More
    KreuÇmimeJuria e Nobelit sikur ndien kënaqësi në përzgjedhjen e kandidatëve të panjohur

    Juria e Nobelit sikur ndien kënaqësi në përzgjedhjen e kandidatëve të panjohur

    nga Tunku Varadarajan
    The Wall Street Journal

    Edhe një vit tjetër në të cilin Çmimi Nobel për letërsi iu dha një shkrimtari të cilin nuk e kam lexuar kurrë – dhe po filloj të dëshpërohem. A e ka ndarë mendjen komiteti i Nobelit Suedez të më nxjerrë si të pakulturë? Ia bëj vetes këtë pyetje edhe pasi e deklaroj se jam një lexues i etur dhe kam atë që mund të quhet një arsimim elitar. Kështu, shkëputja nga çështja që po diskutojmë – romanet dhe poezitë e mira (dhe të vështira) – nuk është ajo çfarë më shqetëson.

    Të paktën fituesi i këtij viti – Abdulrazak Gurnah, një romancier tanzanezo-anglez nga Zanzibari – ka qenë prej vitesh në listën e librave që dua të lexoj. U kam dhënë përparësi shkrimtarëve të tjerë afrikanë, ndoshta edhe më të mirë, si Ngugi wa Thiongo, të cilët ende s’janë pranuar nga suedezët. Të paktën kisha dëgjuar për z. Gurnah, ndryshe nga viti i kaluar, kur Louise Glück, një poete amerikane shumë e vështirë, u shpall laureate e letërsisë, përpara një bote që nuk e priste. Edhe në vendin e vet, pati habi e zemërim. (Fitimi im më i madh nga ky episod ishte të hasja fjalën gjermane Glückshmerz, që do të thotë trishtim – ose, në rastin tim, indinjatë – mbi suksesin e dikujt tjetër.)

    Por sërish shqetësohem për autorët që nuk kam lexuar: Nga 20 laureatët e këtij shekulli para z. Gurnah, kisha lexuar vetëm tetë (dhe kisha dëgjuar fjalët e njërit prej tyre, Bob Dylan) në kohën e çmimit. Thjesht nuk kisha i dëgjuar – ose, thënë ndryshe, isha komplet injorant për – 10 nga 21 prej tyre. Kisha dëgjuar për dy – francezin Patrick Modiano dhe austriakun Peter Handke – por nuk i kisha lexuar.

    Pjesë e problemit është veçimi nga botuesit anglofonë (veçanërisht amerikanët), të cilët i rezistojnë botimit të përkthimeve të letërsisë së huaj. Vetëm 3% e letërsisë së botuar në Amerikë vjen nga bota jo-anglishtfolëse. Por ksenofobia letrare nuk është fajtori i vetëm. Në fund të fundit, ka një lumë shkrimesh në anglisht, jo e gjitha nga rinia ambicioze që e konsideron veten dështim nëse nuk ka shitur një roman përpara moshës 25 vjeç. (Një bravo për Archipelago Books, shtëpia botuese 15-vjeçare nga Brooklyn që është specializuar në përkthimin e letërsisë së huaj. Ata kanë botuar “afërisht 200 libra nga më shumë se 35 gjuhë të ndryshme”.)

    Problemi ka një burim tjetër: krerët suedezë të cilët ulen e gjykojnë letërsinë e botës. Ky fraksion nordik duket sikur ndien një kënaqësi të veçantë, madje të pahijshme, në përzgjedhjen e kandidatëve sidomos të panjohur për këtë çmim. E njihnit Tomas Tranströmer? Ai ishte suedezi i shtatë që fitoi çmimin qëkur u themelua në vitin 1901.

    Kjo kënaqësi për të panjohurën nuk është diçka që gjykatësit mund ta provojnë me çmimet e shkencës, të cilat kërkojnë marrëveshje empirike. Por me letërsinë, gjykatësit mund të abuzojnë. Si fëmijë të çliruar nga zinxhirët, ata përqeshin gjuhën e urës, lingua franca, duke na sjellë polakë dhe rumunë të zymtë, të cilët edhe në vendet e tyre lexohen pak.

    Në fund të fundit, janë paratë e gjykatësve. Mund t’i shpenzojnë si të duan. Ata janë të izoluar nga tregu. Të qeshësh me zgjedhjet e tyre, nuk duket se funksionon. Lexuesi i qytetëruar dhe stoik mund të qeshë në heshtje, dhe më pas të blejë online librin nga laureati i fundit. Kjo nuk është gjithmonë e lehtë. M’u desh një kohë të gjatë për të gjetur librat e z. Gurnah në shitje. Ishin aq të rrallë saqë shitësit ia kishin rritur me qejf çmimin.

    Ky është tregu.

    Përktheu E. H

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË