More
    KreuUncategorisedJardar Østbø: Nuk do ta përktheja një libërpërveçse ngagjuha e autorit

    Jardar Østbø: Nuk do ta përktheja një libërpërveçse ngagjuha e autorit

    Intervistoi Anisa Ymeri

    Profesor në Kolegjin Universitar Norvegjez të Mbrojtjes, i specializuar në çështjen ruse të sigurisë. Në vitin 1997-1998, për interesa profesionale ka ndjekur kursin intensiv të gjuhës shqipe në Shkollën Ushtarake të Gjuhëve të Huaja në Norvegji dhe më pas ka shërbyer në trupat e KFOR-it në Kosovë. Interesi dhe investimi për gjuhën dhe kulturën shqiptare ka qenë i vazhdueshëm dhe ka studiuar shqip me profesorët më të mirë shqiptarë. Në vitin 2013, përktheu nga shqipja në norvegjisht romanin “Darka e gabuar” të Ismail Kadaresë dhe 5 vite më pas, në 2018-ën, përkthen romamin “Kukulla”.


    I nderuar Z. Jardar Østbø, do të dëshiroja shumë që këtë bisedë ta nisnim me një kuriozitet që e pata prej momentit kur ju dëgjova të flisnit kaq rrjedhshëm shqip. Është e rrallë që një norvegjez, të mësojë një gjuhë si shqipja dhe ta shndërrojë atë në një gjuhë pune. Si e keni mësuar gjuhën shqipe, për të mbërritur deri në përkthimin e veprave letrare?

    Gjithmonë kam qenë i interesuar në mësimin e gjuhëve të huaja dhe veçanërisht më kanë interesuar gjuhët e Evropës Lindore, ato të vendeve të ish-bllokut komunist. Menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme kam mësuar gjuhën ruse; kam përfunduar ciklin e parë të studimeve universitare dhe kishte një ofertë për të mësuar shqipen. Mendoja që kjo nuk mund të jetë e vertetë sepse është diçka shumë e bukur për të qenë e vërtetë ngase e dëshiroja shumë mësimin e një gjuhe tjetër. Kjo ndodhi në ushtri! Në Norvegji, ne kemi një shkollë e cila ka shumë traditë për mësimin e gjuhës ruse gjatë Luftës së Ftohtë; shumë njerëz të elitës, kanë mësuar gjuhën ruse si pjesë të shërbimit të tyre në ushtri. Kjo shkollë ka pasur një reputacion shumë të lartë. Kjo ofertë erdhi në vitin 1998, koha e luftrave në Ballkan dhe kur gjendja në Kosovë ishte shumë e paqetë. Ishte para Luftës së Kosovës, kur UÇK-ja kishte një aktivitet të fortë kundër policisë, kundër ushtrisë serbe. Është befasuese por drejtuesit e shtetit norvegjez në atë kohë, kanë parashikuar se do të jetë një mision paqeruajtës në Kosovë dhe se duhen përkthyes të gjuhës shqipe. Për këtë arsye, ata themeluan një kurs të gjuhës intensive të shqipes në këtë shkollë ushtarake të gjuhëve. Ata mendonin se po, mund të përdoren përkthyesit vendas, por është më mirë kur edhe ushtarakët mund ta flasin gjuhën dhe mund të jenë edhe më profesional. Por edhe banorët vendas ndihen më mirë kështu. Unë kam kryer kursin e parë me një mësues nga Kosova, filolog ishte ai, Rrahim Kërçuku me të cilin mësonim 5 orë në ditë. Ka qenë shkollë, e cila sot quhet “Shkolla Ushtarake e Gjuhëve të Huaja”. Po aty kam mësuar gjuhën ruse por kursi i shqipes ishte krejt i ri, dhe 5 orë intensive mësimi, shoqëroheshin me detyrat e shtëpisë.

    Por ajo çfarë detyroheshim të bënim më pas ishte, shërbimi ynë në forcat paqeruajtëse. Dhe unë doemos kam shërbyer. Kam qenë në KFOR në Kosovë për 1 vit. Kursi zgjati 1 vit dhe gjatë këtij viti kemi qenë edhe këtu në Tiranë, ku kemi qëndruar 1 muaj dhe kemi marrë mësime nga profesorë të dalluar, Enver Hysa dhe Emil Lafe. Pedagogë të mrekullueshëm që ende jetojnë, për fat.

    Si ka qenë ta mësoje këtë gjuhë…

    Ju e theksuat në fillim se jeni i pasionuar pas mësimit të gjuhëve të huaja e mbase kjo ju ka bërë përqafues të idesë për të mësuar një gjuhë të re, por shqipja është “gjuhë e një kombi të vogël”, ndonëse flitet në të gjithë Rajonin. Është gjuha e një kombi shumë të vogël në Europë.

    Për mua atëhere, kjo ishte një sfidë. Isha i ri, ishte diçka shumë interesante dhe ndihesha i veçantë kur e mora një mundësi të tillë. Duke qenë se ishim të detyruar të shërbenim më pas, kishte dy gjëra të mira: së pari, ishte gjuhë e veçantë; së dyti, do të kishte praktikë. Pra, do të kisha punë dhe kjo është diçka shumë e mirë.

    Por edhe kur vij këtu në Shqipëri, njerëzit befasohen nga shqipja ime, dhe kjo hyn tek kënaqësitë e mëdha personale që kam, është shumë e këndshme.

    Por nuk u mjaftuat me kaq! Ju, sigurisht në nisje e keni mësuar shqipen për çështje profesionale e që iu ka ndihmuar të bëni diçka më shumë profesionalisht, të cilën pa shqipen, s’do të kishit mundur. Ama e tejkaluat këtë sepse nuk e keni përdorur shqipen tuaj vetëm për çështje profesionale. Erdhi natyrshëm?

    Me profesion, mund të thuhet se jam filolog pasi kam kryer Fakultetin e Hisorisë dhe Filizofisë dhe përherë kam qenë shumë i interesuar për kulturën, letërsinë dhe gjuhën. Sipas meje, ato nuk mund të dallohen pasi janë së bashku, gjithmonë.

    Kështu, për mua, kjo ishte diçka e natyrshme pasi vij nga ai fakultet, në të cilin leximi i letërsisë ishte një kusht dhe një pjesë shumë e rëndësishme e shkollimit. Në vijim, kemi punuar shumë për leximin e klasikëve rusë, ndërsa studioja rusisht pasi në një shkollë ushtarake në të cilën mësohet gjuha, përqëndrohet në praktikë dhe në gramatikën teorike. Unë jam mësuar që t’i përvetësoj gjuhët në këtë mënyrë, edhe përmes letërsisë dhe leximit. Për mua ka qenë fare pak teori dhe nga dëshira për të mësuar më shumë, praktikoja. Pas periudhës të shërbimit në forcat paqeruajtëse në Kosovë, nisa punë të tjera. U përqëndrova në politikën ruse dhe studimet ushtarake, dhe nuk kisha mundësi që të eksploroja botën shqiptare. Por në vitin 2006, ajo shkollë kishte nevojë për një mësimdhënës të shqipes. Vërtet kisha kryer vetëm një vit studim intensiv të shqipes dhe e kisha pak të vështirë, ama kisha shumë përvojë nga terreni, nga mësimi praktik i shqipes, kisha edhe përvojën e filologjisë dhe e mora përsipër këtë sfidë shumë të madhe. Për mua, gjuha shqipe gjithmonë ka qenë e lidhur me sfida të mëdha sepse punoja si përkthyes pas 1 viti shkollimi, që është fare pak por kam qenë i mësuar me këtë gjendje dhe më duhej të luftoja fort për t’u përmirësuar. Ndaj edhe 1 vit, kam dhënë mësim për të tjerë studentë dhe ky ka qenë kursi i fundit që në atë shkollë në Norvegji, u mësua shqipja.

    Ju e thatë, që nëse do të mësosh një gjuhë, do të duhet që të lexosh edhe letërsinë e atij vendi. Ndaj, sipas kësaj perspektive, është e zakonshme që ju nisët të lexonit letërsi shqipe. Çfarë keni lexuar për herë të parë nga Kadareja…?

    Hera e parë që kam lexuar diçka nga Kadareja, ishte atë vit kur isha edhe mësimdhënës i shqipes në këtë shkollë ushtarake të gjuhëve. Bashkë me studentët e atij kursi, për 1 muaj ne u zhvendosëm në Shqipëri. Ishte një moment kur isha i lirë nga çdo angazhim pasi mësimin, studentët e merrnin nga Prof. Emil Lafe dhe disa akademikë e pedagogë të tjerë të shqipes. Ishte momenti kur edhe kisha kohë të lirë për të zhvilluar njohuritë e mija të shqipes. Kisha fonde nga shkolla për ta bërë këtë gjë dhe kjo ishte situatë ideale. Prof. Lafe bënte leksione me mua pasdite, ndërsa paradite lexoja “Kronikë në gur”. E kam lexuar profesionalisht dhe çdo pyetje që kam pasur, kam marrë një përgjigje gjuhësore nga Prof. Emili. Për këtë shkak, kam pasur një njohje shumë të thellë të kulturës, historisë dhe gjuhës. Ishte viti 2006! Më pas kam lexuar “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Mua më ka pëlqyer më shumë “Kronikë në gur”. Është një ndjenjë shumë specifike ajo që përcjell ai roman, historikisht por edhe për marrëdhënien mes njerëzve. Mund edhe të thuhet se në fakt, qyteti është protagonisti i romanit.

    …dhe kur keni shkuar në Gjirokastër, atë që e kishit përfytyruar përmes leximit të  “Kronikës në gur”, e keni gjetur në qytet? Ndjesinë, arritet dot ta përjetonit?

    Jo kur isha përpara 2 vitesh! Por PO, kur isha në vitin 2006, bashkë me studentë të kursit të gjuhës shqipe. Ishte një ndjesi shumë e veçantë dhe e fortë. Nuk kishte fare turistë në qytet. E pashë dhe e kuptova se shumë njerëz kishin emigruar dhe qyteti ishte zbrazur, por ndjesia e “Kronikë në gur”, ishte aty. E kam gjetur atë gjendje që përjetova ndërsa lexoja.

    Vite më pas, ju morët vendimin për të përkthyer letërsi nga shqipja. Sigurisht, të përkthesh një vepër letrare, sidomos të një shkrimtari të njohur botëror, që edhe lexuesit norvegjezë e njohin dhe e kanë lexuar, por të përkthyer përmes gjuhëve të tjera…

    Si e morët ju këtë vendim, për të përkthyer romanet “Darka e gabuar” dhe “Kukulla”?

    Nuk mund të kujtoj një moment të caktuar se kur kam vendosur që të përkthej një vepër të Kadaresë por duhet të ketë qenë me siguri viti 2005 kur unë lexoja “Kronikë në gur”, kur më është ngjallur një dëshirë e madhe për ta përkthyer. Dhe për këtë arsye, e kam përkthyer një pjesë të këtij romani dhe e kam dërguar në një shtëpi botuese. Por, më kthyen një përgjigje e cila më stepi: Është përkthyer! Nuk ka nevojë për një përkthim tjetër.

    Por kur përmbylla studimet e mia doktorale, edhe njëherë kisha kohë të lirë dhe një mik imi që është redaktor i letërsisë në gjuhë të huaj në një shtëpi botuese, kishte dëgjuar se jam i lirë, dhe ishte një rast i mirë për të përkthyer. Ai e dinte se unë isha ndoshta i vetmi që mund të përktheja një autor nga shqipja. Jo për shkakun se kisha një nivel aq të lartë të shqipes, por nuk ka një norvegjez tjetër që mund të përkthejë nga shqipja dhe se përvoja ime në filologji, ishte përparësi. Duhet të them se isha me fat. Ky nuk ishte vendimi im! Ishte vendimi i botuesit dhe unë e kam pranuar me shumë dëshirë. Ishte diçka që do ta bëja me shumë shumë dëshirë.

    Ishte sfidë?

    Ishte edhe njëherë, një tjetër sfidë me gjuhën shqipe, si gjithmonë!

    Por kisha shumë fat që unë kam marrë ato mësime të shqipes me Prof. Emil Lafen për “Kronikë në gur”. Doemos, nuk janë njësoj por ka shumë gjëra të cilat mund të krahasohen dhe isha i njohur me shkrimtarin, në thellësi…

    E kur përkthehet një vepër, sikurse edhe ju e përmendët, nuk mjafton vetëm të njohësh gjuhën, por është çështje e kulturës, historisë, kohës kur ndodhin ngjarjet…janë dije të cilat i keni edhe sepse jeni formuar në histori. Por Kadareja, renditet ndër ata shkrimtarë jo të lehtë për t’u lexuar, edhe nga ne që e lexojmë në gjuhën origjinale. Përgjegjësi e madhe të ndërmarrësh një sfidë të tillë?

    Më vjen mirë që kuptoj se, është i vështirë, edhe për ju, jo vetëm për mua.

    PO! Është një sfidë e madhe por dua t’i rikthehem edhe njëherë mësimeve të vyera me Prof. Lafen, të cilat kanë qenë më shumë se shkollë. Përpara kisha gjithashtu edhe një përkthim të veprave në gjermanisht…dhe kam shfrytëzuar atë tekst për të parë më shumë shënimet sqaruese të përthimit, dhe kjo më ka ndihmuar gjithashtu. Mund të them edhe që kam mësuar shumë gjatë procesit të përkthimit, shumë.

    “Kukulla” është një tjetër roman që ju e keni përkthyer…ç’mendon ti për të dhe si e çmon raportin e shkrimtarit me figurën e nënës?

    Sipas meje, ashtu siç unë e kam përjetuar leximin, “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” dhe “Kukulla”, janë të lidhur më njëri – tjetrin dhe gjykoj se kanë një marrëdhënie të natyrshme, nga njëri tek tjetri. Sigurisht “Kukulla” trajton marrëdhënien e nënës me djalin por edhe mes brezave në përgjithësi; sikurse moderniteti me kohën e vjetër, me periudhën osmane. Është shumë interesante që kur familja mbërrin në Tiranë nga një qytet shumë tradicional, i mbyllur, patriarkal…e vjen në një qytet modern komunist. Të ndjesh këtë marrëdhënie është shumë interesante, të lexoj se si mbetet ajo kulturë e vjetër te nëna, dhe ai shkrimtari gjenial, i cili ka shumë vetëdije…e trajton ethshëm këtë marrëdhënie. Kjo është vërtet interesante, e cila na tregon për një kohë të vjetër disi mistike, si në “Darkën e gabuar”. Pra, vjen pak mistikë në kohën e racionalizmit, që për mua është një nga ballafaqimet qëndrore të të dyja romaneve që unë i kam përkthyer.

    Por kjo është më e fuqishme në romanin “Darka e gabuar” ku autori shfrytëzon atë mit dhe lidhet me psikanalizën. Është shumë interesante kur në fund të romanit, kur vijmë deri në ditët tona, me racionalizmin dhe me gjithçka që do të jetë bazuar në shkencë, qartësi, transparencë…por ama njerëzimit i duhen mitet, i duhen paqartësitë. Këtë kumt e kam lidhur edhe me historinë e vetë Kadaresë si shkrimtar gjatë kohës së komunizmit, kur është dashur të jetojë…

    Ju mbase keni informacion për këto vepra që keni përkthyer por edhe përtej tyre, e lexojnë Kadarenë në Norevgji?

    Po, lexohet!

    “Darka e gabuar” mund të them me siguri që ka pasur mjaft lexues. Ky roman në fakt është botuar edhe në versionin e xhepit, gjithashtu është në formatin audio dhe e-book. Kjo është diçka e cila ka rritur shumë ndjeshëm leximin e tij.

    Ndaj, secili mund ta ketë në dorë në formatin që dëshiron dhe kjo është diçka fantastike. Nuk mund t’iu them shifra, por mund t’iu them se ky roman i Kadaresë është lexuar nga një numër jo i vogël norvegjezësh si vepra e parë e Kadaresë, e përkthyer nga gjuha origjinale. Ndërsa për romanin “Kukulla” ende nuk i kam këto të dhëna, por njësoj edhe ai gjendet në të gjitha formatet e leximit.

    Dua të theksojmë tani, rëndësinë e përkthimit të një autori nga gjuha origjinale dhe jo nga gjuhë të dyta, shpesh edhe të treta…

    Kjo është thelbësore!

    Sepse nga përkthimi, nuk humbet diçka, por humbet shumë. Bëra një pushim nga leximi i letërsisë dhe aturorëve shqiptarë, pas përkthimit. Më pas jam kthyer për të lexuar “Prilli i thyer” në shqip, por mora për ndihmë një version në anglisht. Nuk dua të gaboj me këtë që them por me shumë gjasë ishte i përkthyer përmes frengjishtes. Kishte keqkuptime direkt mund të them se për fat të keq, nuk ishte “Prilli i thyer”, origjinalin e të cilit unë kisha në dorë. Ama kam dëgjuar nga lexues dhe studiues, vlerësime të jashtëzakonshme për përkthimet e Jusuf Vrionit. Por, si përkthyes, në asnjë rast nuk do të kisha vendosur që të përktheja një autor përmes një gjuhe tjetër, veç gjuhës origjinale në të cilën e ka shkruar autori.

    Veç Kadarese, ju lexoni vazhdimisht letërsi shqipe. Aktualisht jeni duke lexuar “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo” të Dritëro Agollit. Si është qasja juaj me leximin e letërsisë shqipe?

    Unë kam bërë atë që kanë bërë shumë botues dhe lexues në vende të tjera, duke lexuar Kadarenë dhe vepra e tij pasi ajo është e përkthyer. Por më vjen keq që nuk kam shumë dijeni për autorë, shkrimtarë shqiptarë të tjerë. Veçse tani e kam një listë dhe kam marrë disa libra të autorëve shqiptarë për t’i lexuar. Ajo që dëshiroj është të lexoj më shumë letërsi bashkëkohore shqipe; sikurse dëshiroj shumë të lexoj klasikët e Rilindjes, dhe me shumë gjasë do ta bëj.

    Po për romanin “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, çfarë mendoni?

    Është një vepër shumë interesante. Në nisje të leximit, mu duk shumë larg nga situata e ditës! Por sa më shumë thellohesha në lexim, aq më shumë kuptoja se ka gjëra universale; e duhet të themi se probleme të tilla ende ka, me to ndeshet secili prej nesh në shoqëritë ku jetojmë, kudo.

    Është shkruar me shumë humor dhe me siguri nuk arrij dot që t’i kuptoj të gjitha thumbimet që autori bën përmes personazheve të tij, por për mua është kënaqësi e madhe të lexoj vepra dhe autorë në gjuhën shqipe.

    Ju sigurisht që keni pasur një kontakt profesional në nisje me Shqipërinë, më pas keni filluar të lexoni letërsi, të përktheni, të kërkoni të njihni të tjerë autorë. Ju gjithashtu keni ardhur disa herë në Shqipëri. Përse kjo lidhje me këtë vend?

    Ka shumë studentë me të cilët unë e kam mësuar shqipen dhe ata e kanë parë gjithë këtë, thjesht si punë dhe kanë pasur një lloj interesi për gjuhën dhe për vendin. Ndërsa unë kam investuar shumë për këtë gjuhë dhe për këtë kulturë dhe nuk dua kurrësesi ta humbas atë. Kisha pak vite që nuk kisha qenë këtu në Shqipëri ndaj edhe u riktheva me shumë dëshirë, si turist ndonëse për mua, nuk ka ndonjë ndryshim themelor kjo gjë, mes punës dhe pushimit.

    Vendi juaj është një vend në të cilin mund të vij, të arrij të pushoj dhe të zhvilloj lidhjen time me kulturën, e cila më intereson. Vendi tjetër më të cilin kam një lidhje shumë të fortë profesionale, për momentin e kam të pamundur të shkoj. Në Rusi nuk mund të shkoj për shkak të sigurisë, pasi gjithçka mund të ndodhë. Madje për një person të lidhur me ushtrinë, do të ishte e rrezikshme. Ndërsa këtu mund të vij dhe ja ku jam, duke i treguar familjes sime se në këtë vend kemi qenë, kemi qëndruar për disa kohë…dhe siç e kam theksuar, është një ndjesi shumë e këndshme kur njerëzit kuptojnë se flas shqip, befasia e tyre, emocioni që më japin. Përveç kësaj, në vendin tuaj ka shumë bukuri natyrore dhe vlera kulturore ndaj edhe përvoja këtu është përherë shumë e mirë.

    …për ta mbyllur, mendoni se mund të përktheni diçka tjetër nga letërsia shqipe?

    Nuk kam plan për diçka por doemos që kam dëshirë!

    Ajo që dua shumë të bëj tani është të përkthej “Kronikë në gur” nga shqipja në norvegjistht. I rikthehem dëshirës së parë. Pas atyre mësimeve të vyera që kam marrë nga Prof. Lafe, kam njohuri të mira dhe shumë të mëdha për ta përkthyer atë kryevepër të Kadaresë. Ajo vërtet është e përkthyer në norvegjisht por nuk është e përkthyer nga shqipja dhe kjo do të ishte një vlerë e shtuar për përvojën e leximit të lexuesit norvegjez.

    Doemos mund të mendoj për të përkthyer edhe diçka tjetër, por është çështje kohe dhe fondesh. Pas 2 vitesh kur të mos jem më kreu i grupit të punës së një projekti shumë të rëndësishëm, do të gjej doemos kohë për t’iu rikhyer shqipes dhe letërsisë shqipe. Deri atëherë do të kem lexuar edhe autorë të tjerë të letërsisë bashkëkohore shqipe. Aktualisht, njoh edhe një përkthyes profesionist i cili ka njohuri të shqipes dhe do të kem edhe ndihmë prej tij për të mundur që të kemi një përhapje më të mirë të letërsisë shqipe për lexuesin norvegjez. Sot, lexuesi është shumë i përqëndruar në leximin e Kadaresë sëpse ai është përkthyer shumë. Është përkthyer gjithashtu Ylljet Aliçka, por ndjesia ime është se ai libër është i shkruar më shumë, mendoj për një lexues perëndimor në pikëpamje të nivelit kulturor, “Dosja 12…” apo sikurse është në shqip “Rrëfenja me ndërkombëtarë”.

    …është e mudur të sigurohen fonde në Norvegji për përkthime nga gjuhë të vogla, nga shqipja në këtë rast?

    Botuesit janë ata që e njohin më mirë këtë realitet, por unë personalisht, kam siguruar një fond si përkthyes për romanin “Kukulla”. Në Norvegji, pjesa më e madhe e përkthimeve bëhen nga anglishtja ose suedishtja dhe të sigurosh fonde përkthimi nga këto gjuhë, është e lehtë. Ndërsa për gjuhë të vogla si shqipa apo edhe të tjera, ekziston një fond, mund të aplikosh dhe unë jam njëri prej atyre që kam përfituar, por mundësitë janë më të vogla. Çfarë është më e rëndësishme se kaq është që libri i cili përkthehet dhe botohet, të jetë në listën e librave për t’u shpërndarë në rrjetin e bibliotekave shtëtërore. Nëse libri i propozuar për botim, mundet të hyjë në këtë listë, kjo është siguri financiare për botuesin dhe kjo është më e rëndësishmja. Për autorë të panjohur, pak të njohur apo për vepra nga gjuhë të vogla, çështja është disi komplekse pasi është e natyrshme se janë në kërkim të titujve të cilët kanë arritur të jenë të suksesshëm në gjuhën e tyre origjinale apo kanë sukses ndërkombëtarisht. Por dikush duhet të bëjë diçka edhe për letërsinë e vendeve të vogla, apo jo?! Megjithatë, gjendja nuk është ideale dhe duhet të kesh dedikim për ta arritur këtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË