More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJola Tasellari: “Arti i të pasurit gjithmonë të drejtë” nga Schopenhauer

    Jola Tasellari: “Arti i të pasurit gjithmonë të drejtë” nga Schopenhauer

    Qofshi lexues të specializuar të filozofisë, apo thjesht lexues rastësor e të tërhequr prej titullit e autorit, në duar keni një nga veprat më praktike të filozofisë moderne: Arti i të pasurit gjithnjë drejtë  nga Arthur Schopenhauer. E veçanta e kësaj vepre filozofike nuk është vetëm gjuha praktike dhe gati bashkëkohore, por mendimi, i ndërtuar mbi shembuj kaq praktikë, sa e zhveshin librin nga paragjykimet mbi kohën dhe natyrën e shkrimit dhe ia ofrojnë lexuesit modern si një traktat klasik filozofik në kuptimin sistematik të fjalës; një përzierje mes ironisë dhe cinizmit tipik të Schopenhauer-it, zbatuar në lojërat e psikologjisë dhe retorikës mbi artin e debatit, për të mbërritur jo vetëm në zbulimin e së vërtetës, por dhe për të shpallur dominancën intelektuale të njeriut të ri modern. 

    Schopenhauer, një emër i njohur gjerësisht për filozofinë e tij pesimiste dhe metafizikën e famshme të “vullnetit për jetën”,  na vjen në këtë tekst – të shkruar gjatë viteve të fundit të jetës së tij – i gatshëm për t’i dhënë zgjidhje çështjes së debatit dhe të debatuarit, duke e zhveshur atë prej teorizimeve filozofiko-retorike dhe shprehur veçse si një përplasje mendjesh, ku fiton jo ai që ka të drejtë, por ai që di si ta mbrojë argumentin e vet.  

    Ky “traktat” prezanton lexuesin me 38 strategji ose “truke” që njerëzit përdorin për të superuar në një debat. Ato përfshijnë metoda nga më të ndershmet, si për shembull të ndërtosh saktë një argument, ta bësh të besueshëm dhe ta shprehësh besueshëm atë, e deri tek teknikat manipuluese dhe ato të armëve nën brez, si shtrembërimi i fjalëve të kundërshtarit, sulmi ad hominem, dhe mënyra e përdorimit të toneve të zërit për ta fituar publikun. Me citime të herëpashershme nga babai i retorikës perëndimore, Aristoteli, dhe me një mjeshtëri në përdorimin e sarkazmës, Schopenhauer-i i ekspozon këto metoda jo sepse do t’i mburrë e lavdërojë, por sepse do t’i nxjerrë zbuluar dhe kësisoj, dhe të paralajmërojë lexuesin dhe debatuesin e tij. Dhe ndërkohë që lexuesi zhytet në lexim, ai kupton se pas debatit qëndron një mekanizëm i tërë mendimi, gjykimi, sulmi dhe kundërsulmi, ku njëjtë si në një duel, fiton më i shpejti dhe më i zoti. A është qëllimi i vetëm që të fitosh debatin? A ka rëndësi argumenti apo mënyra e argumentimit? A është dyluftimi në debat një lojë e madhe manipulimi, apo një ekuacion i thjeshtë matematikor, ku ai që e kap më shpejtë rrugën e zgjidhjes ka arritur të para-kuptojë dhe rezultatin e tij?  Vetë Schopenhauer-i përpiqet t’i japë një përgjigje këtyre pyetjeve, shpesh duke përdorur edhe metodat sokratike të argumentimit, duke e shtyrë lexuesin të reflektojë mbi qëllimet dhe kufijtë e diskutimit racional.

    Ndonëse libri e ka parë dritën e botimit në vitin 1831, është universaliteti dhe pavdekshmëria e temës së dominancës retorike ajo që ka kontribuuar në aktualitetin e kësaj vepre. Sot më shumë se kurrë, në epokën e rrjeteve sociale, talk show-ve televizive, podkasteve, blogjeve dhe debateve publike, teknikat e debatit që përshkruan Schopenhauer-i janë “mjetet e luftës” për opinionistët, politikanët, gazetarët, akademikët e kështu me radhë. 

    Sjellja në shqip e kësaj vepre është një përpjekje për t’i ofruar lexuesit shqiptar një dimension tjetër të filozofisë së shekullit të XIX-të, atë të njeriut që reflekton filozofikisht, jo nga  teoritë e parimeve filozofike, por nga realiteti i përditshëm i ndërveprimit njerëzor. Në një shoqëri ku shpesh nuk ndahet e vërteta nga opinioni dhe ku fjalët peshojnë më shumë se faktet, kjo vepër ofron mënyra bashkëkohore për t’i kuptuar më mirë mekanizmat e mendimit dhe manipulimit në të folurin publik. Përmes këtij botimi lexuesi mësohet të mos e shohë retorikën si një tufë rregullash praktike që duhen ndjekur symbyllurazi për të fituar çdo debat, por si një shtysë për introspeksion; për të kuptuar vetveten në debat, për të dalluar pikat e dobëta të vetes kur bie pre e teknikave sofistike, dhe pse jo, për të mësuar se si të dish të zgjedhësh edhe heshtjen në vend të një triumfi të zbrazët.   

    Arti i të pasurit gjithmonë të drejtë” nuk është thjesht një libër për ata që duan të fitojnë çdo debat. Është një kryevepër për ata që duan të kuptojnë më thellësisht psikologjinë e etjes për të fituar; se pse duam aq shumë të kemi të drejtë edhe atëherë kur nuk kemi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË