More
    KreuLetërsiBibliotekë"Itineraret e asgjëkundit", poezi nga Petro Çerkezi

    “Itineraret e asgjëkundit”, poezi nga Petro Çerkezi

    KAFE NË JUVENILIA

    (Kujtimi i fundit me Ismail Kadarenë)

    Te Kafe Juvenilia –
    ora kishte një plagë të fshehtë drite,
    që pikonte nga balli i Historisë.
    Ishim pesë vetë,
    por në tavolinë endeshin pesë silueta të tjera;
    një e Historisë,
    një e Lavdisë,
    një e Penës,
    një e Pavdekësisë
    dhe një e Heshtjes ‒
    të gjitha në një bronxërim të padukshëm,
    që madhështohej e merrte frymë mes nesh.
    Kadareja nuk fliste,
    fjalët i dilnin me vështirësi nga goja;
    kishin ikur, si zogj pa peshë,
    që kishin kaluar përmes mureve,
    perandorive, diktaturës
    heshtjeve familjare
    dhe hartave që refuzojnë të thinjen.
    Gruaja ime herë buzëqeshte
    duke bërë fotografi,
    herë mbante filxhanin thua se lexonte
    profecitë nga hijet ballkanike.
    Dy botuesit pranë,
    mbanin në vështrim diçka nga e ardhmja e letrës;
    një murmurimë dorëshkrimesh të pabotuara
    dhe romanesh që flenë
    në raftet e heshtura të natës.
    Bëmë fotografi.
    Blici ‒ një prekje përjetësie;
    çaste që nuk kanë frikë nga vdekja.
    Pastaj erdhi kafja e hidhur ‒
    e hidhur si pemët që rriten
    pa rrënjë në tokë,
    si fjalët që duhej t’i fshiheshin çensurës
    për të mbijetuar.
    Shfletoj librat e tu,
    si të kërkoj zërin tënd;
    kurse zëri im humbet
    në faqet që lamë hapur,
    në rrugët e pashkelura,
    në bisedat e pafundme,
    në kafen e hidhur
    në një tavolinë pranë liqenit vjeshtor,
    diku në vendlindjen tonë
    te kopshti i Luksemburgut apo në Kafe Rostand.
    Tani që ike, Ismail,
    karrigia jote mbeti bosh ‒
    por zëri yt mbush sallat,
    zemrat dhe shpella të zeza mërie të fshehtë
    dije:
    të përkujtojmë me seriozitetin e ëndrrës,
    atje ku gjithçka është e mundur ‒
    edhe pavdekësia
    e një pasditeje të thjeshtë
    në një kafene të Tiranës.

    9 prill 2025


    Fragment nga poema: KAOS

    IV

    Këtu nuk ka qiell. Këtu nuk ka kohë.
    Vetëm rrënoja dhe hi që bie si borë.
    Kurse fëmijët luajnë me kukulla prej kockash,
    që kanë për sy dy gëzhoja.

    Zjarri nuk është prej bombash dhe flake.
    Janë zinxhirë të padukshëm sistemi.
    Janë zyra diplomatike, ministri krimi,
    kopje e regjistrit me vulë:
    “vdekje sipas marrëveshjes”.

    Këtu digjen marrëveshjet para se të nënshkruhen.
    Digjen emrat në karvanët e refugjatëve.
    Digjen sytë që panë vdekjen
    dhe u mbyllën fort — jo nga gjumi,
    por nga pikëllimi.

    Zjarri ka formë. Klithmë vajtimi.
    Vesh kostum, mban mikrofon,
    dhe premton paqe me faturë vdekjeje.

    Në rrugë britmat s’kanë gojë.
    Flakët ngatërrohen me mjegull mashtrimesh,
    dhe bota bëhet një zinxhir
    ku çdo hallkë thotë:
    “Ligji jam unë, kështu e dua botën!”

    Por brenda zjarrit valon një flamur,
    një njeri mban një libër. Është Dhjatë
    Nuk digjet. Është poezi. Është zjarrfikës.

    Brenda zjarrit lind një lule e kuqe
    një grua shtrëngon dorën e birit së saj të vdekur
    dhe thotë: “jo, nuk do të harroj kurrë, biri im!”

    Brenda zjarrit lind një hero
    një i ri refuzon të marrë armë.
    Këtu nis mrekullia.

    Zbresim më thellë në zjarr
    jo për të gjetur shpëtim. Por për të shuar flakën e urrejtjes
    sepse atje, në të kuqen më të thellë të ferrit,
    klith dhe kalitet kujtesa.

    Dhe kujtesa, kur këmbëngul,
    do të bëhet bërthama
    fjalësh që ende i përtypin rrotat e tankeve:
    dhe bombardues të rëndë: jetë, njeri, paqe!

    Shkurt 2025


    SHKELA NJË LULE

    Shkela padashje një lule,
    një përkëdhelje e thyer nën hapin tim –
    dhe prilli mori një krisje.

    E mora në pëllëmbë,
    me heshtjen që rëndon më shumë se një britmë.
    Lule kadife, si psherëtimë lëngimi
    nga gjoksi i tokës,
    me kokën varur
    lamtumirë e trishtë pa fjalë.

    Ah, the ti. Vetëm një “ah”,
    por ajri u shqye,
    si një letër që nuk mbërrin kurrë tek marrësi.

    Shikimi yt u bë pasqyrë reje,
    dhe befas…
    u kujtove për atë zog
    të rënë nga foleja –
    si një ligjërim i ndërprerë në mes.

    E ngrite me duar
    të vesitura nga dashuria,
    e vendose mbi degë –
    si të mbillje një filiz shprese
    në trungun e jetës.

    Lulja… dhe zogu.
    Që atëherë, zogjtë
    këndojnë ndryshe –
    me ligjërime që tingëllojnë si triumfe,
    nota pemësh që dirigjojnë stinët.

    Shkela një lule, dhe mendova:
    për ata që kurrë nuk do t’ia ndjejnë aromën,
    për ata që s’mund t’ia dhurojnë më së dashurës,
    për ata që i shkelin barbarisht si hiç,
    për ata që i flakin nga ballkoni
    dhe s’dinë ç’është një lule dhuratë,
    dhe për ata që, me buzëqeshje në shpirt, thonë:
    “faleminderit… që lulëzove.”

    Lëkura e saj –
    mbeti ngjitur në thembrën time,
    si një faj që nuk fshihet kurrë:
    i butë si kënga e zogut,
    si lot nga sytë e së dashurës.

    Prill, 2025


    POETI BJOND I PËRMETIT

    Mikut tim Bardhyl Londo

    Ulur këmbëkryq shkruan mbi shkëmbinjtë e Vjosës,
    me një cigare në buzë dhe një trëndafil në vesh
    me duar që kapeshin me vetëtimat,
    dielli binte mbi flokët e tu bjonde
    dhe hija jote bëhej urë
    për ëndrrat që hidheshin mbi humnera.

    Poet, mik, bashkëudhëtar,
    pikturoje një Itakë që nuk e pushtove kurrë.
    Uji i lumit rridhte, Aoos ushtonte.
    si mendimet e tua, thellë,
    në kërkim të deteve të panjohura
    atje ku dashuria dhe njeriu
    mbulojnë lakuriqësinë me çarçafë ngjyrë hëne.

    Fjalët e tua ishin anije
    ngarkuar me dritë, errësirë, krisma dhe trandafila,
    njerëz që përloteshin, dashuri
    që luftojnë me vdekjen dhe stuhitë,
    dhe ti, poeti bjond i Premetit,
    na çove në ranishte
    plot guacka të thyera me flakërime mirazhesh.

    Në brigjet e Vjosës zëri yt dëgjohet ende,
    era shpërndan të qeshurën si lule qershie,
    dhe gurët kujtojnë hapin tënd
    kur shkruaje poezinë më të bukur për dashurinë,
    sikur të bisedoje me vetë perëndinë.

    Tani udhëton pa valiçe e bagazhe,
    pa letër dhe bojë,
    ulesh këmbëkryq mes maleve të larta
    duke thithur cigaren e yllit të mbrëmjes
    dhe ne vimë pas teje duke qëmtuar fjalë simbole
    për të ndërtuar Itakën tonë
    me mbeturinat e hulumtimeve të tua.

    Natën e mirë, poeti biond,
    Vjosa të dha lamtumirën me valët e turbullta,
    trandafilat e Përmetit që mbolle nëpër libra
    u bënë një lumë i dytë
    kurse qershitë presin ndanë udhe të kthehesh që të çelin
    dhe heshtja jote jehon nëpër zemra
    si këngë e përjetshme.

    2024


    PUTHJA

    Më jep një puthje, tha ai.
    Dhe puthja mbeti pezull,
    si një peshk pa ujë
    përpëlitur pa frymë në një zall mërzie.

    Era e mbështolli si një sferë e padukshme,
    E fshehu në një çast që nuk erdhi kurrë.
    Ashtu si streha e kapelës së Melania Trump
    ishte zgjeruar, po i bënte hije qiellit
    dhe gëlltiti fytyrën e saj.

    i fshehu sytë e qeshur,
    i fshehu buzët trandafil maji,
    fshehu mëkatin.
    Flatër e rrëmbyer nga era.

    Puthja mbeti pezull,
    jetim në një natë pa gojë,
    një zog pa ligjërim,
    një celular që nuk do të bjerë më kurrë,
    mesazh që humbi pa u lexuar.

    Shkurt 2025


    ITINERARET E ASGJËKUNDIT

    Koha si bishë e uritur na ngre gracka, e mira ime
    dhe s’kemi sy të admirojmë bukurinë
    (ah, bukuria, e dhunojmë si plangëprishës)
    nuk janë gracka iluzive, po kthetra vetmish
    mbi lëkurën e grisur me tatuazhe dhimbjesh
    forma meduzash me koka gjarpërinjsh që ulërijnë
    pret një dhe mbijnë shtatë të tjera
    nga akrepat e orës ngulur në mish si kama
    gjaku tashmë ujit kopshtin e shkretë të ndërgjegjes
    me trungje pemësh si statuja të djegura
    nga zjarri planetar i mëkateve njerëzore
    nesër në mesditë, tha do ti bie këmbanës
    në kambanoren bonxore të diellit
    por atje s’egzistonte këmbanë vetëm katedralet e reve
    që shtyheshin nëpër qiell me gjëmime shurdhuese
    dhe lulekëmbanat që flladiteshin nga era indiferente
    pa fuqinë transformuese të një rendi të ri pa status mërzie
    për të vrarë xhelatin demonjak të frikës
    do të marr arratinë tha ky truall skëterre s’më mban më
    eja të pres thërriste një zë sirene
    ndoshta nga ana e përtejme e lumit
    nga anija e Uliksit apo nga bota e përtejme
    eja të pres të pres të pres ushtonte zëri gaz a vaj
    i një sirenë (ah sa magjishëm këndonte)
    me zjarre pasionesh si hi vullkanesh të shuar
    ditari i padeshifrueshëm i ditëve pa itinerare
    në mëngjes priste në stacionin e trenit
    në mesditë u ngjit në ballkonin e një reje
    në mbrëmje ishte varur në gojën e arushës së madhe
    duke trazuar prushin e yjeve për të gjetur Itakën e ëndrrës
    dhe surprizonte të paarritshmen
    duke numëruar minutat që binin si pika shiu
    mbi tokën e djegur toka e premtuar e utopisë
    deti trokiste si sahat pasionesh tik-tak tik-tak
    si hapa nimfash që kishin braktisur kaltërsitë
    dhe çapiteshin shkujdesur mbi asfalte qytetesh eunukë
    treni që priste i zgjaste shinat mbi ballë
    hodhi spirancën e kujtesës
    në ujërat e akullta të adoleshencës më nuanca të purpurta
    dhe fjeti mbi shtratin e zhgjendrrës
    me itinerare absurde në gjeografinë e asgjëkundit

    2024


    DESHA TË ISHA SHI

    Qiell i murmë
    Vesonte qetësisht
    Qëndrova nën një pemë
    Dhe ëndëroja të isha
    Shi i beftë

    Të të rrëmbeja ombrellën ylberore
    Të të laja me puthje
    Të të përqafoja me gishta erërash
    Në një vals ëndërrimi

    Desha të isha një shi i vrulltë
    Ardhur në rrugën tënde
    Nga ky qiell i largët
    Mërgate.

    2025


    BOTË E PALËVIZËSHME

    Kaloi nxitimthi me një përshëndetje të thatë
    siç kalon egoizmi krenaria boshe dhe narcizmi
    dhe lavdia e zezë dafinë lëkurëvoshkur
    në një takim incidental në prag të verës
    dhe hyri në oborrin katastrofik
    të një agimi tempullor pa ju dridhur qerpiku
    me grigjë kuajsh krifëkërleshura
    premtimet flatra të thyera fluturakësh
    dhe një qiell pa temperament që s’u premtoi fluturimin
    një Minotaur ulërin nga labirinthet mistike
    dhe bota zhytur në makthe e zhgjendra
    në cilin kënd të mërisë na kanë zënë pritë
    një sërë shqetësimesh afatshkurtra
    na mbështetën me kurriz
    në murin e zbardhur të pasigurisë
    qëndroi mes të shtënash dhe buzqeshjesh ironike
    me sytë rebrengosur
    me kompromiset të ngatëruara dhe biletë udhëtimi
    në xhepin e pardesysë evropiane
    maska modelore e një refuzimi digjte me sy cinikë
    kurse heshtja kafshonte fytin e të mundshmes
    dhe rezistencën e materies akumuluar
    në ngjarje me kode ieroglifesh të padëshifruara
    në lëvizje kaotike parashikime bastardësh
    të një kohe demode luxuri palaçosh me papijon
    dhe pa me dëshpërim se ishte i rrethuar
    nga një botë e palëvizëshme inerte
    e vetmja gjë që ndryshon është veshja që i mbulon.

    Vjeshtë, 2024


    NË BINARËT E PIKËLLIMIT

    Shihte binarët krahë të shtrira në hapësirë
    pa asnjë mundësi bashkimi
    treni i natës kishte kaluar si bishë e zezë
    duke uluritur pa ndaluar në asnjë stacion
    ylli i mëngjesit ngrohu sigurinë e tij të vjetër
    ndizte cigaret njerën pas tjetrës
    thua se donte t’u premtonte edhe pak jetë yjeve
    gjithë trenat kishin ikur drejt Oksidentit
    kurse ai rrinte ende në stacionin e pritjes
    si një murg që e ka braktisur perëndia e vet
    me një besueshmëri të panevojshme
    i zhytur në falje humbake
    mbi paterica iluzionesh të vjetra
    ballkoni i një ylli i varej mbi kokë
    thua se ishte ylli i fatit që s’donte të emigronte
    e të zhdukej pas vargmaleve të një bote tjetër
    mbrëmja erdhi duke vozitur krejt vetëm
    në një det sigurie inekzistente
    njelmësia i digjte buzët e zemrës
    mëngjesi po zvarritej si një tren pa orientm
    mbi binarët e pikëllimit


    IDHULLI I DASHURISË

    Idhulli i dashurisë sime jeton nëpër pasqyra
    Në ujëra, në re, në puthjet e diellit
    Hyjnia e dashurisë sime është e fejuar me blatime prilli
    Mos ja prekni degët, do të lëndoni pafajësinë
    Mos i trëmbni zogjtë e ligjërimit, pylli i dehur do të marri flak
    Fytyra e saj dallgëzon një det me pulsime vetëtimash
    Vetmitë e mia shtegtime të çmendura në hartografinë imagjinare të befasisë
    Mosha ime matet me kalendarin ekuatorial të erosit
    Përqafimi i saj është mitra e kashtës së kumtërit
    Përqafim vetëtimash, në një trup mikpritës jaseminësh
    Të gjitha portat hapen, peizazhe të pikturuara idilike
    Një mur pasqyrash ku frika thyen kokën
    Idhulli i dashurisë ka kujtesë lulërie
    Ka tokë ku përjetësia ndërton baziliken e saj
    Dhe një valle rebele që e detyron Akeronin të ndërrojë shtrat


    NËNA QËNDIS

    Nëna qëndis në ditë me mjegull
    E netë me hënë
    Me fije ari dhe fije vetëtimash

    Nga gishtat e saj të shpuara
    Rrjedhin pika gjaku
    Dhe mbijnë zambakë
    Gishtat u bënë mikrografi lëndinash
    Mbi peisazhin dimëror

    Nëna qëndis
    Kopshti hyri në dhomë
    Pranvera var kurtinat në dritare
    Dielli rri përballë dhe i përkëdhel dlirësisht
    Pastaj var bandat me drerë e sorkadhe në mur
    Dhe një copë behari në tavolinë
    Te jastëkët në krevat në baullen e ëndrrës
    Dhe në sëndukun e pajës

    Vjeshta u zgjua. E shtroi në qilim
    Dhe kominezonin e prillit në kurm

    Nëna qëndis
    Po jashtë shfryn e shkrepëtin
    Si t’i përballosh ulkonjat e këtij dimri epokal
    Që vetëm një bajame guxon t’i sfidojë


    NUSJA E DËBORËS

    Pjalmi i luleve
    Fustani nusëror i dëborës
    Fërgëllon e vërtitet magjishëm
    Atje ku shuhen të gjitha ngjyrat
    Kurse një dorë ngulmuese
    Skicon një siluetë të brishtë delikate
    Si një nuse dëbore

    Shkalla ku kapem për t’u ngjitur
    Tek dlirësia është prej reje
    Reja rrokulliset dhe humbas
    Në kataraktin e një zhgjendre

    Dita adhuron të kaltrën
    Dhe unë ngjitem sërish në qiellin blu
    Drejt një horizonti ku verbëron
    Dielli mbi dëborë

    Fustani nusëror i dëborës i shqyer i baltosur
    Eci në një qytet të përhumbur
    Mes braktisjes dhe tundimit
    Endem në labirinthe dedalike
    Një vello e argjendë më blatohet
    Më thekë brishtësie si thika të kamufluara

    Një Minotaur më përgjon
    Dhe pergameni i dyshimit pikon
    I padukshëm të helmojë çastet
    Dita e ngrirë si shkretëtirë boshe
    Në retinën e një dite pafytyrë

    Borëron në malet e mia
    Nën një diell përvëlues
    Në zenith të pikëllimit universal
    Libri i dashurisë shfletuar vrullshëm
    Ka ngrirë monumental në faqen e të ikurve
    Nusja e dëborës shkriu
    Dhe mbiu një manushaqe e venitur
    Dhe pjalmi i luleve spërkat stinët shterpa.

    2025


    SEFERI NË KORÇË

    Në Korçë era sjell kantata mbrëmësore,
    pemët pa kujtesë hedhin gjethet
    Unë eci rrugëve dhe nuk e di ç’kërkoj
    Imazhe hënash të thyera rrokullisen mbi çati,
    dhe shiu shkruan me ngjyra të venitura
    në muret e konsullatës së mbyllur.

    Seferis ecën me një dritë letre mirësie,
    Ku është? Si ta kapim ylberin që i rri mbi supe,
    Si ta kapim rrufenë që nuk ka fole
    mes pemëve që pëshpërisin vargje,
    në rrugët që përkulen për ta dëgjuar
    pulsime zemre vjeshtrave të përflakura.

    Një natë e mermertë qëndron para tij,
    një mal gjigand na bllokon kujtesën
    e frikshme harresa statujë që fshin çdo gjurmë.
    Kurse ai shkruan me vështrimin e hidhur,
    një vijë blu mbi malin e Moravës.

    Një diell i plasaritur noton në gotën e tij,
    në një kafene që nuk ka çati,
    në një oborr ballkanas që nuk ka horizont
    dhe tingujt e fjalëve luajnë fshehurazi
    me kalimtarë të pushtuar nga letargjia.

    Korça zgjohet si një poezi e vjetër
    si një dashuri që shkrepëtiu vrullsëm dhe u harrua.
    Dhe Seferis, statujë dhe njeri endet atje,
    largohet në heshtje, duke lënë pas si vegim
    një trandafil hëne, një tingull nostalgjik lire
    dhe hapa, manushaqe malli mbi dëborë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË