More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJean-Paul Champseix: "Republika e Korçës dhe Franca"

    Jean-Paul Champseix: “Republika e Korçës dhe Franca”

    Një shënim kritik i profesorit dhe kritikut francez Jean-Paul Champseix, studjues i veprës së Kadaresë, mbi romanin e fundit të Luan Ramës « Një mungesë kaq e gjatë » (« Une si longue absence ») botuar para disa muajsh në Paris nga Fauves Editions. Artikulli është botuar në revistën Autrement, në Paris.

    « Romani i shumëpritur i Luan Ramës na ndriçon me një ndjeshmëri të madhe një faqe të historisë që duhet ta zbulojmë sërish… »


    Dihet tashmë që në mars të vitit 1917 ushtarakët e Ushtrisë së Orientit në jug-lindje të Shqipërisë krijuan atë që quhej Republika e Korçës: koloneli Descoins i dërguar nga gjenerali Sarrail i zboi autoritetet greke që kishin pushtuar Korçën dhe kjo për arësye ushtarake: Venizellos anonte atëherë nga Aleatët ndërsa mbreti Konstantini I preferonte gjermanët. Ushtria franceze administrimin e qytetit dhe të zonës përreth ia besoi në atë kohë shqiptarëve. Dhe në mënyrë solemne u nënshkrua një Protokoll me një këshill prej 14 anëtarësh dhe me krijimin e një xhandarmërie si dhe hapjen e shkollave në gjuhën shqipe. Flamuri i kuq me shqiponjën e zezë dy-krenare u valavait në ndërtesat publike mbi të cilin duken dhe tri ngjyrat e flamurit francez. Madje u shtypën dhe pulla shqiptare të cilat sot kanë një vlerë të madhe. Kjo liri veprimi, për popullin ishte një e papritur e madhe, për çka për një kohë të gjatë shqiptarët do të ruanin mirënjohje për Francën. Dhe mirëkuptimi ishte i plotë. Në Republikën e formuar dhe që funksiononte tashmë kanë ardhur ushtarë nga e gjithë perandoria franceze, që nga Senegali e deri nga Indokina, të cilët iu përkushtuan luftës. Përballë tyre ishin gjermanët, austriakët, çekët…. Dhe betejat ishin shumë të ashpra. Luan Rama frymëzohet nga letrat e luftës së kolonel André Ordionit, i cili zëvendësoi kolonelin Descoins, letra të cilat ia dërgonte familjes së tij. Një nga këto letra evokon një zbulim makabër. Gjatë një rikonjicioni nëpër male, ky officer zbulon gjashtë trupat e ushtarëve austriakë. Ata nuk kanë asnjë plagë lufte, thjesht i ka zënë një stuhi dëbore dhe aty kanë ngrirë. I prekur nga kjo dhe për habinë e atyre që e shoqërojnë, ai i varros këta ushtarë armiq me nderimin ushtarak duke qëlluar batare në ajër. Luan Rama e përdor këtë letër si dhe disa letra të tjera për të krijuar pastaj këtë histori e aventurë shqiptare.

    Dhjetë vjet më vonë, prindërit e njërit prej ushtarëve austriakë i shkruajnë kolonelit Ordioni duke i kërkuar që ti shoqërojë në Shqipëri për të gjetur trupin e djalit të tyre. Por koloneli, që është një i plagosur lufte, vuan ende dhe në fillim heziton të shkojë me ta drejt Shqipërisë por më në fund ai vendos të shkojë në vendin e shqiponjave, pasi pa të asgjë nuk mund të bëhej. Ai shoqërohet dhe nga Petro, i cili gjatë luftës ishte një jetim që koloneli më pas e adoptoi. Luan Rama evokon këtu një fakt real: historinë e një kapiteni francez i cili kishte adoptuar dy fëmijë që mbetën jetimë si pasojë e bombardimeve. Duke mos patur tashmë as shtëpi e as prindër, ata ndjekin nga pas regjimentin e tij që të mund të ushqeheshin. Petro është përshkruar në roman si një Gavrosh që në rrobat e leckosura të trupit ka vendosur dekoratat e të vrarëve austriakë që gjen në fushën e betejës. Në Korçë koloneli është mjaft i njohur dhe ardhja e tij pritet me shumë dashuri. Korça është një qytet ku francezët ndihmojnë në zhvillimin e qytetit, në ndërtimin e mullinjve, të një çentrali elektrik, në hapjen e punishteve të ndryshme, etj. Në Korçë ka shtëpi shumë të bukura dhe me kopshte. Dhe ndërkohë kolonelit i zgjohen kujtimet e luftës. Ai kujtohet dhe për oficerin çek të kapur rob nga francezët i cili mes tyre “ndjehej i lirë, sikur të mos ishte i burgosur”. Gjatë bisedës me të ato ditë lufte ai i tregon se sa shumë i urrente gjermanët, duke pohuar se ajo luftë nuk ishte e tija. Dhe biseda e tyre vazhdon më pas rreth një gote vere. Por kolonelit i duhet të marrë udhët e maleve bashkë me prindërit e tronditur të ushtarit austriak. Pas disa kërkimesh më së fundi ata gjejnë trupat e ushtarëve. Kjo histori të kujton nga larg « Gjeneralin e ushtrisë së vdekur të Kadaresë », një roman i botuar nga “Albin Michel” në vitin 1970 ku përshkruhen kërkimet e trupave të ushtarëve italianë të rënë  gjatë Luftës së Dytë Botërore nga një prift dhe një gjeneral italian. Dhe koloneli francez kujton: “ Në vdekjen e atyre ushtarëve kishte një pafajësi të madhe. Jo, vdekja nuk vinte nga transhetë, mitralozët, bombat. Ishte një vdekje pa armiq.” Dhe kolonelit i kujtoheshin kufomat e ushtarëve që mbushnin Verdunin, si prehë e zogjve grabitqarë. Ai nuk donte që kjo gjë të përsëritej. Por eprorët e tij ushtarakë do ta qortonin këtë varrim me nderime të ushtarëve armiq në lartësitë e maleve shqiptare.

    Luan Rama nuk harron të kujtojë dhe një ngjarje të trishtë që e hidhëroi shumë qytetin e Korçës. Pas largimit të kolonelit Descoins, prefekti i policisë shqiptare Themisokli Gërmenji, i cili i qëndroi Francës gjithnjë besnik, u arrestua në mënyrë të pashpjegueshme dhe u gjykua për tradhëti nga gjykata ushtarake franceze në Selanik ku dhe u ekzekutua. Tregohet kështu kufta diplomatike që bënin grekët, të cilët kërkonin ta bënin për vete jugun shqiptar të konsideruar nga ata si « Vorio Epir ». Por kur francezët u larguan, « Ushtria e Orientit » u kujdes që pushtetin t’ua linin shqiptarëve, për t’ju kundërvënë kështu ambicjeve helene. Luan Rama na sjell dhe një detaj tjetër të padëgjuar : rreth 20 ushtarë komitaxhinj që dyshohej se bashkëpunonin me armikun ishin dërguar më pas në kampet e punës së detyruar në Cayenne ! Sot në Korçë është ende varreza e ushtarëve francezë ku përkrah Dupont Georges dhe Libreton Nicolas prehen në paqe dhe Abd-ek-Kader, u Tan Thi apo Boubakri Ickoy Baradji.

    Para largimit nga qyteti i Korçës, konsulli i Austrisë, një ish ushtarak dhe ai, vjen për të falenderuar kolonelin për trupat e gjetur. Gjatë bisedës, që të dy zbulojnë papritur se gjatë asaj lufte ata kanë qenë në të njëjtin vend duke luftuar kundër njeri-tjetrit dhe se kjo luftë tashmë u duket absurde. « Që nga ajo kohë, kemi lënë pas nesh veç kujtime dhe të vdekur » – thotë diplomati. Lexuesit që duan ta shohin romanin e Luan Ramës në kuadrin e vet historik mund të lexojnë dhe librin e kolonelit Descoins, paraqitur mjaft mirë nga Grégor Marcchal apo librin « Një oficer francez në Ballkan » prezantuar nga nipi i kolonelit Ordioni, Dominique Danguy des Déserts, i cili ka botuar aty letrat dhe fjalimet e kolonelit gjatë luftës në Shqipëri. Në këtë roman pikasim se ushtarakët francezë edhe pse të zënë në një luftë të përgjkakshme, u interesuan dhe u lidhën shpirtërisht me këtë vend, duke kërkuar ta mbronin, në kundërshtim me ministrinë e Jashtme në Quai d’Orsay që nuk donte ti zemëronte grekët e italianët të cilët kishin pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Këtë dëshmon Luan Rama me kthimin e kolonelit të moshuar tashmë i cili nuk e ka harruar atë kohë dhe që mirëpritet nga populli atje. Pas luftës, në Korçë u ngrit liceu francez i Korçës i cili do të formonte një pjesë të madhe të elitës shqiptare. Atëherë profesorët francezë gjallëronin jetën e qytetit me shfaqje teatrale dhe koncerte. Nëpër rrugë, në kafene, shpesh thuhej « bonjour » dhe « merci ». Qyteti u mbiquajt « Parisi i Vogël ». Rrugët mbanin emrat e Viktor Hygosë, Lamartine, gjeneralit Sarrail, etj. Liceu do të mbyllej nga Musolini gjatë pushtimit italian të vitit 1939. Ishin nxënësit e këtij liceu që shoqëruan plot dashuri largimin e profesorëve francezë të cilët u dëbuan nga pushtuesit italianë. Drejtori i liceut, Xavier de Courville, anëtar i Action Française dhe mik i Barrès, përballë okupatorëve italian reciton fabulën « Ujku dhe qengji ». Meqë nxënësit nuk mund të thërrisnin « Rroftë Franca », ata ushtuan thirrjen « Rroftë La Fontaine » ! Mësimet në këtë lice kishin një fyrmë nacionalizmi, çka ndikoi në të ardhmen e vendit pas lufte. Veç të tjerash, një nga nxënësit që më pas u bë mësues i moralit në lice, në vitin 1937, do të na linte pas dhe disa kujtime. Ky ishte Enver Hoxha…

    Nën regjimin komunist, qyteti i Korçës u la disi pas dore. Katedralja e tij ishte shatërruar dhe gurët e saj u përdorën për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Shumë ikona u shkaterruan gjatë Revolucionin Kulturor të vitit 1967, por njerëzit me kurajo arritën ti shpëtojnë. Propaganda atëherë i ironizonte këta « borgjezë » që përdornin fjalë frëngjisht në jetën e përditshme. Dhe është e mundur që në këtë përqeshje endej një lloj nostalgjie për të ardhmen që do të vinte. Këtë thekson dhe romani i shumë mirëpritur i Luan Ramës për të na ndriçuar me një ndjeshmëri të madhe një faqe të historisë që duhet ta zbulojmë sërish.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË