More
    KreuLetërsiBibliotekë“Kaluçi”, tregim nga Fatmir Terziu

    “Kaluçi”, tregim nga Fatmir Terziu

    Pas shumë vitesh e takova si i përmalluar. Pimë kafenë. Sytë si dëshmitarë të vëmendshëm preknin suprinën e kokës. Habiteshin në përkohësinë e tyre, ndërsa ndjenin se flokët tashmë na kanë rënë të dyve, kryefjalën në raste të tilla e udhëhoqi goja. Biseda preku maja e kodra dhe nuk e di pse na ngeci larg në adoleshencën tonë. Kujtuam shumë, por ngecëm tek Fizkultura, më saktë ngecëm mbi Kaluç, si atëherë kur ai na ishte bërë gogol i mesatares për në shkollë. Dhe ai, shoku im i shkollës, gati shfryu…

    ***

    Nuk e di pse më ka ngritur hera herës nervat Kaluçi. Eh, atëherë…, eh atje… Atje, në palestrën e shtruar të shkollës. Kërcimi i tij ishte ushtrimi i preferuar i mësuesit tonë emblematik. Elegant, gjimnast dhe mjaft i përgatitur. Asnjëherë nuk na mori me të mirë. E quanim shpesh dhe thjesht mësuesi i vështirë. Eh, ato kohëra, eh …

    Dhe ndërsa ai fliste, dhe kishte ngecur disa sekonda në dihatje, unë shëtisja me mendjen time gjetkë, të kërkoja grimca në tërshërën e mbjellë të memorjes. Ai pas çdo fjalie, gati-gati përsëriste: „A të kujtohet?“ Unë tundja kokën, e kisha të vështirë të ndaja mes memorjes, egjrën nga tërshëra.

    Eh, ai, pra mësuesi që kishte ardhur nga një zonë tjetër, rrinte gjithmonë i veshur me tuta, të mirëmbajtura dhe gjithmonë të pastra, me një buzëqeshje të lezetshme dhe gjithmonë të pranishme. Kishte një ecje vibruese. Prezennca e tij në rrjeshtin tonë të djemve ishte shumë e fortë, kjo pasi të gjithë donim mesatare të lartë dhe kërcimi i Kaluçit në breza të tërë kishte ndikuar shumë. E prezenca e tij, ishte jo thjesht e një mashkulli të vrullshëm, por e një mësuesi të vërtetë të orës së Fizkulturës, dhe që dukej sikur kishte lindur në palestër.

    „Kërcimi me kokë“ i Kaluçit ishte një ushtrim në të cilin ne i përdridhnim trupat tanë, dhe gjithë ndjesia e lëshimit fizik të trupit dukej si një cung i këputur e i plasur si qeskë me ujë në një mbajtëse, kur nuk kishim ndihmën e duarve të tij. E ndërsa ushtronim veten me këshillat e tij, e mblidhnim kokën poshtë shpatullave dhe i jepnim forcës mbrapa, zgjatnim krahët me pëllëmbët përballë suprinës së lëmuar të Kaluçit dhe ngrenim legenin sa më lart që të ishte e mundur…

    E ngritëm, e ngritëm, po, deri sa na plasën kurrizët… Për të krijuar një lloj pikëpyetje që më pas duhej të përfundonte në pikëçuditje poshtë këmbëve të gjata të Kaluçit. E ne të gjithë dridheshim. E kishim frikë ngecjen mbi kaluç, por më shumë shpotitë, shakatë, dhe stilolapsin e profesorit që nxitonte të ulte mesataren në regjistër.

    Dhe një ditë ai eci mes nesh me një shkop tregues dhe e vendosi nën shpinën tonë të thyer. Hajde, hajde, pak më lart, për pesë, hajde, për gjashtë …

    Dhe ne u shtrimë, u shtrimë …

    Ne ishim në klasën e tetë atëherë, vajzat ishin tashmë… gati të rritura. Dhe ne adoleshentët mezi po “zgjoheshim”…

    Por sytë tanë kishin prekur gonxhet që pluskonin në klasën tonë, disa prej tyre tashmë po lulëzonin …ishin të fejuara me djem më të mëdhenj në moshë.

    Veçanërisht disa prej tyre kishin lulëzuar para kohe, kur ndodhte të na shikonin ne që ishim tetë vite në një klasë, sikur të ishim thjesht ata kokoshkat e plasaritura mbi Kaluç.

    Dhe ata gëzonin vëmendjen e veçantë të mësuesit. A nuk e pëlqeu në të vërtetë ky ushtrim për shkak të këtyre pak shokëve tanë të klasës? Kush mund t’ju thotë kush, sidomos në atë kohë, kur mendime të tilla ndaj një mësuesi ishin blasfemi, dhe ndoshta fryt i fantazive të sëmura e ndoshta ziliqare të imagjinatës sonë djaloshare.

    Por çfarë po bënte mësuesi ynë?

    Dhe ndoshta kjo ishte e vetmja gjë që më bëri përshtypje.

    Me ne djemtë e përdori shkopin të na mësonte urën, kërcimin pa Kaluç si fillim, e disi përafërsisht, duke e futur poshtë belit dhe duke thënë, hajde, djalosh, hajde, hajde më lart…

    Dhe djaloshi, pra në këtë rast, i shqepur në lotë ëndrre, ishte ndihmës, dhe gjithashtu njihej si gjimnast në ekipin e shkollës, ende po drejtonte belin, duke u shtrirë…

    Derisa të shpërthejë…

    Por kur mësuesi po ndihmonte një nga vajzat tona tashmë të bukura, shkopi u duk se u zhduk papritmas, i fshehur nën krahun e tij, duke u shndërruar pothuajse si një person dhe duke u bërë një shkop disi i mirë, pa majën e mprehtë që ndonjëherë na shponte ne djemve. Tani shufra ishte e heshtur nën krahun leshator të mësuesit të Fizkulturës. Dhe e zëvendësoi pas pak atë shkop që thithte djersën e tij nën shpatull, me… dorën.

    E nisi ta ndihmonte vajzën, i futi dorën vajzës nën bel dhe skuqja ishte një formë tjetër në palëfijet e të gjithëve. Hajde pak më lart, më shumë…

    Dhe zëri i tij, çuditërisht i zbutur, që nuk kishte asnjë lidhje me timbrin e tij të zakonshëm metalik, ishte krejtësisht prej kadifeje. Hajde, vetëm pak më shumë, por vetëm pak më shumë, vajzë.

    Dhe ajo nxënëse, si mjaft të tjera, e zellshme, e mjaft e sjellshme, nuk e di pse na kishte ngacmuar mendjet. Atëherë i respektonim shumë mësuesit tanë. I kishim idhuj. Eh, mendjet tona, mendjet tona… Ajo ngriti trupin e saj, tashmë pothuajse femëror, të pajisur me hijeshi të pasur moshe. Epo, ishte e vështirë për të, veçanërisht me atë gjirin e mbushur, që ndizej me gëzim për sytë tanë, me atë legen madhështor. E ç’të them. Po, ishte e vështirë, dhe e vështirë për tu emocionuar nga kjo vëmendje e veçantë. Fundja, mësuesi përndryshe i rreptë, atë rast ishte kaq i sjellshëm…, i butë, i urtë, i kadiftë në sytë e saj – Hajde, vajzë, hajde…

    Në ato momente hutimi ishte kryefjala me shumë pikëpyetje. Pra, çfarë po ndodhte me mësuesin tonë kaq kërkues dhe të rreptë?

    Dhe cili ishte ky ndryshim i çuditshëm kur bëhej fjalë për atë vajzën që po e ndihmonte? Ku dhe pse u zhduk treguesi? Ku iku ai shkopi tregues-ndihmës, që kilikoste poshtëkrahun leshator të mësuesit?

    Dhe pse gjeti një magjepsje të tillë, madje edhe ëndërrim, në vështrimin e tij, të fiksuar në bukurinë e përdredhur para tij…

    “Hajde vajzë, hajde…” – dhe dora e leshatuar iu ngjit në belin e shoqes së klasës – hajde edhe pak…, edhe pak …”

    Një prekje e butë, emocionuese…

    Një foto e çuditshme.

    E pakuptueshme për një djalë katërmbëdhjetë vjeçar…

    Por nuk pata shumë kohë të mendoja dhe të pyesja veten, sepse befas ndjeva majën e mprehtë të… shkopit, hajde djalë, shtrije, shtrije… trupin tënd si dërrasë.

    Dhe i lashë mendimet e nxituara, u shtrëngova, po, nuk u ekspozova. I bërtita vetes. Hajde, nëse ajo vajzë mund ta bëjë këtë, unë duhet ta bëj dy herë këtë kërcim dhe këtë palosje. Hajde…

    Ah, këto momente drithëruese-prekje në misterin e përjetshëm!

    Dhe kur je i ri, nuk ke nevojë për asgjë tjetër, apo jo?

    Sepse gjithçka përreth është e jotja… E gjithë bota është e jotja!

    Thjesht shtrihuni dhe…

    Po le ta themi se ishte Fizkultura, gjimnastika …

    “Hajde vajzë, hajde edhe pak, hajde…”

    Dhe ajri shkëlqeu përreth …

    Dora e mësuesit, a ishte thjesht dora që më trazoi kur preku atë vajzë, apo ajo…ishte një drithmë nga lart.

    Oh, ishte?

    Shtypja e ardhur nga lart.

    ***

    E pashë drejt në sy sy. E pashë dhe ndjeva se tashmë vetëm kafja e rrëkëllitur na kishte bërë bashkë. Ndërsa koha kishte fluturuar e kishte ngecur mbi kaluç si në atë rast. Ai vazhdoi të më flasë…

    E urrej edhe sot atë m… Kaluçi. E urrej… Nuk e di pse ajo dorë më ndau nga sytë një xixëllimë që nuk arriti dot të më shkëlqej.

    Kur unë ngrita sytë dhe bëra me dorë nga kamarieri, pashë se ai po nxirrte një fotografi bardhë e zi nga kuleta e tij… Nuk flisja dot, se pashë disa cirka, që kishin shpërthyer diku thellë në të zezën e plazmës dyshe, të shokut tim të klasës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË