More
    KreuIntervistaJon Fosse: Nuk kisha kurrë qëllim të bëhesha shkrimtar

    Jon Fosse: Nuk kisha kurrë qëllim të bëhesha shkrimtar

    Autori fitues i çmimit Nobel dhe finalist i International Booker Prize reflekton mbi procesin e tij të të shkruarit, se si muzika i ndikon në prozë, dhe zbulon veprat filozofike që kanë formuar të menduarit e tij

    Septeti juaj Septology është shkruar në stilin tuaj dallues dhe mund të përshkruhet si një roman me shtatë pjesë i shkruar në një fjali të vetme. A mund të shpjegoni se çfarë ju ka shtyrë ta strukturoni në këtë mënyrë septetin dhe si synuat që ta formonte përvojën e lexuesit?

    Parapëlqej të mos planifikoj gjë para se të filloj të shkruaj. Në një farë pike kam një ide se romani është shkruar tashmë, dhe duhet vetëm ta shkruaj para se të zhduket.

    Kur shkruaj, më duhet ta habis veten, më duhet të krijoj diçka që nuk e kam ditur më parë, si personazhet dhe rrëfimin.

    Kur fillova të shkruaj Septology, nuk kisha plan të shkruaja një roman pa pika, por kur po e shkruaja hyra në një rrjedhë që nuk kishte nevojë për pika. Përkundrazi, do ta dëmtonin rrjedhën.

    Gjuha te The Other Name është gjithashtu thellësisht poetike dhe ritmike. Kur shkruani romane, si ju ndikon e përvoja juaj në poezi, dhe të shkruarit për skenën?

    Fillova të shkruaj në adoleshencën time të hershme, dhe në atë kohë po luaja shumë me kitarë, atë elektrike në një bandë, dhe kitarën klasike. Pastaj papritur ndalova së luajturi dhe fillova të shkruaj, dhe kur shkruaja fillova disi të rikrijoja gjendjen apo atmosferën që krijohej tek luaja muzikë. Them se kjo më çoi drejt anës muzikore të gjuhës, veçanërisht të shkruarit në një ritëm të caktuar, në një kuptim më të gjerë, mënyra poetike e përdorimit të gjuhës.

    Kam shkruar shumë për teatrin, dhe kjo gjithashtu duhet të ketë ndikuar në mënyrën se si shkruaj fiksion. Them se dialogët e mi janë më mirë tani se sa në romanet që kam shkruar para se të filloja të shkruaja për skenën. Mendoj se e njëjta gjë vlen për krijimin e një situate.

    Ekzistencializmi, identiteti, besimi, kalimi i kohës dhe versione të ndryshme të vetes, janë tematika që hasen shpesh në punën tuaj. Te The Other Name, ka një dualitet mes dy personazheve, të dy të quajtur Asle, dhe doppelganger-a shfaqen nëpër të. Çfarë ju tërheq te këto tema, dhe te eksplorimi i identitetit përmes veprës suaj?

    Siç thashë më parë, nuk planifikoj që të shkruaj në një mënyrë apo tjetrën, dhe e njëjta gjë vlen për atë që po shkruaj. Beckett tha se nuk shkruante për asgjë, dhe unë mund të them të njëjtën gjë. Ajo për të cilën unë shkruaj mendoj se është pjesë e, ose ndoshta identike e, formës. Dhe për mua në letërsia ka rëndësi forma.

    Por sigurisht, nga një perspektivë tjetër, shkruaj për diçka, për të gjitha ato që u përmendën, dhe shumë më tepër. Ndoshta Nietzsche kishte të drejtë kur tha se ajo që është formë për shkrimtarin është përmbajtje për lexuesin.

    Studiova filozofi dhe u përqendrova te Martin Heidegger, veçanërisht te Being and Time. Kjo vepër, e konsideruar si një prej veprave kryesore të ekzistencializmit, më ka ndikuar shumë, dhe në fakt mendoj se filozofia e Heidegger-it është ajo që ka ndikaur më tepër në të shkruarin tim, më shumë se çdo roman.

    Ju jeni nominuar dy herë për International Booker Prize dhe keni fituar Çmimin Nobel në Letërsi në 2023 për ‘dramat inovative dhe prozën që jep zë të pathënshmes’, duke u bërë i pari shkrimtar nynorsk që fiton çmimin. Çfarë domethënie kanë për ju këto çmime, dhe kur ktheni kokën pas a ju bëjnë mendoni ndryshe për septetin Septology? A kanë ndryshuar këto çmime e nominime mënyrën se si vepra juaj perceptohet në Norvegji dhe rreth botës?

    Kur shkrova Septology, mendova se do të pritej shumë keq. Dhe pastaj ndodhi e kundërta, u prit mirë, jo vetëm në Norvegji, por në shumë vende të tjera. Isha i sigurt në të vërtetën e Septology, por u habita nga pritja.

    Dhe tani, pasi kam shkruar këtë roman të gjatë, sigurisht do të vazhdoj të shkruaj por nuk do të përpiqem të garoj me veten time. Libri im i parë fiksion pas Septology është romani A Shining. Dhe pastaj kam shkruar dy drama në gjatësinë time të zakonshme (zgjasin rreth një orë).

    Na tregoni për një libër që ju ka bërë të donit të ishit shkrimtar. Si ju ka frymëzuar të nisni udhëtimin tuaj krijues, dhe si jua ka ndikuar në stilin e të shkruarit apo aspiratat si autor?

    Nuk kam një libër të tillë. Kur isha shumë i ri dhe fillova të shkruaja, nuk kisha kurrë qëllim të bëhesha autor. Më pëlqente të shkruaja, por ambicia ime ishte të bëhesha gazetar në një gazetë lokale diku. Por pastaj shkrova romanin tim të parë, kur isha 20 vjeç, dhe papritur isha – në një mënyrë – autor. Dhe që atëherë, thjesht kam vazhduar të shkruaj. Njëlloj me teatrin, vërtetë që nuk doja të shkruaja për teatrin, por kisha një komision, më duheshin paratë, dhe shkrova dramën time të parë – Someone is Going to Come. Ende është një prej dramave të mia më të vëna në skenë.

    Na tregoni për një libër që ju ka bërë të bini në dashuri me leximin. Në çfarë mënyrash ju ka formuar ju, apo botëkuptimin tuaj, ndoshta si adoleshent apo i ri?

    Në adoleshencën time isha shumë rebel, veçanërisht urreja shkollën, dhe pastaj lexova një roman nga shkrimtari norvegjez Jens Bjørneboe, Jonas, ku kritikonte sistemin norvegjez të shkollave. Ishte si manna për mua.

    Nuk shoh shumë vlerë letrare në atë roman. Por në atë kohë lexova gjithashtu romane nga Tarjei Vesaas, përfshirë The Birds, dhe Hunger nga Knut Hamsun, i cili më la shumë mbresa, edhe atëherë edhe tani.

    A ka ndonjë libër që ka ndryshuar mënyrën si mendoni për romanin, një libër që ju ka bërë të rivlerësoni atë që është e mundur kur shkruan fiksion, apo që ju ka zgjeruar horizontet si shkrimtar?

    Ndoshta The Sound and the Fury e William Faulkner. Por kur provova ta rilexoj jo shumë kohë përpara, u ndjeva si në shtëpi me atë roman.

    Cilin libër po lexoni tani, dhe çfarë ju bëri ta zgjidhnit?

    Po lexoj, për nuk e di të satën herë, Komedinë hyjnore të Dantes. Pjesërisht sepse është botuar një përkthim i ri norvegjez, dhe pjesërisht sepse në fillim të kësaj vere më është dhënë një çmim i quajtur Laurel-i i Dantes, në kishën në Ravenna pranë së cilës është varrosur Dante.

    A ka një libër të cilit i ktheheni herë pas here – një vepër më e vjetër apo një klasik që e keni lexuar në disa raste? Çfarë ju ka bërë t’i ktheheni? A gjeni gjëra të reja secilën herë?

    Komedia hyjnore. Them se është thjesht sepse po përpiqem ta kuptoj këtë libër. Dhe përpiqem vazhdimisht. Dhe tjetra sigurisht është Bibla.

    Marrë nga The Booker Library

    Përktheu Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË