Darka ishte në nëntë e gjysmë, por mua më rekomanduan të vija pak më parë, që të njihesha me të ftuarit e tjerë.
Edhe pse kisha kohë, nxitova, sosa në ashensor dhe shtypa butonin e katit të fundit ku, siç më kishin thënë, jetonin ata.
Trokita në derë. E hapën dhe më drejtuan në një sallon ku nuk kishte njeri. Pas një çasti hyri një vajzë e cila dukej e habitur nga prania ime.
– Njihemi? – më pyeti.
– Nuk besoj, – i thashë. – Këtu banon familja Roemer?
– Familja Roemer? – pyeti vajza duke qeshur. – Jo. Roemerët jetojnë një kat më poshtë.
– E dini? Nuk pendohem për gabimin që bëra. Sepse pa këtë gabim nuk do t’ju kisha takuar, – thashë i sigurt.
– A thua ishte një gabim i qëllimshëm? – pyeti vajza gjithë gaz.
– Ishte thjesht një rastësi, – pohova.
– Zotëri… – tha. – Unë nuk ua di as emrin.
– Bioy, – i thashë. – Ju?
– Margarita. Z. Bioy, meqenëse, në një mënyrë apo në një tjetër, ju erdhët në shtëpinë time, mos më thoni jo, nëse ju ftoj të pini diçka.
– Të ngremë dolli për gabimin tim?! Kjo më duket shumë mirë.
Pimë dhe biseduam. Kaluam çaste që nuk do t’i harroj.
Erdhi një çast kur unë shikova orën dhe bërtita i alarmuar:
– Më duhet t’ju lë. Roemerët më presin për të ngrënë, qysh në nëntë e gjysmë.
– Mos u bën i keq! – pothuaj u lut ajo.
– Nuk jam i keq, – protestova. – Në të vërtetë, do të doja të mos të largohem kurrë nga ty! Por ata më presin.
– Epo mirë, nëse është puna për të ngrënë, nuk insistoj. Duhet të jesh shumë i uritur.
– Nuk jam i uritur, – protestova, – por u kam premtuar se do të vija para orës nëntë e gjysmë. Roemerët po më presin.
– Shumë mirë. Atëherë, vraponi poshtë! Unë nuk ju mbaj me zor, edhe pse e kam të qartë: nuk besoj se do të ktheheni përsëri.
– Do të kthehem, – i thashë. – Ju premtoj se do të kthehem.
Në të vërtetë, pak më parë ne kishim filluar t’i flisnim njëri-tjetrit me “ti”. Dhe e pashë që u zemërua, por nuk kisha kohë të sqaroja asgjë. E putha në ballë, i lëshova duart e saj nga të miat dhe vrapova poshtë.
Në nëntë e tridhjetë fiks arrita në katin e tetë. Hëngra me Roemerët dhe mysafirët e tjerë të tyre. Ne folëm për shumë gjëra, por mos më pyesni se çfarë, sepse mendjen e kisha vetëm te Margarita. Më në fund, munda t’u lë lamtumirën. Më shoqëruan në ashensor.
Sa u mbyll dera e ashensorit, po kërkoja të shtypja butonin në katin e nëntë. Nuk kishte asnjë buton të tillë. Kati më i lartë ishte i teti.
Sa dëgjova se Roemerët mbyllën derën e tyre, dola nga ashensori për t’u ngjitur shkallëve. Por nuk kishte shkallë për t’u ngjitur, kishte vetëm për të zbritur. Dëgjova që njerëz që po bisedonin në korridorin e katit të gjashtë. Zbrita shkallët dhe i pyeta se si mund të ngjitesha në katin e nëntë.
– Nuk ka kat të nëntë, – më thanë.
Filluan të më sqarojnë se në katin e fundit, në të tetin, banonin Roemerët dhe se, me siguri, ishin ata njerëzit që doja të shihja…
Nuk di çfarë mërmërita dhe pa dëgjuar çfarë po më thoshin, zbrita shkallët.
Përktheu nga origjinali Bajram Karakolli