More
    KreuLetërsiBibliotekëJ.M.G. Le Clézio: Kujtimi yt, Orija

    J.M.G. Le Clézio: Kujtimi yt, Orija

    Përktheu nga frëngjishtja Feride Papleka

    Fituesi i çmimit Nobel për letërsi 2008, Le Clézio (1940) njohu shpejt suksesin me romanin „Procesverbali“ (1963), çmimi Renodot. Deri në mes të viteve ’60 vepra e tij dallohet për kërkime formale nën ndikimin e Romanit të Ri. Më pas ai pasqyroi origjinat familjare, ndërmori udhëtime të gjata dhe u njoh me kulturën amerindiane. Krijimtaria e kësaj kohe shquhet për trajtimin e temave të  dhimbjes, ankthit dhe  kaosit urban. Disa romane të tij i lënë një vend të dukshëm onirizmit dhe miteve : « Shkretëtira », « Kërkuesi i arit », « Onitsha », çështjeve ekologjike : « Libri i arratisjeve », « Lufta » ; dhe kulturës indiane : « Gjigantët », « Udhëtime në anën tjetër », « Mondo dhe histori të tjera », « Stina e shirave » si dhe libra me domethënie më vetjake, autobiografike ose familjare : « Afrikani », « Revolucione », « Ylli endacak » etj. Ai ka botuar me dhjetëra libra (romane, tregime, novela, biografi, ese) që janë përkthyer në shumë gjuhë. Le Clézio cilësohet si një nga autorët francezë më të përkthyer në botë. Refleksionet e tij kulturore janë të shumta. Ai vetë citon poetët John Keats dhe W. H. Auden. Pohon se është ndikuar nga J. D. Salinger, nga W. Faulkner dhe Ernest Hemingway.

    Në librat e tij shtjellohet problemi modern i përplasjes individ-shoqëri, i dhënë me lirizëm dhe me monolog të brendshëm. Kundërshtimi, kallëzimi i së keqes e i vrazhdësisë së shoqërisë qytetare i veprave të fillimit, shndërrohet në një problem universal dhe vë në pikëpyetje zhvillimin e botës perëndimore për format e reja të shfrytëzimit si prostitucioni, trafiku njerëzor, droga etj. Në veprat e pjekurisë, me një ton shumë vetjak e me vërtetësi, ai përdor metafora prej vizionari për të shprehur para së gjithash, «aventurën e qenies njerëzore».


    Natën sjell në mend emrin tënd, Orija, që je gruaja ime dhe emrat tuaj, Sandra, Xhamila dhe Ali, fëmijët e mi që ju dua. E fillova me emrin tënd dhe me emrin tënd dua ta mbyll, Orija, gruaja ime, sepse ti je ajo që dua më shumë në jetë. Kur u nisa nga Tata, para tre vjetësh duke lënë prapa gjithçka që kam dashur dhe kam njohur që prej fëmijërisë, shtëpinë e tim eti dhe të mëmës, s‘kisha asgjë për të marrë me vete. Ne ishim aq të varfër, sa më duhej të ikja. Mora me vete atë që kisha më të çmuar, emrin tënd. Vetëm emrin tënd, Orija. Ai është shumë i ëmbël. Unë e përsëris atë çdo ditë, çdo natë. Emri yt më jep forcë për të punuar. Ai është bekimi im.

    Orija, emri yt më turbullon e më mbush me lumturi kur e shqiptoj. Ai ka hyrë aq thellë në shpirtin tim, sa më duket sikur kam lindur me të. Çdo mbrëmje, i lodhur nga kantieri i Giglionit, hyj në dhomën, që gjendet te Rruga e Italisë, bashkë me tunizianin Malik dhe shtrihem. Nuk e dëgjoj më zhurmën e televizorit, s‘e shoh dritën e kaltër që fërgëllon nëpër dhomë, as ato figurat e çmendura, të cilave ti, Orija, nuk do t‘u përkasësh kurrë. Maliku e ndjek televizorin, derisa e merr gjumi. Ai nuk flet, shikon gjithçka : Çmimin e madh për automobila ; garën e anijeve me vela, uraganin mbi Kenë ; gruan e mrekullueshme, horoskopin, zjarret e dashurisë, Botërorin ‘90, Supermenin etj. I ndjek këto imazhe me aq vëmendje, sa ndonjëherë kam përshtypjen se do të luajë mendsh.

    Unë mbyll sytë ashtu shtrirë pranë dritares dhe më shfaqesh ti, Orija. Maliku nuk të sheh. Vetëm unë të shoh në këtë dhomë të ngushtë, sepse unë e kam emrin tënd të shkruar thellë në zemër dhe pres ditën kur do të kthehem. Emri yt është i shkruar në një frazë tepër të gjatë që s‘mbaron kurrë, një frazë që vjen butësisht drejt teje, drejt anës tjetër të botës ku më pret ti. Jam aq larg teje në këtë qytet, në këtë dhomë ! Gjatë dimrit, poshtë tarracës është ftohtë dhe verës të zihet fryma. Shtrojat tona janë thuajse në tokë. Maliku fle pranë derës, unë pranë dritares. Në mes janë shtrojat e Shimanit, vëllait të Malikut. Ka një javë që Shimanin e zuri një mur përforcues në kantierin e Giglionit. Humbi dorën e djathtë. Ai nuk mund të punojë më. Kur të dalë nga spitali do të kthehet në Tunizi, pranë gruas dhe fëmijëve. Ma tha Maliku këtë, pastaj ai vazhdoi të shihte televizor i mbushur me zemërim. Pa dashur, unë mendova se si do të dukej ty, Orija, nëse do të më ndodhte mua kjo gjë ? Nëse do të përfundoja në shtëpi i gjymtuar, ç’do të thoshin fëmijët tanë ?

    Mua më pëlqen që fle pranë dritares. Mëngjeseve në pranverë mund ta shquaj ç’kohë do të bëjë ditën. Dëgjoj zogjtë që këndojnë. Më duket sikur shoh pakëz dritë nga Tata, dritën që sheh ti, Orija, me sytë e tu.

    Edhe emrin Tata kam dëshirë ta shqiptoj. Këtu, ky emër i bën njerëzit të qeshin. Ata nuk e kuptojnë. Unë e them me zë të ulët si për t’u shfajësuar, sepse ky emër u duket i çuditshëm, e bëj që t‘i paralajmëoj, se s‘mund ta ndryshoj. Sidoqoftë, është emër shumë i ëmbël, emër si yti, Orija, që më jep forcë e jetë. Unë përmend, gjithashtu, emrat që njoh, fshatrat, qendrat tregtare. Ata janë si emrat e familjes sime : Suk, Ileto, Tazar, El Khemia, Aixhe, Imitek. Unë i përsëris me sy mbyllur dhe e ndiej veten pranë teje, Orija, edhe pse trupi im gjendet larg trupit tënd, edhe pse duart e mia nuk mund të të prekin, edhe pse nuk ha dot nga buka që gatuan ti, edhe pse nuk pi dot nga uji që sjell ti.

    E shoh buzëqeshjen tënde. Në veshët e mi vjen murmurima e zërit tënd duke i kënduar ninullë vajzës sonë që ende nuk e njoh. Vështroj shkëndijëzën e syve të tu robërues, qepallat e tua të lyera me khol, i marr erë parfumit të flokëve të tu kur i kreh nën diellin e mëngjesit në oborrin e shtëpisë. Të sodis, si atëherë kur zgjatja kokën përmes perdeve të dritares në dhomën e burrave.

    Stinët kaluan larg teje, Orija, larg jush, fëmijët e mi. Në dimër bën aq ftohtë kantiereve, sa vetëm kujtimi juaj, kujtimi i zërit dhe i vështrimit tënd, Orija, më mbajnë gjallë. Për ty ngre gurë, derdh beton mbi skeletet prej hekuri të ndryshkur, shtrëngoj vidat në rrjetat e tavaneve, patinoj mure. Emri im është Abdelah, emri i tim eti është Rebo, nëna ime quhej Khadija. Padroni Giglion as emrin tim nuk e mban mend. Ose nuk do. Ai më thërret Ahmed. Të gjithë patinuesit quhen Ahmed. Por, ç‘rëndësi ka kjo ? Për ty unë ngre lopatën, për ty hedh çimento, për ty gdhend fasada. Ditë pas dite, muaj pas muaji ngre mure, patinoj allçi. Kam ndërtuar aq shumë shtëpi, sa do të mjaftonin për tërë familjet e Tatës ; kam ndërtuar qytete të tëra. Kur të kem grumbulluar aq para, do të kthehem Orija, dhe kurrë më s‘do të ndahemi.

    Dielli më djeg trupin, të ftohtit më plasarit lëkurën, pesha e lopatave m’i këput gjymtyrët. Por tani u mësova. Kur erdha në këtë qytet para tre vjetësh, isha ende i dobët dhe i druajtur si fëmijë. Mbrëmjeve isha aq i lodhur dhe ndihesha aq i vetmuar, sa shtrihesha përtokë e më dilnin lot nga sytë. Banoja në një fjetore me zezakë dhe tunizianë, sipër një bari. Drita e neoneve krijonte një njollë gjaku mbi dritare. Në rrugë kishte zhurmë makinash. Vinin gjer aty ulërimat e njerëzve të dehur, që grindeshin, të grave që thërrisnin. S’kishte as fëmijë dhe as ëmbëlsi. Atëherë fillova të kujtoj emrin tënd, Orija, dhe emrin e secilit prej fëmijëve, dhe emrin e Tatës.

    Ato çaste sillja në mend kujtimin e asaj dite që të takova ty, Orija, gruaja ime, në pemishten e madhe të lumit, ditën e festës kur ti erdhe me kortezhin e vajzave të reja për t’u hedhur polen luleve të hurmave.

    Ajri ishte i lehtë, e mbaj mend mirë. Pluhuri i artë pluskonte në ajri. Lugina jehonte nga këngët. Kur kortezhi kaloi para meje, unë të pashë, Orija, shkëndija e vështrimit tënd hyri tek unë dhe nuk doli më. E kuptova, ti ishe gruaja ime.

    Në dimrin e hirtë e të bardhë të kantiereve, në këtë qytet aq larg nga ti, kujtimi i asaj dite është përherë i pranishëm. Ai më jep forcë, më mban lopatën, ai ngre thasët me çimento dhe allçi. Edhe në të dielat e zbrazëta, në bulevardet e pluhurosura, në tarracat e frikshme, kur jam fillikat, pa fëmijët pranë, i rrethuar me ligësinë e njerëzve që kërkojnë një viktimë, kujtimi i asaj dite në luginën e hurmave nuk më lë vetëm. Të shoh ty, Orija, veshur me fustanin plot hir, me fytyrë dhe duar të mbuluara nga ngjyra e artë e polenit dhe shkëndija e vështrimit tënd mbetet përjetësisht në vështrimin tim.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË