More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKim Mehmeti: ‘Lulet e egra’ të Majlinda Ramës, zëri që presim!

    Kim Mehmeti: ‘Lulet e egra’ të Majlinda Ramës, zëri që presim!

    Proza është mjeshtri e të rrëfyerit dhe prodhim i ‘punëtorisë’ së quajtur imagjinatë, ndërkaq poezia është lulishte dhe pranvera e ndjesive, dhe andaj ajo është si ‘ylber’ që bart të gjitha ngjyrat e shpirit. Dhe të paktë janë autorët që, po aq, sa janë mjeshtër të të rrëfyerit, pra, po aq, sa posedojnë begatinë imagjinative, të jenë edhe kopshtar të lulishtes së shpirtit.

    Një nga shkrimtaret shqiptare që, me të njëtën mjeshtri rrëfen dhe ngjiz shqetësimet shpirtërore është Majlinda Rama, e cila, si mjeshtre e rrëfimit, e shpalos vetveten te romanet ‘Perandorët’ dhe ‘Zonja me të kuqe’, ndërkaq si poete, te libri poetik ‘Lulet e egra’.

    Libri poetik ‘Lulet e egra’ shpërfaq një shpirt të tendosur krijues, si telat e violinës, të cilët, po aq sa prodhojnë tinguj të këndshëm, lëshojnë edhe zëra vajtues. Pra poezitë e këtij libri janë lumturi-dhembje të shkrira në një, por jo edhe pakënaqësi nga jeta, as atëherë kur je ‘hënë e atij që nuk të ka dashur kurrë’.

    Thuajse të gjitha poezitë e librit “Lulet e egra” kanë një të përbashkët: janë të ardhura nga përtej shqetësimeve shpirtërore. Dhe të ardhura nga ajo largësi, ato nuk ka si mos jenë të begata me vizione poetike, në epiqendrën e të cilave qëndron universi njeri dhe njeriu vetë, si krijesë që ëndërron vetveten, siç do donte ta donin e të dashuronte.

    Poezitë e Majlinda Ramës janë si fllad i gjatëpritur, i cili, me freskinë e vet, tregon se ka ardhur krijuesja që zë vend të rëndësishëm në bibliotekën tonë kombëtare. Ato janë edhe tregues si ndërlidhet vargu në një harmoni të plotë edhe atëherë kur nga brendia e tij dëgjohet klithma e dashurisë së munguar.

    Në librin poetik ‘Lulet e egra’ ka disa poezi të përmasave antologjike, përfshi edhe atë me titullin ‘Dy gjysmat’, ku ecja drejt vetvetes dhe sa më larg asaj që, tjetër duam të jemi, përbën një udhëtim përplot ‘ngjyra që ta puthin shikimin’. Ngjyra nga të cilat Majlinda Rama e pikturon shqetësimin e saj si dhe kërkesën: “…harroji këto lot/ ne qeshëm sa deshëm e sa deshëm qamë/ rrugëve u endëm si dy Don Kishotë”.

    Në fund të librit  “Lulet e egra” është poezia me titull “Lulet e bardha” për të cilën kritiku ynë letrar, Ali Aliu, konstaton se, vargjet e saj janë  ‘guaskë e mbyllur, e padepërtueshme’. Madje, jo vetëm kjo poezi, por edhe shumë të tjera nga kjo përmbledhje poetike, janë tregues se vetë njeriu është në të vërtetë si guaskë e mbyllur, e cila jo rrallë herë, edhe vdes pa u hapur fare dhe pa e parë askush margaritarin në të.

    E në ndërkohë duhet shtuar se  ‘Lulet e egra’ të Majlinda Ramës janë shumëçka nga pak: edhe përfytyrim i brendisë së guaskave të mbyllura, edhe zëri që presim, zëri që duhet të na kumtojë të vërtetën se, ne nuk jemi, as atë që jetojmë, as atë që ëndërrojmë, por ai që kalon përmes tyre, ashtu siç ecet nëpër poezinë e mrekullueshme ‘Dy gjysmat’.  Poezi që është në ballë të diademës së veçantë poetike, me të cilën Majlinda Rama e begaton thesarin poetik të shqipes.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË