KreuLetërsiShënime mbi libraKastriot Kotoni: Luan Topçiu me një studim krahasues mbi lirikën shqiptare dhe...

Kastriot Kotoni: Luan Topçiu me një studim krahasues mbi lirikën shqiptare dhe rumune

Studimet krahasuese në letërsinë bashkëkohore shqiptare dhe ballkanike po fitojnë gjithnjë e më shumë një peshë të veçantë, sidomos kur ato ndërtohen mbi koncepte themelore të përvojës shpirtërore, siç është “malli”. Libri i studiuesit Luan Topçiu, “Paradigmat e vetmisë”, i botuar nga shtëpia botuese “Onufri”, përbën një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim, duke sjellë një qasje të thelluar ndërdisiplinore, ku ndërthuren analiza letrare, refleksione filozofike dhe vëzhgime antropologjike.

Që në parathënien e librit, të hartuar nga akademiku rumun Alexandru Balaci, theksohet vlera shkencore e studimit dhe aftësia e autorit për të ndërtuar ura ndërmjet kulturave, veçanërisht në raportin shqiptaro-rumun. Balaci nënvizon se vepra shquhet për gjykime me peshë dhe për një njohje të thellë të ndërveprimeve kulturore në hapësirën ballkanike, duke e vendosur që në hyrje studimin në një kornizë serioze akademike. Në këtë prizëm, edhe vetë Topçiu, përmes analizës së tij, e trajton mallin jo thjesht si motiv letrar, por si një kategori ekzistenciale dhe kulturore, që përshkon në mënyrë organike përvojën poetike të popujve të rajonit.

Kështu, libri shndërrohet në një udhëtim analitik dhe hermeneutik, që synon të zbulojë strukturat e thella të ndjeshmërisë kolektive dhe të shprehjes artistike, duke vendosur në dialog letërsinë shqipe me atë rumune dhe më gjerë.

Pjesa qendrore e librit i është kushtuar pranisë së mallit në letërsinë e lëvruar rumune dhe shqiptare. Në faqet e tij, autori thekson kompleksitetin e lirizmit individual përkundrejt atij kolektiv të folklorit. Shembujt që dëshmojnë kalimin e teksteve, që spikasin për një talent të shquar përkthyesi dhe kritiku, ndihmojnë në përshkrimin e evolucionit të spektrit semantik të fjalës dor në krijimtarinë e artit letrar të Costache Conachi, Iancu Văcărescu, Enăchiță Văcărescu, Anton Pann, Gheorghe Asachi, Eliade Rădulescu, Dimitrie Bolintineanu, Vasile Alecsandri.
Një kapitull i posaçëm i kësaj qendre tematike i është kushtuar “shtysës” kulmore të mallit në krijimtarinë emineskiane, ku malli shfaqet si përmasë e së pakufishmes. Një citat nga libri është domethënës: “…Vepra emineskiane sjell në letërsinë botërore universin më të pasur dhe më të nuancuar të mall-it…”. Ndërsa për Lucian Blagën, filozof i kulturës, malli përcaktohet në trinomën udhë–mall–udhëtar, duke gjeneruar vazhdimisht shpresë dhe dashuri. Sensualiteti i gjeneruar nga dëshira për të jetuar plotësisht përshkon, përmes evolucionit lirik të poezisë së Blagës, përmasat kozmike. Askush më mirë se ai nuk ka ndjekur me aq intensitet mrekullinë e oborrit të mallit (vizionet e dritës dhe të fshehtësisë në dëshifrime kozmogonike).

Në të vërtetë, poeti është ai që do të trokasë në portat e mëdha prej bronzi, plot mister, të botës së kësaj ane dhe të asaj së përtejme. (Luan Topçiu përmbledh mbresat e drejtpërdrejta në pasionin e leximit, që befasojnë me hollësi të dallueshme, duke zbuluar magjinë e artit të poetëve të studiuar.)

Kapitulli kushtuar dor-it/mall-it në poezinë e lëvruar shqipe është, për çdo lexues të vëmendshëm të studimit të Luan Topçiut, kërkues në fushën e letërsisë krahasimtare, duke qenë një tjetër dokumentim i qartë i evolucionit semantik dhe tematik të kësaj fjale emblematike për spiritualizmin e të dy popujve.

Denduria e saj është më e theksuar në periudhën romantike, te poetët që u drejtuan kah gurrat e kthjellëta të folklorit. Janë të analizuara, me vëmendje pjesëmarrëse dhe me përkujdesjen e një studimi racional, veprat e disa prej shkrimtarëve më përfaqësues të letërsisë shqipe, si: Jeronim de Rada, A. Rrjeka, Zef Serembe, Naim Frashëri (poeti kombëtar shqiptar), Andon Zako Çajupi.

Me interes të posaçëm janë faqet kushtuar pranisë së mall-it në veprën e tre shkrimtarëve shqiptarë nga “Bukureshti”: Asdreni, Poradeci, Kuteli, duke shënuar një shkallë të epërme krijuese dhe mbi marrëdhëniet me universin. Duke jetuar dhe shkruar në Rumani, ata hyjnë në konvergjenca shpirtërore me letërsinë e këtij populli, nën shenjën e romantikut të madh europian, Mihai Eminescu.

Të tre shkrimtarët janë paraqitur në tre medaljone të shkëlqyera letrare, ku evokohen aspekte të panjohura nga Bukureshti, i konsideruar kryeqyteti i Ballkanit dhe selia e një qendre të rëndësishme shqiptare.

“Shkrimtari i parë bukureshtas” është Asdreni (1872–1947). Poezia e tij meditative (me disa ndikime nga Eminescu dhe Arghezi) i drejtohet njeriut universal.

“Bukureshtasi i dytë” është Lasgush Poradeci (1899–1987), student në Belle Arte dhe në Teologji në Bukuresht, doktor shkencash në Graz, me një tezë mbi Eminescu-n. Ai është konsideruar poeti më i rëndësishëm i Shqipërisë moderne, i përqasshëm me Baudelaire-in dhe në interferencë me artin kozmogonik të Eminescu-t.

Medaljoni i tretë (seria e tre shkrimtarëve është tejet interesante për të vendosur edhe karakterizimin e marrëdhënieve kulturore rumune me spiritualitetin europian) i është kushtuar Mitrush Kutelit (1907–1967), student në Bukuresht, përkthyes i Eminescu-t, i cili u manifestua edhe në poezi, duke qenë ndër prozatorët më të shquar të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Të tre shkrimtarët kanë qenë të përfshirë nga magjia e entitetit të mallit, duke depërtuar në zona të fshehta të subkoshiencës së parë, në një huajësim që ndodh në kontaktin metafizik me një ekzistencializëm quasi-onirik.

Në poezinë e Lasgush Poradecit, malli merr kuptimin e një “migrimi” shpirtëror, një përkushtim absolut ndaj fjalës-simbol. Gjendja e thellë onirike i jep fjalës cilësi hermetizuese, duke rritur kënaqësinë e lexuesit për të deshifruar në mënyrë mbresëlënëse kuptimet e fshehta. Përmes tij, në poezinë shqipe depërton poezia e misterit.

Bindëse është edhe ekzegjeza kritike e faqeve të këtij libri, që analizon me imtësi paralelizmin Eminescu–Poradeci, duke mbërritur në një konkluzion, ndonëse të diskutueshëm për Eminescu-n si romantiku i fundit europian dhe për Poradecin si postromantik që përfaqëson një poezi më moderne dhe më komplekse. Luan Topçiu e konsideron edhe Mitrush Kutelin të denjë për t’u përfshirë në këtë “matricë stilistike”.

Një tjetër medaljon provokues, i titulluar në mënyrë simbolike “Victor Eftimiu – Urë lidhëse”, është shkruar me një simpati të veçantë intelektuale për këtë shkrimtar të rëndësishëm rumun me origjinë shqiptare.

Kapitulli V trajton mallin në letërsinë rumune dhe shqiptare të pasluftës, duke afirmuar praninë e tij në një sërë autorësh përfaqësues të letërsisë bashkëkohore të të dy popujve.

Vëmendje e posaçme i kushtohet “Metafizikës së mall-it në poezinë e Nichita Stănescu-t”, ku mall-i vendoset krahas “motivit të lundrimit…”. Vëzhgimet kritike të Luan Topçiut përbëjnë ndër interpretimet më të rralla dhe më të stërholluara.

Autori i librit ka shteruar në mënyrë lineare të gjithë hapësirën ontologjike ndërmjet popujve të Ballkanit, e posaçërisht atë rumune dhe shqiptare. Ai i ka shtrirë kërkimet edhe në fushën gjeografike, në arealin e termit Ballkani Perëndimor, ku shumë vende e cilësojnë veten si urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit apo pjesë e “Europës Lindore”. Autori ka një ngjizje të antropologjisë kulturore dhe ekonomike të dy popujve. Vlen të përmendet fakti se Luan Topçiu ka hedhur në hapësirën shqiptare teza shkencore të pavlerësuara ose të pakonstatuara, si, për shembull, në lidhje me fjalën mall të shqipes, ku ai shprehet se është studiuar pak sfera semantike dhe shtrirja e motivit në krijimtarinë poetike nga studiuesit shqiptarë. Topçiu na kujton se për herë të parë ndihet pesha e madhe e fjalës mall në poezinë e Lasgush Poradecit. Autori përmend studiuesen me origjinë shqiptare, Lucia Djamo Diaconita, në studimin e saj krahasues “Eminescu–Asdreni”, ku bën disa vëzhgime mbi fushën e gjerë semantike të fjalës mall, duke qenë kështu e para studiuese që heq një paralele midis mallit dhe dor-it. Si njohës i kulturës ballkanike, Luan Topçiu e ka shtrirë më thellë vëzhgimin e tij shkencor; sipas tij, kufijtë e dy llojeve të letërsisë, asaj të lëvruar dhe asaj popullore në Ballkan, shkrihen dhe herë pas here është e vështirë t’i dallosh nga njëra-tjetra. Për këtë arsye, thotë ai, i referohemi poezisë popullore si dëshmia më autentike e strukturës shpirtërore së një populli, e cila përbën deri në ditët tona një lëndë burimore për letërsinë e kultivuar. Më tej, Luan Topçiu shton se në të dy popujt, po të kërkojmë gjenezën e ndjenjës së mall-it, ajo është e lidhur nga kontaktet e këtyre dy popujve, që në periudhat e mugëta të historisë së tyre, me natyrën. Malli ka lindur në kushtet e transhumancës, kur të dy popujt migronin me bagëtitë nga njëri cep i Ballkanit në cepin tjetër. Ashtu si shqiptarët, edhe rumunët, thekson autori, dikur, në rrethana të caktuara historike, kanë qenë të detyruar të izolohen në një lloj mërgimi në vendin e vet, për t’u mbrojtur nga furia e popujve migratorë luftënxitës, duke u tërhequr për një periudhë kohe në male e pyje, në zonat malore të vështira për t’u depërtuar nga barbarët. Këto izolime të përkohshme sollën në shpirtin e shqiptarit dhe rumunit trishtim, brengë, hidhërim, melankoli për të shkuarën. Në këngët baritore rumune të komitëve, të quajtura ndryshe doina (ritmi i së cilës, po t’i referohemi Lucian Blagës, është pasqyrues i një horizonti specifik rumun, që përbëhet nga një horizont i lartë ritmik dhe pafundësisht i përbërë nga kodra e lugina), rumuni i këndon vëllazërimit me natyrën. Pikërisht në këtë lloj specifike të lirikës popullore haset edhe motivi i mall-it.
Ndërkaq, në këngën popullore shqiptare, figura e çobanit dhe, më gjerësisht, hapësira e bjeshkës artikulohen si hapësira liminale (një gjendje tranzitore midis dy fazave) dhe rituale, ku subjektiviteti njerëzor lirohet nga kodi i rendit shoqëror. Vargjet: “Më ka marrë malli rëndë”, “për të fjetur nën tendë” dhe “që të mjel dhentë në shtrungë, t’i mjelç ti e t’i nga unë”. Figura e çobanit, në të dy traditat kulturore, është më shumë se një emër; është një pozitë ekzistenciale e përshkuar nga simbolika. Një trajtesë e rëndësishme në librin “PARADIGMAT E VETMISË, studim krahasues mbi lirikën shqiptare” të Luan Topçiut është edhe vështirësia e përkthimit të fjalës “mall” dhe “dor” nga gjuhët e tjera. Në përkthimet shqip të letërsisë rumune, përkthyesit shqiptarë e kanë përkthyer dor-in e rumanishtes nëpërmjet mall-it në mënyrë konsekuente dhe pa luhatje, si Mitrush Kuteli, Rexhep Ismajli, Vehbi Bala, Dionis Bubani. Topçiu na njofton se vetëm malli i shqipes mund ta përkthejë në mënyrë adekuate dor-in e rumanishtes, duke mbuluar gjithë sferën semantike të tij, falë përputhjeve në të gjitha kuptimet e mundshme të mallit dhe dor-it.

Autori përmend Profesor Grigore Brâncuș në lidhje me përkthimin e fjalës mall: do të shprehej: “Korrespondenti i saktë i dor-it në shqipe: mall”. Gjithashtu, edhe Kundera është i mendimit që, përveç atyre që përdorin fjalën greke, mund të shtojmë pa ngurrim rumanishten me fjalën dor dhe shqipen me fjalën mall, të dyja pothuajse të papërkthyeshme dhe shumë më intime në shprehjen e ndjenjës. Dijetari gjerman Karl Dieterich, në fillim të shekullit XX, realizoi një studim krahasimtar të poezisë popullore ballkanike, ku identifikoi elemente të përbashkëta stilistike dhe figurative. Një nga tiparet karakteristike që ai vërejti ishte përdorimi i një imazhi natyror si hyrje poetike në këngët popullore ballkanike, si psh: “Ra një vesë e zbuti dhenë, lulëzoi molla, lulëzoi dardha”. Gjithashtu, Dieterich thekson metaforat dhe krahasimet e zakonshme për përshkrimin e bukurisë femërore: shtati si selvi, vetulla si gajtan, syri si filxhan, hunda si qiri, goja si kuti, dhëmbët si inxhi, beli si unazë. Ai mendon se këto formula poetike kanë origjinë orientale dhe janë përhapur në Ballkan përmes Bizantit.

Në zbërthimin e fjalës mall nga Luan Topçiu kemi disa shtresëzime të kuptimit të kësaj fjale. Ajo herë na duket një ndjesi e largësisë fizike dhe herë një udhë e dyfishtë: fizike dhe shpirtërore, e prekshme dhe mitike. Në këngën popullore shqiptare dhe rumune, malli nuk është thjesht një pasojë e kalimit të kohës, por gjenerator i ndjeshmërisë dhe i krijimit. Ai shfaqet si ndërthurje e kohës së humbur dhe vendit të largët, siç do ta përkufizonte Mircea Eliade në “Njeriu dhe shenjtëria” (1957), ku çdo kthim drejt të shenjtës është një rikthim në zanafillë (Itakë dhe përpara saj). Malli, në këtë rast, është kërkim për origjinën personale, për vendin ku njeriu ndihet i përkryer dhe i plotë.

Malli është një ndjenjë themelore dhe universale, që mbart në vete jo vetëm përjetimin emocional, por edhe reflektimin identitar, siç thotë Paul Ricoeur, që formojnë narrativën tonë të brendshme dhe strukturën autobiografike të vetes. Kujtimi personal, i transformuar nga përjetimi emocional, krijon një “kohë të tretë”, “kohën e mallit”. Të tjerë autorë citon Topçiu për fjalën mall, si Gaston Bachelard, për të cilin malli është mënyra me të cilën e “banon” shpirtërisht një vend që nuk ekziston më realisht, por jeton në kujtesë si një hapësirë intime. Për një tjetër autor si Mikhail Bakhtin: malli është i vendosur gjithmonë në një kronotop, në kuptimin e një njësie ku koha dhe hapësira ndërthuren për të krijuar përjetimin e plotë narrativ dhe estetik. Kënga e mall-it është vendi ku bashkohen koha e kaluar dhe hapësira e munguar, si fshati, mali, lumi, shtëpia, pragu, livadhi. Në këtë kuptim, malli përfaqëson një kronotop emocional, që përmban nostalgjinë, dhimbjen dhe dëshirën për rikthim.

Një tjetër ide shteruese e autorit është se malli, si koncept poetik dhe antropologjik, është evaziv, i vështirë për t’u matur, por jo për t’u ndjerë. Ai shpërhapet në ndërgjegjen njerëzore dhe vjen si një “tingull i brendshëm”, që shfaqet në një sërë formash artistike. George Călinescu e përkufizon dor-in (mallin) si ndjesia themelore e shpirtit rumun, një ndërthurje e melankolisë me mallin ekzistencial dhe fatin historik të njeriut. Në këtë mënyrë, malli mbetet një strukturë ndjesore dhe mitike, një ndërmjetës midis njeriut dhe kohës, midis brendësisë dhe jashtësisë. Ai është dëshmi e një jete të jetuar, e një lidhjeje të thellë me botën që kemi lënë pas, por që nuk na lë kurrë.

Nëse tek Mihai Eminescu malli thërret, përgjërohet, akuzon, tek Lucian Blaga ai i jep kësaj gjendjeje një frymë të re. Malli, në universin e tij poetik, është një vuajtje që nuk konsumohet dhe nuk shërohet prej vetvetes. Ai ngërthen një ndjeshmëri më të thellë, më të heshtur, më afër qenësisë. Shorti i poetit është një dallgëzim i vazhdueshëm, një pulsim i ritmuar me lëvizjen e universit, për një botë të mbushur me shenja dhe relacione. Barra e tij është të deshifrojë shenjat dhe të vjelë kuptimet e fshehta të botës.

Me ardhjen e këtij studimi të nivelit shumë të lartë shkencor, bota shkencore dhe studimore akademike shqiptare është pasuruar edhe më shumë. Luan Topçiu ka ditur që, me metodën krahasuese, të zbërthejë edhe brenda letërsisë shqipe valencën e fjalës mall nga autorët shqiptarë si Asdreni, Kuteli e Poradeci. Ndërsa Kuteli shkruan për Asdrenin si poeti i mallit, i atij malli të pashuar të mërgimit, që nuk e mbytnin as detet, as vitet. Së bashku me Lasgush Poradecin, ata i japin termit “mall” një kompleksitet të ri, duke e çuar përtej dimensioneve të zakonshme. Tek poezia e Asdrenit ndihet fuqishëm fjala kombëtare me shenja të qarta gjeografike, të cilat vendosen si tituj emërues në krye të poezive. Për këtë mjafton fakti që ai shkroi vetëm në gjuhën shqipe, duke ndjerë veten pjesë organike të bashkësisë së tij etnike dhe, si lëvronjës i dorës së parë i kësaj gjuhe, është dëshmi e një vetëdijeje kulturore.

Sipas studiuesit Luan Topçiu, në poezinë e Lasgush Poradecit, fjala mall merr kuptime komplekse dhe njëherazi sfiduese. Malli meriton vëmendje jo vetëm për dendurinë e përdorimit, por edhe për potencialin e tij semantik: ai shndërrohet në një motiv të fuqishëm që ndërton një rrjet të gjerë domethëniesh. Ai shfaqet në gjendje ekzistenciale, si etje për diçka apo për dikë mungues që nuk shter, si vendi, dashuria, koha, vetja. Jo vetëm fjala “mall”, por e gjithë gjuha që e rrethon krijon një univers të përbrendshëm, ku emocioni përthyhet në reflektim. Ekziston bipolariteti emocional i mallit në universin poetik të Lasgushit: ato janë një trinom: malli, mungesa, udha, ku ndjenja e mallit është një shqetësim shpirtëror, me një mungesë shumë të rëndësishme, me një mungesë të dimensionit metafizik, me një mungesë të natyrës ontologjike. Karakteri i mungesës humbet konkretësinë e tij në kushtet kur malli, manifestim dhe pasojë e kësaj mungese, transformohet nga një përjetim vetjak subjektiv në një rrethanë të pastër lirike. Në këtë mënyrë, veç vlerave të tjera të ofruara në metodën krahasuese mbi lirikën shqiptare dhe atë rumune, që u munduam të evidentojmë në këto radhë, mund të themi me plot gojën se, me këtë libër, studiuesi Luan Topçiu, na provon në mënyrë bindëse se, malli te Lasgushi nuk mbetet vetëm një ndjenjë e përjetuar, por ngrihet në një parim organizues të vetë universit të tij poetik, ku mungesa shndërrohet në burim kuptimi dhe krijimi.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË