, i pazakonshëm në romantizëm, poezinë e lumturisë në episodin e martesës së protagonistëve dhe dhimbjen e thellë njerëzore kur kjo lumturi merr fund, “Andrra e jetës”, së Mjedës me realizmin ngjethës të tablove, çiltërsinë e frymëzimit dhe formën e përsosur (në debatet me mamanë shprehja mendimin se Mjeda ia kalonte Fishtës, librat e të cilit i kisha lexuar fshehurazi që e vogël); nga veprat e autorëve të huaj, “Ana Kareninën” e Tolstoit me “dialektikën e shpirtit” të protagonistëve, zbulimin nga ana e Anës së forcës së madhe jetësore të dashurisë erotike dhe zbulimin nga ana e Levinit të dashurisë gjithënjerëzore që e ringjall atë në fund të romanit, në kontrast me fundin tragjik dhe të pamerituar të Anës, romanin historik të nobelistes Sigrid Undset “Kristina, e bija e Lavransit” që ndodhej ndër librat e mamasë, me furinë e pasioneve të dashurisë dhe urrejtjes të përjetuara nga personazhet në sfondin e Norvegjisë së 300-ës, thyerjes së tabuve prej tyre (çudi si s’është përkthyer ende në shqip!)
Libri që do të doja të kisha shkruar:
Më kanë prekur në mënyrë të veçantë romanet e Izabel Aljendes me të cilat jo rrallë identifikohem.
Libri i fundit që më ka bërë të qaj:
Mund të përmend në fillim librin e parë që më ka bërë të qaj, “Sagën e Gësta Berlingut” të Selma Lagerlofit me gabimin tragjik të protagonistit që tradhton vokacionin e vet fetar për hir të kënaqësive të jetës, figurat e grave të dashuruara prej tij dhe evolucionin e tij me zig-zage të vazhdueshme drejt së mirës. Libri i fundit i përket gjithashtu një shkrimtareje skandinave, “Nusja e ujkut” e Aino Kalasit që ka në qendër një figurë kontradiktore dhe tragjike gruaje.
Libri i fundit që më bën të qesh:
Dikur jam kënaqur me “Don Kishotin”, “Ushtari i mirë Shvejk” dhe “Tre veta në varkë”. Tani së fundi kam lexuar një roman të shkurtër të frymëzuar nga realiteti (“Dy verërat” i shkrimtarit francez Erik Orsena) që përshkruan një ishull dhe në këtë sfond aventurat e pazakonshme të disa përkthyesve, një i specializuar dhe disi dembel dhe disa diletantë që guxojnë të ndeshen me përkthimin e “Aden” së Nabokovit, një libër me një humor të këndshëm mbi artin e përkthimit.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar akoma:
Janë shumë. Do të përfshija sagën “Olav Audunssoen” të Sigrid Undsetit, vëllimet poetike të poeteshës kiliane Gabriela Mistral dhe të poetit spanjoll Migel Hernandez.
Librat që kam dhuruar:
U kam dhuruar libra prej bibliotekës sime miqve të ngushtë (jo rrallë nga vëllimet e ndaluara në kohën e diktaturës) dhe disa nga vëllimet e mia me shpresën se do t’i lexonin.
Libri me të cilin dua të mbahem mend:
Është vështirë të zgjedhësh midis “fëmijëve” të tu, po ,umd të përmendja vëllimet me poezi “Fjalë të pathëna” dhe “E-maile nga deti”, monografinë që i kam kushtuar Varibobës dhe një roman të papërfunduar që kam vite që e shkruaj dhe e kam menduar si “veprën e jetës” sime dhe ka titullin pikërisht “Zjarri i jetës”.
Libri që më bën të ndihem mirë:
“Fausti” i Gëtes. Dikur më ka shkaktuar dhimbje me linjën e Margaretës, tani përqendrohem te filozofia optimiste e Gëtes mbi lartësimin e njeriut, më qetëson mendimi i katarsisit të personazheve, Margaretës përmes flijimit të jetës dhe Fausti përmes krijimit dhe ribashkimi i tyre në një dimension shpirtëror, triumfi përfundimtar mbi negativitetin e Mefistofelit.
Libri që mendoj se është i nënvleftësuar:
Ka shumë vëllime nga letërsi të ndryshme që kanë mbetur të tillë gjersa s’i ka ndriçuar pena e ndonjë kritiku. Letërsia shqiptare ka vuajtur nga kjo në mënyrë të veçantë meqenëse ka mjaft autorë si De Rada, Migjeni, Kuteli, Lasgushi dhe Noli që do të njiheshin në shkallë evropiane, po të mos ishte barriera e gjuhës.
Edhe sot ka autorë që do të meritonin të vlerësoheshin më shumë. Në këtë gjë mund t’i ndihmonin kritika dhe përkthyesit.